Depolitizimi i policise - perralle e shprazet
Ministri i policisë, Muhamed Beshiq, të cilin Amerikanët e vlerësojnë si lider të luftës kundër terrorizmit në BeH, ishte i detyruar të jap dorëheqje sepse, si duket, më tepër ka dëgjuar IPTF-në se sa shefat e vet politikë të Partisë për BeH
AIM Sarajevë, 16.10.2001.
Ministri i policisë federative, Muhamed Beshiq, të enjten më 12 tetor, dorëzoi dorëheqjen e cila u pranua mirë nga ana e Kryetarit të Federatës, Karl Filipoviq. Kryeministrin Alija Behmen kjo nuk e shqetësoi fare, kurse përfaqësuesit në pushtet të Partisë për BeH kjo madje edhe i gëzoi. Në të njëjtën ditë kur Beshiq bëri gadi dorëheqjen, në gazetën javore "Sllobodna Bosna" u publikua intervista me anëtarin boshnjak të Kryesisë shtetrore, Beriz Belkiq, në të cilën u paralajmërua se puna e ministrit të policisë do të shqyrtohej në Kryesinë e Partisë për BeH. Vlerësimet të cilat lidhur me këtë rast i dha Belkiq ( i cili njihet si politikan mjaft i matur) aspak nuk shkonin në favor të ministrit të policisë. Ai tha se " MPB nuk ishte e denjë për rolin e saj dhe se nuk reagonte në kohë të duhur), respektivisht se MPB-ja dhe ministri Beshiq "disa herë deri tani kishin ndërmarrë vendime të shpejtuara dhe të gabuara". Ky vlerësim është ende më i rëndë kur dihet se Belkiqi është funkcionar i lartë i Partisë për BeH dhe se Beshiq-i në këtë funkcion ka ardhur si kandidat i saj. Kështu tani u pa qartë se Beshiq-it po i numrohen ditët dhe se ai si person pa përcaktim partiak nuk do të mbrohej prej askujt.
Pas sulmeve terroriste në Amerikë, më 11 shtator, policia dhe sidomos ministri, u gjendën nën presion të madh politik, diplomatik dhe medial. Kur filloi fushata antiterroriste, policia federative me Beshiqin në krye nuk bënë kurrfarë kalkulimesh. Përkundrazi, mund të thuhet se u shfaq revolt i tepruar, shkak për të cilin ajo fitoi mosbesimin e opinionit.Kreu federativ policor është kritikuar edhe për shkak akcioneve të pavarura të KFOR-it në Bihaq, Sarajevë dhe Visoko, gjatë të cilëve janë burgosur shtetas të huaj dhe të vendit të cilët nuk kishin kurrfarë lidhjeje me terrorizmin, të cilët janë mbajtur nën hetime pa kontaktuar me adoketër.Por, adresa e vërtetë e kritikave nuk ishte policia por qeveria, edhe pse politikanët rrinin fshehur përanësh deri sa ushtarët amerikanë kryenin punët e policisë në tërë territorin e BeH.
Orteku i kritikës ministrin e goditi sidomos pas burgosjes së dy të rinjve për shkak të ngjitjes së afisheve në Sarajevë ("Gjallesat myslimane vallë kanë të drejtë për një minutë heshtje"), gjegjësisht pas një konference për shtyp në të cilën Beshiq paralajmëroi ardhjen nga Afganistani në Bosnjë të 70 talibanëve. Kjo deklaratë zuri vend në krye të lajmeve të agjencive botërore, por, si u pa më vonë, kjo ishte vetëm një mjegullnajë propagandistike. Anëtari i Kryesisë së BeH, Beriz Belkiq, deklaroi se kjo "kishte shkaktuar dëm të madh për BeH", pa harruar të shëmtojë ministrin i cili " patjetër duhet të dijë se çfarë duhet të flasë kur del para popullit dhe se për vlerësimet e veta patjetër duhet të ketë argumente". As vetë Beshiq-i nuk ishte i sigurtë për atë që fliste - qëllimi i tij kishte qënë, sipas fjalëve të tij, që t'u drejtonte mesazh mysafirëve të paftuar që t'i largonte nga qëllimi që në BeH me kufinj plot zbrazëtira ( mbi një e katërta e kufirit të BeH ende nuk është mbuluar me policinë shtetrore kufitare) që të vinin njerëz të dyshimtë. Mediat, sidomos "Sllobodna Bosna", tallen me ministrin që "i shtrirë në stomak" imagjinon armiqët, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Edhe më parë Beshiq ka qenë i akuzuar si dorë e zgjatur e Partisë SDA të Izetbegoviqit, gjë për të cilën nuk janë dhënë argumente as përafërsisht bindëse.
Kritika arriti kulmin pas burgosjes së gazetarit të "Sllobodna Bosna", Edvin Avdiq, i cili gjatë kthimit nga Pakistani - prej ku informonte për fillimin e intervenimit amerikanë - u burgos në aeroportin e Stambollit, gjë për të cilën AIM shkroi me kohë ( shiko tekstin " Gogoli i dyshimit sillet nëpër Bosnjë"). Gazeta javore shpejteshpejtë ministrin e akuzoi se në këtë mënyrë, me incident të montuar, u hakmirrej gazetarëve. Opinionit iu prezentua se personi i fletëarrestit sikurse edhe gazetari i pafatë, përveç emrit dhe mbiemrit të njëjtë kishin poashtu të njëjtë fotografinë, numrin e pasoshit dhe gjurmët e gishtrinjve. Beshiq-i refuzoi tëra sulmet duke i quajtur ato manipulime dhe " konstrukcione tejet serioze". Tani më si ishministër, ai në një intervistë dha sqarime se si nga kolegët turq ishte kërkuar raport zyrtar dhe se si ishte vërtetuar se nuk kishte patur kurrfarë gjurmësh të gishtrinjve ose fotografish, dhe as që kishin patur ndonjëfarë biografie në lidhje me kërkesën e policisë austriake drejtuar Interpolit. Ky rrëfim, që shqetësoi opinionin boshnjakohercegovas dhe që në fillim shkaktoi frikë të arësyeshme te qytetarët e rëndomtë, që ende nuk është sqaruar dhe ndriçuar deri në fund, pa dyshim se mund të rikonstruohet në këtë mënyrë: në kontrollin e pasoshëve në Stamboll gazetari zgjoi kërshëri të posaçme sepse kthehej prej në Pakistan. Kontrolli plotësues tregoi se ekzistonte aktndjekje e Interpolit, e cila ishte shpallur në Austri për person me të njëjtin emër dhe mbiemër. Avdiq-i u burgos dhe pasuan hetimet plotësuese. Për këto shkaqe edhe javorja "Dani" ministrin e ftoi që të jap dorëheqje.
Kjo është pjesa e rrëfimit që ka të bëjë me presionet ndaj mediave. Këto e krijuan dhe formuan atmosferën e përshtatshme për flijimin e ministrit të policisë, kurse shkaqet e vërteta ndodhen shumë më thellë dhe fillojnë në sferën e politikës. Ja se si e shpjegon Beshiq prapavijën e dorëheqjes: "MPB federative mirë i ka rënë në gjurmë kriminalitetit të organizuar dhe përgatit akcione. I ka rënë në gjurmë korrupcionit dhe përgatit akcione konkrete operative. MPB federative është e vendosur në luftën kundër terrorizmit dhe ka filluar të ndërmarrë akcione konkrete. Ndoshta dikush
dëshiron t'ia presë rrugën", kërcënohet Beshiq-i në intervistën për gazetën "Avaz".
Por adresa e vërtetë është në mosmarrëveshjet që vazhdojnë jetën në relacionin Beshiq - Haris Sillajxhiq. Si rrëfen Beshiq-i, ish lideri i Partisë për BeH ka kërkuar dorëheqjen e tij që në verë deri sa të dy ishin në pushim vjetor. Shkaku i pakënaqësisë së Sillajxhiqit qëndron në emrimin e Dragan Llukaçit në krye të Komandës Policore. Por edhe Beshiqi nuk e tregon të vërtetën e plotë. Një rast, në një bisedë joformale, ai ka pranuar se si ndodhet i zënë ngushtë midis forcave policore ndërkombëtare (IPTF) dhe Partisë për BeH. Është një fshehtësi e njohur se Dragan Llukaç është zgjidhje kadrovike e IPTF-së dhe zyrave të tjera ndërkombëtare në Sarajevë. Beshiq-i në konfliktin e interesave ka zgjedhur anën më të fortë, gjegjësisht bashkësinë ndërkombëtare. Edhe deklarata e dyshimtë për ardhjen e 70 talibanëve, shihet qartë se ka dalur nga kuzhina amerikane. Beshiq në mënyrë indirekte ka pranuar se një qëndrim i tillë i është sugjeruar nga ana e "burimeve diplomatiko - informative të një vendi miqësor". Në Sarajevë qarkullojnë vlerësime se një deklaratë e tillë ka qenë në shërbim të krijimit të atmosferës e cila amerikanëve do t'u lejonte që pa pengesë të ndërmirrnin një sërë akcionesh ushtarako-policore për burgosjen e të huajve të dyshimtë me origjinë arabe, pa shtruar pyetje të tepërta lidhur me të
drejtat njerëzore dhe respektimin e procedurës penale për të drejtat e të burgosurve.
Një përfundim i këtillë imponohet edhe më shumë pas letrës së Ambasadës Amerikane në Sarajevë, në të cilën ajo shpreh pakënaqësinë për shkak të dorëheqjes së Beshiq-it, të cilin e vlerësojnë si "personin udhëheqës në luftën boshnjake kundër terrorizmit dhe obligimeve që ka ndërmarrë Aleansa". Në letër është theksuar se si "vihet në pyetje serioziteti i qeverisë së BeH në lidhje me këtë pyetje kryesore, si dhe përshtatshmëria e Partisë për BeH që të marrë pjesë në detyrat shtetrore të këtij vendi". Protesti i Ambasadës Amerikane përmban edhe notën e ashpër të vërrejtjes. Pas frazës se si është e drejtë e popullit të BeH që të zgjedhë se cila parti do të marrë pjesë në Qeveri,, paralajmërohet se si poashtu është e drejtë e "ShBA-ve që të vendosin se cilët do të jenë partnerët e tyre". Kjo është një vërrejtje serioze drejtuar në rend të parë ndaj Zllatko Llagunxhijes, si lider i blokut qeveritar të Aleansës. Dëshprimin e Amerikës duhet kuptuar seriozisht dhe kjo për disa shkaqe. Më kryesori është ai se grupi Aleansa erdhi në pushtet në BeH, para së gjithash, si projekt amerikan dhe me përkrahje të vendeve me ndikesë të Perëndimit.
Problemi i brendshëm, ndërkaq, është ende më i madh. U vërtetua se depolitizimi i policisë është një përrallë e shprazët dhe se çdo ministër varet krejtësisht nga dashuria e partisë amë. Problem më vete është edhe ai që Partia për BeH nuk posedon ndërrimin e vet kadrovik adekuat. I treti është që shefi i ri i policisë është i detyruar të marrë leje nga IPTF-ja, gjë kjo që punët mund t'i ngatërrojë ende më shumë.
EMIR HABUL