Një vendim gjyqësor që nxiti debatin rreth gjenocidit
Prishtinë, 3.10.2001.
Ka pasur apo jo gjenocid gjatë luftës në Kosovë? Kjo çështje deri tash të paktën për shqiptarët e padiskutueshme, u shndërrua në objekt diskutimesh nga një proces i vetëm gjyqësor. Në fillim të këtij viti Gjykata e Qarkut në Mitrovicë dënoi me 14 vjet burgim nën akuzën për krime lufte dhe gjenocid serbin Miroslav Vuçkoviq. Ishte kjo ndër gjykimet e pakta kundër përgjegjësve për krime lufte në Kosovë, mirëpo gjykimi pak muaj më vonë u cilësua si shumë i rreptë dhe "jokompatibil" me përgjegjësinë e të dënuarit. Një trup gjyqësor i themeluar nga Gjykata Supreme e Kosovës, që udhëhiqej nga gjykatësi francez, Petarice de Charette, ktheu në rishqyrtim procesin gjyqësor, ndërsa në arsyetimin e tij thuhej se "sipas Gjykatës Supreme të Kosovës, veprat e dhunës të kryera nga regjimi i Millosheviqit gjatë viti 1999 nuk mund të cilësohen si vepra të gjenocidit".
Ky konstatim i zemëroi shumë shqiptarët e Kosovës, të cilët vetveten e shohin viktima të terrorit dhe gjenocidit. Kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, tha se trupi që ai udhëheq "nuk është kompetent për të dhënë cilësime të tilla". Ndërkohë, prokurori ndërkombëtar, Michael Hartman, tha se "është fjala për një keqkuptim të vendimit të Gjyaktës Supreme dhe të asaj çfarë është thënë në vendimin e saj. Unë kam qenë prokurori publik ndërkombëtar, i cili ka raportuar rreth këtij rasti dhe në këtë raport me mendime ligjore, që përmban 40 faqe, kam rekomanduar që dënimi për gjenocid duhet të abrogohet, tha zoti Hartman, duke shtuar se rekomandimi i tij i ishte dhënë Gjykatës Supreme. Kjo për faktin se shqyrtimi i këtij rasti para Gjykatës Supreme do të mbahej me dëshmi se çfarë ka ndodhur në prill të vitit 1999 në tri fshatrat e vogla, të banuara me shumicë shqiptare. Sipas prokurorit ndërkombëtar, ky është rasti me të cilin është marrë Gjykata Supreme dhe ajo nuk i ka analizuar veprimet e Milosheviqit dhe të regjimit të tij në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren apo kudo tjetër, por vetëm veprimet e të pandehurit në tri fshatrat që përmenden në rastin Vuckoviq. Gjykata Supreme ka shqyrtuar vetëm dëshmitë për atë se çfarë ka ndodhur në tri fshtrat e përmendura në këtë rast. Prandaj, Gjykata Supreme nuk mund të vendosë për çështjet mbi të cilat nuk ka dëshmi dhe në procesverbal nuk thuhet nëse ka pasur akte gjenocidale në vende të tjera, por bëhet fjalë vetëm për ato tri fshatra shqiptare.
Mirëpo, në vendimin e Gjykatës nuk ishin specifikuar vetëm tri fshatrat shqiptare ku kishte vepruar Vuçkoviqi, ndërsa prokurori Hartman thotë se ato "nuk janë veçuar në atë kontekst gjuhësor. Por, kjo ka ndodhur ndoshta për faktin se gjykatësi në Gjykatën Supreme e ka ditur mirë se me ligj duhet të bëjë atë që duhet bërë". Duke nënvizuar se sipas ligjit një gjykatë nuk mund të miratojë aktvendime, nëse për to nuk ka dëshmi, ai pohon se ndoshta ka pasur e ndoshta jo gjenocid në Mitrovicë, Prizren apo në Prishtinë, por për ta vërtetuar këtë gjykata duhet t'i shqyrtojë dëshmitë, dhe për diçka të këtillë nuk ka pasur dëshmi, po as që është zhvilluar proces gjyqësor lidhur me këtë çështje.
