Mediat dhe obligimet e tyre në fushatën elektorale

Pristina Oct 24, 2001

Prishtinë, 17.10.2001.

“Ky është një lajm i keq për mediat”, ka deklaruar komisari i përkohshëm për mediat pranë OSBE-së, Anna de Lellio, me rastin e prezentimit të Rregullores për Mediat dhe obligimet e tyre gjatë fushatës elektorale. Në shikim të parë, është ky një qëndrim mjaft i ashpër i përfaqësuesve ndërkombëtarë ndaj mediave kosovare, të cilat gjatë dy vjet e gjysmë të shkuar ishin dënuar disa herë për shkak të jokorrektësisë dhe mungesës së profesionalizmit, respektivisht për arsye se me shkrime të tilla ato kanë rrezikuar sigurinë e personave të caktuar, kanë ngritur tensionet dhe kanë kontribuar ashtu që situata e përgjithshme e sigurisë të jetë edhe më e rëndë.

Kjo deklaratë e znj. De Lellio vetëm sa e ka ripohuar vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për ta vazhduar procesin e realizimit të lirisë së shtypit në këtë regjion, por ku do të respektohen edhe kriteret, respektivisht që “pikëpamjet demokratike” të ndryshme të mos i kalojnë caqet e shijes dhe të shndërrohen në diçka krejtësisht të kundërt. Pra, për mediat e këtushme kjo nuk është ndonjë gjë e re, sepse Rregullorja e re për mediat në garën elektorale në të vërtetë nuk dallon thelbësisht nga ajo e miratuar në vigjilje të zgjedhjeve të organet e pushtetit lokal. Dallimi konsiston vetëm tek obligimet e mediave dhe të partive politike kur kemi të bëjmë me emetimin e spoteve propagandistike, respektivisht të kohëzgjatjes së tyre. Të tjerat kanë mbetur gati të njëjta.

13 TV kanale, 53 radiostacione dhe gjashtë gazeta të përditshme, të cilat emetojnë program ose botohen në Kosovë, kanë marrë instruksione të qarta nga OSBE rreth asaj se çfarë kushtesh duhet të respektojnë. Nga ana tjetër, të gjitha redaksitë kanë marrë mbi vete përgjegjësinë që me objektivitet dhe paanësi ta përcjellin fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të parapara për 17 nëntor.

Ja ku konsistojnë obligimet e këtyre mediave:

Mjetet e informacionit janë të obligura që t'u ofrojnë partive politike, koalicioneve partiake dhe kandidatëve të pavarur një hapësirë të barabartë për prezentimin e spoteve politike. Kjo do të thotë se secili spot mund të zgjasë deri në dy minuta. 26 subjekte politike, sa marrin pjesë në zgjedhje, janë ndarë në tri kategori. Kështu, partitë që kanë më së shumti gjasa për fituar vende në parlamentin e ardhshëm të Kosovës gjatë fushatës mund të emetojnë 30 spote politike, ndërsa partitë e tjera dhe kandidatët e pavarur janë klasifikuar më tej në kategorinë e dytë, respektivisht të tretë, çka do të thotë se mund t'i emetojnë spotet çdo të dytën, gjegjësisht çdo të tretën ditë. Orarin e emetimit të spoteve e përcakton OSBE. Nga ana tjetër, mediat e këtushme janë të obliguara t'i emetojnë edhe spotet politike që nuk janë në gjuhën që e përdor një medij i caktuar, por njëkohësisht mediat mund, nëse duan, të refuzojnë emetimin e ndonjë spoti (të cilësdo parti politike) nëse ai nuk i përshtatet politikës redaktuese të tyre...

Drejtuesi i departamentit për rregullat, legjislacionin dhe standardet mediale pranë OSBE-së, Margaret Grebe, thotë se kjo Rregullore nuk përfaqëson kurrfarë censure, respektivisht që ajo nuk dallon shumë nga kodi i mirësjelljes, për respektimin e të cilit janë të obliguara të gjitha mediat, dhe i cili nga mjetet e informacionit kërkon që të kenë qasje të ndershme dhe objektive, duke mos përdorur gjuhën e urrejtjes. Në të kundërtën, komisari i përkohshëm për mediat, Anna de Lellio, i ka duart e lira kur është fjala për sanksionimin e atyre mediave që nuk e respektojnë Rregulloren, të cilën e ka miratuar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Dënimet sillen që nga kërkimi publik i faljes dhe deri te mbyllja e tyre... Zonja Grebe, nga ana tjetër, është e mendimit se në kohën më të fundit mediat e këtushme kanë dëshmuar se mund të punojnë në mënyrë të balancuar dhe objektive, ndërsa një gjë e tillë është vënë re edhe gjatë zgedhjeve të vjetme për organet e pushtetit lokal në Kosovë.

Përfaqësues të OSBE-së kanë insistuar në vendimin e tyre që gjatë fushatës elektorale do të monitorohen edhe mediat në gjuhën serbe që otohen në Internet, por siç duket ata tani po ballafaqohen me një problem më të komplikuar. Në të vërtetë, duke patur parasysh se OSBE do t'i hapë kutitë e votimit edhe në territorin e Serbisë dhe Malit të Zi, ku janë regjistruar votues (shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Dan Everts, thotë se janë regjistruar rreth 105 mijë votues potencialë, megjithëse është ende e pasigurt nëse pjesëtarët e komunitetit serb do të dalin në zgjedhje), për mediat e atjeshme është e pamundur të parashikohen çfarëdo rregullash. Në OSBE pranojnë se nuk kanë mundësi që nga autoritetet atje të kërkojnë emetimin e spoteve politike. “Ne, megjithatë, do t'i shfrytëzojmë përfaqësitë tona për t'i trimëruar që ta bëjnë këtë dhe shpresojmë se ata edhe do ta bëjnë”, e shpreh entusiazmin e saj zonja Grebe. Tani për tani është evidente që nuk mund të përcaktohen kurrfarë rregullash për mediat jashtë Kosovës, madje edhe nëse ato janë të përfshira drejtpërdrejt në fushatën e forcave të caktuara politike.

