Autonomia me dirigjim të largët

Beograd Oct 23, 2001

Posa dikush vendosi që me teledirigjim nga Beogradi të emërojë drejtor dhe kryeredaktor e redaktor përgjegjës në TV Novi Sadit, partitë politike vojvodinase insistuan në të drejtën e Vojvodinës për vetëvendosje politike, të parave dhe kthimin e pronave, kurse qeveria republikane ofroi kthim në faza të kompetencave mbi sferat që harxhojnë - informim, arsim, kulturë, pensione... - pa përmendur aspak të hyrat burimore, as paratë.

AIM, Beograd,18.10.2001.

Çështja rreth televizionit novosadas është shtyrë për diskutim në parlament për dy javë, kur sërish do të vendoset se kush ka të drejtë të emërojë drejtorinë e TV Novi Sadit - Kuvendi i Vojvodinës ose Këshilli Drejtues i RTS-së. Më 1992 Televizionin e Novi Sadit ia bashkangjiti makinerisë qendrore propagandistike luftarake të Milosheviqit, së pari kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Vojvodinës, kurse pastaj i Qeverisë së Serbisë, Radoman Bozhoviç. Para Milosheviqit dhe Bozhoviçit, RTV Novi Sadin e themeloi dhe e finansoi Kuvendi krahinor.

Gjatë vitit të kaluar (29 nëntor) 110 nga 120 deputetët e Kuvendit të Vojvodinës caktuan si kryerës të funksionit në TV Novi Sad Aleksandër Kraviç dhe Slavisha Grijiçin deri në zgjidhjen e statusit të kësaj shtëpie televizive. Pas një viti statusi i TV Novi Sadit nuk është zgjidhur, ligji për radiodifuzion nuk është miratuar, RTS nuk ndërroi as shenjën mbrojtëse përmes të cilit funksionoi gjatë gjithë këtyre viteve. Të martën e kaluar (9 tetor) Këshilli Drejtues i RTS emëroi në këto vende njerëz tjerë: Petar Jovanoviçin dhe Milovan Nedeljkovin.

Televizioni novosadas,për pesë ditë fillon dhe mbaron emisionin e lajmeve me singlën e re me vargjet e "Valsit të Laloshkit" të Gjorgje Balasheviçit (" kallinjtë e grurit i kam fis, dëlir brazat / nuk jam rrugac që t'u shitem, këtyre padronëve..."), por këtë nuk e shohin shikuesit e kanalit të parë rë RTS kur i marrin lajmet për transmetim. Deri tani nuk patën sukses as tentimet publike të ashpra mbi TV Novi Sadin, deri edhe në sharje ("Phu, ta q... nënën) që Nenad Çanak, kryetar i Kuvendit të Vojvodinës ia drejtoi tabelës së RTS.

Brenda dy javësh do të dihet se athua dikush do të kërkojë ndërrimin e Nenad Çanakut nga vendi i kryetarit të Kuvendit. Deri tani duhej të ishte kryer puna e komisionit anketues që duhej të vlerësonte sesi erdhi deri tek incidenti ku kryetari i Kuvendit të Vojvodinës e hoqi nga muri, e goditi me shkop dhe shau shenjën vezake mbrojtëse në tabelën e Radiotelevizionit të Serbisë.

Çanak pastaj pasi morri vesh se drejtori dhe kryeredaktori i Televizionit të Novi Sadit dhe pasi kishte bërë të lartpërmendurën tha: "Kjo tabelë nuk do të mund më të qëndrojë këtu. Ky turp, ky flamur famëkeq i shkatërrimit, masakrës dhe shëmtisë nga i cili kanë vdekur fëmijë vojvodinas, kjo tabelë përmes së cilës u shkatërrua vendi, duhej të flakej që nga 5 tetori i vitit të kaluar. Nuk e bëmë këtë se besuam që premtimet e pesë tetorit mbi kthimin e pronës vojvodinase do të plotësoheshin. Kërkuam që Radiotelevizioni i Novi Sadit t'i kthehej atyre që u takonte, qytetarëve dhe Kuvendit të Vojvodinës. Kështu vendosi parlamenti krahinor dhe kështu doemos duhet të jetë. Duhet njëherë e përgjithmonë t'i vëmë pikë RTS".

Reagimet e para në Vojvodinë për "teledirigjimin" beogradas të televizionit novosadas ishin identike me deklaratat e funksionarëve të Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV), Reformisëve të Vojvodinës (RV) dhe Partisë Demokratike (PD): asnjëri nga to nuk konsideroi se duhej ndërruar qëndrimi dhe të hiqej dorë nga vendimi i nëntorit të kaluar. Të gjithë ishin të mendimit se RTV Novi Sadi është i Vojvodinës dhe vetëm parlamenti i saj mund të emërojë drejtorin dhe kryeredaktorin. Aspak nuk ishte çudi pse kështu folën Çanaku dhe Isakovi. Kështu folën edhe krerët e DS nga Novi Sadi: prefekti Borislav Novakoviç ("vendimi i Këshillit Drejtues të RTS-së është skandaloz dhe i papranueshëm") dhe ato krahinor: kryetari i qeverisë krahinore Gjorgje Gjukiç, por edhe shikuesit, shpesh jashtë Vojvodinës.

Reagimet e Beogradit ishin tjetërfare. Këshilli Drejtues i RTS-së shprehu shqetësim për shkallën e informimit të lirë: Dejan Mijaç gjestin e Çanakut e konsideroi si tërbim dhe sjellje iracionale që ishte nxitur pasi "e ka vërejtur se ka stop përsa i përket ndërhyrjes në sferën mediale, siç ishte në kohën e Millosheviqit"; Aleksandar Mandiç shtoi se sjellja e Çanakut "doli nga sfera e logjikës së shëndoshë" dhe përdori fjalën "vepër penale"; Stojan Ceroviç e quajti shembull të uzurpimit të pushtetit përmes një sjellje plot dhunë për çka Këshilli Drejtues nuk mund të gjykojë dhe vendosë për asgjë, por ekzistojnë organet kompetente që duhet të thonë diçka" duke shtuar se janë të tepërta "këto gjeste të thjeshtë nga Vojvodina edhe nga pjesët dhe mjediset tjera të kësaj shoqërie". Aleksandar Crkvenjakov përmendi se Çanaku ishte i përfshirë në procedurën e zgjedhjes së udhëheqësisë së re të RTV Novi Sadit, por reagoi atëherë kur u shpallën emrat. Sipas fjalëve të tij, "nuk është kontestuese se RTV NS të ndahet nga RTS", por vendimi që e solli Kuvendi i Vojvodinës i sjellë pas diskutimit mbi finansimin e RTV Novi Sad, ishte kundërligjor.

Demokratët e Gjingjiqit arritën që në Parlamentin e Vojvodinës (15 tetor) të shtynin diskutimin mbi pronësinë TV Novi Sadit - edhe me çmimin që disa anëtarë të tyre t'i detyronin të ndërronin "tre mendime për dy ditë". Këshilli ekzekutiv i Vojvodinës (kryetari Gjorgje Gjukiç është anëtar i DS-së) të enjten, në fillim të seancës, i propozoi parlamentit krahinor që të mos e pranonte vendimin e Këshillit Drejtues të RTS-së mbi emërimin e drejtorit dhe kryeredaktorit dhe redaktorit përgjegjës të Programit Informativ të RTV Novi Sadit. Pas uikendit, të hënën, në vazhdimin e seancës së ndërprerë, iu shmangën konkludimit të tyre; vetëm ligashët dhe reformistët potencuan se e kanë ndarë mendjen dhe mbetën në të vjetrën.

Pasojat e emërimeve nga Beogradi në drejtorinë e televizionit duken si shkas i vogël për hamendjeve të mëdha. Duket se më shumë emocione mund të zgjojë kërkesa e sindikatit të "Naftagasit" për ndarje nga Industria e Naftës në Serbi (INS), gjegjësisht të drejtat e themeluesit mbi naftën në Vojvodinë t'i marr Kuvendi i Vojvodinës, të emërojë drejtorinë dhe t'i bëjë të pafuqishme vendimet e qeverisë republikane mbi kufizimin e të ardhurave të të punësuarve në ndërmarrjet publike. Në INS kishte edhe një vizitë befasuese të Nenad Çanakut. Ky gjigant me 19.000 të punësuar ka në territorin e Vojvodinës gjashtë (nga 10) njësi prodhuese, dy të tretat e punëtorëve, dy rafineri, dy të tretat e të hyrave... Askush jashtë Vojvodinës nuk ka komentuar faktin se rreth 40 përqind të buxhetit të Serbisë mbushet nga kjo kompani e naftës; kurse gjithë shpenzimet e Vojvodinës janë 0,01 përqind të buxhetit të Serbisë. ka munguar pyetje se pse edhe mëtej NIS nuk ka udhëheqësi të përhershme dhe përse nuk është emëruar kryetar i Këshillit Drejtues në vend të Zhivko Shokolovackit, funksioner i lartë dhe deputet federal i JUL-it. Rrëfimi mbi naftën ka mbetur nën hijen e rrëfimit mbi televizionin; duket se ashtu siç do të zgjidhet problemi i televizionit po ashtu do të zgjidhen edhe problemet tjera edhe ai i naftës.

Tashmë një kohë të gjatë nga Vojvodina kërkohet që të anulohen 102 ligjet kundërkushtetues të cilët i shtoi regjimi i Millosheviqit për të cenuar kompetencat e pushtetit krahinor. Këtyre ditëve, duke bërë thirrje për durim, deputetët e PD në parlamentin krahinor thanë se "sa nuk ka ardhë" te miratimi i "omnibus ligjeve" pa arsyetimin pse nuk ka ardhë deri tek kjo.

Partitë vojvodinase insistuan në të drejtën e vojvodinasve për vetëpërcaktim politik, paratë dhe kthimin e pronave. Qeveria republikane ofroi kthimin e kompetencave në faza, në sferat që janë harxhues tradicional - arsim, shëndetësi, kulturë, informim, pension... Nuk u përmendën as të hyrat burimore as paratë. Deklarativisht, Qeveria është e interesuar që disa kompetenca t'i mbarten Vojvodinës autonome, por siç duket, pa para ose duke shtyrë pagesën në afat të padefinuar. Në emisionin televiziv ku u diskutua se kush duhet të emërojë drejtorinë e televizionit novosadas, një shikues kështu e përshkruajti gjithë situatën: "është e njëjtë sikur dikush t'ua vjedh automobilin, policia ta gjejë dhe pastaj të mendohet se athua është koha e përshtatshme që t'ua kthejë".

Kishte mjaft paralajmërime se vojvodinasit do të lodhen duke shprehur zërin e tyre në vesh të shurdhër. Një nga këto punë është edhe miratimi i Platformës mbi autonominë e Vojvodinës e cila më (20 gusht) e nënshkruan 14, parti autoktone vojvodinase kryesisht krahinore dhe organizata joqeveritare nga Vojvodine. Nuk ishte vetëm definim i programit, por ishte një vërejtje për koalicionin qeveritar DOS se si gjatë e zhagit decentralizimin thelbësor të shtetit, pushtetit dhe parave. Të nesërmen Kryesia e DOS-it ishte për vizitë në Novi Sad dhe u arrit marrëveshja që Qeveria e Serbisë të gjejë model për kthimin e kompetencave autonomiste, në kuadër të Kushtetutës ekzistuese serbe, përgjatë dy javëve të ardhshme. Deri kah mesi i tetorit nuk ndodhi asgjë.

Qëndrimi se mbi pozitën kushtetuese duhet të vendosin vetë vojvodinasit dhe të bëhet kushtetutë e re "në tërësi dhe pa ndryshime", kështu u komentua nga Isakovi: "Qytetarët e Vojvodinës mbi pozitën kushtetuese do të vendosin në zgjedhje ose përmes referendumit, në varshmëri se për çka do të ketë nevojë. Vojvodina ka subjektivitetin e vet politik dhe autonomia e saj nuk është temë diskutimi, por mund të bisedohet për metodologjinë e realizimit të autonomisë".

Kërkesa që të hiqet ligji mbi mjetet në kontekst republikan dhe t'u kthehen pronat komunave, qyteteve dhe natyrisht Vojvodinës pason pas miratimit të ligjit republikan për privatizim. Sipas kësaj Vojvodinës i është lejuar që të marrë pesë përqind të vlerës së kapitalit të saj shitës. Kjo, këtu, u përjetua si nënçmim dhe një nga komentet është - edhe në kafene, nëse kamarieri është i sjellshëm mund të marrë më shumë bakshish. Kuvendi republikan refuzoi amandamentin e parlamentit krahinor ku kërkohej që të shënoheshin kushtet mbi shitjen e pronës shoqërore dhe shtetërore në territorin e Vojvodinës.

Në Vojvodinë, gjykuar sipas të gjithëve, fillon sezoni kur kërkohet zëshëm përgjigja e qartë "çka është e jona". Pyetja nuk është e re, interesant do të jenë përgjigjet dhe sqarimet.

MILENA PUTNIK