Ballafaqimi i dhembshëm me të vërtetën
Gjatë privatizimit të deritanishëm në FBeH janë privatizuar vetëm gjysma e 1351 firmave të "shenjuara" për t'u shitur. Përkrah numrave të mëdhenj ka pak para, shteti ka fituar 208 milionë marka para të gatshme. Pjesa tjetër është paguar me letra në formë të certifikatave për privatizim. Është fjala për më pak se një të katërtën e kapitalit të përgjithshëm shtetëror në FBeH, me vlerë nominale prej 3, 04 miliardë marka.
AIM, Sarajevë, 01.10.2001.
Pas përsëritjes disavjeçare, si papagall, të frazës "privatizimi do të jetë i shpejtë dhe do ta zhvillojë ekonominë vendase", erdhi koha e ballafaqimit të dhembshëm me realitetin. Nëse vazhdon me këtë tempo privatizimi në FBeH do të mund të vazhdonte deri në vitin 2007. Nëse premtimet e parealizuara për shpejtësinë e procesit lihen anash, problemi edhe më i madh është me të ardhurat pagesore, që është shumë larg asaj që është pritur.
Në rend dite më në fund ka ardhur çështja e përgjegjësisë. Sikurse topin e ping-pongut, pushteti i tanishëm firma menaxhuese dhe bashkësia ndërkombëtare e hedhin tek njëri tjetri. I gjithë koncepti i privatizimit, edhe pse zyrtarisht është pjesë e pushtetit ekzekutiv vendas, është përgatitur nga ana e ekspertëve ndërkombëtar. Është paramenduar në principin privatizim "i shpejtë dhe i përgjithshëm". Në letër janë paraqitur kompilime të përvojave pozitive nga vendet tjera në tranzicion, që tashmë kanë kaluar këtë proces. Këto duhet që të shmangnin gabimet tashmë të njohura.
Drejtësia duhej të sigurohej duke u ndarë qytetarëve certifikata për privatizim, si kompenzim për borxhet e shtetit ndaj tyre, mospagesës së rrogave të ushtarëve gjatë luftës katërvjeçare, borxhin ndaj pensionistëve dhe "kërkesën e përgjithshme" për të gjithë qytetarët e rritur. Qytetarëve u janë ndarë gjithsejt rreth 17 miljardë marka gjermane përmes këtyre "letrave", që mund të shfrytëzohen vetëm për blerjen e banesave ose blerjen e aksioneve nëpër firmat shtetërore apo blerje të hapësirës për punë. Në këto raste vlera e certifikatit është e barabartë me të hollat e njëmendëta. Problemi është "vetëm" se në tregun e lirë certifikatet shiten sa tre përqind e vlerës së tyre nominale. Nga ana tjetër, shteti ka afruar për shitje kapitalin e vet me vlerë prej rreth 13, 5 miljardë markash. Kur u bë e qartë se rregullat e tanishme për privatizim kanë mjaft zbrazëtira sa me një grusht para mund të vish deri tek prona me vlerë prej disa dhjetëra milionë markash, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare u ndanë 86 firmat më me perspektivë, me vlerë prej 9, 5 miljardë markash, së paku në letër, që do të thotë sa dy e treta e kapitalit të përgjithshëm shtetëror. Këto firma me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë do të duhej të shiteshin në tenderat ndërkombëtar për para "të njëmendëta".
Tani pushteti vendor e drejton gishtin nga bashkësia ndërkombëtare duke e treguar si fajtorin kryesor, duke argumentuar se nga 86 firma strategjike deri tani janë shitur vetëm tre. Veç kësaj, në shënjestër të kritikave është vet koncepti për të cilin ekspertë të vendit zëshëm e konstestojnë dhe kërkojnë ndryshim rrënjësor të tij.
Autoritetet ndërkombëtare akuzojnë për dobësi autoritetet në vend se shumë ngadalë i shesin, madje edhe ata firma privatizimin e të cilave duhet ta shpallin vetë ata. Autoritetet e vendit për vonesë dhe kalim të afatit akuzojnë menaxhuesit në firmat shtetërore që nuk kanë qenë efektiv në përgatitjen e firmave për privatizim. Dhe përderisa faji për punën që nuk është bërë hudhet nga njëri tek tjetri, transi i postprivatizimit tashmë rezulton me pakënaqësi dhe revolta gjithnjë më të shpeshta të punëtorëve në firmat deri tani të privatizuara.
Ndryshimi i pronarit duket se nuk solli tek ajo që u premtua - shtim prodhimtarie, punë dhe të ardhura. Shkaku nuk është vështirë të gjendet
- ndërmarrjet e privatizuara deri tani, kryesisht me certifikata të blera, pra para të vdekura për të cilat duhen para të freskëta, që nuk i kanë pronarët e ri, më së shpeshti fondet investuese për privatizim. Ndryshimi i gjithë konceptit të privatizimit, ndihmon edhe më pak.
Për këtë ndryshim tani është vonë, sepse pranimi eventual i propozimeve të këtilla gjithçka do ta kthente në fillim dhe do të vazhdonte agoninë edhe për disa vjet. Përveç kësaj nuk ka kurfarë garancioni se edhe koncepti i ri nuk do të ishte me dobësi, prandaj sërish mund të eksperimentohej me një koncept edhe më të "ri" dhe kështu vazhdimisht. Thjeshtë privatizim të drejtë dhe korrekt nuk ekziston dhe përherë bëhet zgjedhja e zgjidhjes më pak të keqe. Kur bëhet fjalë për BeH duhet thënë se është një vend ku ekonomia u shkatërrua në themel gjatë luftës katërvjeçare, kurse pesëvjet pas luftës nuk pati përmirësim të mjaftueshëm. Numri i të papunëve, pensionistëve, invalidëve tejkalon disa herë numrin e të punësuarve. Në xhepat e zbrazët të qytetarëve nuk ka para të mjaftueshme për mbijetese të përditshme e jo më tepricë për pjesëmarrje të gatshme në privatizim.
Pohimet se BeH është një vend ku do të vinin investuesit e huaj me miliarda dollarë për të investuar u dëshmuan se ishin vetëm demagogji. Derisa në njërën anë qytetarët dhe veçmas punëtorët në firmat shtetërore besojnë se prona e ofruar për shitje është shumë e lirë, blerësit e huaj, sipas kritereve të tyre, vlerësojnë se "malli" është shumë i shtrenjtë. Problem kryesor nuk ka qenë pronësia e deritanishme shtetërore ndaj firmave, por se shteti nuk i dëshiron si partner investuesit privat. Është fjala për atë se inkuadrimi në firmat vendore, në këtë gjendje siç janë, me disa përjashtime, nuk duket ndonjë veprim shumë i mirë sa i përket biznesit, kurse forcimi i atraktiviteteve të tyre mund të bëhet vetëm me prerje të shpejta, pra mbylljen e atyre që nuk kanë shpëtim dhe zvogëlimin e numrit të punëtorëve në ato firma që kanë perspektivë tregëtare.
Kjo nënkupton se njëkohësisht duhet që gjithë shfaqjet tjera përcjellëse, siç janë ligjet, tatimet, gjyqi, duhet përshtatur standardeve të ekonomisë së tregut. Këtë punë "të ndytë" shteti si pronar nuk ishte në gjendje ta bënte, që të mund të ruante paqen sociale, kurse tani duket haptas se ky hesap kishte qenë i keq. Duke u trajtuar firmat si vendbanime sociale dhe duke u asgjësuar me vetëdije nga ana e menaxhuesve, vetëm që të ishin sa më të lira, kjo rezultoi me mungesën e blerësve serioz përgjatë procesit të privatizimit. Arka shtetërore nuk mundi të arrinte tek paratë e njëmendëta, prandaj gjithnjë u ballafaqua me revoltën e punëtorëve, të cilët shumë vështirë e pranojnë faktin se menjëherë pas privatizimit nuk do të jetë më mirë, por më keq sesa në kohën kur padron i firmës së tyre ishte shteti. Shpresat e varura tek ekspertët ndërkombëtar gjithashtu shuhen, sepse atyre nuk iu shpejtohet, e përveç kësaj, qasja e tyre mbi pronësinë është paksa më ndryshe, sepse veten e konsiderojnë si "këshilldhënës", pa ndonjë obligim të veçantë në gjetjen e blerësve të huaj. Që gjërat të jenë sa më keq, fillimi i recesionit global ekonomik edhe më shumë e zvogëloi numrin e investuesve potencial nga jashtë.
Rezultati përfundimtar i procesit të ngathtë të privatizimit është pakënaqësia e përgjithshme dhe llava e akuzave të ndërsjellta. Duke mos u përpjekur të gjithë aktorët e privatizimit që me punë maksimale të shmangin këtë gjendje sa më shpejtë, pa eksperimentime shtesë dhe kalkulime të imëta, përgjigja në pyetjen "kush është fajtor" do të bëhet krejt e parëndësishme. Madje edhe nga perspektiva e tanishme duket se "s'ka më keq!", kurse rënia në varfëri e mjerim mund të jetë dyfish më e madhe.
DRAZHEN SIMIÇ