Antiislamizmi nën përkrahjen e antiterrorizmit
AIM, Zagreb, 25.09.2001.
Drejtësia e pakufishme - siç e quajnë amerikanët luftën e tyre kundër terroristëve arab - në Kroaci ende nuk ka goditur asnjë islamist, që do të thotë se asnjë bombë nuk është hudhur në dritaren e ndonjë boshnjaku dhe nuk është thyer asnjë ëmbëltore pronë e ndonjë Shqiptari - mysliman. Opinioni publik ndoshta në një masë të konsideruar të gjithë myslimanët i identifikon dhe barazon me ata radikalët të cilët islamin e shtrembërojnë dhe e keqpërdorin për qëllime politike, mirëpo deri tani mosdurimi ndaj myslimanëve është i natyrës pasive, sikur të jetë fashitur gjatë luftës kroato-boshnjake të vitit 1993. As atëherë, ndërkaq, në Kroaci nuk mbretëronte ndonjë energji aktive për konflikte, prandaj edhe tani dënimi parimor tingëllon poashtu mjaft seriozisht. Ai përafërsisht shprehet kështu: fajtor kryesor është islami, dhe në përgjithësi - islamët janë të tillëSi ta mendojë njeriu bashkëjetesën me ta, si t'u besojë atyreve, deri sa mbi qytete përplasin aeroplanët me gjithë udhëtarë?
Nga ekceset antimyslimane në Kroaci mund të veçohet tensioni rreth xhamisë së Zagrebit, të cilën nga dita e krimeve terroriste në Amerikë kujdesi policor e mban nën kontroll të vazhdueshme. Një paralajmërim i rrejshëm për vënie të bombës, si dhe disa thirrje provokative telefonike, nuk janë aq të tmerrshme në raport me frikën e myslimanëve në Kroaci. Me të vërtetë, menjëherë duhet të shtojmë se droja e tyre është shtuar, se për shkak të terrorizmit botëror - ndihen të stigmatizuar. Lidhur me tëra këto një paraqitje ekstreme në afërsi të xhamisë ishte diçka frikësuese: përballë policëve qëndroi një golf i zi nga i cili u dëgjua thirrja kërcnuese e vozitësit: “Ruaje më mirë, sepse sonte do ta fluturojmë lart në qiell”Golfi atëherë u zhduk, vozitësi po kërkohet, xhamia është në vendin e saj. Është e mundshme që vetura të ketë qënë pa targa, por edhe policia nuk tregon detajet e hetimeve që janë në rrjedhë e sipër. Mirëpo policët nuk janë as edhe aq korrekt në të gjitha anët e Kroacisë.
Pikërisht atyre mund t'ua përshkruajmë fajin për rastin e dytë të keqtrajtimit të dukshëm të qytetarëve të fesë myslimane. Në disa fshatra kroate, në kufirin e Kroacisë me Bosnjën dhe Hercegovinën, ndërmjet zhupanisë së Sisakut dhe të Karllovcit, jetojnë rreth dyqind mijë Boshnjakë. Kanë nënshtetësinë kroate, mirëpo kjo është e pamjaftueshme. Për shkak të fajit të përkatësisë kombëtare dhe fetare, thuaj çdo ditë policia e atjeshme u futet nëpër shtëpia dhe kontrollon lëvizjet e tyre, i pyet se ku kanë qenë dhe çfarë kanë bërë disa fshatarë. Në më shumë raste njerëzve ua kanë vënë në dijeni se kjo ndërlidhet me Amerikën, jehona e kataklizmës së të cilës ka arritur në këtë mënyrë deri në Pounjen kroate. “Çfarë faji kemi ne lidhur me terrorizmin arab? Vallë vetëm nga shkaku se jemi të fesë së njëjtë? A i nevojitet këtij populli një ndarje, largësi ende më e madhe?” pyet aktivisti politik boshnjak vendas, Atif Nuhanoviq. Ende askush nuk po i kthen përgjigjen e drejtë.
Megjithatë, e tërë kjo është vetëm një lojë fëmijësh në krahasim me tërë atë që bëjnë disa nga mediat kroate, lojë në kuptim të mobilizimit potencial dhe fyerjes ndaj myslimanëve. Jo vetëm disa media, por në të vërtetë, madje shumica e tyre, sëpaku me qëndrimet nonshalante ndaj kësaj teme. Dallohen gjithësesi e përditshmja zagrebase “Jutarnji list” dhe televizioni kombëtar i Kroacisë. Media e parë shpifjet i filloi ditën e dytë pas sulmit në Amerikë, duke raportuar se si “myslimanët nëpër botë kremtojnë terroristët”. Kolumnisti i rregullt i kësaj gazete, prifti katolik Zhivko Kustiq, myslimanët e këtushëm i ftoi në pendesë. Më drejtë dhe më qartë, sipas qëndrimit të nëpunësit inkvizitor, kërkoi prej tyre që të deklarohen, dhe ashtu një nga një të vërtetojnë se nuk janë fajtorë, se si nuk përkrahin terrorin ndaj pjesës tjetër të botës, për dallim nga ajo që sugjeron feja e tyre. Ishte kjo një vërsulje e ndyrë dhe aq e rrezikshme e gjuetarit të njohur të shtrigave, Kustiq.
Mirëpo, sidoqoftë, gazetat nuk kanë ato efekte që mund të ketë televizioni. Nga dita e parë e programit special në temën Amerika dhe terrorizmi, në ekranin e HTV ndërrohen konferansierët dhe komentatorët të cilët thuaj aspak nuk mbajnë llogari për pasojat që mund të kenë pohimet dhe sypozimet e tyre për bashkëqytetarët e fesë islame. Disa prej tyre shkojnë aq larg dhe ende më keq, duke nënçmuar në mënyrë direkte islamin dhe myslimanët në përgjithësi, madje duke nënçmuar ndarjen dhe largimin nga i cili frikësohet Atif Nuhanoviqi. Spikerja e re e HTV-së, Mirjana Hrga, rendit tallje sarkastike për fëmijët e shehitëve ( të mbrojtësve të vrarë) në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke i barazuar edhe etërit edhe fëmijët me fundamentalizmin islam dhe terroristët e proklamuar të Osama bin Ladenit. Një kolege tjetër e saj citon dikë që nuk di të dallojë mësimin fetar nga manipuluesit e tij, mirëpo e citon në mënyrë të tillë sa që spektatorët nuk mund të dallojnë veprimin e diskutueshëm të talljes ndaj atyreve të besimit tjetër.
Profesori i Fakultetit juridik të Zagrebit, Urosh Dujshin, në televizion u dallua me paraqitjen e tij kur në- një emision islamin e quajti religjion nën shenjën e shpatës, kurse Ku'anin libër që ndjellë dhunën. Pa marrë parasysh atë se paragjykimet e tij nuk janë të vërteta as nga aspekti formal, e një rëndësie të posaçme tani është fuqia e tyre e skëterrshme në luftën për drejtësinë e pakufishme. Këtë emision televiziv të HTN-së e kanë parë qindra mija njerëz, dhe mjafton që çdo i dhjeti të besojë në pohimet e shprehura, që akcioni i profesor Dujshinit të pjellë të keqen konkrete. Hakmarrje kundër islamit si të tillë nxit edhe korrespondentja e HTV nga Sarajeva, Ankica Posavljak, e cila të gjithë refugjatëve të vendosur në Bosnjë dhe Hercegovinë u ngjesh atributin e radikalizmit islamik. Marrë në përgjithësi, shumica e mediave në Kroaci shfrehet me numrin e muxhahedinëve dhe madje të talibanëve në Bosnjë dhe Hercegovinë pa kurrfarë kujdesi dhe frenimi, duke e fryrë numrin dhe rolin e tyre deri në përmasa të padurueshme fantastike.
Ndjekja e myslimanëve këtu vazhdon pa kurrfarë pengesash e kufizimesh, krahas asaj se këtë deri tani e realizojnë pothuaj vetëm gazetarët. Askush nuk ndihet i obliguar që të vërtetojë faktet sipas ndërgjegjes së vet ose përgjegjësisë zyrtare, askush nuk do të merret në pyetje për shkak të përhapjes së urrejtjes, dhe për shkak të rrezikimit të të drejtave qytetare të tjetrit, gjë që është e ndaluar edhe në Kushtetutë. Kuptohet se fushata kryqtare e mediave kroate është e motivuar që nga lufta kroato- boshnjake, kur shumica e gazetarëve të këtushëm heshtur ose zëshëm aprovonin agresionin e Kroacisë në Bosnjë e Hercegovinë, kështu që tani satanizimi i islamit dhe i Boshnjakëve për ta është i mirëseardhur për të shplarë ndërgjegjen dhe fajësinë e vet para botës. Qëndrimi i gazetarëve kroatë dhe i të ashtuquajturve antiislamistë vërtetë është i ndërlidhur ekskluzivisht me Boshnjakët dhe shtetin fqinj, dhe kurrsesi me arabët dhe terroristët tjerë. Shkurtë e qartë - drejtësia e pakufishme kroate ka rast të kontrabandohet në pako me atë amerikanen.
IGOR LASIQ