Udhë drejt pavarësisë apo pasigurisë

Podgorica Oct 18, 2001

Partia Demokratike e Socialistëve edhe zyrtarisht, në Kongres, flaku RFJ-në si opcion të ardhshëm, kurse komisioni kuvendor para disa kohe miratoi ligjin për referendum. Kjo do të duhej të ishte edhe udhë drejt pavarësisë malazeze. Por këto gjëra nuk qëndrojnë, rrëfimi malazez tani ka filluar.

AIM Podgoricë, 13.10.2001

Sërish Mali i Zi prodhon më shumë gjëra sesa mund t'i durojë. Së pari, në Kongresin e vet gjatë të shtunës së kaluar Partia Demokratike e Socialistëve, goditi me diversion themelet e pronës shumëvjeçare: atje ku në programin e kësaj partie ishte RFJ moderne, federale, - qëndronte Mali i Zi sovran, i pranuar ndërkombëtarisht. "Duam shtetin tonë që të mund të orientojmë të ardhmen, një shtet që do të jetë rast për gjithë në Mal të Zi, e jo pengesë për të tjerët, që do të jetë larg Ballkanit dhe i lidhur në aspektin rajonal me qiellin e përbashkët europian"- sqaroi drejtimet e reja kryetari i PDS dhe i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Me zyrtarizimin e lëvizjes politike të PDS skena politike malazeze përfundimisht u polarizua në dy blloqe: projugosllave (PPS, PP, PPS) dhe promalazeze (LLMZ, PDS dhe PSD). Por, ky është fillimi i rrëfimit.

Në fillim të javës me përbërje të plotë - edhe pse i dobësuar nga mosprezenca e përfaqësuesve të koalicionit "Sëbashku për Jugosllavinë"

  • punoi grupi punues kuvendor për përpilimin e ligjit mbi statusin shtetëror të Malit të Zi. Morrën pjesë vetëm partitë politike që përkrahin pavarësinë e Malit të Zi - Lidhja Liberale, Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokratike e Socialistëve, me asistencë të herëpashershme të partive nacionale shqiptare - dhe pritet mbarim i shpejtë dhe i frytshëm i punëve. Atëherë doli fjala: më e fuqishmja mes tjerave - Partia Demokratike e Socialistëve - ka rezerva serioze për dy qëndrime nga propozimet e liberalëve - të jenë të vlefshme zgjedhjet ku do të vendosin 50 plus një përqind e atyre që dalin në referendum, dhe qytetarëve t'u parashtrohet vetëm një pyetje - a janë për Malin e Zi të pavarur të pranuar ndërkombëtarisht?

Liberalët në grupin punues parlamentar përkrahën përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate - kurse deputetët e Partisë Demokratike u përmbajtën gjatë votimeve. Ata konsideronin se duhej mbetur zgjidhja ligjore e tanishme sipas së cilës referendumi vlen nëse në të dalin 50 plus një përqind e zgjedhësve që janë në listë, dhe pastaj i plotfuqishëm është aprovimi i 50 plus një qërqind që kanë dalë në referendum. Veç kësaj në PDS nuk janë kundër që qytetarëve t'u parashtrohen dy pyetje. Thënë ndryshe, dilema një ose dy pyetje më shumë është e natyrës psikologjike. Me siguri, pasi gjithçka tjetër të jetë zgjidhur, mund të arrihet marrëveshje mes gjithë partive në Mal të Zi.

Tani çështja, krejtësisht teknike, është plotësisht e papërshtatshme. Grupi punues parlamentar me mbivotim të Partisë Demokratike të Socialistëve, ka sjellë zgjidhjen ligjore për referendum. Fatkeqësia e LLMZ dhe PSD është se kjo vepër duhet të vërtetohet në Kuvend. Atje, siç dihet nuk vlen pariteti, kurse dy partitë kanë vetëm dhjetëra deputetë. Pa përkrahjen e PDS gjithçka bie në lumin Moraçë. Kuvendi, siç është paralajmëruar, do të mblidhet javën e ardhshme. Në ndërkohë, nga kreu i PDS arriti mesazhi se ata do të përkrahin vënien në rend dite të diskutimit mbi ligjin për referendumin. Ata nuk premtuan se do të ngrinin dorën për konkludimet e grupit punues. Nënkryetari i PDS, kryeministri Filip Vujanoviçi - publikisht lavdëroi përmbajtjen e deputetëve të tij në grupin punues. Kjo sugjeron konkludimin se deputetët e PDS do të jenë të përmbajtur në Parlament. Kjo do të thotë se është i njëjti efekt sikur të kishin votuar kundër. Në këtë rast, ligji në formën siç e kanë propozuar liberalët dhe socialdemokratët nuk do të miratohet.

Si çdo rrëfim malazez edhe ky është i gjatë dhe duket sikur fundi është i njohur. Një pjesë e madhe e meritës i takon koalicionit "Së bashku për Jugosllavinë" - në rend të parë Partisë Popullore Socialiste. Këto forca, ithtarët e ekzistencës së RFJ-së, duke llogaritur gjithë rezultatet e zgjedhjeve në katër vitet e fundit dhe duke parë gjithë anketat - janë pakicë në Mal të Zi. Në një referendum fer vështirë se mund të llogarisin në fitore - këtë e dijnë mirë edhe liderët e tyre. Në këtë gjendje shoqërore ata kanë përcaktuar edhe taktikën e tyre.

