Duke pritur shiun

Tirana Oct 1, 2001

Shqiperia vazhdon te perballet me krizen me te rende energjetike ne dekaden e fundit-

AIM TIRANA, 30.10.2001

Një zhaurimë stresuese dëgjohet paradite dhe pasdite rrugëve të kryeqytetit të Shqipërisë. Orkestra e gjeneratorëve është mjaft e sintonizuar. Si të dirigjuar nga një dorë, mijëra motorrë që prodhojnë energji elektrike nisin punën njëherësh. Kur pushojnë, shpirtrat e mbi 500 mijë banorëve të Tiranës gjejnë sërish prehje.

Qe prej fundit të vitit të shkuar, kushdo që ka në Shqipëri një aktivitet tregëtar, që ka një zyrë, menaxhon një bar apo restorant është i detyruar të blejë gjenerator. Kriza energjitike kaloi pa rënë shumë në sy gjatë verës, ndërsa me afrimin e stinës së ftohtë janë shtuar mallkimet për ndërprerjen e energjisë. “Unë kam vendosur ta mbyll. Sapo nis, pa mbaruar mirë me njërën anë, më ikin dritat”, thotë berberi, Ilmi Shanaj, që ka një ambjent modest pranë bulevardit “Zogu i Parë”, një nga rrugët më të shkelura të kryeqytetit.

Ministri i Shtetit për Energjitikën, Dritan Prifti mundohet të kurajojë njerëzit. “Këtë dimër do të ketë më shumë drita në krahasim me vitin e shkuar, por do të ketë prapë kufizime”, thotë Prifti. Por Ilmi Shanaj nuk do ta besojë. Berberi i vjetër që ka prerë flokë për mbi 20 vjet nuk i pëlqen këto deklarata. “S'do te kemi drita, dhe askush s'e vret mendjen”.

Bukurie Kaça, pronarja e një dyqani akulloresh në “Rrugën e Shallvareve”, ka filluar ta ndjejë sesi me ikjen e dritave po i ikin edhe fitimet. “Më është përgjysmuar aktiviteti”, thotë ajo. Pasojat i ka ndjerë krejt ekonomia shqiptare. Inflacioni që ishte parashikuar të mos ishte më i lartë se 2%, ka shkuar në 4%.

Shqipëria e 3 milionë banorëve deri në vitin '93, nuk e njihte errësirën. Me një industri të rëndë modeste, dhe me një konsum familjar të papërfillshëm, 5 hidrocentralet e Shqipërisë arrinin të prodhonin energji të mjaftueshme, madje dilte edhe për të eksportuar. Sot duhen importuar rregullisht të paktën 6 milionë KW në ditë nga fqinja lindore, Maqedonia dhe nga fqinj verior, Mali i Zi. për të pasur atë sasi energjie që përsëri nuk është e mjaftueshme. Shqipërisë i duhen 22 milionë KW në ditë. Ajo arrin të prodhojë vetë vetëm 13 milionë. Në rrethet e largëta të vendit qirinjtë dhe kandilat po bëjnë hatanë.

Ka vetëm një përgjegjës për furnizimin me rrymë elektrike. Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare, prej pak kohësh është kthyer në një ndërmarrje tregtare dhe asistohet nga shoqëria e njohur italiane ENEL. Drejtori i Divizionit të Transmetimit në këtë Koorporatë, Ylli Demiraj mundohet të shpjegojë krizën. E vërteta është shumë e thjeshtë. Eshtë shumëfishuar konsumi i energjisë, ndërsa burimet janë po ato të mesit të viteve '80. Asnjë investim tjetër nuk është kryer që nga viti '86 kur u ndërtua Hidrocentrali i Komanit.

Në vitin '90 konsumohej 3.3 miliardë KW në vit në gjithë vendin. Me fillimin e tranzicionit industria e rëndë pushoi së funksionuari dhe konsumi u ul deri në 2.75 miliardë KW në vit. Mirëpo, me krijimin e tregut të lirë, shumë familje shqiptare që kishin ëndërruar të kishin në shtëpi një makinë larëse, një televizor me ngjyra apo një ngrohës më korent, gjëra krejt të munguara në kohën e regjimit komunist, vrapuan të fusnin prizat në të gjitha spinat e banesave të tyre. Ndërkohë, hidrocentralet dhe burimet e tjera të energjisë ishin po ato. Kjo ishte një rrugë pa krye. Kriza filloi t'i jepte shenjat e para të forta në vitin '98. Ministri i Shtetit për Energjinë, Dritan Prifti, që drejton Koorporatën Energjitike prej gati 2 vjetësh ka vënë re se gjithçka është keqmenaxhjuar. “Nuk mund te jëmi fajtor për keqmenaxhimin që i është bërë sistemit energjitik të vendit për dy dekada me radhë”, thotë Prifti.

Zëdhënësi i Koorporates Energjitike , Dritan Ylli mundohet të evidentojë punën e mirë që është bërë në dy vitet e fundit. Sipas tij, menaxhimi i mirë dhe rritja e vjeljes së pagesave deri në masën 80% i ka bindur donatorët që të zgjidhin qesen. “Puna e dy viteve të fundit i bindi donatorët dhe si rrjedhojë u lëvrua shuma prej 100 milionë dollarësh që mbahej e bllokuar që prej vitit '98”, thotë Ylli. Shuma e akorduar nga Brukseli është përdorur kryesisht për përmirësimin e infrastrukturës energjitike. Shteti shqiptar, megjithëse ka subvencionuar KESH-in me 5 miliardë lekë, është gati të importojë edhe më energji. Mirëpo rrjeti është i vjetëruar dhe ka kapacitet të kufizuar.

Një nga problemet e mëdhaja me energjinë elektrike ka qënë gjithnjë mosbindja e shumë konsumatorëve për të paguar. Në fillim të vitit '97 vetëm gjysma e shqiptarëve paguanin energjinë që konsumonin. Kjo ishte një kundravajtje e madhe. KESH u bë ndërmarrje tregtare dhe duhej të paguhej për mallin që jepte, përndryshe ishte e destinuar të falimentonte. Filluan penalizimet për ata që nuk paguanin. U krijua edhe Policia Elektrike, një degë e veçantë që merret vetëm me penalizimin e debitorëve.

Ish-Ministri i Ekonomisë Publike, dhe Drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike, Zef Preçi thotë se mënyra më e mirë për të vjelë të gjitha pagesave për energjinë, është shënimi i emrave të debitorëve në të gjitha zyrat e shtetit. Sipas tij një qytetar që nuk paguan energjinë, që njihet si debitor, duhet të privohet nga të gjitha shërbimet publike, si dhënie çertifikate apo marrje dëshmie, derisa të paguajë atë që ka konsumuar. Kështu do të forcohej KESH. Por jo se kjo do të zgjidhte përfundimisht krizën energjitike në Shqipëri. Ministri i Shtetit për Energjinë thotë se kapërcimi i krizës dhe arritja e parametrave normalë kërkon një strategji afatgjatë, 20 vjeçare. Ai thotë se po punon për këtë strategji. Ndërsa zgjidhje të pranueshme mund të ketë edhe më shpejt. Sipas zëdhënësit të KESH, dritat nuk do të fiken asnjëherë vetëm pas 3 vjetësh. Kur të jenë ndërtuar Hidrocentrali i Bushatit në veriperendim të vendit, Hidrocentrali i Kalivaqit në Tepelenë, një qytet në jug të vendit si dhe kur të vihet në punë TEC-i i Korçës, në Juglindje të Shqipërisë. Këto projekte ekzistojnë, por do të inagurohen vetëm pas 3 vjetësh. Deri atëherë do të ketë përditë kufizime të energjisë.

Në kulmin e krizës, në fundin e vitit të shkuar, pas një thatësire të gjatë ku hidrocentrali më i fuqishëm i vendit shkoi afër pikës së vdekjes, kryeqyteti kishte 8 orë kufizime në 24 orë. Ndërsa në rrethe kishte gjithsej 8 orë drita në ditë. Ministri i Shtetit për Energjinë ka premtuar se këtë dimër kufizimet do të jenë më të pakta. Ndërkohë, shqiptarët që janë mësuar të durojnë gjithçka do të vazhdojnë edhe këtë vit të blejnë qirinj, pa bërë zë.

EDI LESI