Kosova në terr
Prishtinë, 29.09.2001.
Një teori pohon se dinosaurët i ka mbytur mosha dhe pesha e tyre e madhe. Teoria tjetër thotë, ndërkaqa, se ata u zhdukën për mungesë të ushqimit. Dikur edhe vlerësimet e administratorit të Kosovës, z. Bernard Kushner, se termocentralet do të kenë fatin e dinosaurëve, më shumë kuptoheshin si deklarata të një njeriu i cili nuk është shumë i afërt me realitetin kosovar.
Energjetika, së bashku me xehetarinë, nga shqiptarët e Kosovës janë ngritur në mit. Ato përbënin tërë kuptimin ekonomik të Kosovës, perspektivën e saj, kapitalin që do ta lidhë me botën, por edhe fuqinë revolucionare kur është në pyetje krijimi dhe mbrojtja e shtetësisë.
Ka analistë që thonë se situatën energjetike në Kosovë nuk duhet kuptuar aq të errët, pa marrë parasysh se mungesat e rrymës janë të gjata dhe të shpeshta. Këta analistë, të mbështetur më shumë në anën patriotike e revolucionare, thonë se kjo është një gjendje momentale. "Do ta tejkalojmë këtë situatë, posa të shkojnë të huajt", pohojnë ata duke fajësuar UNMIK-un dhe strukturat e tij për uzurpim të të gjitha kompetencave në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës.
Por, realiteti e demanton këtë grup të analistëve. Termocentralet e Kosovës do t'i nënshtrohen teorisë së parë për dinosaurët. Ata do t'i mbytë mosha dhe pesha, përndryshe ushqim kanë mjaft.
Pas luftës, Korporata Elektrenergjetike e Kosovës, ka zënë vendin e parë në listën e kompanive që kanë përfituar më së shumti nga donacionet e huaja. Investimi kaq i madh në këtë degë është arsyetuar me faktin se zhvillimi ekonomik i Kosovës është shumë i ndërlidhur me energjinë elektrike, siç e tha z.Andy Bearpark, numri një i Bashkimit Evropian në Kosovë. Rreth një miliardë marka gjermane janë vlerësuar nevojat e përgjithshme financiare të KEK-ut. Me këto para Korporata... është dashur të revitalizohet si në aspektin prodhues ashtu edhe financiar, ndërsa qytetarët të kenë energji elektrike me "bollëk".
Që të rrumbullakësohet kjo shumë duhet të sigurohen edhe 220 milionë marka, ndërsa që shuma tjetër në mbi 700 milionë tashmë është investuar, thuhet në një raport të mëhershëm të Departamentit për Shërbime publike, nën qeverisjen e së cilit ndodhen "instalimet" elektroenergjetike të Kosovës.
Sipas zyratëve të lartë, që nga korriku e deri në fund të dhjetorit të vitit 2000, janë investuar 375 milionë marka në riparimin dhe transformimin e sektorit të energjisë, ndërsa donatori kryesor ka qenë Agjensioni Evropian për Rindërtim. Po kështu, sivjet rreth 330 milionë marka janë premtuar nga donatorët. Pos AER-it, donatorë të tjerë të rëndësishëm janë edhe Britania e Madhë, që investoi 38,5 milionë marka, pastaj Gjermania me 31,1 milionë, Danimarka me 24 milionë, Japonia me 19,20 milionë, etj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes USAID-it kanë ndihmuar me 15 milionë marka, kryesisht sistemin e distribuimit të energisë në komuna, si Mitrovica e Gjilani, dhe trajnimin për menaxhimin financiar në regjione.
Vitin e shkuar Agjencia Evropiane për Rindërtim investoi gjithsejt 110 milionë marka gjermane.
Qëllimi i përcaktuar sivjet ishte që nga prodhimi vendor të plotësohej 80 për qind të konsumit në Kosovë. Parakushtet për këtë gati sa ishin plotësuar: duke importuar rrymë gjatë muajve të dimrit që shkoi, ishte arritur që të bëhen rezerva të mjaftueshme thëngjilli për punën e termocentraleve. Megjithatë, riparimi afatgjatë i dy "gjeneratorëve" në TC "Kosova B", dhe riparimet emergjente të blloqeve të TC "Kosova A", është dashur të jetë rruga me të cilën do të arrihej synimi që Kosova të prodhojë rreth 580 MW energji elektrike. Investimi më i madh në elektroenergjetikë është ai prej 130 milionë markash, që u realizua nga AER-i për kompletimin e riparimit të bllokut B2 dhe për riparimin e përgjithshëm të bllokut B1, si dhe 40 milionë të tjera për mihjet e thëngjillit. Blloku i parë i TC Kosova B është nxjerrë nga prodhimi kah fundi i muajit prill për të "shkuar" në riparim gjeneral, i cili, sipas zyrtarëve , duhet të zgjasë deri në fund të muajit shtator.