Kur para më pak se një viti filloi rrëfimi mbi referendumin ata kërkuan të ndryshohej rregullorja e vjetër (sipas së cilës në 42 është votuar RFJ-ja) dhe t'u mundësojë gjithë individëve të lindur në Mal të Zi, kudo që të jenë, të mund të votojnë për gjendjen shtetërore të Malit të Zi. Në të kundërtën - u kërcënuan ata - do të bojkotojnë. Kjo është edhe arma e tyre vdekjeprurëse. Gjithë zgedhjet e deritanishme treguan se votat e Partisë Demokratike Socialiste, Lidhjes Liberale, Partisë Socialdemokrate dhe partive nacionale shqiptare, nuk e tejkalojnë numrin magjik prej rreth 220 mijë votave. E kjo është gjysma e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Në zgjedhjet presidenciale, si dhe në ato parlamentare, gjithçka e gjallë dhe gjysmë e vdekur në Mal të Zi doli në vendvotime, megjithatë numri i atyre që dolën në votime nuk e kaloi shifrën 80 përqind të të regjistruarve në librat zgjedhor. Matematika është e thjeshtë: Partia Popullore Socialiste, Partia Popullore, Partia Popullore Serbe mjafton të kenë 30 përqind të përkrahjes në bazën zgjedhore që t'u ketë sukses bojkoti.

Paradoksi më i madh - dikush do të thoshte një padrejtësi hyjnore - se në mesin e atyre që bojkotojnë janë mu ata qytetarë të Malit të Zi të cilët duke ikur nga zjarret e luftës, që nga ora në orë atje digjnin Millosheviqin dhe asistentët malazez - janë të shpërndarë nëpër botë. Askush ata as që i ka numëruar, por me siguri janë dhjetëra mijë njerëz të rinj. Të gjithë këta edhe mëtej janë në listat zgjedhore. Kjo diku tjetër mund të dukej shifër e vogël, por jo edhe në Mal të Zi, që ka gjithsejt 600 mijë banorë.

Pas matematikës së thjeshtë fshehen llogaritje të mëdha. Liberalët dhe socialdemokratët konsiderojnë se zgjidhja është dhënë në propozim ligj - ku anulohet cenzusi i atyre që dalin në referendum - në realitet kjo paraqet të vetmin mjet efikas kundër bojkotit të paralajmëruar të partive nga koalicioni "Së bashku për Jugosllavinë". Mesazhi i liderit të Lidhjes Liberale dhe Partisë Socialdemokrate dërguar përfaqësuesve të këtij koalicioni shprehet me një fjalë: dilni në referendum dhe në kushte të njëjta dëshmoni forcën tuaj; nëse bojkotoni referendumin, humbjen e keni të sigurtë.

Nga kreu i Partisë Popullore Socialiste, Partisë Popullore dhe Partisë Popullore Serbe, vlerësohet si joserioz propozimi i liberalëve dhe socialdemokratëve, ndërkohë që me kënaqësi bëhet thirrje në qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare për këtë rast ende nuk është prononcuar zyrtarisht, por edhe pa këtë dihet qëndrimi i BE -se dhe SHBA-ve: RFJ-ja është më së miri, kurse nëse Mali i Zi niset drejt pavarësisë duhet që të sigurojë "shumicë të konsiderueshme". Sesa mund të jetë kjo shumicë e konsiderueshme është vështirë të vlerësohet por gjithashtu është vështirë të paramendohet sesi një pakicë e konsiderueshme gjatë kohë ta mbajë Malin e Zi në RFJ.

Pas Kongresit të PDS nuk mund t'i kthehemi ëndrrës jugosllave. Por siç shihet, kreu i kësaj partie ende nuk ka vendosur me gjithë forcë të orientohet drejt pavarësisë së Malit të Zi. Gjukanoviçi dhe Vujanoviçi u prononcuan pas mesazhit publik të Voisllav Koshtunicës, duke shprehur gatishmëri për të biseduar për raportet e Malit të Zi dhe Serbisë. Por, edhe këtë rradhë, pa përfaqësuesit zyrtar të qeverisë federale, që pushteti malazez nuk e pranon, vështirë se këto bisedime mund të sjellin diçka të re.

Nga Beogradi, thënë më ashpër, pa marrë parasyshë me ç'ton, arrijnë mesazhe të neveritshme: nëse Mali i Zi nuk dëshiron federalizim le të shkojë në theqafje. Ka mundësi që në PDS llogarisin në ftohjen e Beogradit ndaj bashkësisë shtetërore, që do të frymëzonte PPS të Predrag Bullatoviçit, t'i përkushtohej Malit të Zi. Mbase, sërish në Partinë Demokratike Socialiste llogarisin se me vënien e pavarësisë në program kanë larë borxhin ndaj opinionit malazez, prandaj tani sërish mund të kthehen në strategjinë e dëshiruar - strategjinë e pritjes aktive. Kryesore mbetet: parashikimi i ditëve të ardhshme në Mal të Zi bie në listën e punëve të profetit.

ASAD KOÇAN