Minarja si fyerje?

Ljubljana Oct 23, 2001

Zgjedhja e myftisë për bashkësinë e madhe muslimane në Slloveni është një kthesë e rëndësishme, sepse deri tani besimtarët i prezentonte kryetari i Meshihatit dhe Kuvendi i Bashkësisë Islame. Sipas të dhënave nga regjiistrimi i vitit 1991 Bashkësia Islame në Slloveni numëron 30 mijë besimtarë, kurse hulumtimet e opinionit tregojnë se 1,1 përqind e të të anketuarve janë deklaruar muslimanë.

Lubjanë, 18.10.2001.

Në momentin kur mediumet në botë dhe vend përcjellin me vëmendje ngjarjet në shtetet e botës islame, muslimanët që jetojnë në Slloveni për herë të parë bëjnë hapin vendimtar përsa i përket organizimit. Në fillim të tetorit Bashkësia Islame, për herë të parë në histori ka udhëheqësinë me seli në Slloveni. Këtë titull e mban muftia Osman Gjogiç, i cili për shkak të funksionit të ri u shpërngul nga Australia. Inaugurimi filloi me lutje, ndërkohë që morrën pjesë një delegacion i lartë nga Bosnjë e Hercegovina (i udhëhequr nga përfaqësuesi më i lartë musliman në Bosnjë reis-ul-ulema Mustafa Ceriç), politikanë të këtushëm dhe përfaqësues të bashkësive tjera fetare.

Për shumicën e bashkësisë muslimane në Slloveni ngjarja paraqet kthesë të madhe, sepse besimtarët deri tani i prezentonte kryetari i Meshihatit dhe Kuvendi i Bashkësisë Islame. Sipas të dhënave nga regjiistrimi i vitit 1991 Bashkësia Islame në Slloveni numëron 30 mijë besimtarë, kurse hulumtimet e opinionit tregojnë se 1,1 përqind e të të anketuarve janë deklaruar muslimanë.

Pjesën më të madhe të muslimanëve në Slloveni e përbëjnë boshnjakët që si emigrantë ekonomik përgjatë gjysëm shekullit të kaluar u punësuan dhe u vendosën në Slloveni. Një nga incidentet më të mëdha ndërmjet atdhetarëve të ndezur të vendit dhe pjesëtarëve të pakicës së përmendur etnike dhe fetare ndodhi në fillimin e shpërbërjes së RSFJ-së, kurse procesi fitoi epilogun në gjyq vetëm para disa kohe. "Ylli" i konfliktit në bazë nacionale ishte Zmago Jelinçiç, kryetar i Partisë Nacionale të Sllovenisë, i cili në marsin e vitit 1992 së bashku me katër bashkëmendimtarë të partisë së tij në urën në Trzhiç takoi një grup bosnjakësh. Pasiqë mes vete flisnin në gjuhë serbokroate Jelinçiçi ua bëri me dije: "Këtu flasim sllovenisht, këtu është Slloveni!". Boshnjakët i kishin thënë se mes vete mund të flisnin si të donin dhe kjo përfundoi me grindje. Njëri nga boshnjakët goditi Jelinçiçin me qese plastike në kokë, kurse ai nxorri revolen e markës "Valter" dhe në "shenjë paralajmërimi" shtiu dy plumba. Askush nuk u lëndua, boshnjakët shkuan në mërgim në Itali, rasti u prolongua, kurse gjyqi në muajin maj të këtij viti dënoi deputetin slloven me gjobë prej 500 markash gjermane... Përveç këtij rasti, disa grafiteve dhe shprehjes pezhorative "Bosan'c", që në vitet tetëdhjeta në Slloveni ishte emër i përgjithshëm për të gjithë "jugorët nën Kupë", mund të thuhet që muslimanët në Slloveni nuk kishin probleme të veçanta.

Udhëheqësi i Bashkësisë Islame në Slloveni si çështje kryesore shtroi ndërtimin e objekteve fetare. Sllovenia është i vetmi vend nga ish-RSFJ që në tokën e vetë nuk lejoi deri tani ndërtimin e xhamisë, dhe as që ka xhami. Shumë grupe fetare kaherë kanë kishat e tyre, kurse muslimanët janë të detyruar që ceremonitë t'i bëjnë në objekte të përkohshme. Kjo është një gjendje e papranueshme krahasuar me standardet e vendeve tjera evropiane. Xhamia e parë në tokën britanike është ndërtuar që në vitin 1889, kurse sot Britania e Madhe ka 350 xhami. Xhami ka edhe në Vjenë, Zagreb, Romë, Çikago dhe në shumë qytete tjera... Nuk është e rastit që në Lubjanë dhe Slloveni nuk ka xhami. Kjo gjendje është si pasojë e rezistencës shumëvjeçare të partive djathtiste dhe "ngjarjeve spontane të popullit" të ashtuquajtura protesta të qytetarëve, që nuk duan minare "në oborrin e tyre".