Edhe përfaqësues të tjerë të gjyqësisë ndërkombëtare në Kosovë thanë se Gjykata Supreme nuk e ka bërë një vërtetim të këtillë dhe se kur Gjykata shfrytëzon një gjuhë të përgjithshme, ajo është gjithmonë e kufizuar nga ligji, duke pasur përpara dëshmitë. Edhe nëse gjuha e përdorur në këtë rast tingëllon gjithëpërfshirëse, me ligj ajo duhet të jetë e kufizuar me dëshmitë që janë paraqitur në rastin e veçantë. Por, cila është procedura që duhet ndjekur në vërtetimin nëse dikush është apo nuk është përgjegjës për gjenocid? Prokurori ndërkombëtar, Hartman, pohon se fillimisht duhen dy gjëra: së pari duhet vërtetuar gjendjen mentale, që në Evropë njihet me termin "dolas specialis", të personit që akuzohet për akte gjenocidale. Ky person pra për qëllim duhet të ketë eliminimin apo shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesërishëm, të një grupi njerëzish. Së dyti, ky person duhet të bëjë ndonjë vepër që do të ndihmonte realizimin e qëllimit të tij. Në këtë kuadër, zyrtarë të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte gjthashtu kanë pohuar se për aktakuzë të këtillë, veprat penale duhet të jenë më të mëdha. Për shembull, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në rastin Kërstiq, që ka të bëjë me Srebrenicën, e akuzon atë për vrasjën e 8 mijë meshkujve që moshës madhore, sikur që thotë vetë gjykata. Ky rast është cilësuar si gjenocid dhe zoti Kësrtiq thuhet se ka pasur qëllime gjenocidale. Ju tash mund të thoni se nuk është e domosdoshme që të vriten 1 mijë njerëz, por fjala "substanciale" përdoret në shumë aktvendime të gjykatave, e madje edhe në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte. Pra, duhet të jetë kombinim i të dy çështjeve, dmth, gjendja mentale e një personi të akuzuar dhe veprimet e tij. Këtë gjë ne nuk e kemi pasur në rastin Vuçkoviq, i cili akuzohet për vrasjen e 2 njerëzve nga 6 apo 7 të tjerë po ashtu të vrarë. Madje, trupi gjykues, shumica e të cilit përbëhej nga shqiptarët, ka pohuar se asnjëra prej viktimave nuk është vrarë nga i akuzuari Vuçkoviq dhe në vend të kësaj, për shkaqe të panjohura, e ka shpallur atë fajtor për gjenocid. Këtë çështje e ka shqyrtuar Gjykata Supreme e Kosovës. Këtu kemi të bëjmë me tri fshatra, ku asnjë vrasje dhe vdekje nuk i atribuohet zotit Vuçkoviq dhe të në të njëjtën kohë, ai shpallet fajtor për gjenocid.
Por, gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë kanë pranuar një të vërtetë. Ata nuk mund t'i përgjigjen çështjes nëse ka pasur apo jo gjenocid në Kosovë. Sipas tyre, gjykatatat mund të komentojnë vetëm rastet që tashmë janë hedhur në shqyrtim në ndonjërën prej gjykatave, ndërsa edhe më tej shumë raste vazhdojnë të hetohen nga policia dhe nuk u janë dorëzuar gjykatave. Megjithatë, në bazë të rasteve të shqyrtuara deri tash prokurori i Kosovës, Michael Hartman, thotë që ende nuk është dëshmuar për ekzistimin e një rasti gjenocidal.
Mirëpo, për organiztatat politike dhe humanitare shqiptare pohimet se në Kosovë nuk ka pasur gjenocid janë të paqëndrueshme. Ndonëse përgjegjësit e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Luftë ne hapësirat e ish Jugosllavisë ende nuk e kanë komentuar këtë çështje, ekspertë juridikë tërheqin vërejtjen se "kjo gjykatë po shqyrton tashmë zgjerimin e akuzës kundër ish "vozhdit" serb Sllobodan Millosheviq edhe me këtë vepër, pra me gjenocidin. Në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ngulin këmbë se veprimet e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë kishin shumë elemente të gjenocidit. Përgjegjësit e këtij Këshilli pohojnë se në favor të këtij konstatimi flasin shifrat marramendëse të viktimave (rreth 11 mijë të vrarë), për "një milion të dëbuar nga shtëpitë e tyre, mbi 200 mijë objekte të rrënuara, për spastrim sistematik nëpërmjet akteve të vrasjeve, dhunimeve e masakrimeve sistematike që kishin për qëllim shkatërrimin e popullatës së Kosovës". Sipas këtij Këshilli, një nga dëshmitë më të qëndrueshme është edhe shkatërrimi sistematik i familjeve, duke numëruar kësisoji të paktën 180 familje të shuara tërësisht.
Fitohet përshtypja se një formulim i ngathtë në një vendim gjyqësor ka nxitur në opinionin e këtushëm debatin rreth çështjes së kryerjes së gjenocidit në Kosovë, dhe se, në të vërtetë, nën hijen e kësaj çështjeje të madhe kanë mbetur çështje të tjera "të parëndësishme", siç janë efikasiteti dhe profesionalizmi i gjykatave gje gjykatësve të këtushëm, si dhe drejtësia e vendimeve të tyre. Dhe, për më tepër, aftësia e institucioneeve juridike kosovare që kriminelët e luftës t'i nxjerrin para drejtësisë.
AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA