Regjistrimi i serbëve
Mitrovicë, 26.09.2001.
Më 22 shtator ka përfunduar regjistrimi i popullatës civile dhe elektoratit në Kosovë për zgjedhjet e parapara të mbahen më 17 nëntor. Ajo që, ndërkaq, nuk është saktësuar ende është sa i janë përgjigjur këtij procesi pjesëtarët e komuniteteve minoritare - serbe, turke, boshnjake... Zyrtarë të Misionit Civil në Kosovë ende nuk i kanë shpallur të dhënat e përgjithshme. Për një moment, për shkak të prezentimit të tyre jo të saktë, kjo ka shkaktuar edhe kundërshtimet e përfaqësuesve të shumicës shqiptare, të cilët kuptuan fillimisht se janë regjistruar rreth 170 mijë serbë të Kosovës, gjithnjë derisa nuk u dhanë shpjegimet se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për popullatën serbe, por edhe për boshnjakët, romët, ashkalinjtë dhe grupe të tjera etnike. Të dhënat që i publikuan shefi i Misionit të OSBE-së, Dan Everts, dhe zëvendëskomisari republikan për refugjatët, Dragisha Dabetiq, janë mjaft të ngjashme. Në të vërtetë, Dabetiqi ka publikuar se janë regjistruar gjithsejt, përfshirë këtu edhe ata që kanë mbetur në Kosovë, më shumë se 170 mijë, ndërsa në vetë Kosovën janë regjistruar diç më shumë se 69 joshqiptarë, të cilët do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet kosovare të parapara për muajin nëntor. Zëdhënësi i UNMIK-ut në Mitrovicë, z. Kuk, ka deklaruar se në tërë Kosovën janë regjistruar 92 300 persona, ndërsa sa i përket regjionit të Mitrovicës janë regjistruar gjithsejt 31 811 persona. Sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të atyre serbë të pushtetit, procesi i regjistrimit ka qenë i suksesshëm - si në territorin e Kosovës, ashtu edhe në Serbi dhe në Malin e Zi. Megjithatë, duket se pjesëtarët e komunitetit serb as tani nuk janë më pak të hutuar sesa gjatë procesit të regjistrimit...
Më 30 korrik, pra para rreth tetë javësh, kur zyrtarisht qe caktuar dita e fillimit të regjistrimit, serbët e Kosovës e kishin një qëndrim të prerë: "Nuk ka dalje në regjistrim". Me muaj të tërë më parë liderët politikë përsërisnin qëndrimin se serbët duhet ta bojkotojnë procesin e regjistrimit për të mos ia dhënë legjitimitetin "krijimit të shtetit shqiptar në Kosovë". Beogradi zyrtar në atë kohë priste në heshtje. Apelet e drejtuara nga bashkësia ndërkombëtare për të dalë në procesin e regjistrimit, me shpjegimin shtesë se kjo nuk do të thotë edhe dalje në zgjedhje, hasnin në veshë të shurdhër. Por, duket se edhe për këtë ekziston një shpjegim. Me qëllim ose jo, qytetarëve askush nuk ua ka shpjeguar që ekzistojnë dy procese regjistrimi: ai civil dhe regjistrimi i zgjedhësve potencialë për zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, OSBE, i cili është i nngarkuar për realizimin e të dy regjistrimeve, e filloi fushatën e vet me hapjen e qendrave të regjistrimit. Por, mund të thuhet se edhe aty janë bërë lëshime. As aty nuk është veçuar procesi i regjistrimit civil nga ai i votuesve. Sllogani i tyre që është dashur t'i përfitojë qytetarët serbë për t'u regjistruar ishte: "Nëse nuk regjistroheni kësaj vere, nuk do të keni të drejtë të merrni pjesë në zgjedhjet kosovare të këtij viti"...
Për qytetarët, që tanimë kishin dëgjuar se bashkësia ndërkombëtare do t'i detyronte të dalin në zgjedhje, ky sllogan ishte vetëm edhe një dëshmi më shumë. Në pjesën veriore të Mitrovicës u shfaq problemi lidhur me selitë e qendrave të regjistrimit. Qytetarë të atjeshëm nuk dëshironin të ofronin lokale për këtë qëllim. Fillimi i procesit të regjistrimit kështu u vonua, tek pastaj u gjetën zgjidhje alternative. U vendos më në fund një shtëpizë-kontejner pranë stacionit policor të UNMIK-ut. Pikërisht për të gjitha këto arsye të cekura, përgjigjja e serbëve ndaj procesit të regjistrimit në fillim ishte minimale. Ata që dëshironin të regjistroheshin - nuk guxonin, sepse, siç thonë ata, kanë qenë të kërcënuar... Edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nuk rrinin duarkryq. Duke shpjeguar me këmbëngulje se me mosregjistrim komunitetet minoritare në Kosovë do të humbasnin shumë, ajo ka ushtruar edhe një presion të fuqishëm në Beograd. Këtë e kishte përjetuar personalisht edhe nënkryetari i qeverisë serbe, Nebojsha Çoviq, gjatë qëndrimit javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork bashkë me shefin e Misionit të OKB-së në Kosovë, Hans Haekkerupin. Në të vërtetë, anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar nga Çoviqi që Beogradi zyrtar ta përdorë autoritetin e tij dhe ta motivojë popullatën serbe në Kosovë që në një numër sa më të madh t'i përgjigjet procesit të