Ku është rreziku?

Ljubljana Sep 30, 2001

Pasojat afatgjata të sulmit në Nju Jork, që ndjehet edhe në Slloveni, shihen nga atmosfera e frikës dhe humbjes së besimit brenda vetë shoqërisë.

AI Lubjanë, 27.09.2001.

"SHBA-të me siguri kanë përjetuar sulmin më të tmerrshëm terrorist në historinë e vetë, që mund të krahasohet me sulmin në Perl Harbur". Ishte ky nëntitulli nën titullin e madh të gazetës lubjanase "Delo", që nuk dalloi shumë nga reaksionet e 12 shtatorit mbi sulmet terroriste në Qendrën Botërore të Tregëtisë dhe Pentagon, të cilët mund të dëgjoheshin në vende të ndryshme të botës. Edhe reagimet e elitës shtetërore ishin të pritura. Të gjithë zyrtarët slloven, nga kryetari i qeverisë dhe shtetit, ministri i punëve të jashtme e deri tek nënpunësit e ultë me fjalë më të ashpra gjykuan sulmin ndaj SHBA-ve dhe shprehën ngushëllime për viktimat. Policia shtoi kontrollin në pikat doganore, kurse në qendër të Lubjanës, në rrugën ku gjendet ambasada amerikane (e menjëherë aty afër edhe ajo ruse) u larguan të gjitha veturat, kurse vendet parkuese u mbyllën përmes shiritave policor. Sulmi kishte shkaktuar panik në selinë e Koprit, sepse para një muaji është bërë bazë e re logjistike për mbartjen e pajisjeve ushtarake të nevojshme për operacionet e Aleancës Veriatllantike në Bosnjë e Hercegovinë. Këtu u shtua në mënyrë drastike kontrolli dhe siguria e marincëve të stacionuar aty.

Menjëherë pasuan komentet, reagimet dhe vlerësimet për pasojat afatgjata si për Slloveninë, gjithashtu edhe për botën mbarë. "Sulmi ndaj Amerikës duhej të vinte nga gjithësia, nga raketat e atyre vendeve që Uashingtoni i kishte shpallur si mosrespektuese të ligjit. Administrata e Bushit rrezikoi kontestet e brendshme politike dhe krizën e raporteve mes aleatëve duke dashur me raketa të krijonte mbrojtje antiraketore për shkatërrimin e armëve fantome fluturuese që do të niseshin nga shtetet e largëta. Por armë u bënë avionët civil që bënin fluturime në vend. Amerikanët duhet të mendojnë mirë ku është rreziku dhe cila është mbrojtja", komentoi një ditë pas sulmit korrespondenti i gazetër Delo nga Nju Jorku. I njëjti ton mbizotëroi edhe në komentet tjera. Disa e quajtën sulmin të "çmendur" dhe bënë thirrje për "arsye", të dytët sugjeruan se sërish duhej lexuar profesori i harruar i Haruardit Samuel Huntington dhe tezat e tij për "konflikte civilizimesh", të tretët konkluduan se "nëse bie Nju Jorku dhe Uashingtoni, atëherë nuk është e sigurtë asnjë kryeqendër europiane"...

Analistët filmik në të njëjtën frymë folën për "pastrimin" e ndërtesave të QBT-së nga kuadrot e filmave të ri të xhiruar. Në qarqet profesioniste shkaktoi frikë rrënimi i dy rrokaqiejve të Qendrës Botërore Tregëtare (QBT) dhe polemika në temën "hekur ose beton"; arkitektët slloven sqaruan se e meta e hekurit është se kur ngrohet në 600 gradë humb 75 përqind të qëndresës. Shkaku i vatrës dhe rrymimit të fuqishëm të ajrit dy rrokaqiejt e QBT u shndërruan në dy oxhaqe të mëdha që digjeshin, për çka më në fund erdhi deri tek rrënimi i frikshëm i tyre.

"Tek ne para 10 vitesh ndërtesat e hekurit ishin të rralla. Materiali ynë kryesor i ndërtimit ishte betoni dhe tjegullat. Kemi mjaft argjil, cement, guriçkë dhe gurë. Materialet që shkrihen gjatë zjarrit janë të rrezikshme për ndërtim. Në ndërtesat prej betoni kemi pasur vetëm disa zjarre dhe eksplodime të gazit, por me pasoja mjaft të kufizuara në njërën apo banesën tjetër, kurse konstruksioni mbartës asnjëherë nuk u dëmtua", është konkludimi i njërit nga arkitektët që sugjeron se ka mjaft ndërtesa të reja të "rrezikshme" që gjatë 10 viteve të fundit u shtuan në kryeqendrën sllovene, e cila mund të mburret me dy apo tre rrokaqiej të njëmendtë.

Përsa i përket analizave rreth pasojave shoqërore të versionit të ri të terrorizmit është një temë për të cilën do të diskutohet gjatë në Slloveni. "Vetëbesimi amerikan me siguri nuk do të këndellet, siç ka qenë ndonjëherë...Prandaj liderët e demokracive të mëdha të komplikuara do të ballafaqohen me problemin me të cilin nuk janë ballafaquar deri tani. Asnjëherë nuk thanë, pas Çerçilit, se gjithë çka mund t'u ofrojnë votuesve është gjaku, djersa, tensionet dhe lotët. Asnjëherë nuk thanë se armiku i ri mund ta godas Amerikën, me siguri shumë më ashpër sesa mund t'i godasë ata Amerika... Nuk thanë se liria tradicionale amerikane asnjëherë më nuk do të jetë ashtu siç ka qenë. Nuk thanë se të martën më 11 shtator, SHBA mund të pengohen në të ardhmen shkaku i asaj që ua solli shekulli 21 dhe nuk thanë se në të ardhmen mund të goditet më rëndë sesa u goditën rrokaqiejt në Wal Street dhe Pentagon", transmetoi "Mladina" mendimet e historianit Paul Kenedi, autor i librit të njohur "Rënia dhe ngritja e fuqive të mëdha",e shkruar veçmas për "Global Viewpoint".

Analistët slloven u bënë një autopsi raporteve të botës me kudërshtarin e "ri", Islamin radikal, i cili deri dje ishte "aleat i aleatëve të Sllovenisë" në Ballkan. Shumica, por edhe filozofi dhe publicisti slloven Slavoj Zhizhek, tërhoqën vërejtjen për rrezikun nga përhapja e urrejtjes ndaj botës së tretë dhe veçmas ndaj muslimanëve. Gjithë anketat e stolisura mbi qëndrimin e muslimanëve slloven në temën QBT dhe Pentagoni, u xhiruan para ndërtesës së bashkësisë muslimane në Lublanë. Kështu pasojat afatgjata të sulmit ndaj Nju Jorkut edhe në Slloveni do të shkaktojnë atmosferë të frikës dhe mosbesimit që po shprehet në shoqëri.

"Kur flasim kështu për këtë botë të keqe të jashtme, duhet të marrim guximin dhe të kthehemi në shkencën hegeliane; në këtë botë të pastër të jashtme mund të njohim verzionin e pastër esencial të pushtetit tonë. Gjatë pesë shekujve të fundit Perëndimi i "civilizuar" (relativisht) bleu mirëqenie duke eksportuar dhunë të paparë dhe shkatërrim të botës së jashtme "barbare"; bëhet fjalë për një rrëfim të gjatë për angazhimin dhe qëndrimin e Amerikës ndaj masakrës në Kongo... Në Afrikë çdo ditë vdesin shkaku i AIDS-it më shumë banorë se sa ka viktima nën rrënojat e QBT. Vdekjen e tyre mund ta shmangim me mjete relativisht të pakta finansiare. SHBA-ve u ndodhi ajo që në botë ndodh çdo ditë, nga Sarajeva deri te Grozni, nga Ruanda deri te Kongoja dhe Siera Leone. Nëse situatës në Nju Jork i shtojmë bandat e dhjetëra vjedhësve dhe snajperistëve që gjuajnë ndaj kalimtarëve të rastit, atëherë e kemi Sarajevën e para dhjetë viteve", pati shkruar Slavoj Zhizhek.

IGOR MEKINA