Tugjmani dinte për krimet

Zagreb Sep 25, 2001

Aim, Zagreb, 15.9.2001.

"Mendoj se kam gabuar që kam lejuar operacionin në Likë", tha Franjo Tugjman në seancën e Këshillit të mbrojtjes dhe sigurisë nacionale (KMSN) që u mbajt më 12 shtator 1993 në oborrin presidencial në Pantovçak. Krahas krerëve ushtarak në mbledhje ishte e pranishme gjithë përbërja e atëherëshme shtetërore, kurse fjalën e morrën Nikica Valentiç, kryetar i Qeverisë, Gojko Shushak, ministër i mbrojtjes, Ivan Jarnjak, ministër i punëve të brendshme, Mate Graniç, ministër i punëve të jashtme, gjeneral Janko Bobetko, kryeshefi i Shtatmadhorisë, Antun Vrdoljak, drejtori i përgjithshëm i HRT (Radiotelevizioni kroat), Franjo Greguriç... Konteksti i seancës ishte kështu: dy ditë para sesionit të KMSN-së në Pantovçak - pra më 10 shtator 1993. - trupat kroate filluan ofanzivën ushtarake në Medaçki Xhep afër Gospiçit. Duke luajtur në kartën e befasisë së përgjithshme, pjesëtarët e Brigadës së dhjetë gardiane (komandant Mirko Noraç) të forcuar me forcat speciale policore (komandant gjenerali Mlladen Markaç) për një kohë të shkurtë pushtuan një hapësirë të gjërë rreth Divosellës, Citlukut dhe Pocitelit.

Në afat të shkurtër, gjithashtu, njësitë e përmendura bënë varg krimesh ndaj civilëve serb që jetuan në Medaçki Xhep: fletarresti i Gjyqit të Hagës kundër gjeneralit Rahim Ademi (komandant i atëhershëm i Zonës Operative të Gospiçit) thotë se gjatë aksionit janë vrarë 38 persona, ka pasur qindra të burgosur lufte dhe janë djegur qindra shtëpi të serbëve të atjeshëm, është vjedhur gjithçka që ka mundur të vidhet... Kreu shtetëror, megjithatë, krimet i përmend përciptazi dhe në kontekst të vërejtjeve ndërkombëtare, kurse për vrasjen e civilëve e dinin që atëherë: përmenden kritikat e ashpra që vijnë në adresë të operacionit nga bashkësia ndërkombëtare, kurse sovrani Tugjman - duke e ditur se sesioni i KMSN inçizohet dhe se procesverbali një ditë mund të shërbejë si rrethanë lehtësuese- me gjithë zemër pohon se ishte pajtuar me propozimin e gjeneral Bobetkut që të goditen serbët në Medaçki Xhep.

Tugjmani në disa vende madje tenton të bëjë me dije se ishte manipuluar dhe shkaku i manipulimit rezultoi me marrjen e aksionit në rrethinën e Gospiçit. Sovrani nuk e apostrofon se kush e ka manipuluar, në të vërtetë bëhet fjalë për Janko Bobetkun: sipas mendimit të tij u ndërmorr aksioni i përmendur, kurse në të vërtetë i autorizuari për Gospiçin, admiral Davor Domazet - udhëhoqi me të gjitha aktivitetet luftarake në Medaçki Xhep. Në Hagë, megjithatë, shkaku i këtij operacioni ka shkuar gjeneral Rahim Ademi.

"Zotërinj, ne gjatë ditëve të fundit me operacionit e Gospiçit kishim mjaft sukses ushtarak. Por, objektivisht jemi para një situate delikate politike", e filloi diskutimin e vet në seancën e KMSN-së Franjo Tugjmani pasi që gjenerali Bobetko dhe ministri Jarnjak informuan për situatën që mbretëroi atë mëngjes, më 12 shtator 1993, në Medaçki Xhep. Tugjmani vazhdon të flasë: "Në çastin kur e gjithë bota edhe ata nga rradhët e miqve, dhe të tjerët, na sugjeruan përmbajtje të skajshme dhe fleksibilitet politik, megjithatë ramë në provokimin e tyre, por në kundërshtim me vendimin tonë. Në kësi situate, pa marrë parasyshë se si do të ma interpretoni, ata e kanë parasyshë, e duke marrë parasyshë edhe përgatitjet tona, që nuk mund të fshehen, del se Kroacia, në situatën e tanishme, përgatit ballafaqim luftarak me serbët në Kroaci."

Kryetari kroat gjatë shqiptimit të këtyre fjalëve frikësohet nga reagimi i bashkësisë ndërkombëtare. Tetë vjet më vonë, kur gjeneral Ademi dorëzohet në Hagë, do të bëhet e qartë se frika e tij është e logjikshme dhe nuk është edhe aq e pabesueshme se ato ditë të shtatorit të vitit 1993 Franjo Tugjmani - gjykuar sipas të gjithëve, në pajtim me Gojko Shushakun dhe Janko Bobetkun - gjithë fajet për krimet në Medaçki Xhep vendosën t'ia hudhnin në shpinë Ademit.

"Më duhet të pranoj ", flet Tugjmani, "këtu është edhe përgjegjësia ime që kam lejuar operacionin e Gospiçit. Kur gjeneral Bobetko erdhi me një propozim të këtillë, unë e kisha parasyshë provokimin e tij, të imtë, provokim i imtë, siç ishte hyrja e trupave në Velebit, ku neve na vranë tre pjesëtarë të forcave speciale, njërit ia kishin këputur veshin, pastaj vendosja e minave në Pakrac, por edhe klima politike që ishte krijuar në opinionin publik dhe në Kuvend, prandaj e pranova propozimin që të shkojmë me këtë operacion, edhe pse më vonë u vërtetova se nuk isha informuar me të gjitha elementet. Të themi, unë e kam menduar, e kam ditur, se Divoselo është serbe, por nuk i kam ditur se janë gjithë ata fshatra që i kemi marrë. Nuk e kam ditur se gjithë ata fshatra ishin serbe. Në këtë mënyrë, për këtë shkak, unë jam që të zhvillohen bisedime për ndërprerjen e zjarrit, sepse jemi në një situatë që vështirë se mund ta arsyetojmë; në momentin kur bisedohet për ndërprerjen e operacioneve ushtarake ne shkuam në një operacion luftarak, siç ndodhi në muajin janar, më 22 janar, që me shumë vështirësi justifikuam rastin, pra kur gjithashtu kishte bisedime e doli se sërish kroatët nuk dëshironin bisedime, por duan vetëm luftë, siç ndodhi tani me pastrimin e këtyre viseve Citluk, Pocitel, Divoselo."

Sovrani, me fluturimet e veta, jep një përshtypje të një paqësori të rrejshëm: sqaron sesi Kroacia do të ketë probleme diplomatike shkaku i aksionit në rrethinën e Gospiçit, kurse pastaj aspak nuk ka gajle për serbët e vrarë në këto vende, as interesohet t'i gjejë dhe dënojë kryerësit e krimeve. Ai nuk urdhëron asfarë hetimi për krimin, prandaj deri tek urdhëri i ardhshëm urdhëron ndërprerjen e aktiviteteve ushtarake.

"Pra zotërinj", vazhdon Tugjmani, "siç e shihni jemi në gjendje mjaft delikate politike. Kemi mundur të arsyetojmë sulmet ndaj nesh shkaku i situatës në Bosnjë, kurse tani janë shtuar me këto në Kroaci, por është e qartë se do të tentojmë të shfrytëzojmë sulmet e tyre ndaj popullatës civile dhe të flakim këto akuza kundër nesh, por kuptojeni se është edhe në interesin tonë që me rrugë politike të vijmë deri tek zgjidhja pa marrë parasyshë se ka 50 dhe kam dëgjuar shifrën prej 200 të vdekurve. Njëkohësisht është e sigurtë se ne kemi pasur në këto operacione 20 të vdekur dhe nuk e di 40 të plagosur e më shumë, prandaj nëse vazhdojmë do të kemi humbje më të mëdha, e çka do të ndodhë deri në Baranjë e Vukovar".

Këtu kryetari merr pak kurajo dhe vazhdon me një varg kritikash ndaj pushtetit: "prandaj, në këtë kuadër, tek e shoh në tërësi, nuk është dashur të lejoja,assesi s'është dashur të lejoja. Mendoj se kam gabuar që kam lejuar operacionin e Likës. Pa marrë parasyshë se çka mund t'u bënim serbëve. Për shkak të këtij momenti, për shkak të ngjarjeve, për reaguan edhe në Bashkësinë Ndërkombëtare, kurse kryetari i Këshillit të Sigurisë Evropiane që të dorëzojë këtë notë zyrtare e luti ambasadorin që personalisht të shkonte në Zagreb dhe t'i apelonte Kroacisë, kryetarit të Kroacisë, që të kërkohet zgjidhje politike. Prandaj gjithsesi duhet të jemi në vijë të kësaj politike, për të cilën jemi përcaktuar.Përndryshe këtë gjë do ta kishim zgjidhur për disa ditë, por sikur të mos kishim shkaktuar hidhërimin e botës, që madje na vënë sanksione. Kjo do të ishte ndryshe, kurse kështu?"