Riparimi i këtij blloku kushton 50 milionë Euro (100 milionë marka), ndërsa kryerja e punëve i është besuar firmës gjermane "Bapcock". Drejtori i TC Kosova B, z. Sabri Hashani, ka deklaruar se " ky bllok do të riparohet vetëm pjesërisht, edhe pse është thënë se riparimi do të jetë gjeneral'.
Pos investimeve të bëra sivjet, një shumë e konsiderueshme e parave, vlera e plotë e të cilave nuk është berë e ditur asnjëherë, është investuar në këtë bllok edhe gjatë dy viteve të mëhershme. Blloku B2 i është nënshtruar fazës së dytë të riparimit, i cili ka filluar në muajin korrik dhe ka marrë fund më 11 shtator. Viti i dytë i riparimit të bllokut ka kushtuar rreth 40 milionë marka, ndërsa kur kësaj vlere t'i shtohen edhe 80 milionë marka, shuma e përgjithshme e mjeteve të investuara në të është 120 milionë marka. Sipas deklaratave të mëhershme, 15 shtatori do të duhej të shënonte fundin e riparimit të përgjithshëm të këtij blloku, i cili ksihte nisur verën e kaluar. Në ditët e para të testimit, blloku ka prodhuar vetëm 190-200 MW energji elektrike, ndërsa në bazë të kontratës kryesi i punës në fund të riparimit është dashur të garantojë se ai do të prodhojë 270 MW. Një ditë më vonë në bllok janë shënuar rrjedhje në kazanët, dhe ai ka rënë nga sistemi.
Derisa TC Kosova B i është kushtuar më shumë kujdes, për faktin se ai është një termocentral me nje moshë mesatare dhe mund të aftësohet për prodhim, në TC Kosova A përpjekjet më shumë kanë qenë të sferës emergjente. I quajtur me të drejtë një "dinosaur", ky termocentral është shumë i vjetër dhe i amortizuar për të bërë përpjekje për ta revitalizuar, por të gjitha paratë që investohen në të kanë për qellim që ky termocentral me aq mundesi sa ka të ndihmojë në "konton" e prodhimit të energjisë. Investime janë bërë në riparimin e blloqeve A1, A3 dhe A4, kryesisht nga firma gjermane KfW. Por, në termocentralin "Kosova A" ka ndodhur që për riparimet, përkatësisht sigurimin e mjeteve kanë participuar KEK-u dhe donatori. Riparimi i Bllolokut A4 është ende duke u bërë.
Ndërmjet shifrave të investimit dhe atyre të prodhimit është një sekret i relacioneve ndërmjet ndërkombëtarëve dhe i stafit lokal në termocentrale. Këta të dytët thonë se punët dhe pajimet janë shumë të shtrenjta, me çka dëshirojnë të asociojnë në keqpërdorime.
Ndërkombëtarët, kryesisht ata të Agjencia për Rindërtim thonë se po japin para, po punojnë, por në termocentrale ballafaqohen edhe me sabotime. Ka derdhje të shopeshta në kazan, në vend të qymyrrit vjen edhe baltë, ka ndodhur që në mulli për blurajen e qymyrit të hedhen gurë... Ata flasin edhe për ndërprerje të qëllimshme të linjave në rrjetin elektrik...
Konfrontimi i tillë, megjithatë i hap udhë dushimit se këtu nuk është diçka në rregull. Nuk është e kuptueshme që të investohen 120 milionë marka për riparimin e një blloku, i cili prodhon më pak se para riparimit.
Kosova, me një potencial të instaluar prej 1.350 MW, sot nuk mund të sigurojë as 400 MW. Çfarë do të ndodhë dimrit, kur konsumuesit kërkojnë dy herë më shumë energji elektrike, apo në kohën kur industria do të jetë më aktive se tani.
Çëhstje, këto, që nuk kanë shumë përgjigje. Ashtu si nuk ka përgjigje në pyetjen deri kur në Kosovë do të mbretërojë terri.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI