Aksioni antiterrorist në BeH

Sarajevo Oct 14, 2001

Aksion spektakular ushtarako-policor

AIM, Sarajevë, 09.10.2001.

Më tetë tetor (e hënë) në Zenicë u burgos Bensaj Benkacen Mexh, sipas disa të dhënave i lindur në Jemen, kurse sipas disa të dhënave tjera në Algjeri. Në lejenjoftimi viti i lindjes ishte 1960, kurse në evidentimin amzë figuronte viti 1962. Ministri i punëve të brendshme të Federatës BeH Muhamed Beshiç kumtoi se i arrestuari kishte qenë i lidhur me numrin e telefonit të Abu Jabudalës, eprorit të vjetër të Osama bin Ladenit. Akuzohet se ishte furnizuar me disa pasaporta të vendeve të ndryshme (vetë Mexhi kishte pasaportë të BeH, të re, të nxjerrur më 21 gusht të këtij viti).

Përndryshe gjatë 15 ditëve të fundit hapësira e Bosnjës me shumicë boshnjake karakterizohet nga atmosfera që mund të përshkruhet si "gjendje e jashtëzakonshme". Trupat e forcave stabilizuese ndërkombëtare (SFOR) kanë bërë një seri arrestimesh nga Sarajeva deri në Visoko, nga Gorazha deri në Bihaç, që u mbuluan me vellon e misterit, sepse as opinioni vendës nuk u informua se ç'ndodhi. Atmosfera kulminoi kur ministri federal i policisë Muhamed Beshiçit tha se "shtatëdhjetë afgan, anëtarë të rrjetit terrorist të Osama bin Ladenit, kanë ndërmend të hyjnë në Bosnjë e Hercegovinë, ku mendojnë se do ta gjejnë parajsën", por ministri i kishte porositur se "do t'i priste ferri!" Megjithatë, aksioni spektakular ushtarako-policor shkaktoi një seri dështimesh që prodhuan komente gazetareske, por edhe çështje mjaft serioze rreth raporteve të bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve vendore, kredibilitetit të vetë shtetit dhe çështjen se athua në sferën e të drejtave të njeriut shoqëria ecte një hap prapa.

Kah fundi i shtatorit ushtarët amerikanë ndërmorrën një aksion spektakular për marrjen e aeroportin që assesi tëndërtohen, atij në Visoko (40 kilometra në veri të Sarajevës) që zgjati një ditë e një natë dhe ku u përdorën automjetet e blinduara dhe helikopterët si dhe bllokimi i hyrjeve për në fshatrat përreth. Rezultat i këtij aksioni ishte gjetja e dy revoleve dhe disa granatave (nuk u kumtua se për çfarë lloji ishte fjala). Ngjashëm ndodhi edhe në Bihaç. Në aksionin që e ndërmorrën ushtarët e SFOR-it, ku ishin edhe pjesëtarët e FBI-së amerikane, kur të martën më 02 shtator arrestuan jordanezin Abu Kharroub Majed, "pas një mbykqyrje të gjatë dhe posedimit të fakteve të vërtetuara", siç u tha në komunikatën zyrtare të zëdhënësit të SFOR-it në Sarajevë. Kur Majed dy ditë më pas u lirua, u pa se ai jetonte në BeH tashmë njëzet vjet, se kishte nënshtetësi bh. dhe ishte i punësuar në Komitetin e Lartë Saudit (KLS), në programin për ndihmë fëmijëve pa prindër. Ditën kur u burgos, KLS-ja duhej të paguante ndihmën finansiare për 519 fëmijë jetim. Por kjo pagesë nuk ishte bërë gjithashtu shkaku i aksionit të karabinierëve italianë, saktësisht një javë më parë, në paralagjen Ilixha (më 26 shtator) ku kishin takuar dy shërbëtorë, roje të paarmatosur, punëtorë lokal të kësaj organizate humanitare Almin Harbaush dhe Nihad Karçiç. Një ditë më parë në një hotel të Ilixhës u arrestua një jordanez dhe një egjiptian. Gjithë çka u tha gazetarëve në konferencën për shtyp të SFOR-it, më 02 tetor (Daryll Morrell) kishte të bënte me të dhënën se ishte gjetur një arkë ku gjendeshin ndërmjet 100 dhe 200 mijë marka gjermane. Gjithçka tjetër ishte fshehtësi, përfshirë edhe identitetin e të arrestuarve.

Në gjithë aksionet morrën pjesë vetëm trupat e huaja. Policia lokale si dhe zyrtarët shtetëror as që ishin të lajmëruar për këto aksione. "SFOR ka arrestuar këto njerëz shkaku se ka dyshuar se ata paraqesin pengesë për SFOR-in dhe për të ruajtur sigurinë përreth që është e domosdoshme për bashkësinë ndërkombëtare që të mund të kryejë misionin e vetë humanitarë këtu", ishte qëndrimi zyrtar i zëdhënësit.

Të arrestuarit në aksionet e SFOR-it ishin tërësisht në "pronë" të trupave ndërkombëtare. Ata ishin dërguar në vende të panjohura, në ndonjë nga bazat ushtarake, kurse ishin marrë në pyetje nga agjentët e FBI-së, që cilët në BeH bëjnë hetime dhe vëzhgime ushtarake pa praninë e avokatëve. Roli i policisë lokale është ulur në misionin e tyre të korrierit që lajmëron familjet apo organizatat e të arrestuarve. Në një pyetje gazetareske se përse fshehet identiteti dhe përse u ishte marrë e drejta e mbrojtjes (prania e avokatit) zyrtarët e zyrës ndërkombëtare dhanë përgjigjen se "SFOR-i nuk ishte polici dhe as që bënte hetime " por vetëm se kujdesej për "rrethin e sigurtë". Përmes kësaj deklarate u arsyetua cenimi i të drejtës për mbrojtje dhe mbajtja e të arrestuarve në izolim.

Deri para disa viteve policia në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme kishte të drejtë që të dyshuarit t'i mbante në arrest policor maksimalisht tre ditë. Me presion të organizatave ndërkombëtare erdhi deri te ndryshimi i Ligjit për vepër penale, prandaj ky afat u shkurtua në 24 orë, kurse të dyshuarit nuk ishin të detyruar që të përgjigjeshin ndaj pyetjeve të policisë përsa kohë që nuk kishte ardhur avokati. Megjithatë kjo e drejtë demokratike praktikisht është nëpërkëmbur në BeH, kurse ka kërkesa (autoritetet perëndimore) që ky afat të zgjatet në shtatë ditë. E gjithë kjo nën moton e luftës kundër terrorizmit, që është në kolizion me rrjedhat e të drejtave njerëzore në kohën tonë.

Organizata të shumta ndërkombëtare dhe lokale që merren me të drejtat e njeriut dhe që veprojnë në BeH morrën qëndrimin e të shurdhërit dhe të verbërit, që nuk është rast kur janë në pyetje njerëzit e vendit. Avokati Almin Dautbegoviç, të cilin e kishte angazhuar familja e rojtarit të arrestuar të Komitetit të Lartë Saudit nuk kishte patur takim me klientin e vet.

"Është e pakuptueshme që të arrestuarit t'i merret e drejta e avokatit, i cili duhet të ketë vendin e tij në çdo procedurë hetuese", deklaroi Dautbegoviçi, por protesta e tij nuk kishte ndonjë ndikim në opinionin publik, as në mesin e njerëzve të drejtësisë. Edhe mediumet lokale tërësisht e injoruan këtë problem, që mund të kuptohet kur e kemi parasyshë atmosferën e krijuar. Nuk kishte interesim të gazetarëve pas aksionit në hapësirat e organizatës humanitare saudite. Prandaj kjo organizatë vendosi të ndërmerrte një hap të parëndomtë për rrethanat në vend. Në gazetën "Avaz", të 02 tetorit doli me shpallje të paguar ku për herë të parë kumtoi emrat e punëtorëve lokal, vlerën e parave dhe qëllimin e dedikimit të tyre. Komiteti i Lartë Saudit kërkoi që SFOR-i të kërkonte falje publike për këtë ndërhyrje, por kjo nuk ndodhi dhe as që do të ndodh.

Situatë e njëjtë ishte edhe me dëbimin e pesë shtetasve pakistanez nga BeH para se atyre t'u kalonte afati i vizave. U paramendua se ata ishin të dyshimtë si aktivistë fetarë, por nuk kishte pika takimi me terrorizmin. Zëvendës ministri federal Tomislav Limov, në revistën "Dani" porositi se çdo të huaj nga bota islame nuk duhet që ta shohim si terroristë. "Në kohëra tjera, më të mira, ne do të detyrohemi t'i kërkojmë falje atij vendi (Pakistanit) dhe shtetasve të tyre", tha Limov, që është vetëm një ilustrim i atmosferës së krijuar për ndjekjen e shtrigave, por edhe presionit që përjeton policia lokale. Këto presione sqarohen me dorëzimin ekspres të të dy shtetasve egjiptian (Arman Ahmed al Huseini, alijas al Misry dhe Al Sherif Hasan Muhamed Saad, i quajtur Sakr) gjatë të shtunës së kaluar, 06 tetor. Sakri dyshohet për aksionin terrorist në Rijekë më 1996. Ai nuk iu dorëzua shkaku i refuzimit të saj të dorëzonte Marija Miliceviç Bajo, i cili dyshohet për sulmin terrorist ndaj Joze Leutarit, zëvendës ministër federal i MPB-së. Megjithatë, kundër al Misriya-së i skadoi paraburgimi më 05 tetor, por me të dalë nga burgu i Sarajevës, ai praktikisht u kidnapua dhe u deportua. Avokati i tij në televizionin shtetëror foli për cenimin e të drejtave të njeriut, por për këto "formalitete" në BeH askush nuk çan kokën.

Bosna është fokusuar si një vend "që ofron vatër për terroristët islamikë" dhe autoritetet bëjnë gjithçka për të dëshmuar besnikërinë ndaj koalicionit të sapoformuar antiterrorist. Me kërkesë të Zlatko Lagumxhisë, faktorët ndërkombëtar bënë përjashtim. Me SFOR-in është bërë marrëveshje që të dyshuarit t'i arrestojë policia lokale. Kur është në pyetje Bosnja ajo kaherë nuk është vend për pushime, as për veprimtari të rrjeteve ndërkombëtare terroriste. Megjithatë, problemi kryesor i këtij vendi paraqet kufiri, sepse dy të tretën e kufirit e mbulon Shërbimi shtetëror kufitar. Paralajmërimi për ardhjen e 70 ithtarëve të Bin Ladenit që e lansoi ministri i policisë, me siguri është në funksion të nxehjes së atmosferës rreth aktiviteteve terroriste që të mund të siguronte përkrahje materiale për shërbimin kufitar. Ndihma e parë nga SHBA-të tashmë ka arritur në formë përgatitjeje. Megjithatë, njerëzit e arsyeshëm porosisin: lufta kundër terrorizmit nuk guxon të jetë motiv për cenimin e të drejtave të njeriut.

Emir HABUL