Në të kaluarën nuk ishte e vështirë të ruhej "pastërtia fetare" katolike në Slloveni (gjatë kohës së socializmit),kurse pakti i politikës me popullin rreth kësaj çështjeje u ruajt edhe në mijëvjeçarin e ri. Prandaj para disa vjetësh, pas protestave të mëdha të banorëve të vendbanimeve lubjanase Most dhe Bezhigrad, u anulua përkohësisht ngritja e xhamisë. Para disa kohësh sërish u aktualizua çështja e xhamisë. Kësaj here objekti duhej të ndërtohej në rajonin e komunës Vic, në zonën tregtare - industriale të Lubjanës, larg pjesës rezidenciale ku jeton elita politike. U vendos që në një vend prej tre deri pesë mijë metra katrorë të ndërtohej xhamia me minare 35 letra të lartë. Afër xhamisë do të duhej të ndërtohej një çajtore, klub sporti, kafene, hapësirë për shoqërim etj. Megjithatë, banorët lokal e ngritën zërin dhe ndërtimi i xhamisë hyri në fazën e diskutimeve publike, duke u marrë për bazë pranimi i planit urbanistik të qytetit.

"Qytetarëve të shqetësuar" iu bashkangjitën edhe përfaqësuesit e së djathtës; Në Kuvendin e qytetit të Lubjanës njëri nga deputetët deklaroi për këtë rast se "getoja muslimane, e drejta mbi muslimanizmin pas ndërtimit të xhamisë edhe më do të sipërfaqësohet", kurse përfaqësuesit e partisë Sllovenia e Re (Nsi) të kryeministrit të dikurshëm slloven Andrej Bajuka shkojnë mëtej, duke thënë se "xhamia fyen ndjenjat fetare të sllovenëve". Kishte mendime se xhamia do të "dëmtonte turizmin", kurse disa zyrtarë të qytetit dyshojnë se një minare e lartë do të paraqiste një "pamje të keqe" për qytetin. Është reale të pritet zgjatja e debateve rreth xhamisë dhe minares, veçmas pas luftës në Afganistan, antraksit dhe frikës për sulme të reja terririste. Në këto kushte pak kush përmend postulatin se ndërtimi i objekteve fetare është e drejtë legjitime e pjesëtarëve të çdo besimi, garantuar edhe me ligjet sllovene.

Mustafa ef. Ceriç, mysafir nga Bosnja, kishte të drejtë gjatë inaugurimit të muftisë sllovene kur deklaroi se "përgjegjësia për paqe dhe jetë të përbashkët do të ishte më e madhe" atëherë kur muslimanët në Slloveni "të siguronin të drejtën legjitime për të pasur xhami në Lubjanë". Nuk shkoi shumë kohë pas marrjes së funksionit të ri muftiu i ri u prononcua për ngjarjet aktuale në botë dhe Slloveni. Sipas gjykimit të tij gjendja e muslimanëve në Slloveni është "mjaft e mirë", kurse shkaku i problemeve me xhaminë "u pamundësohet puna e tyre" muslimanëve. Muftia Gjogiç kësaj i shtoi edhe kritikën e lehtë: "Mendoj se sllovenët nuk dëshirojnë të kenë reputacionin e popullit që pengon ndërtimin e xhamisë... Është akt i jokrishterë ndalimi i xhamisë. Ju doni kishën tuaj, e nuk doni që muslimanët të kenë xhaminë e tyre. Do të ishte shokante nga aspekti psikologjik kur dikush në Sarajevë të kundërshtonte ndërtimin e një kishe. Kjo, natyrisht, nuk ka ndodhur. Nuk do të dëshiroja të glorifikoja, por mendoj se bashkësia islame është njëra nga më demokratiket..."

Mëtej, muftiu Osman Gjogiç konsideron se as në botë pozita e muslimanëve nuk është e mirë. "Ekziston një qendër e cila është e prirë për stigmatizimin e muslimanëve, që t'i nxijë ata, që historia e tyre të tregohet me të pvërteta". Nga kjo perspektivë muftia Gjogiç përmend edhe sulmet terroriste të Al Kaidës në SHBA, që nxiti intervenimin ushtarak amerikan në Afganistan. "Nuk janë gjithë talibanët kriminel. Në fund të fundit, nuk ka asnjë musliman i cili emocionalisht do të përjetonte derdhjen e gjakut musliman. Por kjo nuk do të thotë se Amerika nuk ka të drejtë për hakmarrje. Ka të drejtë për hakmarrje të drejtë. Hakmarrja e drejtë është ligj. Pa ligj dhe respektimin e tij nuk ka rend. Pa rend vjen anarkia, që shpie në shkatërrim. Më e rëndësishme për gjithë ata që nuk janë të ngarkuar me paragjykime është që në rrethanat e krijuara të mos e kënaq të drejtën me faje të reja. Nëse për 60 vrisni 6.000, si mund të dëshmoni se ata ishin kriminel që merituan vdekjen?"

SVETLANA VASOVIÇ