Panikë në mesin e botuesve

Sarajevo Oct 14, 2001

Privatizimi i shtypshkronjës më të madhe në BeH "Oko" nga Sarajeva rezultoi me panikun e botuesve të javoreve dhe gazetave ditore. E ardhmja e "Oslobodenjës", gazetës më të vjetër në bh, tani është në duart e "Avaz"-it konkurentit të drejtpërdrejtë në treg.

AIM, Sarajevë, 08.10.2001.

Pronari i ri i shtypshkronjës "Oko" u bë shtëpia gazetareske "Avaz", botues i gazetës më të madhe në bh. "Dnevni avaz", dikur mjaft e afërt me PAD kurse tani me Aleancën qeveritare. Konkurenti i vetëm i "Avazit" për shtypshkronjën "Oko" ishte grupi i aksionerëve që përbëhej nga "Osllobogjenja" sarajevase dhe "Kmeçka druzhba" sllovene, por në garë ishin skualifikuar që në "parakualifikim".

Që nga paraqitja e ofertës në tender për shitje të "Oko"-së u pa se "Avaz" është kandidati më serioz, ngase, sipas asaj që dëgjohej jozyrtarisht, oferta e "Oslobodenjës" ishte dy milionë marka, kurse "Avaz" kishte ofruar shumë më tepër, rreth shtatë milionë marka. Kështu, "Oslobodenje" ra nga loja, sepse sipas shumicës së ligjeve të FBdheH, firma e cila i ka borxh ndonjë firme shtetërore nuk mund të paraqitet si blerës i saj në procesin e privatizimit, kurse "Oslobodenje" për momentin i ka borxh "Oko-së" rreth dy milionë marka gjermane. Kështu Agjencia kantonale për privatizim në Sarajevë, shmangi dilemat duke zgjedhur firmën që kishte ofertë më të mirë. Se sa do t'i paguajë "Avaz-i " shtypshkronjës shtetërore "Oko" do të dihet për dhjetëra ditë, sa është afati i paraparë për të paraqitur ankesë. Në gjithë rrëfimin rreth privatizimit të shtypshkronjës, është i rëndësishëm vetëm aspekti finansiar. Investimi është shumë më i madh prandaj edhe shtrohet pyetja se athua "Avazi" në këtë mënyrë dëshiron që praktikisht të marrë monopolin përsa i përket mediave të shtypura në FBeH. Dyshimi i mediumeve tjera jashtë shtëpisë mediale "Avaz" bazohet në faktin se "Avaz-i" tashmë ka roto shtypës, kurse dy të tjerat në FBeH janë "Oko" dhe "Alden print" që është botues i gazetës së tretë, "Jutarnjih novina". Prandaj edhe pyetja "Çka i duhet Avazit edhe një shtypshkronjë" duket mjaft e logjikshme.

Më së shumti shkak për t'u brengosur ka "Oslobodenja", ku shtypshkronjë e saj e deritanishme ishte "Oko". Kjo gazetë më e vjetër bh, tash disa vjet ka probleme finansiare, për çka flet edhe vetë borxhi që i ka shtypshkronjës. Të punësuarit në "Oko" ishin më të zëshmit për kontestimin e "Oslobogjenjes" në rolin e blerësit, duke parë tek ajo fajtorin kryesorë për krizën e tyre finansiare, saqë të punësuarit në "Oko" tash me muaj nuk kanë marrë të ardhura mujore. Punëtorët e "Oko"-s dëshironin që pronari i ri të mund të ishte nga ata që do të paguante para të gatshme që do të mundësonte edhe pagesën e rrogave të tyre të papaguara, kurse "Osllobogjenje" aspak nuk dukej e këtillë. Kur pronar i "Oko"-s do të bëhet "Avazi" atëherë është çështje se çka do të bëjë konkurenti i saj direkt "Oslobodenja". Njëri variant është se do të insistojë që "Oslobogjenje" të paguajë borxhin që ka ndaj "Oko"-s, madje edhe në udhë gjyqësore, që është e drejtë legjitime e çdo pronari. Në këtë rast, "Oslobodenja" me siguri mund të shpall falimentimin dhe t'i vë "dryrin derës". Varianti i dytë është që shtypshkronja "Oko", gjegjësisht pronari i ri të ofrojë konvertim të borxhit në aksione, me çka praktikisht do të bëhej bashkëpronar, dhe aksioneri më i madh në "Oslobodenje". Sesi do të ndikonte kjo në politikën redaktuese dhe kadrovike të "Oslobogjenes" vetëm mund të merret me mend. Natyrisht, teoritikisht gjithçka mund të mbetet si deri më tani, "Oko" të shtyp "Oslobogjenen", me çka edhe më do t'i shtohej borxhi, por me një gjë të këtillë asnjë pronar, askund në botë, nuk do të pajtohej, sepse megjithatë është fjala për lojën e quajtur "ekonomia e tregut", ku qëllimi dhe treguesi i vetëm është profiti. Gjithçka tjetër bie në "kompetencën" e organizatave humanitare dhe mirëbërëse.

Të shqetësuar gjithashtu janë edhe dy revistat sarajevase, "Slobodna Bosna" dhe "Dani", që deri tani janë botuar në "Oko". Në rastin e tyre problemet nuk janë të natyrës finansiare. "Slobodna Bosna" një kohë të gjatë është në luftë të hapur mediale me "Avaz-in" dhe pronarin e saj, Fahrudin Radonçiçin, prandaj tani ka frikë se mund të ndërpriten shërbimet e shtypit në shenjë hakmarrjeje. Akuzat për monopol i hedh poshtë në tërësi Radonçiçi, i cili thirret në faktin se Sarajeva ka tre shtypshkronja rroto, kurse si ngushëllim për mediat tjera që janë shtypur në "Oko", përfshirë edhe "Slobodna Bosnën", paralajmëron se asgjë nuk do të ndryshojë, përveç se shtypja do të jetë më e lirë se deri tani!

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në reagimet e tyre deri tani kanë qenë të përmbajtur. Përderisa OSBE -ja shpreh shqetësim për monopolin e mundshëm, duke theksuar se privatizimi i shtypshkronjës më të madhe rroto nuk është i njëjtë me privatizimin e një firme të "rëndomtë", në OHR-u tërheqin vëmendjen se ligji mbi konkurencën në BeH, që duhet të caktojë "rregullat e lojës" për këto rast, më shumë se një vit "ngrin" në ndonjë frigorifer të Parlamentit të BeH. Mungesa e ndonjë ligji që do të definonte monopolin dhe mjetet për realizimin e tij, rezulton se pronësia e dy nga tre shtypshkronjave në BeH në duart e të njëjtit pronar është legale, gjegjësisht, nuk është në kundërshtim me shumicën e ligjeve.

Athua mossjellja e ligjit mbi konkurencën vjen nga pakujdesia dhe ngathtësia e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit dhe rezultat i angazhimit të tyre me "çështjet e rëndësishme", udhëtimet në mbarë botën dhe diskutimet e pafundme mbi kompetencat e shtetit dhe entiteteve apo bëhet fjalë për mosmiratimin e qëllimshëm përderisa nuk është kryer privatizimi në përputhje me "sferat e interesit", të bëra me marrëveshje? Objektivisht, krijimi i monopolit në shtyp, mundëson disiplinim të lehtë të mediumeve të shkruara të padëgjueshme, mosrealizimin e ëndrrës së partive nacionale, por edhe dëshirën e pushtetit të ri, që gjithnjë e më shpesh është në shënjestër të mediumeve të pavarura, dhe i cili ka filluar të reagojë me nervozë, me çka është bërë më i mbyllët ndaj opinionit dhe presionit të mediumeve. Me blerjen e shtypshkronjës "Oko", Fahrudin Radonçiç kryen krijimin e imperisë mediale, me çka bëhet edhe faktor politik, veçmas kur e kemi parasyshë se gjatë vitit të ardhshëm janë zgjedhjet në BeH. Situata mund të ndryshojë rrënjësisht vetëm në rastin e hyrjes së kapitalit të huaj, me çka Sarajeva do të kishte edhe një shtypshkronjë të re dhe moderne, sepse tre shtypshkronjat rroto janë të vjetra dhe larg fjalës së fundit të teknikës në këtë sferë. Përderisa nuk ndodh kjo, mediumet e shtypura të vendit do të përjashtohen nga ajo që sjell konkurenca e tregut, dhe janë të detyruar të mendojnë gjatë se a ia vlen të konfrontohen me konkurencën nga "Avaz"-i.

TANJA IVANOVA