regjistrimit. Kthesa e shpejtë në qëndrimet rreth regjistrimit në Kosovë te politikanët në Serbi i pati efektet e duhura. U prononcua edhe kryetari i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, ndërsa patriarku Pavle edhe vetë u regjistrua në Kosovë, ku me vite të tëra kishte shërbyer. Vetëm në Mitrovicë kishte ende hezitime, ku kishte dhe ende ka përplasje mendimesh midis politikanëve lokalë rreth çështjes se a duhet regjistruar a jo. Me qëllim të nxitjes së pjesëmarrjes sa më të madhe në procesin e regjistrimit, kryetari i komunës së Leposaviqit, Nenad Radosavleviq, nuk ngurroi që të regjistrohej publikisht, në prani të mediave, derisa mitrovicasit edhe më tej i mundonin dilema të ndryshme rreth çështjes së regjistrimit, që midis tjerash ishte edhe pasojë e mosinformimit. Por para së gjithash, ajo ishte pasojë e mosbesimit të serbëve ndaj bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht frikës nga manipulimet e mundshme me numrin e personave të regjistruar të ncionalitetit serb. Nga ana tjetër, ka edhe përfaqësues ndërkombëtarë të tillë që nuk e kanë të qartë pse në regjistrin civil nuk mund të përfshihen edhe personat q nuk i kanë mbushur 16 vjet, në kohën që në vendvotime mund të dalin vetëm personat e moshës madhore, respektivisht ata që i kanë mbushur 18 vjet. Vërejtjet më të mëdha rreth procesit të regjistrimit, të cilin e organizon dhe realizon OSBE, i kishte anëtari i sekretariatit të Këshillit të Përgjithshëm të SPS për Pejën dhe kryetari i kësaj partie për Kosovën, Dobrosav Radoviq. Ai ka deklaruar se serbët në Kosovë i janë ekspozuar një presioni të "paparë" për të dalë në zgjedhjet e 17 nëntorit dhe se regjistrimi i zgjedhësve është "shndërruar në një farsë të zakonshme, ndërsa presionet, mashtrimet dhe shantazhet kanë arritur kulminacionin e tyre". Sipas tij, UNMIK-u dhe KFOR nuk u ofrojnë ndihmë as përcjellje për konvojet dhe masa të tjera sigurie atyre që nuk i përgjigjen procesit të regjistrimit, ndërsa në anën tjetër Koshtunica, Gjingjiq, Çoviq, Momçillo Trajkoviq dhe të tjerë i ftojnë vazhdimisht që të regjistrohen me pohimin e rrejshëm se ashtu do të shihet sa ka serbë dha cila është prona e tyre. Radoviq ka thënë se me regjistrim nuk mund të përcaktohet vërtet "sa ka serbë dhe çka është serbe, sepse kurrë nuk regjistrohen anëtarët dhe shtëpitë". Mirëpo, Dobrosav Radoviq nuk është i vetmi që pohonte se UNMIK-u dhe KFOR-i po i "shantazhojnë" serbët për t'u regjistruar duke mos u ofruar siguri.
Megjithatë, fushata për dalje në vendregjistrime ka filluar. Radiostaacionet lokale gjithnjë e më shumë hapësirë i kushtonin kësaj çështjeje, janë shpërndarë afishe dhe gazeta që, më në fund, numri i të regjistruarve të rritej edhe në Mitrovicë.
Me vendimin e shefit të OSBE-së, affati i regjistrimit u shty edhe për 14 ditë dhe mu në këtë periudhë u shënua numri më i madh i qytetarëve të regjistruar në pjesën veriore të Mitrovicës. Mirëpo, ky nuk është fundi i storjes. Pasojnë zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Për pjesëmarrje në to është paraqitur edhe "Koalicioni Kthimi", të cilin e përbëjnë tri parti politike dhe një nismë qytetare: Partia Demokristiane me përfaqësuesen e saj Rada Trajkoviq, pastaj Demokracia e Re me Nenad Radosavleviqin në krye, ndërsa Lëvizjen Serbe të Rimëkëmbjes e përfaqëson Rangjell Nojkiq. Nismën qytetare e përbëjnë qytetarë të Pejës që për momentin nuk jetojnë në këtë qytet. Një ndër kandidatët e mundshëm ishte edhe Serbia e Re, por kryetari i saj Vela Iliq u tërhoq me arsyetimin se në zgjedhje do të marrin pjesë të gjitha partitë ose asnjëra nga ato. Rada Trajkoviq ka theksuar para disa ditësh se "Koalicioni Kthimi" e gëzon mbështetjen e DOS-it, mirëpo askush nuk është pronocuar ende rreth këtij pohimi. Vetëm presupozohet se këtij koalicioni do të mund t'i bashkoheshin në çastin e fundit edhe 15 parti politike të tjera, organizata joqeveritare dhe nisma qytetare. Qytetarët janëë përsëri të hutuar dhe shumë nga ata konsiderojnë se nuk duhet dalë në zgjedhje. Ka edhe të atillë që nuk e dinë "as si të sillen as çfarë të mendojnë". Ende pritet qëndrimi zyrtar i Beogradit, i cili që nga përfundimi i regjistrimit nuk është prononcuar rreth çështjes - të dilet në zgjedhje a jo. Natyrisht, nëse përjashtohen disa deklarata të nënkryetrit të qeverisë serbe, Nebojsha Çoviq, me të cilat pohonte se nuk ekzistojnë kushte për daljen e popullatës serbe në zgjedhje. A bëhet fjalë vetëm për kalkulime politike a diç tjetër, do të mësohet më 3 tetor, kur edhe fillon zyrtarisht fushata paraelektorale.
AIM Mitrovicë, Valentina ÇUKIQ