A mundet Bullgaria pa FMN-në

Sofia Oct 5, 2001

Qeveria e re ndërmjet premtimeve parazgjedhore dhe marrëveshjes së re me Fondin

AIM Sofje, 29.09.2001.

Misioni i parë i FMN-së në Bullgari pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Nacionale të Simeonit të Dytë (NDSV) përfundoi pa sukses. Të dy palët kishin biseduar që të mund të arrinin një marrëveshje trevjeçare, por pas 10 ditësh bisedimet kishin ngrirë. Qeveria bullgare dhe përfaqësuesi i FMN Gjerald Shif jo vetëm nuk arritën të afronin qëndrimet rreth marrëveshjes së ardhshme, por mbetën në qëndrime krejtësisht të kundërta.

"Të tjera bisedime do të ketë vetëm kur Qeveria do të shqyrtojë qëndrimin e vetë dhe do të tregojë dëshirë që t'u afrohet qëndrimeve tona", tha gjatë ikjes z. Shif.

Rrjedha e bisedimeve e vuri në pikëpyetje edhe të ardhmen e marrëveshjes. Pyetja se a është e domosdoshme përkrahja e FMN-së ose jo gjithnjë diskutohej dhe ishte praktikë në politikën bullgare - që nga koha e pushtetit të ish-komunistëve, pastaj edhe të qeverisë së Lidhjes së Forcave Demokrate (SDS) në krye me Ivan Kostovin e deri në ditët e sotme. Problemi i parë themelor është se athua Bullgaria mundet edhe pa ndihmën e FMN-së, e nëse përgjigja është pozitive, atëherë pason edhe pyetja tjetër - athua sipas rregullave të FMN-së apo sipas rregullave të vetë pushtetit.

Praktika e viteve të fundit tregon se deri tani Bullgaria nuk ka pasur shumë mundësi për të zgjedhur. Sikur të mos ishin injeksionet finansiare të Fondit vendi vështirë se do të mund të ruante stabilitetin e valutës vendore. Sërish me diktatin e FMN-së më 1997 u vendos bordi valutor me kurs të fiksuar të levit.

Marrëveshja e fundit me Fondit skadoi para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kostovit. Tani e ardhmja e Bullgarisë sërish gjendet në tavolinën e bisedimeve.

Linjë penguese e bisedimeve të tanishme ishin premtimet e NDSV për lehtësime tatimore dhe përmirësim në sferën sociale. Qeveria bullgare duhej të zgjidhte në mes realizimit të premtimeve parazgjedhore apo marrëveshjes me FMN-në. Duket se për momentin nuk ekziston situata kur ujku mbetet i fryrë dhe delet nuk mungojnë. Zgjidhja duket e vështirë sepse Simeon Sakskoburgotski tashmë ka bërë të njohur planet e kabinetit për uljen e tatimeve të të ardhurave dhe të zbatojë zero tatimin tek tatimet e profitit nëse ai profit riinvetsohet. Zvogëlimi i të hyrave në buxhetin shtetëror llogaritet të jetë në 500 milionë leva, që sipas analizave të kabinetit do të plotësoheshin nga të hyrat më të larta të të dhënave doganore dhe akcizave dhe përforcimit të regjimit doganor. FMN-ja konsideron se këto premtime nuk janë reale.

Në përkrahje të ekipit të vet Xherald Shif përmend se janë të pritura recesionet botërore dhe sugjeron se nuk ka mjaft shpresë për një ambient më të përparuar ekonomik në botë. Veç kësaj bilansi tregëtar i vendit keqësohet. Në periudhën nga janari deri në muajin gusht deficiti arriti në 910,9 milion dollarë.

Sipas shumë analistëve problemi i autoriteteve shtetërore në planin afatgjatë është dilema se athua është në pyetje shansi për thithje të ajrit të freskët apo sërish e ka humbur rrugën nëpër xhunglën e ligjeve tatimore. Kur ekspertët ekonomik të NDSV kumtuan idenë e tyre për tatimin zero si kompensim për riinvestim, ata e kishin patur parasyshë efektin pozitiv në Estoni.

Pozita e FMN-së rrallë lejon eksperimente të ngjashme. Përkundrazi - sot është edhe më jotolerante sesa në kohën kur kabinetin e drejtonin socialistët e Zhan Videnovit. Ekspertët e Fondit insistojnë për një politikë të ashpër fiskale që do të garantonte plotësimin e të ardhurave buxhetore. Sipas rregullit, rreziqet janë të padëshirueshme. Në të vërtetë një politikë e këtillë i solli stabilitet Bullgarisë gjatë katër viteve të fundit. Por ishte kritikuar nga biznesi vendor dhe i jashtëm për moskrijim të një ambienti tatimor të përshtatshëm.

"Nuk kemi arsye të shqetësohemi. Nuk mund të presim që brenda dhjetë ditëve të arrihet i njëjti mendim ", deklaroi ministri i finansave Milen Velçev.

Fillimi i vonuar i negociatave do ta shpjerë kabinetin e Simeon Sakskoburgotskit në një situatë të vështirë, sepse nuk është e qartë se ku do të bazohet buxheti i vitit 2002. Ministri Velçev duhet të zgjedhë ndërmjet variantit të bazuar në premtimet parazgjedhore ose të presë misionin e ri të FMN-së dhe arritjen eventuale të marrëveshjes. Deri te varianti i dytë qeveria e ka më të vështirë sepse vështirë se në kohë të duhur do të mund të krijonte buxhetin.

Kabineti i Kostovit kishte zvarritur marrjen e masave radikale për nxitjen e biznesit duke u shërbyer me lloj-lloj arsyetimesh dhe para së gjithash me krizat e ndryshme të jashtme-ruse, aziatike, kosovare. Tani edhe qeveria e re duhet të zgjedhë se a duhet të pranojë si një lloj justifikimi stagnimin ekonomik në botë. Kryeministri Sakskoburgotski e di mirë se biznesi bullgar pret hapësirë të re më të përshtatshme për zhvillim. Ndërkohë që e gjithë Bullgaria pret nga qeveria e tij stabilitet. Deri në tetor kur duhet ripërtrirë negociatat ai do të ketë një temë serioze për të menduar.

GEORGI FILIPOV