Për ta marrë fjalën paraqiten dy njerëzit e sferës së ekonomisë: Nikica Valentiç dhe Franjo Greguriç, të armatosur me sasinë imagjinare të vazelinit, dhe fillojnë ta bindin kryetarin për domosdoshmërinë e marrjes së këtij aksioni për sulmim të Medaçki Xhepit. Këto dy tipa që vazhdimisht u pasuruan gjatë luftës preferojnë qërrim definitiv të hesapeve me serbët përmes luftës, kurse njeriu që pritej të ishte ithtari më i zjarrtë i opcionit të luftës hesht mençurisht. Gojko Shushak, paraqitet të marrë fjalën rrallë dhe atë vetëm kur duhet të vërtetojë fjalët e Tugjmanit. Dialogu ndërmjet Tugjmanit dhe Valentiçit ia vlen të citohet integralisht.

Nikica Valentiç: Zoti kryetar, unë doemos duhet ta them një fjali. Kryetar, me serbët e Kroacisë ne nuk kemi probleme politike për të zgjidhur, është çështje, se në ç'kohë apo tajming këtë ta zgjedhin në mënyrë tjetër.

Tugjman: Po, këtë e di.

Valentiç: Pra, edhe kjo është diçka që mund t'ju bind plotësisht, si njeri që gjithë jetën e kam kaluar atje poshtë, ata nuk pranojnë asnjë zgjidhje politike. Mendoj, edhe një fjali, duhet që sa më mirë të përgatitet dhe të ndërmerret në të gjitha anët. Falemnderit.

Tugjman: Kryetar i Qeverisë, me serbët e Kroacisë, ata që tani udhëheqin me Kninin dhe Baranjën - jo. Por kjo është vetëm një shuplakë, dhe ata megjithatë janë të varur nga Beogradi. Problemi qëndron se a dëshiron Bashkësia Ndërkombëtare t'i detyrojë që të mos pajisen. Në momentin kur Serbia do të detyrohet ta bëjë këtë, atëherë do të zgjidhim problemin e serbëve në Kroaci, atëherë me një shuplakë 10 deri 20 përqind do të ikin nga Kroacia dhe problemi do të zgjidhet.Por nëse do të nisemi vetëm nga kjo gjë, atëherë këtë luftë nuk do të na pranojë bota. Unë ju them, prandaj ua them, kam qenë mjaft i përcaktuar, dhe kam gabuar përsa i përket operacionit, më kuptoni. Sikur bota të na lejonte, dhe sikur të kishim mundësi brenda një afati, një afati mjaft të shkurtë, këtë ta zgjidhnim, atëherë unë do të isha për këtë. (...) Te ne krijohet një atmosferë se Kroacia është kundër një orientimi të këtillë botëror, e orientuar që të zgjidhë me luftë, e kjo do të thotë që serbët t'i pastrojë nga Kroacia, kjo ndodh në praktikë. Nuk mund ta pastrojmë e ata të kenë të dhëna se në Sllavoni, në Sllavoninë Perëndimore madje 30 fshatra serbe janë fshirë nga faqja e dheut, edhe tani tre-katër fshatra serbe janë fshirë etj. Kjo krijon një imazh për Kroacinë, përmes të cilit nuk realizojmë dot as statusin tonë politik, as raportet ekonomike me botën. A e kuptoni këtë.

Valentiç: Kjo, kryetar, nuk është kontestuese, kjo brenda vitit na pret sërish. Është çështje tajmingu. Kjo përsëri na pret.

Tugjman: Po, nëse kjo na pret atëherë kjo do të thotë se duhet të përgatitemi më mirë politikisht dhe ushtarakisht, e pastaj pas aksionit tonë, duhet të përgatitemi të mos krijojmë mundësi që dikush të na godas në Zagreb.

Valentiç: Mbase tani janë më të dobët se më parë.

Tugjmani: Kryetar i Qeverisë, të lutem orientohu në çështjet ekonomike. Nikica Valentiç gjithnjë ishte i heshtur në këtë vend, por pas leximit të kësaj pjese të transkriptit kuptojmë se Franjo Tugjmani ishte thellësisht i prirë për krimet individuale të trupave ushtarake kroate. Gjatë viteve që do të pasonin disa persona do të dërgoheshin në Mirogo, disa në freskun e pasurive të tyre, disa në Hagë, e pas gjithë kësak është e ditur se Franjo Tugjmani ka pasur dijeni për të gjitha krimet, por nuk i ka shkuar në mend t'i procesuonte. Ky njeriu kishte vetëm një frikë, atë të bashkësisë ndërkombëtare, pikërisht shkaku i kësaj frike herë pas here paraqitej në rolin e paqësorit të rrejshëm.

IVICA GJIKIÇ