Pensione apo asistencë sociale
Prishtinë, 30.09.2001.
Thuajse më nuk është temë në Kosovë ajo se si jetojnë pensionistët, të cilët që nga shkurti i vitit 1999 nuk kanë marrë kompensimin e tyre të krijuar gjatë dyzet e sa vjetësh. Problem numër një është se si partite politike të fitojnë votat e kësaj armate prej 100 mijë vetash. Ndërkaq, administrata ndërkombëtare në Kosovë ka dëshirë ta ndihmojë këtë kategori, por më shumë në formë të një asistence sociale. Ajo ka thënë se nuk mund të rinagjllë fondin e bankrotuar apo të "vjedhur" nga Beogradi. As protestat e shumta, si edhe bisedat me përgjegjësit nga UNMIK-u, por edhe nga partirtë politike, nuk janë kurorëzuar me ndonjë rezultat konkret. Ata edhe më tej kërkojnë paratë e tyre, si edhe mënyrën se si pagesa e pensioneve të jetë e rregullut, mujore.
Pensionistët kosovarë mund të llogarisin në marrjen e pensioneve prej gjysmës së parë të vitit 2002. "Jemi në fazën preliminare të hartimit të skemës së re pensionale në Kosovë", pohon bashkëdrejtorja e Departamentit të Mirëqenies Sociale, Sandra Hudd. Kryeadministratori Haekkerup, sipas znj.Hudd, ka kërkuar që skema pensionale të përfundohet së shpejti, në mënyrë që propozimi t'i dorëzohet atij në muajt shtator-tetor. "Nëse ky propozim do të pranohet nga z.Haekkerup, ne do të fillojmë me pagesat për tërë popullatën mbi 65 vjeç qysh në gjysmën e parë të vitit ardhshëm, ndërsa është duke u shqyrtuar propozimi për sistemin pensional me fond të plotë, dhe kjo do të mundësohet diku vitin e ardhshëm", bën të ditur znj. Hudd. Pensionet do të paguhen nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, ku për të gjitha programet e mirëqenies sociale janë paraparë mjete në shumën prej 80 milionë DM. Znj. Hudd pohon se akoma nuk dihet saktësisht se sa para do të ndahen vetëm për pensione. Bashkëdrejtorja ndërkombëtare eDepartamentit për Mirëqenien Sociale pohon se departamenti i saj dhe Autoriteti Qendor Fiskal, në fakt "Ministria e Financave", kanë punuar në skemën pensionale që prej muajit korrik.
Qëllimi i reformave në sistemin e pensioneve, sipas avokates për pensione pranë Autoritetit Qendror Fiskal, Lena Zezulin, është që të mbulohet me pensione e tërë popullata mbi 65 vjeç dhe që të sigurohet një mekanizëm që popullata e re, të "investojë" për pleqëri. "Në disa vende pensionet e qytetarëve nuk bazohen në tatimet në pagat e punëtorëve, por paguhen nga të ardhurat e përgjithshme të të gjithë njerëzve të pensionuar, pa marrë parasysh se ku, kur dhe si kanë punuar. Lartësia e këtij pensioni varet se sa para ka në buxhetin e vendit për pensione. Për Kosovën është duke u shqyrtuar ky lloj i sistemit pensional", bën të ditur znj. Zezulin.
Në Kosovë, sipas ekspertit amerikan të angazhuar nga AQF-ja për hartimin e skemës pensionale, David Snelbecker, janë 130.000 njerëz mbi moshën 65 vjeçare. Një pjesë e tyre akoma marrin pensione nga Serbia. "Me pensione do t'i mbulojmë të gjithë kosovarët e moshuar, edhe ata që kanë kontribuar në fondin pensional të vjetër dhe që marrin pensione nga Serbia", pohon znj.Zezulin. Ajo pranon se është e padrejtë nga fondi pensional i Serbisë që disa personave t'ua kompensojë kontributet e të tjerëve jo, por shton se u takon pensionistëve që të bëjnë ankesë zyrtare për këtë.
Sistemi i vjetër pensional i Kosovës, para vitit 1989 (dhe sistemi ekzistues i pensioneve në Beograd), sipas z. Hudd dhe z. Zezulin, ka qenë mjaft i papërshtatshëm. "Në këtë sistem, të pensionuarit marrin benificione pa dhënë kontribut, pasi kontributin e japin punëtorët nga pagat e tyre dhe ato menjëherë shfrytëzohen për t'ua paguar pensionet të pensionuarve - në këto sisteme nuk ka as kursime, as investime. Ajo që mblidhet, shpërndahet menjëherë", shpjegon znj. Zezulin. Ajo pohon se këto sisteme kanë anët e tyre negative dhe janë të paqëndrueshme nëse popullata plaket. "Funksionimi i këtyre sistemeve varet nga mosha e popullatës, niveli i punësimit dhe kryesisht nga mbledhja e tatimeve nga pagat - e kjo është shumë negative në rast të rritjes së shkallës së papunësisë", thekson z. Zezulin. Avokatja për pensione thekson se ka qenë shumë e papranueshme për Evropën që me pensione të mbulohen vetëm 20 deri 25 për qind e popullatës, siç ka qenë rasti me Kosovën para vitit 1998. "Sisteme të tilla ekzistojnë në Pakistan, në vende të botës së tretë, por kjo për vendet evropiane është e pazakontë dhe e papranueshme", deklaron Zezulin.
Për invalidët e luftës është bërë një skemë ndaras dhe punët rreth saj kryesisht i ka kryer Departamenti i Mirëqenies Sociale. "Tashmë kemi filluar me pranimin e aplikacioneve të invalidëve dhe viktimave të luftës", pohon bashkëdrejtorja e Mirëqenies Sociale, Sandra Hudd. Ajo bën të ditur se invalidët e luftës do të marrin një lloj pagese mujore, por jo pension. "Akoma nuk e dimë sa njerëz do të aplikojnë dhe çfarë do të jetë gjendja dhe kualifikimi i tyre. Kur të bëjmë kategorizimin e tyre, nga fundi i këtij muaji, do të vendosim edhe për lartësinë e pagës mujore që do të marrin", shpjegon më tej z. Hudd. Sipas saj, aplikantët duhet të posedojnë dokumentacionin e duhur dhe do të kontrollohen nga mjeku, "edhe pse ne llogarisim në sinqeritetin e tyre". Pagesat e para për invalidët e luftës, siç pohon z. Hudd, do të shpërndahen nga fundi i këtij viti. Ndërkaq, do të vazhdohet edhe me ndihmat sociale, sipas skemës që po zbatohet tash një vit e gjysmë.
Bashkëdrejtorja e Departamentit të Mirëqenies Sociale bën të ditur se një grup tjetër i ekspertëve të financuar nga Banka Botërore dhe ILG-ja (International Labour Group) janë duke punuar në një skemë për sigurimin shëndetësor, "mirëpo nuk është e drejtë të thuhet se e tërë kjo është në fazë preliminare, akoma ka shumë punë për t'u bërë". Ndërsa për invalidët dhe njerëzit e paaftë, z. Hudd thotë se nuk ka ndonjë plan të veçantë. "Jo pse nuk duam të fillojmë edhe me sigurime jetësore, por duhet të jemi realistë rreth asaj se çfarë mund të ofrojë Buxheti i Konsoliduar i Kosovës", shprehet ajo.
Shoqata e Pensionistëve të Kosovës është bërë një vend ku shpesh kthejnë liderët e partive poltike. Aty ishte Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pastaj edhe Hashim Thaçi, kryetar i Partisë demokratike të Kosovës. Që të dy premtuan zgjidhejn e çështjes së pensioneve. Premtimet lidhen edhe me votat e nëntori të sivjetëm, kurse më vonë mund të harrohen, si ndodhi edhe para një viti. Por, UNMIK-u u ka premtuar pensionistëve se së paku do të trajtohen si një kategori e rrezikuar nga aspekti social.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI