Solidariteti i "ndërsjellë"
Prishtinë, 25.09.2001.
Syzet e avulluara të ambasadorit amerikan ne Prishtinë, John Menzies, po i ndihmonin atij për të fshehur sytë e përlotur derisa po fliste në një shërbesë në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë në krah të krerëve fetarë të bashkësive islame e katolike në Kosovë, ambasadori Menzies tha se "Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do të mund të shpaguajnë popullin e Kosovës për mbështetejen e tij ndaj popullit dhe qeverisë amerikane pas sulmeve terroriste. Kjo na bën që ne të mos ndjehemi të vetmuar në dhembjen tonë", tha ai nën tingujt e këngës "Zoti e bekoftë Amerikën".
Mbase mund të thuhet se ky varg ishte refreni i ditëve të fundit edhe në Kosovë. Sulmet terroriste në World Trade Center dhe në Pentagon kanë tronditur shqiptarët e Kosovës. Që në ditën kur edhe ndodhën sulmet, qindra sish u mblodhën në orët e vona të mbrëmjes para Zyrës Amerikane në Prishtinë me flamuj amerikanë dhe qirinj në duar për të bërë homazhe për viktimat.e sulmeve dhe për të shprehur "mbështetjen ndaj mikut të madh të Kosovës", siç u pëlqen shqiptarëve t'i quajnë Shtetet e Bashkuara. Ndonëse ishte mbyllur për publikun dhe kishte shtyrë të gjitha takimet diplomatike si dhe kontaktet me mjetet e informimit, shefi i zyrës amerikane, ambasadori Menzies, thirri të nesërmen një konferencë shtypi për të shprehur falënderimet e tij. "Ashtu sikurse ne kemi qëndruar përkrah jush në ditët më të errëta, ashtu po qëndroni ju pranë nesh në këto ditë të rënda për Amerikën", u tha ai qytetarëve të Kosovës duke mos fshehur emocionet jo fort të zakonshme për diplomatët. Po të njëjtën ditë rrugët e Prishtinës, por edhe të qyteteve të tjera të Kosovës, u mbushën me disa dhjetëra mijëra qytetarë që po protestonin kundër terrorizimit dhe po shprehnin solidaritetin e tyre me popullin dhe qeverinë amerikane. Flamujt, lulet dhe qirinjtë u shndërruan në pjesë të jetës së përditshme, ndërsa në çdo rrugë e çdo qoshe të mundshme qëndronin pankartat ku shkruante: "Amerikë - jemi me ty".
Përfaqësuesit e Misionit të Kombeve të bashkuara dhe të forcave paqerujatëse ndërmorën masa të posaçme të sigurisë, por mohuan të ketë ndonjë kërcënim për ta në Kosovë. Trupat amerikane që kontrollojnë sektorin lindor të Kosovës thanë se "e patën më të lehtë dhembjen për shkak të solidaritetit të shqiptarëve", duke ju shprehur atyre mirënjohjen për qëndrimin ndaj tragjedisë së madhe amerikane. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve dënuan ashpër sulmet, duke i cilësuar ato si "goditje ndaj lirisë dhe demokracisë botërore".
Ndërkohë, Trupat Mbrojtëse të Kosovës (organizatë civile që ka trashëguar ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës) filluan aksionin për grumbullimin e rezervave të gajkut për të plagosurit në Shtetet e Bashkuara. Në rreshta të gjatë para Entit për Transfuzionin e Gajkut, pjesëtarët e këtyre trupave thanë se "kjo është tërë ajo që mund të japin për popillin mik amerikan". Në radhë po prisnin madje edhe persona që tashmë janë në "listën e sanksioneve" të presidentit amerikan George Bush. Aksioni filloi të zgjerohet, ndërsa kamerat e mjeteve vendore të informacionit regjistruan pamje prekëse ku anëtarë të Shoqatës së Invalidëve të Luftës në komunën e Malishevës, një qytezë në Kosovën Qendrore, iu bashkuan këtij aksioni. Një nga drejtuesit e tyre tha se "edhe pika e fundit e gjakut nuk iu dhimbset për popullin amerikan". Komandnati i Trupave Mbrojëtse të Kosovë, gjeneral Agim Çeku, ofroi edhe ndihmën fizike duke lënë në dispozicion trupat e tij për të marrë pjesë në aksionet e shpëtimit në World Trade Center.
Është e njohur që shqiptarët e Kosovës janë shumë të lidhur për Shtetet e Bashkuara. Ata i cilësojnë ato si shpëtimtaren e tyre për shkak të rolit të Washingtonit në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Nismat amerikane për t'i dhënë fund sundimit të regjimit të ish presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, organizimi i Konferencës së Rambouilletit, udhëheqja amerikane e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, sikurse edhe vendosja e trupave të NATO-s në Kosovë, i kanë shndërruar Shtetet e Bashkuara në një simbol të lirisë para shqiptarëve të Kosovës. Solidarizimi i tyre "ishte shprehje e dhembjes për tragjedinë e mikut të madh", thanë komentuesit e këtushëm, duke shprehur bindjen se një "komb i madh do të arrijë të tejkalojë edhe dhembjen e madhe". Mijëra njerëz janë nënshkruar në librin e përkujtimeve të hapur në Hotelin 'Grand' në qendër të Prishtinës, ndërsa mijëra të tjerë kanë kërkuar forma nga më të ndryshmet për të shprehur mbështetjen e tyre. Ndonëse në Shtetet e Bashkuara, përkatësisht në New York, vepron një komunitet i madh shqiptar, mediat kosovare nuk i kushtuan shumë hapësirë fatit të bashkëkombësve të tyre, duke dashur të sugjerojnë kësisoji se të gjitha viktimat për ta ishin të njëjta, pavarësisht nga përkatësia kombëtare. Një nga intelektualët shqiptarë në Prishtinë tha se "të gjithë ne sot jemi amerikanë".
Diplomatët amerikanë në Prishtinë, ndërkaq, krahas falënderimeve për mbështetjen, u bënë thirrje shqiptarëve që "të keqen ta luftojnë në vendin e tyre". Ambasadori Menzies tha se "ndihmë për Amerikën do të jetë nëse qytetarët japin gjak për përdorim në Kosovë". Por, ndihmë për Shtetet e Bashkuara sipas tij është "edhe luftimi i ekstremizimit brenda në Kosovë". Ai në këtë kuadër bëri thirrje për tolerancë etnike, fetare e politike, për liri të lëvizjes dhe liri të fjalës, duke nënvizuar se në këtë mënyrë mbrohen edhe vlerat më të larta të vendit të tij. Ambasadori hodhi poshtë çdo spekulim për mundësinë e "përplasjes së civilizimeve".
Tragjedia amerikane ka bërë që tash e tutje jeta të duket krejt ndryshe, tha ndërkaq një nga udhëheqësit e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Bota, sipas tij,, po pret me ankth mundësinë që gjatë ditëve të shohë konflikte me përmasa apokaliptike për shkak te ekzistimit të terrorizmit ndërkombëtar. Droja e ndonjë shpërthimi të tillë vazhdon të jetë e pranishme edhe në Kosovë. Vendi me tolerancë shembullore fetare nuk ka frikë nga ndeshja e religjioneve, por nga mundësia që "miku i tyre i madh" të rrëshqasë në një "kurth të tillë". Kosovarët nuk e shohin veten në taborrin e kundërt me Amerikën, përkundrazi, ata e shohin veten përkrah saj. Ish ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, tha se "shqiptarët e kanë dëshmuar veten se janë properëndimorë, kushdo që e thotë të kundërtën dëshmon se nuk është mik i Amerikës".
Sidoqoftë, shqiptarët vazhdojnë të ndjekin me vëmendje zhvillimet në skenën botërore, ndërsa sytë i kanë të drejtuar nga kampi i forcave amerikane "Bondstill" afër Ferizajt, në Kosovën Lindore. Përderisa ai kamp qëndron atje, ata vazhdojnë të ndjehen afër Amerikës. Kjo, ndërkaq, nuk mund të thuhet edhe për një pjesë të mire të pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë. Liderët e tyre politikë e kanë dënuar gjithashtu publikisht terrorizmin, që në Amerikë shkaktoi mijëra viktima të pafajshme. Mirëpo, vetë qytetarët - serbë të Kosovës kanë treguar një 'indiferencë'. Madje, nuk ngurronin që këtë ta shprehin në forma të ndryshme edhe para kamerave të tv-ve. Shumë nga ata deklaronin se "Zoti e ka dënuar kështu Amerikën", se "Amerika e ka merituar këtë", se "është dëm që nuk e ka pësuar edhe vetë Klintoni". Qëndrimi refuzues i serbëve të Kosovës ndaj realiteteve të reja të krijuara në Kosovë, por edhe barra e rëndë e jetës së tyre të përditshme plot pasiguri, kësaj here nuk ishte parësor për përfaqësuesit ndërkombëtarë. Më parësore ishte mbështetja e parezervë e shqiptarëve të Kosovës, me të cilën në njëfarë mënyre edhe u është dhënë mirënjohja për angazhimin e tyre në Ballkan.
AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA