Arsimi: midis politikës dhe reformave
Prishtinë, 27.09.2001.
Katër degë të reja në kuadër të fakulteteve ekzistuese në Universitetin e Prishtinës, intensifikimi i studimeve në vitin e parë, si pilot-projekt, dhe rrogat e pandryshuara të mësimdhënësve, janë e gjitha që mund të përmblidhet dhe të vlerësohet si fillim i reformimit të sistemit të arsimit në Kosovë. Përpjekjet për reforma në sistemin e arsimit në Kosovë kanë një histori të gjatë po aq sa edhe prania ndërkombëtare, duke mos llogaritur disa përpjekje të mëhershme, të cilat dështuan për shkak të mungesës së kushteve elementare, pasi, si Universiteti, ashtu edhe nivelet e tjera të arsimit në Kosovë po bojkotonin sistemin e arsimit të vendosur nga regjimi i Millosheviqit dhe kishin krijuar një sistem paralel, të disenjuar për jo me shumë se ruajtjen e vazhdimësisë së mësimit dhe për të mos lejuar grumbullimin e nxënësve dhe studentëve aty ku kishin mbetur. Largimi i regjimit të Serbisë nga Kosova, krijoi hapësirën e nevojshme për reforma. Mirëpo, administratës ndërkombëtare dhe njeriut të saj numër një, Michael Daxner, i hasi sharra në gozhdë, duke u përballur me një infrastrukturë jo mjaft të gatshme për reformim, gjë që e bëri zotin Daksner një njeri të njohur për arrogancën e tij dhe ndjenjën e të gjithëpushtetshmit. Përplasja e parë e shqiptarëve me ndërkombëtarët ndodhi pikërisht në departamentin e arsimit, një organ i bashkëdrejtuar nga një kosovar dhe një ndërkombëtar. Dr. Agim Vinca, profesor i letërsisë, dha dorëheqje nga funksioni i tij, pasi nuk pajtohej me kolegun e vet ndërkombëtar dhe thoshte se ka tendenca që ai vetë të jetë vetëm një dekor që do të arsyetonte pjesëmarrjen e vendorëve në procesin e rindërtimit të sistemit të arsimit. Shumë shpejt u gjet njeriu "i dëgjueshëm" që e zëvendësoi Dr. Vincën.
Askush ende nuk ka folur për pilot-projektin e reformave të aplikuar vitin e kaluar në Fakultetin Juridik, mirëpo, duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Tani provimet pranuese për katër degët e reja të themeluara në kuadër të fakulteteve ekzistuese në Universitetin e Prishtinës, e kanë frenuar paksa euforinë e projektuesve të reformave, pasi konkurruesit e shumtë në katër degë të nivelit të lartë dhe shumë në modë në Kosovë, si psikologjia, shkencat politike, etnologjia dhe sociologjia, kanë treguar rezultate jashtëzakonisht të dobëta. Për shembull, nga 40 pikë maksimale që kanë fituar disa kandidatë në degën e psikologjisë, studentët që kanë konkurruar në shkencat politike kanë fituar maksimalisht pak më shumë se gjysmën e atyre pikëve-22. Ky fakt në vete i ka nxitur projektuesit e reformave të mendojnë për faktin se reformat janë nisur mbrapsht. Kështu, në vend se reformat të fillonin nga nivelet më të ulëta të shkollimit, për të pasur studentë solidë për t'u përballur me një sistem të refrmuar në nivelet më të larta deri në Universitet, apo së paku që reformat të zbatoheshin paralelisht, reformat kanë filluar të zbatohen që nga Universiteti, të cilit, nga sistemi i stërvjetëruar i shkollave të mesme i kanë ardhur kandidatë të dobët dhe jo të përgatitur për t'u përballur me sistemin e reformuar dhe me intensitetin që kërkon tani viti i parë i studimeve. Për shembull, në disa degë të Fakultetit të Filologjisë, drejtuesit u janë qasur reformave në atë mënyrë që kanë hequr nga planprogrami disa lëndë që do të mund të hiqeshin vetëm pas disa vjetësh të aplikimit të reformave në nivelet paraprake të shkollimit.
Nga ana tjetër, buxheti i varfër i Kosovës dhe administrimi i dobët i pjesës së këtij buxheti dedikuar arsimit nuk ka lejuar krijimin e mekanizmave fillestarë për të nisur një proces reformues të sistemit të arsimit. Të ardhurat e mujore të mësimdhënësve janë gati nënçmuese dhe nuk përmbushin as një të këtërtën e nevojave për të jetuar. Mësimdhënësit nuk do të mund ta përballojnë tempon e reformave me një rrogë aq të ulët, kur tani kërkohet nga ta që gjithë javën ta kalojnë nëpër kabinetet dhe katedrat e tyre në punë me studentët. Ndryshe, drejtuesit e departamentit të arsimit e kanë bërë të ditur se buxheti i vitit të kaluar dedikuar arsimit nuk është shfrytëzuar më shumë se 30 për qind, ndërkohë që gati nuk është investuar fare as në objektet shkollore të dëmtuara nga lufta, shumica e të cilave janë rindërtuar dhe rinovuar me ndihmën e organizatave të ndryshme humanitare ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Paga mujore e profesorit nordinar, titull ky më i lartë në hierarkinë e Universitetit nuk është më e lartë se gjysma e pagës mujore të përkthyesit të administartorit ndërkombëtar të Universitetit, Michael Daxner, ndërsa që kahasimi i pagës mujore të zotit Daxner me atë të rektorit vendor të Universitetit do të ishte diçka krejt qesharake.
