Frena për fillestarët?
Përse aksioni ushtarak amerikan në Afganistan i shqetëson qytetarët e Sllovenisë dhe si i sheh zëdhënësi i dikurshëm i NATO-s Xhejmi Shea luftërat e ardhshme.
Lubjanë, 10.10.2001.
"Paj, nuk e di, do thoshja se përgjigja është diku në mes", tha ministri slloven i mbrojtjes Anton Grizold derisa përgjigjej në pyetjen e gazetarit se cilës "shkollë mendimi" i përkiste - asaj që mbështeste idenë se aksioni ushtarak amerikan kundër Afganistanit do të bllokojë zgjerimin e Paktit NATO apo asaj që konsideron se lufta në Azi do të shpejtojë zgjerimin e Aleancës Veri Atllantike. Përgjigja e këtillë e ministrit slloven të mbrojtjes është shprehje e gjendjes paradoksale në të cilën gjenden jo vetëm Sllovenia por edhe shtete tjera pretendente për anëtarësim në Paktin NATO.
Situata ka ndryshuar tërësisht brenda natës. Rusia, që deri dje konsiderohej si kundërshtar klasik dhe standard, tani është një aleat i rëndësishëm që ndihmon forcat amerikane. Disa nga vendet muslimane me të cilat Sllovenia ka marrëdhënie të mira tradicionale janë caqe të shërbimeve sekrete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aleatët, që sipas vizioneve të politikanëve lubjanas duhej të luanin rolin e garantuesit të sigurisë sllovene, tani në bazë të nenit pesë të Marrëveshjes së Uashingtonit kërkojnë ndihmë. Prioriteteve amerikane por edhe përfytyrimeve të aleatëve të tyre potencial - ua kanë kthyer kokën. E gjithë kjo ndodh në çastin më të disfavorshëm; gjatë verës që kaloi në Slloveni kishte mjaft debate për nevojën (dobinë) e hyrjes së Sllovenisë në Paktin NATO. Skeptikë ka gjithnjë e më tepër, kurse më shumë vaj në zjarr hodhi letra e ambasadorit të SHBA-ve në Slloveni, i cili kthimin e pronave të nacionalizuara të 460 qytetarëve amerikanë e lidhi me anëtarësimin e Sllovenisë në NATO.
Në ndërkohë anketat gjithë e më shumë dëshmojnë se qytetarët e Sllovenisë kanë frikë nga sulmet terroriste, që nuk është ndonjë shtysë për anëtarësim vullnetar në organizatën e cila tani është cak i terroristëve. Kështu gjithë gjasat dhe dëshirat për inkuadrim në Paktin NATO janë gjithnjë e më të paqarta, edhe pse ka mbetur vetëm një vit deri tek takimi suprem i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s në Pragë, ku shefat e Aleancës Veriatllantike duhet të vendosin për zgjerimin e filluar para tre vitesh. Edhe pse kryetari amerikan Bush para sulmeve terroriste në Nju Jork, më 11 shtator, gjithnjë e më shumë paralajmëroi zgjerimin e NATO-s, komentatorët e politikës së jashtme në Slloveni tashmë gjithnjë e më shumë konkludojnë se për inkuadrim në NATO vendet pretenduese duhet të dëshmohen në luftë kundër terrorizmit.
Natyrisht që Sllovenia, në formë zyrtare përkrahu SHBA-të në aksionet kundër Afganistanit. Sqarimi i kryeministrit Janez Drnovshek pritej: "Nga kjo askush nuk mund të distancohet. Askush nuk e di se kur do të gjendet në ndonjë aeroplan, në ndonjë ndërtesë ku do të ndodhë sulmi terrorist. Kjo botë është shumë e ndërlidhur, është problem i gjithë neve". Ministri i punëve të jashtme Dimitrij Rupel reagoi, sipas zakonit, në mënyrë patetike duke quajtur sulmet ndaj Qendrës Tregtare Botërore si "sulm ndaj normalitetit", duke ndarë botën në kombe "të civilizuar dhe barbarë" dhe Uashingtonit i ofroj ushtarë slloven. Ministri slloven i mbrojtjes Anton Grizold kishte një qëndrim pak më të përmbajtur. Ai deklaroi se është madhështore që Sllovenia "nuk tha: do t'u japim gjithçka vetëm na pranoni në NATO" duke përmednur menjëherë ofertën e tij për SHBA-të jo vetëm në domenin e të dhënave të sigurisë, por duke ua ofruar edhe terrenet malore sllovene dhe njësitë vendore që të ua ushtrojnë alpinizmin ushtarëve amerikan, sikur SHBA-të me të vërtetë të përgatiteshin për aksione këmbësorie në Afganistan. Të mos përmendim deficitin e njohur të maleve të SHBA...
Pas gjithë pasigurisë, pas 11 shtatorit, një gjë është e sigurtë - tani nuk mund të thuhet se Samiti i Pragës do të mbahet, kurse nëse mbahet - athua do të bisedohet për zgjerimin e Aleancës. Kjo pasiguri i bën mjaft nervoz dhjetë shtete pretendente për inkuadrim në NATO siç janë ato nga Evropa e Mesme dhe Lindore (që përbëjnë të ashtuquajturin "Grup i Vilniushit") që mundi të vihej re edhe në takimet e tyre, sikurse ato në Bled dhe Sofje. Në takimin e ministrave të jashtëm të grupeve të Vilniushit ministri estonez Toomas Hendrik Ilves tërhoqi vëmendjen se kandidatët për anëtarësim në NATO, pas sulmeve terroriste në SHBA, më "nuk duhet të jenë të ngarkuar me zgjerimin", por duhet intenzivisht "të përgatiten për luftë kundër terrorizmit". Fjalë të këtilla thanë edhe mjaft zyrtarë të NATO-s, të cilët gjatë kohës së mbajtjes së takimit të "Grupit të Vilniushkit" e vizituan Slloveninë. Komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë Xhozef Ralston deklaroi se "lufta kundër terrorizmit nuk do të jetë një fushatë e shkurtë, por një maratonë që do të zgjas me vite". Ralstoni theksoi se NATO për herë të parë në histori aktivizoi nenin e pesë të Marrëveshjes së Uashingtonit "që deri para disa kohe askush nuk mund ta paramendonte". Sipas mendimit të tij gjendja në Ballkan edhe mëtej do të jetë detyrë prioritare e NATO-s, përkundër sulmeve në SHBA.
Gati njëkohësisht, në sallën e Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Lubjanë, u prezentua një mik i njohur për të gjithë. Xhejmi Shea, drejtor i zyrës për informim të NATO-s ua prezentoi studentëve detyrat e NATO-s dhe sfidat e reja të sigurisë. "Tani kur SHBA-të u bënë shtet "normal", sepse për herë të parë, sikurse gjithë shtetet tjera, përjetoi sulmin në pjesën qendrore të vendit dhe sikurse gjithë shtetet evropiane shijoi se çdo të thotë të sulmohesh nga jashtë, NATO-ja me siguri do të jetë aktive dhe atë jo vetëm në Evropën Juglindore, si deri më tani". Zëdhënësi i dikurshëm i NATO-s shtoi se "Ballkani nuk guxon të jetë Afganistan" dhe tha se gjatë sulmeve të tanishme në Afganistan nuk bëhet fjalë për luftë civilizimesh, por për luftë kundër terroristëve. Këtu edhe Shea përmendi mundësinë që edhe Rusia të hyjë në NATO. "Nuk mund të shpallesh si shtëpi e hapur nëse përherë je ekskluziv", tha me ton autokritik Shea.
Shea në fund të paraqitjes së tij lamentoi se si AIDS dhe problemet e ngjashme kërkojnë përgjigje të përbashkët të të gjithë botës dhe si bashkësia ndërkombëtare (edhe NATO) duhet të veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Mbeti e paqartë sesi e gjithë kjo shkon së bashku me principet të cilët Shea haptas i paraqiti gjatë intervenimit të Paktit NATO kundër RFJ-së - cenimin e Kartës së OKB-së, goditjen e rezervoarit të ujit, kompozimeve hekurudhore, urave me plot civilë dhe të ngjashme, konventën e Gjenevës për objektet e mbrojtura. Shumica e studentëve u morrën vetëm me luftën e tanishme dhe të ardhshme e jo edhe me luftërat e kaluara.
IGOR MEKINA