Rregullorja, pra, u dedikohet eksklusivisht mediave në Kosovë, prandaj në bazë të gabimeve që do t'i bëjnë ato, por edhe në bazë të ankesave reale të partive politike, të vetë mediave dhe votuesve, do të merret edhe një qëndrim i caktuar ndaj tyre. Sepse, nga kjo fushatë elektorale dhe zgjedhjet pritet që të kalojnë në qetësi, pa incidente, presione dhe kërcënime, respektivisht – siç do të thoshin përfaqësuesit ndërkombëtarë – në një atmosferë demokratike dhe fer. “Ne duhet të sigurojmë që mediat të mbrohen nga 'ndikimet e fuqishme' ngs jashtë. Kjo është një formë e mbrojtjes së mediave dhe gazetarëve duke patur parasysh mënyrën se si do ta mbulojnë ata fushatën elektorale dhe rrjedhën e zgjedhjeve”, ka deklaruar komisari Anna de Lellio.

Mediat e përmendur do të monitorohen jo pesë ditë në javë sa zgjaste monitorimi deri tani, por shtatë ditë në javë, pra edhe të shtunën dhe të dielën. Theksohet se ky monitorim është zgjatur me qëllim të “luftimit të atyre të ashtuquajtur gazetarë që e konsiderojnë veten për pjesëtarë të mbrojtësve të rendit!” Çfarë është edhe më interesante, raste të tilla vërtet kishte...

Zyrtarë të OSBE-së pohojnë se që nga fillimi i fushatës në adresë të tyre ka arritur një numër tepër i vogël ankesash. Duke e theksuar rëndësinë e Rregullores edhe për arye se “për herë të parë në historinë e Kosovës organizohen zgjedhje të lira”, shprehet edhe qëndrimi se dënimi i mediave vetëm në katër raste gjatë dy vjetëve të shkuara, megjithatë, nuk e pasqyron gjendjen reale, por janë më tepër pasojë e kujdesit që ato rregulla të mos shndërrohen në censurë.

Nga mediat kosovare pritet që, të paktën, mënyra e komunikimit të jetë korrekte. Në të vërtetë, vëzhguesit politikë pohojnë se problemi themelor qëndron te “gjuha” e mediave: nëse ato bëhen vend i shprehjes së asaj që quhet “gjuhë e urrejtjes”, është e munddur që ato të monitorohen dhe sanksionohen, por problemi më tepër qëndron te “gjuha 'elegante' e urrejtjes ose e anësisë politike”, tërheqin vërejtjen ata.

Ditët e para të fushatës elektorale janë vlerësuar të qeta, ndërsa mediat megjithatë janë lavdëruar për shkallën e paanësisë së tyre. Mirëpo...

Debatet politike të përfaqësuesve të mjeteve të informimit, të cilët nuk janë kandidatë për zgjedhje, megjithatë shpesh i kalojnë “kufijtë e paanësisë”. Lavdatat drejtuar programit politik të kkësaj a asaj partie dhe “tërheqja e vërejtjes” votuesve ndaj “gabimeve” të ndonjëë partie politike, është bërë modë e debateve të tilla që shpesh janë rezultat i seleksionimeve të caktuara. Nga ana tjetër gazetat e përditshme po ashtu i kanëë mprehur pendat e veta. Disa nga ato i përsërisin të njëjtat metoda që i kanë zbatuar gjatë zgjedhjeve lokale vitin e kaluar. Pikërisht në prag të zgjedhjeve të përgjithshme i nxjerrin në shesh të “palarat” e personaliteteve të caktuara të afërta me ndonjërën nga partitë politike. Në këtë fushatë prijnë gazetat “Epoka e re” dhe “Bota sot”. Mbizotëron opinioni që e para është e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit, ndërsa e dyta me Lidhjen Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugovës. Mirëpo, përderisa e para mund të lavdërohet me tirazhin relativisht të lartë (botuesi e përmend shifrën prej 18 mijë ekzemplarësh), e para nuk mund të krekoset për tirazhin e saj të lartë. Midis tyre veprojnë edhe dy gazeta, po ashtu me tirazh të vogël, “Rilindja” dhe “Kosova sot”, për të cilat nuk mund të thuhet se shprehin anësi ndaj ndonjë grupacioni politik. Nga ana tjetër, si pjesa më e “sofistikuar” e shtyoit të këtushëm konsiderohen “Koha ditore” dhe “Zëri”, të cilat e llozin rolin e një paanëse “absolute”. Konsiderohen si gazeta konkurrente, por tirazhet e tyre mbesin në fushën e presupozimeve. TV kanalet dhe radiostacionet vetëm sa kanë filluar të marrin hov me qëllm që deri në fund të fushatës elektorale të arrijnë t'i prezentojnë programet e të gjithë sujekteve politike që garojnë për zënien e vendeve në organet qendrore të pushtetit...

AIM Prishtinë, Besnik BALA