Zgjedhjet kosovare - përgatitjet dhe mëdyshjet
Prishtinë, 29.09.2001.
Përfaqësuesit e 26 entiteteve politike të Kosovës, në një ditë të ngrohtë shtatori u gjetën para një mikseri ku ishin 26 toptha të vegjël. Ata po vendosnin kësisoji nëpërmjet shortit renditjen e tyre në fletëvotimin e disenjuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë. Dhe kjo formë e renditjes u cilësua si mënyra më e drejtë dhe më e paanshme. Paraqitja e subjekteve në fletëvotim fillon nga numri 10, e jo nga numri një, gjë që sipas OSBE-së është bërë me qëllim të shmangies së çdo keqkuptimi, përkatësisht krijimi të ndonjë avantazhi simbolik për ndonjërin nga entitetet politike. Një elektorat ende i pamësuar me votimin demokratik, apo i mësuar që gjërat t'i servohen në stilin "unë jam i pari" edhe mund të lajthitej.
Ky moment, i cili madje u vlerësua si "solemn" nga zyrtarët e OSBE-së, në fakt shënoi njëfarë kufiri ndërmjet procesit të regjistrimit të votuesve dhe fushatës parazgjedhore. Procesi i regjistrimit edhe njëherë u "glorifikua" si një sukses i jashtëzakonshëm. Autoritetet gati sa nuk kanë "fluturuar" nga gëzimi që pjesëtarët e komunitetit serb dolën në vendregjistrime dhe kësisoji hapën rrugën për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme. Pjesëmarrja e tyre, sikurse edhe e komuniteteve të tjera joshqiptare, ka çuar në mbi një milion e njëqindmijë numrin e votuesve për dallim nga zgjedhjet vendore të vitit të kaluar kur ishin regjistruar 930 mijë votues. Ambasadori Everts tha se 83 për qind e tyre janë shqiptarë, ndërsa 17 për qind nga komunitetet tjera.
Partitë politike shqiptare, sikurse edhe ato të komunitetve tjera joserbe të Kosovës, nuk kanë pasur shumë probleme në certifikimin e tyre për zgjedhjet e përgjithshme. Shumica kanë respektuar afatet për plotësimin e kritereve të përcaktuara nga OSBE-ja, ndërsa disa parti më të vogla nuk janë certifikuar për shkak të "parregullsive", përkatësisht falsifikimit të nëshkrimeve. Këtë vit një parti politike duhej të siguronte 1 mijë nënshkrime të qytetarëve me të drejtë vote, përkatësihst 500 nënshkrime për partitë e minoriteteve. Ndërsa, për minoritetin serb autoritetet ndërkombëtare, por edhe ato vendore, këtë viti kishin zgjedhur nja qasje ca më "zemërgjerë". Premtimi për 10 vende të rezervuara në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës, për kthimin e të zhvendosurve, lirinë më të madhe të lëvizjes, zgjatja e afateve për regjistrimin e votusve dhe certifikimin e subjekteve politike, ishin vetëm njëra anë e "përkëdheljeve" që u janë bërë përfaqësuesve politikë serbë për t'i bindur që të marrin pjesë në zgjedhje. Një ditë para hedhjes së shortit për renditje në fletëvotim, OSBE-ja certifikoi si "nismë qytetare" koalicionin e serbëve të Kosovës më emrin "Kthimi". Paraqitja e këtij koalicioni ishte në vijën e veprimit në stilin "tërhiq e mos këput" që vazhdon të përcillet tash e disa muaj me radhë nga përfaqësuesit politikë të serbëve. Ndonëse dolën në regjistrim dhe certifikuan koalicionin e tyre, përfaqësuesit e këtij komuniteti thanë se "duhet të plotësohen disa kushte themelore para se të merret vendimi për dalje në zgjedhje". Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Hans Haekkerup, tha se është shumë me rëndësi që serbët të marrin pjesë në zgjedhje, mirëpo tërhoqi vërejtjen se ai nuk do të pranojë kurrfarë kushtesh për këtë pjesëmarrje. Fundi i fundit, tha ai, kjo është zgjedhja e tyre. Përfaqësuesit shqiptarë po ashtu bënë thirrje që serbët të dalin në zgjedhje, mirëpo pa kushtëzime. Ata kanë kërkuar po ashtu që në listat e kandidatëve serbë të mos ketë njerëz që janë të implikuar në krimet kundër njerëzimit në Kosovë. Administratori Haekkerup premtoi se asnjë njeri që është në çfarëdo liste nuk do të mund të jetë kandidat në këto zgjedhje. Në këtë kuadër ai i ka dërguar "instruksione" Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos lejojë kandidimin e personave që janë të përfshirë në një urdhër ekzekutiv të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush. Shefi i OSBE-së, Daan Everts, tha se "ky instruksion është marrë në bazë të autoriteteit që ka administratori në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe në bazë të informacioneve që i janë ofruar atij nga ana e qeverisë amerkane". Në një situatë të tillë, tha zoti Everts, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve "nuk kishte rrugë tjetër - pos ta pranojë dhe zbatojë këtë instruksion".
Ndërkohë, pak ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore, Këshilli i Përkohshëm Administrativ i Kosovës, si organi më i lartë i administratës së përbashkët, ka vendosur që Këshilli Kalimtar i Kosovës (që deri tash luante rolin e një miniparlamenti pa fuqi ligjvënëse) të shpërndahet në fillim të muajit të ardhshëm, atëherë kur edhe zyrtarisht fillon fushata parazgjedhore. Po ashtu, të gjithë "ministrat" vendorë do të dërgohen në pushim me pagesë deri në fund të procesit zgjedhor. Ndërkaq, është vendosur që Këshilli i Përkohshëm Administrativ të vazhdojë punën deri në formimin e qeverisë së re të Kosovës. Këshilli i Përkohshëm Administrativ në këtë periudhë do të vazhdojë të funksionojë si një organ më i lartë, në mënyrë që të sigurojë një kontinuitet të administratës së Kosovës.
Mirëpo, "pritja" deri në themelimin e qeverisë pas zgjedhjeve të përgjithshme ngre çështjen e kompetencave të qeverisë së ardhshme. Misioni i Kombeve të Bashkuara ka vendosur që kjo qeveri të ketë kryeministrin dhe nëntë ministri. Por, aty nuk janë përfshirë tri, për akterët politikë vendorë, resoret kyçe: ministria e jashtme, ajo e mbrojtjes dhe ajo e punëve të brendshme. Këto, sipas UNMIK-ut, vazhdojnë të jenë në kuadër të përgjegjësive të administratorit të Kombeve të Bashkuara, i cili edhe më tej mbetet "njeriu numër një në Kosovë", pavarësisht se parlamenti i ardhshëm do të zgjedhë edhe presidentin e Kosovës. UNMIK-u pohon se është duke kërkuar vendqëndrim të ri për veten, për t'ia liruar vendin qeverisë së ardhshme të Kosovës, si dhe po kërkon vend për selinë e presidentit të ardhshëm të Kosovës. Kritikët thonë se kjo është përpjekje qe "vizuelisht" të krijohet përshtypja se në Kosovë po krijohen institucionet e vetëqeverisjes dhe se pamja e jashtme e gjërave do të jetë mbulesë për zbraztësirën e brendshme. Edhe më tej, sipas tyre, përfaqësuesit vendorë do të jenë vetëm një "dekor" i qeverisjes së UNMIK-ut, që do të vazhdojë t'i mbajë frenat në duart e tij.
AIM Prishtinë, Besnik BALA