Projektuesit e reformës dhe operativët nga rektorati i Universitetit të Prishtinës, nga ana tjetër, po përballen me probleme të natyrws politike që i pengon ata të merren më drejtpërdrejt me reformat.
Si çdo gjë në Kosovë që përcillet me ngjyrime nacionale, edhe Universiteti ka probleme të kësaj natyre. Pak kohë më parë administratori i Universitetit të Prishtinës dhe bashkëdrejtuesi akual i departamentit të arsimit dhe shkencës, zoti Michael Daxner, gjatë bisedimeve me përfaqësues të serbëve u ka premtuar atyre hapjen e një universiteti serb në Kosovë, i cili do të jetë i ndarë ose së paku në objekte të ndara nga Universiteti ekzistues. Ky universitet i serbëve, sipas një plani "konspirativ", i cili u "dekonspirua" pak para se të shkonte te kryeadministratori i Kosovws, Hans Haekkerup, parashihte një sistem paralel arsimor të serbëve në Kosovë, sistem ky që do të ndërtohej në konsultim me qeverinë e Beogardit dhe ministrinë e arsimit të Serbisë, ndërsa si universitet do të funksiononte në pjesën veriroe të Mitrovicës, të kontrolluar nga serbët, në objektet e ish-Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik atje. Ky universitet do të kishe planprograme të hartuara nga ministria serbe e arsimit dhe nuk do të kishte ndonjë sistem subordinimi me Universitetin e Prishtinës.
Anëtarë shqiptarë të strukturave drejtuese, si prorektori Dr. Arsim Bjrami, konfirmuan ekzistimin e këtyre tendencave, por thanë se askush nuk i ka konsultuar shqiptarët për një gjë të tillë. Kur çështja u ngrit para përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së në Kosovë, zotit Hans Haekkerup, ky i fundit tha se në Kosovë nuk do të lejohej asnjë strukturë paralele. Megjithatë, Fakulteti Xehetar-Metalurgjik në Mitrovicë, objektet e të cilit ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës, edhe tri vjet pas përfundimit të luftës punon në lokale të improvizuara pa kushte të nevojshme dhe natyrisht pa laboratore dhe mundësi të punës praktike. Kur mësimdhënësit e këtij fakulteti kërkuan të shkonin në objektet e tyre, zot Daxner u tha atyre me një arrogancë të theksuar se "askund në botë nuk pyeten mësimdhënësit se në cilat objekte duan të mbajnë mësimin".
Nga ana tjetër, në qarqet politike kosovare pohohet se përfaqësuesit e serbëve kanë gjetur momentin më të përshtatshëm për ta që të kërkojnë një universitet të vetin në Kosovë. Në kohën e parazgjedhjeve, kur për bashkësinë ndërkombëtare pjesëmarrja e serbëve në zgejdhje është esenciale për të legjitimuar zgjedhjet si gjithëpërfshirëse, prania ndërkombëtare këtu është e gatshme për gjithfarë koncesionesh, duke u treguar e kujdesshme që me fjalë të zgjedhura të mos i kualifikojë srukturat e ndryshme si struktura paralele. Komandanti i pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë javën e kaluar ka pranuar se po u bëhen serbëve shumë koncesione dhe këtë e ka arsyetuar me faktin se "më mirë është një fitore strategjike që janë zgjedhjet, sesa disa fitore të vogla taktike". Shqiptarët, nga ana tjetër, nuk pajtohen se një universitet paralel i serbëve në Kosovë është çështje e një fitoreje apo humbjeje taktike afatshkurtër, por përkundrazi. Prania ndërkombëtare në Kosovë ka akuzuar shqiptarët madje se në Universitetin e Prishtinës "nuk flitet asnjë fjalë serbisht", siç do të thoshte zëdhënësja e UNMIK-ut, Sjuzën Manuel.
Është fakt, ndërkaq, se që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Universitetin e Prishtinës nuk është paraqitur më asnjë profesor i nacionalitetit serb. Rrethanat kanë ndryshuar, tensionet ishin shumë të larta, dhe profesorët nuk erdhën as për t'i marrë gjërat e tyre personale të lëna në kabinete.
Kësaj here disa qarqe shqiptare nuk janë më aq indiferente. Konsiderojnë se kolegët e tyre të nacionalitetit serb do ta bënin hapin më të mirë drejt rindërtimit të mirëbesimit të ndërsjellë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve sikur të ktheheshin "atje ku e kanë vendin - në Universitet". Pra, pa marrë parasysh hendekun midis serbëve dhe shqiptarëve që është më i thellë se kurrë, tani edhe për mungesë të çfarëdo kontakti të njerëzve të thjeshtë, të clët duan të jetojnë në paqe. Sipas tyre, Universiteti do të ishte vendi më i mirë për një gjë të tillë, pikërisht për shkak të nivelit akademik që llogaritet të ekzistojë atje. Reformat atëherë do të mund të zbatoheshin më lehtë, duke mos harxhuar asnjëra palë energjitë e veta në çështje të parcializimit dhe ndërtimit të universiteteve paralele. Megjithatë, duket se për diçka të tillë tanimë është vonë. Serbët e Kosovës kanë arritur që nga bashkësia ndërkombëtare të sigurojnë një milion marka gjermane për themelimin e universitetit të tyre. Edhe pse ka ende shumë gjëra të pasaktësuara dhe të paakorduara deri në fund, është gati e sigurt se kyy universitet do të funksionojë në pjesën veriore të Mitrovicës, ku pritet të caktohet edhe lokacioni për konviktet e studentëve.
AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI