Depërtimi i vështirë nëpër malin e pashkelur të burokracisë

Sarajevo Sep 30, 2001

Pas zbrazjes së fondeve të donatorëve e vetmja mënyrë që BeH të vijë tek mjetet finansiare, për të ringritur ekonominë e ngrirë, është hyrja e investimeve të huaja. Sipas fjalëve në BeH janë të hapur dyert për kapitalin e huaj, por praktikisht nuk ka asnjë gjurmë të investuesve të huaj, që do të thotë se diçka nuk është në rregull. Me fjalë të tjera, pengohen tek administrata lokale dhe procedurat e shumta përcjellëse.

AIM, Sarajevë, 27.09.2001.

Situata politike jostabile, korupsioni dhe procedurat e komplikuara burokratike, tregu i vogël dhe i varfër, janë përgjigjet më të shpeshta përsa u përket investuesve që i shkojnë tërthorazi BeH. Ata që dëshirojnë me çdo çmim paratë e tyre t'i investojnë në BeH presin gjatë për të depërtuar nëpër malin e pashkelur të burokracisë që të mund të sigurojnë letrat e domosdoshme. Përafërsisht duhen 70 deri 80 ditë t'i kalojnë pranë sporteleve dhe referentëve të të gjitha niveleve të pushtetit, nga komuna, kantoni, entiteti e deri tek institucionet shtetërore, që të arrijnë më në fund të regjistrojnë një firmë. Ky dezorganizim, thënë më butë, mund të shihet nga një shembull banal. Përkundër vërtetimeve të panumërta që duhet siguruar, askush në BeH nuk ka të dhëna precize sesa të holla kanë hyrë në këtë vend.

Pushteti aktual përmend si adut kryesor barabarësinë e plotë para ligjit për ndërmarjet e brendshme dhe të jashtme. Por në realitet ky është problemi kryesor, sepse maltretimet burokratike që "vendasit" i konsiderojnë normale, investuesit e huaj ssesi nuk mund t'i pranojnë. Përndryshe në shumicën e vendeve në tranzicion e gjithë procedura për themelimin e një firme kryhet për shtatë ditë, kurse numri i lejeve dhe dokumenteve tjera janë të pakta.

Nëse investuesi potencial, i cili në mënyrë stoike përmbush gjithë kërkesat e burokracisë vendore dhe mund të thotë i lehtësuar se ka mundur të themelojë firmë në BeH, kjo ende nuk do të thotë se ai mund të fillojnë me punë. Nëse është fjala për ndonjë lloj prodhimtarie ballafaqohet me një kaos të përgjithshëm, prandaj shumica e investuesve vendosin të ia nisin nga "lëndina", gjegjësish u vjen më lirë që të ndërtojnë objekt të ri. Pra pas kënaqësisë "dehëse" se kanë krijuar një firmë ata i pret një dush i ftohtë nga ana e administratës komunale, në kompetencat e së cilës janë dhëniet e lejeve urbanistike dhe të ndërtimit.

Edhe në këtë sferë rregullat dhe kompetencat janë mjaft të paqarta, kurse efikasiteti i nënpunësve lokal është larg asaj që duhet të jetë, pra për një apo dy vjet merret leja, e tek pastaj investuesi mund të fillojë seriozisht me punë, duke shpresuar se më në fund do të mund të fitojë diçka. Në ndërkohë humbja e nervave dhe zbrazja e kuletës vazhdon. Derisa pritet "drita jeshile" për ndërtimin e objektit, për çka duhet ndarë shuma impresive për rentën ndërtimore, taksat për rregullimin e rrymës, ujit, gazit etj., investuesi duhet të "argëtohet" me marrjen e lejeve tjera për të filluar punën në hapësirën e blerë.

Selia e përkohëshme apo e përhershme e firmës duhet të ketë zyrën e caktuar për punët administrative. Në rast se aty e ka pasur zyrën ndonjë firmë tjetër me dhjetëvjeçarë kjo nuk ka rëndësi për administratën, sepse firma e re doemos duhet të ketë vërtetim të ri se pikërisht kjo zyrë është e përshtatshme për të qëndruar ulur pranë kompjuterit dhe për të dërguar dhe pranuar fakse dhe e-maila. Pra, është e nevojshme që organit kompetent komunal t'i bëhet kërkesë për daljen e komisionit që duhet të japë vërtetimin përkatës. Taksa, një imtësi e vogël prej 500 DM! Kur komuna e ka marrë në konsideratë këtë kërkesë pason problemi me komisionin komunal. Posa ata kanë ardhur te dera paguhen 500 DM shtesë, sa kushton vetëm dalja e komisionit në terren. Pas kësaj, nëse plotësohen këto obligime, caktohet tipi i madhësisë së zyrës, së paku 230 cm (nëse një centimetër është më e vogël, atëherë sipas ligjit firma nuk mund të fillojë me punë), pas çka mund të ngjitet tabela me emrin e firmës në derën hyrëse. Përndryshe ky është detyrim ligjor, kurse nëse nuk bëhet kjo pason dënimi. Këtu ekziston "kuota 22". Për firmën e përmendur paguhet 600 marka taksë kantonale.

Kjo është uvertyrë e një investori fatkeq, sepse njohja me rregulloret tjera,tatimet, të hyrat etj, janë në vijim. Gjëja më e keqe që mund të ndodh pas fillimit të punës është mundësia e ardhjes deri te situata që të mos mund të paguhet malli i porositur ose shërbimet e blerësit vendas, që nuk don ose nuk mund të paguajë, sepse edhe atyre u ka mbetur dikush borxh, që këtu është rregull e jo përjashtim. Kur të gjithë lutjet, tentimet për të bindur dhe angazhimet tjera janë pa efekte, mbetet vetëm mundësia për gjetjen e të drejtës në gjyq. Në praktikë, kjo do të thotë zgjidhja e një kontesti të këtillë do të zgjasë së paku dy-tre vjet, pas çka është e pasigurtë se athua procesi gjyqësor do të vendos në dobi të pronarit. Ekziston mundësia që partneri që është paditur në ndërkohë të pushojë së ekzistuari si firmë, ose e gjithë prona e tij të jetë sa për mobitelin dhe sekretaren.

Investime të njëmendëta të jashtme nuk do të ketë në BeH përderisa nuk ndryshon tërësisht situata. Natyrisht, në letër kjo duket shumë e thjeshtë, pra nevojitet procedurë maksimalisht e thjeshtë, me dokumente të caktuara për themelim dhe shuarje të firmës, me efikasitet gjyqësor, dhe me tatime e të dhëna tjera që duhet të zbresin në atë shkallë sa ta bëjnë profitabil investimin në BeH. Problem megjithatë qëndron tek situata e tanishme që është rezultat i konceptit mendor që dominon këtu dhe që bazohet në themelet e ekonomisë përgjegjëse dhe "të të drejtave të punëtorëve - vetëqeverisës". Në kokat e njerëzve edhe mëtej mbetet i papranueshëm fakti se mund të vijë dikush me të hollat e tij dhe të blejë fabrikën ekzistuese ose do të ndërtojë fabrikë të re, të punësojë punëtor vendas që do t'i paguajë në vlerën e rrogës mesatare ose edhe më pak, kurse gjithë profitin ta fusë në xhepin e vetë.

Prandaj për çdo investitor ekziston ndjenja se vjen që të shfrytëzojë "tanët" dhe të pasurohet pa meritë përmes "shpinës sonë". Në fakt investuesi konsiderohet si "dele për t'u qethur", si një naiv me xhepat plot që duhet operuar shpejt.Përderisa në njërën anë të gjithë thonë se janë në anën e investitorëve si burim i parave të freskëta, për zhvillimin e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës, njëkohësisht kalimi i deritanishëm i firmave shtetërore në duart e personave privat dhe ndërrimet e "rregullave të lojës" më së shpeshti përjetohen si padrejtësi dhe mashtrim si dhe tradhëti në rast se pronari është i huaj.

Sërish nga shteti kërkohet mbrojtje nga ligji i tregut, dhe që "obligimi doemos duhet paguar" si dhe "nëse firma nuk sjell profit ajo mbyllet". Duket se nuk shihet fakti se nuk ka dallim thelbësor në mes investuesit nga vendi apo jashtë, pra pa marrë parasyshë pasaportën e pronarit fabrika e ndërtuar mbetet këtu, ashtu si edhe të ardhurat e punëtorëve. Prandaj është i pabazë diskutimi se athua duhet lejuar apo jo investimet e huaja që të hyjnë masovikisht në BeH.

Me mosparaqitjen e investitorëve të huaj vetëm vazhdon agonia ekzistuese, sepse kapitalistët e sapoformuar vendas, e veçmas qytetarët, nuk kanë para të gatshme për investim dhe hapje të vendeve të reja të punës. Tani është çështje se athua investitorët e huaj dëshirojnë të investojnë paratë veta në BeH, gjegjësisht përse e zgjedhin BeH e jo ndonjë vend tjetër.

DRAZHEN SIMIÇ