Çoviqi në Kosovë
Prishtinë, 28.09.2001.
Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) u dukën shumë të zhgënjyer në gjysmën e dytë të shtatorit derisa po jepnin e merrnin me gazetarët duke komentuar, përgënjeshtruar e kundrështuar deklaratat e njëpasnjëshme, jo rrallë "skandaloze", të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Nebojsha Çoviq. Njeriu që muaj më parë pati ngazëllyer praninë ndërkombëtare në Kosovë me qëndrimet e tij "të moderuara", tashmë i nxori "dhëmbët".
"Ylli" i zotit Nebojsha Çoviq, njeriut të dytë të qeverisë së Serbisë, "shkëlqeu" në pranverën e këtij viti në Luginën e Preshevës, në kufijtë jugorë të Serbisë, që për rreth 18 muaj me radhë ishte skenë e përleshjeve të armatosura ndërmjet guerilëve shqiptarë dhe forcave serbe të sigurimit. Në një fushatë të gjatë "dialogu" me bashkësinë ndërkombëtare dhe me disa raunde bisedimesh (ç'është e vërteta më shumë improvizimesh) me përfaqësuesit e shqiptarëve, Nebojsha Çoviq siguroi heqjen e Zonës Tokësore të Sigurisë, një zonë kjo e vendosur në fund të luftës në Kosovë, si hapësirë ndarëse ndërmjet ushtrisë jugosllave dhe forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë. Në pak ditë atje u permbyll procesi i çmilitarizimit dhe çarmatimit të kryengritësve shqiptarë, që veten e quanin Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit (tri komuna këto me shumicë shqiptare në jug të Serbisë). Pasi premtoi, liri, shkolla, polici multietnike dhe të gjitha të drejtat e njeriut, zoti Çoviq "mësoi përmendësh" rrugën për në Bruksel dhe më pastaj u hodh në ofensivë diplomatike në Kosovë. Disa takime joformale në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare, ne veri të Prishtinës, ndërmjet zotit Çoviq dhe shefit të UNMIK-ut, Hans Haekkerup, së shpejti e hapën serinë e vizitave të tij në Kosovë. I emëruar nga qeveritë serbe e jugosllave si i dërguar i posaçëm për Kosovën, zoti Çoviq fillimisht "mori në dorë frerët" e politikës së komunitetit serb në Kosovë (frerët edhe ashtu ishin në Beograd) dhe i siguroi vetes një "bazë të fuqishme të përfaqësimit të inetersave të Beogradit dhe të serbëve të Kosovës".
UNMIK-u, ndërkaq, u "kënaq" nga fakti se më në fund kishte gjetur një "interlokutor" të shkëlqyeshëm dhe një bashkëbisedues të "moderuar" për të trajtuar tërë ato probleme të hapura në Kosovë që kanë të bëjnë me komunitetin serb. Një bazë e forcave britanike në kuadër të forcave paqeruajtëse në Kosovë (KFOR) u shndërrua në vendtakim të shpeshtë të zotit Çoviq me administratorin e Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Hans Haekkerup, por edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralin norvegjez Thorstein Skiaker. Ndër rezultatet e para të këtyre takimeve ishte edhe "heqja e tërësishme e zonës tokësore të sigurisë dhe kthimi i ushtrisë jugosllave përgjatë vijës kufitare me Kosovën". Gjatë orëve të gjata të bisedimeve (ka pasur raste kur eshtë biseduar edhe nga 7 orë me radhë), autoritetet nëpërmjet komunikatave shumë të shkurtra për opinion (madje tepër të shkurtra në krahasim me kohën e gjatë të bisedimeve) pohuan se janë ngritur të gjitha çështjet e hapura: çështja e personave të zhdukur, mënjanimi i strukturave paralele, kryesisht në veriun e Kosovës, arsimi në gjuhën serbe, regjistrimi i votuesve dhe, në veçanti, pjesëmarrja e pjesëtarëve të komunitetit serb në zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë. Kjo e fundit, ndërkaq, duket të jetë shfrytëzuar me mjeshtëri nga zoti Çoviq. Ai u bëri thirrje zyrtarisht qytetarëve serbë që të dalin në vendregjistrime, duke e cilësuar këtë madje "detyrë patriotike". Kjo thirrje i siguroi atij reputacionin e "bashkëpunëtorit të shkëlqyeshëm dhe shumë të përkushtuar", komplimente këto që nuk munguan të derdhen lumë nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Hap pas hapi, zoti Çoviq fluturoi për në New York, në selinë e Kombeve të Bashkuara, për t'u paraqitur para Këshillit të Sigurimit së bashku me administratorin Haekkerup. Fill pas kthimit prej andej ai deklaroi se "nuk ekziston përkrahje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës", ndërsa siguroi bashkëkombësit e tij se ka "entuziazmuar Këshillin e Sigurimit me pikëpamjet e tij për statusin përfundimtar të Kosovës". Bashkudhëtari i tij, zoti Haekkerup, tha ndërkaq se "në Këshillin e Sigurimit nuk ka pasur kurrfarë diskutimesh për statusin final të Kosovës". Ai pohoi se zoti Çoviq ka këkruar lidhje më direkte të serbëve të Kosovës me Beogradin, por "nuk ka siguruar ndonjë mbështetje tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit". Zoti Haekkerup tha se "anëtarët e këtij Këshilli kanë përshëndetur angazhimin e zotit Çoviq dhe qeverisë së tij për regjistrimin e serbëve në listat e votuesve për zgjedhjet në Kosovë dhe e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje".
Por, ende pa u shuar mirë jehona e deklaratave të tij për "përshtypjet nga New Yorku", zoti Çoviq u zuri frymën bashkëbiseduesve të tij në UNMIK. Në një takim të Këshillit Kombëtar Serb në Graçanicë, një fshat i banuar me serbë rreth 6 kilometra larg Prishtinës, ai lëshoi një vistër deklaratash që u duk se zhgënjyen UNMIK-un. Zoti Çoviq tha se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhje pa u përmbushur disa kushte, në radhë të parë 'lirimi i të gjithë serbëve që mbahen në burgjet e Kosovës". Ish prefekti "disident" i qytetit të Beogradit, Nebojsha Çoviq, po të njëjtën ditë tha se "në Kosovë ekzistojnë me qindra Bin Ladenë të vegjël".
Drejtori i Qendrës për Informim të UNMIK-ut, Simon Haselock, i quajti të "pasinqerta e të pakuptueshme dhe si të tilla të papranueshme" deklaratat e zotit Çoviq. Ndërsa akuzat për ekzistimin e terroristëve në Kosovë, përkatësisht të "Bin Ladenëve të vegjël", ai i cilësoi thjesht si "ekstreme" . Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, thanë se këto janë deklarata të rrezikshme që vetëm mund të nxisin shtimin e tensioneve ndëretnike dhe të destabilizojnë Kosovën. Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se "kjo është propagandë serbe e cila vazhdon që një shekull, dhe tash në 10 vitet e fundit ata dëshirojnë përsëri t'i njollosin shqiptarët". Ai tha se nuk është e vërtetë se këtu ka pasur apo ka dikush lidhje me terroristët ndërkombëtarë të tipit të Bin Ladenit. Akuza të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, posaçërisht gjatë luftës në Kosovë, kur qarqet politike serbe pohonin se "në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur "muxhahedinë". Dr. Rugova tha se "këtu ka qenë një lëvizje e përgjithshme për liri, për çlirim dhe ndërtim të Kosovës, prandaj edhe bota na ka përkrahur".
Zoti Çoviq, ndërkaq, ka bërë akuza për ekzistimin e "terroristëve" edhe në Luginën e Preshevës, madje ka tërhequr vërejtjen se "terroristët shqiptarë po përgatisin sulme mbi vetë Beogradin".
Analistë të huaj, por edhe vendas, thanë se akuzat e tilla janë përpjekje për të shfrytëzuar situatën e re të krijuar pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Ata tërheqin vërejtjen se "akzua të tilla janë dëgjuar në Serbi edhe në vitin 1999, veçse atëherë nga goja e ish presidentit jugosllav, tash të akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviq. Deklaratat akuzuese të Çoviqit nuk janë tjetër "veçse përpjekje e qarqeve të caktuara për të shfrytëzuar tragjedinë amerikane për agjendat e tyre", pohojnë analistët. Ish ndihmës sekretari i shtetit, James Rubin, tha në një intervistë për një gazetë prishtinase se "shqiptarët janë në anën e perëndimit - ata që i lidhin me Bin Ladenin nuk janë miq të Amerikës".
Me gjithe zemërimin dhe zhgënjimin që ka shkaktuar me qëndrimet e tij, Nebojsha Çoviq vazhdon të mbetet një "faktor i rëndësishëm" në relacionet ndërmjet autoriteteve ndërkombëtare dhe serbëve të Kosovës. Gjykuar nga interesimi që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të jenë gjithpërfshirëse, duket se ai do të vazhdojë edhe për një kohë të mbetet "i përkëheluri i zyrtarëve ndërkombëtarë". Këtë periudhë ai ka vendosur ta shfrytëzojë për, siç është shprehur, "kthimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë në Kosovë". Edhe koalicioni politik serb që është certifikuar për zgjedhjet e përgjithshme e mban një emër simbolik -"Kthimi".
AIM Prishtinë, Besnik BALA