Ne vigjilje te kuvendit te jashtezakonshem te HDZ-se

Sarajevo Oct 6, 2001

Perçarje nuk do te kete

AIM, Mostar, 04.10.2001

Edhe pse në opinion dhe në media ka shumë shpekulime rreth përçarjes eventuale brenda Bashkësisë Demokratike Kroate të Bosnjë Hercegovinës, në kuvendin e shtatë të ardhshëm të jashtëzakonshëm partiak, më 6 tetor të këtij viti, e sigurtë është se kjo nuk do të ndodhë fare. Krahu radikal brenda bashkësisë Demokratike Kroate pati sukses që hadezeistin më të matur, Neven Tomiç, ta përjashtojë nga Partia, kurse edhe liderët tjerë “të matur” t'i vërë nën kontrollin e vet. Në këtë mënyrë radikalët e HDZ-së, si edhe disa herë më parë deri tani, në vigjiljen e kuvendit të partisë rimorën tërë pushtetin dhe kontrollin mbi të gjitha frakcionet brendapartiake.

Edhe para këtij kuvendi partiak, sikurse disa herë më parë, është paralajmëruar largimi nga rradhët e HDZ-së i vëllezërve Ljubiq, Mariofil-it dhe Bozho-s. Mirëpo i vetëquajturi prijatar i të përmbajturve, të maturve apo të “moderuarve” në HDZ-en e Bosnjë Hercegovinës dhe nënkryetar shumëvjeçar i kësaj partie, Bozho Ljubiq, nuk dihet për të satën herë dhe për çfarë arësye përsëri vendosi të ngelë në parti. “Ngeljet” e tij të shpeshta të mëparëshme në HDZ, sipas vlerësimeve nga burime të mirëinformuara, doktor Bozho-ja ka ditur t'i paguaj trashë me të holla, pasuri të patundëshme dhe automobila. Kur është fjala për vendimin e fundit, motivet për ngeljen e Ljubiqit në HDZ-n e BeH nuk janë aq të njohura, mirëpo ato do të bëhen të njohura dhe të qarta nëse pasuria e Bozho Ljubiqit gjatë disa muajve të ardhshëm shënon zmadhim të dukshëm. Në “pako” më tërë këtë, edhe vëllai i tij Mariofil-i në kuvendin e ardhshëm do t'i bashkohet besnikërisë së mëtejshme ndaj HDZ-së.

Me qëllim që asgjë të mos ngelë në raste dhe ngjarje të paparashikuara dhe ndonjë individ i papërgjegjshëm gjatë ditëve të ardhshme t'i jap vetes të drejtë që të paraqitet jasht rendit të protokoluar të marrëveshjes së deritanishme, skifterët e HDZ-së janë kujdesur duke ushtruar presione intenzive të llojllojshme ndaj të ashtuquajturve “të luhatshëm dhe të pavendosur”. Sikurse vlerëson për AIM-in një burim i brendshëm i HDZ-së, radikalët si “të luhatshëm” vlerësojnë të gjithë njerëzit e afërm të Neven Tomiq-it dhe Jadranka Prliq-it. Të kujtojmë se Prliq para një viti doli nga HDZ-ja për shkak të ndërrimit brutal të rektorit të sveuçilishtes së Mostarit të cilin e zbatoi HDZ-ja, kurse prefekti aktual i Mostarit, Neven Tomiq, është larguar me vendimin e organit partiak për shkak të politikës së tij të bashkimit të Mostarit, gjë e cila nuk u konvenonte fare radikalëve të HDZ-së. Krahas miqve të Tomiq-it dhe Prliq-it, për radikalët të luhatshëm janë edhe personat të cilët nuk kanë shprehur vullnetin e tyre lidhur me formimin dhe veprimtarinë e vetëqeverisjes kroate, të cilët gjatë muajve të fundit kanë qëndruar përanësh ndryshimeve politike, duke pritur nga larg se cili opcion do të mbisundojë. Për shkaqet e mësipërme, me qëllim që mos ndodhin tronditje të reja në kuadrin e partisë, Jelaviq dhe njerëzit rreth tij si mjet presioni shfrytëzojnë udhëheqësit dhe krerët e shumë bashkësive dhe institucioneve dhe të shumë njerëzve të tyre të besueshëm nga partitë e vogla të cilat aktualisht figurojnë si satelitë të HDZ-së. Ky burim zbulon se në këtë drejtim një rol të rëndësishëm posedon lideri i Demokristianëve kroatë, Petar Miliq, i cili Jelaviqit i shërben si topuz në llogaritjet me të padëgjueshmit nga rradhët e partisë së tij.

