SHQIPERIA NE ANEN E KOALICIONIT ANTITERRORIST

Tirana Oct 14, 2001

AIM TIRANA, 11 TETOR 2001

Qeveria e Tiranës nuk është mjaftuar vetëm me dënimin e akteve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëkohësisht ka ndjekur një politikë, nëpërmjet të cilës ajo bëhet pjesëtare edhe pse virtuale e koalicionit të ri gjeopolitik te udhehequr nga SHBA, në luftën kundër bazave mbështetëse dhe logjistike të terrorizmit.

Ky argument është bërë edhe objekt diskutimi i gjerë në parlamentin shqiptar, në të cilin qysh më 27 shtator u propozua nisja e një reforme legjislative, qe u sugjerua nga grupi opozitar i Partisë Demokratike të Reformuar, propozim i cili gjeti miratimin total të Parlamentit. “Nuk mjafton vetëm të mbështesim politikisht, por duhet të jemi të gatshëm të vemë në dispozicion hapësirën ajrore dhe portet dhe për këtë duhet të ndryshojmë legjislacionin dhe të rishikojmë konventat që kemi ratifikuar deri më sot”- u shpreh deputeti i këtij grupimi, Dashamir Shehi.

Kryetari i Parlamentit Namik Dokle paralajmëroi në datën 27 shtator miratimin e një reforme të re, për përshtatjen e ligjeve shqiptare, në të cilën do të specifikohet jo vetëm ndryshimi i kuadrit ligjor ekzistues, por edhe ndërmarrja e masave për plotësimin e procedurës së nevojshme për ratifikimin e konventave antiterroriste dhe në mënyrë të vecantë të Statutit të Romës mbi Gjykatën Penale Ndërkomëtare, realizimin e marrëveshjeve të reja ndërkombëtare për goditjen e financimeve të terrorizmit si dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve që lindin në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.

Në këtë rezolutë shprehet gatishmëria e shtetit shqiptar për të mbështetur dhe për të bashkëpunuar më qeverinë e SHBA-së dhe koalicionin antiterrorist “për të ndëshkuar përgjegjësit e këtyre krimeve të përbindshme si dhe për të çrrënjosur shkaqet e tyre”. Qëllimi i kësaj rezolute nuk është vetëm mbështetja dhe bashkëpunimi virtual me SHBA, por duket se ajo lidhet edhe me dicka tjeter, që është pjesëmarrja e Shqiperise në Konferencën Islamike dhe detyrimet që rrjedhin nga ky anëtarësim. Shqipëria, e pozicionuar gjeopolitikisht në Evropë, kerkon qe te shmange spekulimin se ajo është një vend mysliman.

Në këtë këndvështrim janë bërë ndryshime edhe në aparatin policor dhe të shërbimeve sekrete në Shqipëri. Kështu në 10 tetor përfundoi ngritja e një strukture të re në Ministrinë e Rendit , e quajtur Zyra e Luftës kundër Krimit të Organizuar, në përbërje të së cilës është edhe ajo e Antiterrorit. Kjo Zyrë është nën mbikqyrjen e FBI-së dhe në varësinë e drejtpërdrejtë të drejtorit të përgjithshëm të Policise, Bilbil Mema. Struktura është ideuar nga specialistë amerikanë të antikrimit dhe të antiterrorizmit dhe në shërbim të saj janë vënë 2 milionë dollarë të akorduar nga SHBA.

Kryministri shqiptar Ilir Meta doli para pak ditësh më një deklaratë, ku theksohej se Shqipëria i ofronte SHBA-së jo vetëm mbështetjen politike, por edhe një mbështetje ushtarake, në rast se do të ishte e nevojshme, duke vënë në dispozicion të koalicionit antiterrorist bazat ushtarake, portet, aeroportët dhe gjithshka tjetër që do t'i nevojitej luftës kundër terrorizmit.

I të njëjtit opinion është edhe Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani, i cili në samitin e Sofjes të zhvilluar më 5 tetor në nivel presidencial, deklaroi se “Shqipëria është e gatshme për të bashkëpunuar me Naton, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian në luftën kundër terrorizmit dhe si një anëtare de facto e Aleancës vë në shërbim të këtij koalicioni hapësirën e saj detare, tokësore dhe ajrore”.

Por ndërsa parlamenti shqiptar po merret me shqyrtimin e rezolutës së antiterrorizmit, një tjetër fakt krijoi debat jo vetëm në legjislativin, por edhe në mediat shqiptare. Ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite Sulejman Tomçini, mori pjesë në 10 tetor në mbledhjen e jashtëzakonshme të Organizatës së Konferencës Islamike, të mbajtur në Katar. Edhe pse Shqipëria në këtë konferencë në nivel ministrash të jashtëm, ishte përfaqësuar thjesht nga ambasadori, lajmi bëri që debatet të nisnin dhe të ashpërsoheshin deri në atë pikë, sa të vështirësonin punimet e parlamentit mbi rezolutën. Deputeti Nikollë Lesi e quajti pjesëmarrjen e Shqipërisë si një “gabim fatal”, i cili bëhet pikërisht kur forcat ndërkombëtare po bashkërendojnë punën për të luftuar terrorizmin.

Për më tepër ngjalli pakënaqësi fakti se ambasadori shqiptar nuk kishte marrë fjalën dhe në këtë mënyrë ai kishte aprovuar deklaratat që dolën prej kësaj konference, ku dënohëshin aktet terroriste ndaj SHBA-së, por njëkohësisht u shpreh edhe shqetësim mbi sulmet ndaj Afganistanit, që mund të shkaktojnë shumë viktima civile. Konferenca qartësoi gjithashtu se nuk miraton gotitjen e vendeve të tjera arabe nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit, ndërkohë që qëndrimi i Presidentit amerikan George U. Bush ka qenë i qartë “ato vende që nuk janë me ne në këtë luftë, janë kundër nesh”.

Pse Ministra e Jashtme Arta Dade që ishte në dijeni të kësaj Konference, duke u bazuar në momentin politik ndërkombëtar të tanishëm, nuk mori masat e parandalimit të pjesëmarrjes shqiptare? Drejtori i Zyrës së Informacionit pranë kësaj Ministrie Sokol Gjoka, në lidhje më këtë çështje shprehet se “pjesëmarrja shërben për t'i treguar botës arabe qëndrimin e Qeverisë Shqiptare, i cili është bashkimi me koalicionin e gjerë të drejtuar nga SHBA-ja”. Në këtë Konferencë, sipas Gjokës, marrin pjesë edhe një numër vendesh që janë shprehur pro luftës kundër terrorizmit, ndaj dhe prezenca e ambasadorit shqiptar nuk përbën në vetvete një rast alarmant.

Megjithë këto polemika pritet që pas disa ditësh parlamenti i Tiranës të aprovojë rezolutën “Shqipëria pjesëmarrëse e aleancës së gjerë kundër terrorizmit”, për të cilin kanë rënë dakort të gjitha grupimet politike. Kryetari i Parlamentit Namik Dokle në lidhje më këtë çështje deklaroi se “ një mocion i tillë, në përmasat që ka marrë lufta kundër terrorizmit në botë, duke patur parasysh domosdoshmërinë e kësaj lufte në mbrojtje të vlerave njerëzore, merr një rëndësi të veçantë”.

Disa shkrime të botuara në mediat perëndimore mbi ekzistencën e elementëve të dyshimtë për terrorizëm e kanë bërë më të qartë pozicionim e Shqipërisë, duke e konsideruar si anëtare të plotë edhe psë virtuale të koalicionit antiterrorist, të udhëhequr nga SHBA-ja.

ARJAN KONOMI