Shembull më i qartë i llogaritjes me anëtarët e luhatshëm dhe të moderuar është rasti me Nevenko Herceg-un dhe Lidhjen hendbollistike të Herceg-Bosnjës. Këtë rast e ka inicuar pikërisht vetë Miliq-i, i cili Nevenko Hercegun e ka akuzuar për tradhëti të interesave kombëtare nga shkaku se Lidhjen e tij e ka bashkuar me lidhjen hendbolistike të BeH-së. Herceg-u është anëtar i njohur shumëvjeçar i HDZ-së, por një kohë ka ushtruar edhe funkcionin e zëvendësit të sekretarit gjeneral të Partisë. Krahas HDZ-së, ai për vete, duke shfrytëzuar autoritetin partiak, përvetësoi detyrën me përgjegjësi të udhëheqjes së Lidhjes hendbolistike të Herceg-Bosnjës. Edhe pse Herceg nuk është një politikan i klasës siç është për shembull, Tomiq dhe Prliq, parashikimet e tij janë shumë më të ndryshme nga parashikimet e disa radikalëve të HDZ-istëve, sikurse janë, për shembull, ato të Marko Tokiq-it dhe Ivan Baçak-ut. Në përputhje me përcaktimet e veta, por i përkrahur nga vendimi i të gjitha klubeve të Lidhjes së cilës i prin, Herceg-u filloi procesin e bashkimit të Lidhjes Hendbolistike të Herceg-Bosnjës me Lidhjen Hendbolistike të BeH. Ky proces përfundoi më 15 shtator të këtij viti me shkrirje të të dy lidhjeve në një organ të vetëm - kështu që hendbolli nuk ndahet më në baza nacionale. Në këto “aktivitete” të Herceg-ut dhe kreut të LH Herceg Bosnjës, lideri i Demokristianve kroatë etiketoi tradhëtarin e interesave nacionale kroate dhe këto qëndrime të veta i publikoi ditë me rradhë në mediat e vendit. Por, shkaku i vërtetë i llogaritjes me Herceg-un qëndron në faktin se ai i takon garniturës së të maturve dhe se, pak a shumë, bashkë me grupin e disa HDZ-istëve të panjohur ai ka disa muaj që po planifikon daljen nga rradhët e Partisë. Pikërisht për këtë shkak kuvendi e pa të nevojshme që të bënte presion ndaj Herceg-ut, kurse radikalët për këtë qëllim shfrytëzuan Miliq-in i cili haptaz proklamon ndarjen e Federatës në republikën boshnjake dhe atë kroate.

Duke u bazuar në vendin që ka zënë Miliq gjatë ditëve të fundit të mediat të cilat janë nën kontrollin e HDZ-së, me të vërtetë shihet qartë roli i tij në llogaritjet e llojllojshme brendapartiake të HDZ-së sikurse është edhe ky më i riu me Nevenko Herceg-un. Në këtë mënyrë shihet fare qartë se partiakët e vijës së ashpër, Herceg-un, si “të luhatshmin” potencial e paralajmërojnë për atë që mund t'i ndodh, në rast se nuk i zbaton urdhërat e tyre. Krahas këtyre aktiviteteve, sikurse vlerësojnë burimet tona në HDZ, vazhdon edhe presioni ndaj disa personave të afërm me Nevenko Tomiq-in. Ky në të vërtetë është shkaku kryesor për atë që policia kohën e fundit kapardiset nëpër institucionet në kryet e të cilave ndodhen “njerëzit e Nevenit”. Dhe ky akcion apo fushatë ka për qëllim që të bëjë pastrimet deri në fund para mbajtjes së kuvendit më 6 tetor, me qëllim që atë ditë sërish të verifikohet udhëheqja aktuale e HDZ-së, si edhe të gjitha angazhimet e partisë gjatë gjashtë muajve të kaluar, nga dita e formimit të vetëqeverisjes dhe shpërndarjes së organeve parlamentare në nivel shtetror dhe etnik. Njëri nga shkaqet për këto llogaritje të imta bazohet edhe në strategjinë të cilën HDZ-ja ka përgatitur për këtë kuvend partiak dhe i cili për popullin kroat në BeH këtë parti dëshiron ta prezentojë si monolite dhe unike në të cilën të gjithë janë bashkuar për njëqëllim të vetëm dhe të njëjtë - barazia e popullit kroat në BeH. Prandaj për HDZ-në është e rëndësishme që brenda partisë të mos ketë kurrfarë individësh të cilët në kuvend mund të shfaqeshin jasht formulës së imponuar, sepse vetëm në rast të paraqitjes së qindpërqindshme të partisë, vlerësojnë shumica në HDZ, mund të pritet edhe përkrahja unanime e kësaj partie nga vetë populli kroat. Edhe tani në të vërtetë është e sigurtë se përfaqësuesi i ndërruar i lartë, kryetari i Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ) të BeH, Ante Jelaviq sërish, në kuvendin e shtatë e të jashtëzakonshëm të HDZ-së për BeH, do të zgjidhet lider i Partisë. Jelaviqin e ndërroi nga funkcioni i anëtarit të Kryesisë së BeH por edhe nga funkcioni i kryetarit të HDZ-së përfaqësuesi i lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare në vendin tonë, Wolfgang Petritsch, për shkak se aktiviteti i Jelaviqit ishte drejtuar kah rrëzimi i rendit kushtetutar të BeH dhe Federatës BeH nëpërmjet të themelimin të vetëqeverisjes kroate në territorin e Federatës me popullsi të shumciës kroate. Të kujtojmë se Jelaviq në Mostar më 3 mars të këtij viti shpalli vetëqeverisjen kroate.

Burimi ynë vërteton se qeveritarët më të lartë të HDZ-së kanë hartuar edhe një “skenar” tjetër sipas të cilit do të zhvillohej loja në kuvendin kroat. Në fillim, ashtu si është bërë rregull i pashkruar në kuvendet e ngjashme partiake, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për HDZ-në ose ndonjë parti tjetër politike, Jelaviq në fjalën hyrëse do të bënte një vështrim për punën e deritanishme të partisë dhe punën e tij personale, duke komentuar njëkohësisht edhe situatën aktuale politike në shtet dhe në popullin kroat. Pas fjalës së tij, në foltore duhet të renditen disa prej atyreve të cilët në fjalën e vetë do të theksonin “ sukseset madhështore pozitive të cilat ka realizuar partia në luftën për zgjidhjen e çeshtjes kroate në BeH, gjë për të cilën kontributin më të madh e ka dhënë Jelaviq-i dhe udhëheqja e partisë së tij në periudhën e kaluar”. Pastaj, thot bashkëbiseduesi ynë, me aklamacion ose me eufori deputetët e kuvendit do të duhej, pa numrim të votave, sërish të zgjidhnin Ante Jelaviqin për kryetar të partisë. Rizgjedhja e Jelaviq-it për kryetar të partisë gjithësesi nuk do të duhej të ishte diçka e papritur. Rizgjedhja e Jelaviq-it si edhe të gjitha akcionet e sipërpërmendura kundër të maturve dhe të rezervuarve do të duhej të vërtetonte homogjenizmin i cili kinse ende mbretëron në atë parti, kështu që të sigurohej një simpati ende më e madhe e popullit kroat ndaj HDZ-së së BeH. Nga ana tjetër, edhe vetë Jelaviq jo fort moti, duke komentuar deklaratat nga OHR-ja dhe qëndrimin e tyre se ata nuk do të bisedonin me “politikanin e rrëzuar”, deklaroi se si “përfaqësuesi i lartë nuk kishte mandat që të përkufizojë të drejtat themelore të njeriut”. “ Pa marrë parasysh mendimet e tij, unë jam përfaqësues i HDZ-së”, ka thënë Jelaviq dhe në këtë mënyrë bëri të njohur se si në kuvendin e ardhshëm sërish do të zgjidhet kryetar i HDZ-së në BeH.

Por, pa marrë parasysh bindjen e Jelaviq-it se do të mbetet kryetar i partisë, atë prej ane e kanë në shënjestër ultraradikalët e partisë të cilët dëshirojnë për kryetar të HDZ-së të sjellin Vinko Zoriq-in, njeriun i cili, siç besojnë, “ përpjekjen për etnitetin e tretë kroat do ta kthente në vepër më shpejt se Jelaviq-i i cili gjithmonë përpiqet që t' u përshtatet rrethanave politike”. Zoriq-i i lartpërmendur në paraqitjet e tij në seancat e Kuvendit popullor të Kroacisë, disa herë me rradhë ka kërkuar organizimin e një referendumi për etnitetin e tretë dhe ' përfundimisht vendosjen e etnitetit të tretë kroat”. Përndryshe, Kuvendi popullor i Kroacisë është organ i cili përfshin HDZ-në edhe disa parti më të vogla djathtiste me orientim prokroat të cilat paraqiten si satelitë të HDZ-së. Kuvendi popullor kroat është vetëshpallur si pushteti më i lartë në territorin e të ashtuquajturës vetëqeverisje kroate. Në rast se në kuvendin e HDZ-së mbisundon mendimi i HDZ-istëve më radikalë, nuk përjashtohet mundësia që pikërisht Zoriq të paraqitet si lider partiak dhe në këtë mënyrë situata në BeH të radikalizohet ende më shumë. Disa analistë, edhe pse lidhur me këtë ende nuk ka informata relevante nga vetë HDZ-ja, kuvendin e ardhshëm e presin me optimizëm, me shpresë se në të Jelaviq dhe shoqëria e tij do të mund të shpallnin ndërrimin e vet dhe në këtë mënyrë pozitat partiake do t'ua dorëzonin disa njerëzve të tjerë me orientim diç më të matur të cilët do të hynin në dialog me përfaqësuesit e pushtetit të ri dhe me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e gjendjes ekzistuese. Kjo garniturë, sipas mendimit të tyre, më në fund do të mund të ndryshonte dhe të transformonte HDZ-në nga ajo që është si lëvizje nacionaliste në një parti të moderuar nacionale me orientim popullor ose demokristian.

Sikurse për këtë vend poashtu edhe për popullin e tij kroat, ky opcion fare pak real, do të ishte një zgjidhje më e mirë. Por, nëqoftëse Jelaviq-i përsëri zgjidhet kryetar i HDZ-së, duke marrë parasysh udhëheqjen e tij skizofrenike politike, atëherë as edhe analistëve më të njohur nuk do t'u ishte e qartë se në çfarë drejtimi do të vazdhonte HDZ-ja. Nën hijen e këtyre alternativave dhe mundësive, sidoqoftë, një çështje kryesore nuk po elaborohet në opinion ashtu siç është e nevojshme. Është e njohur, në të vërtetë, se HDZ-ja formimin e vet e ka bazuar në të hollat me të cilat e ka blerë përkrahjen. Por, meqë të hollat ka gjithnjë më pak dhe meqë kjo parti gjithnjë e më shumë po i humb shtyllat e forcës financiare, del se është e qartë se ky kuvend është thirrë me qëllim që të cimentojë udhëheqjen ekzistuese. HDZ-ja, në realitet, nga koha e humbjes së pushtetit, ngeli pa filialat e veta financiare: Bankën e Hercegovinës ( këtë bankë e blokoi SFOR-i dhe OHR-ja), Postën dhe telekomin e Kroacisë - HTP Mostar ( të cilët me një taktikë të urtë i mori udhëheqja lojale ndaj Qeverisë së Federatës së BeH), pastaj Aluminën, e cila, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të kontrollorëve dhe inspektorëve nuk është më në gjendje të mbush fondet e zeza të HDZ-së. Pastaj poashtu edhe gjykimet për korrupcion ( D. Çoviq), për prishje të sistemit kushtetutar (A. Jelaviq, M. Tokiq, I. A. Lluzhanski) si dhe për keqpërdorimet në Ministrinë e Mbrojtjes (M. Prce) te liderët më të lartë të HDZ-së kanë shkaktuar efekte psikologjike dhe është e qartë se liderët e partisë i pengon që të ndërmarrin akcione rrënjësore. Pastaj dhe veç të tjerave edhe e ashtuquajtura vetëqeverisje në asnjë segment të saj nuk është stabilizuar dhe rrallëkush po respekton vendimet e organeve të saj. Duke patur parasysh këto fakte pyetja se cili do të udhëheq HDZ-në bëhet jo aq e rëndësishme, derisa kjo parti nuk është më e aftë që të ndikojë në ngjarjet në vend.

ZVONIMIR JUKI