Fëmijët rom dhe shkolla e Nikshiqit
Të ndarë në qoshen e klasave dhe qytetit, romët me shumicë mungojnë në shkolla. Diskriminim apo fat i shkruar?
AIM Podgoricë, 19.09.2001.
Dhjetë fëmijë roma nga Nikshiçi nuk janë në listën e rregullt për pranim në klasën e parë të shkollës fillore "Mileva Lajoviç-Lalatoviç". Janë refuzuar me arsyetimin e drejtorit të shkollës Zelko Drinçiç "se nuk ka kushte për formimin edhe të një klase" dhe se "doemos duhet regjistruar edhe njëzet fëmijë të popullatës shumicë". Pas kësaj drejtori pohoi "se assesi nuk bëhet fjalë për diskriminim". Aktivistja e Qendrës së Romëve nga Nikshiqi reagoi në vendimin e drejtorit, duke apeluar deri tek Ministria e Arsimit që romëve të vegjël, në përputhje me ligjin për shkollim të detyruar, t'u mundësojë shkollimin. Autoritetet arsimore reaguan dhe ata u nisën drejt shkollës.
Kjo ngjarje shkaktoi interesim të madh në opinionin publik dhe ishte shkas për të shqyrtuar se athua në qytetin pranë Trebjesit ekziston diskriminim në shkollimin e romëve.
Sipas fjalëve të koordinatores së Qendrës së Romëve, Nada Kopriviç,në Nikshiq jetojnë 839 romë, që janë koncentruar në pesë vendbanime - "Budo Tomoviç" 1 dhe 2, Hekurudhë, Trebjes dhe Brla. Mes tyre ka 478 fëmijë deri 18 vjeç. Prej gjithë këtyre janë duke u shkolluar njëzet veta, 17 në shkollë fillore dhe tre në shkollë të mesme.
Cilët janë shkaqet që romët nuk shkojnë në shkollë fillore?
"Thjesht, prindërit nuk insistojnë që fëmijët e tyre të shkollohen. Por është e vërtetë se ata që shkojnë në shkollë hasin në shumë probleme. Së pari, ata mësojnë lëndët që nuk janë në gjuhën e tyre amtare. Gjithashtu mësimdhënësit nuk u kushtojnë mjaft kujdes dhe nuk janë të interesuar që t'i mësojnë. Në seminare, ku është diskutuar për problemin e shkollimit të romëve, arsimtarët pranojnë se këta fëmijë rrijnë në bankat e fundit dhe me vendimin e arsimtarit, ndahen nga fëmijët tjerë me një bankë bosh. Ka këtu indiferencë të vetë romëve dhe diskriminim shoqëror", sqaron Nada Koprivic.
Është interesant se një përqindje e romëve, gjykuar sipas hulumtimeve dhe anketave me ta, konsiderojnë se duhet të jetojnë të ndarë nga pjesa tjetër e popullatës lokale. Kjo flet për një distancë të vazhdueshme sociale, se romët, në njëfarë mënyre, "zgjedhin" izolimin e tyre, të bindur se të tjerët nuk i pranojnë. Nga ana tjetër dhe popullata lokale më shpesh flet për izolimin e tyre, kurse përqindja më e madhe thotë se fëmijët nuk do të duhej të shkonin në të njëjtën shkollë me romët.
Çka me shkollimin e tyre? Flasin romët e rinj që kanë kryer shkollimin fillor.
"Fëmijët dëgjojnë nga prindërit se kush është rom e kush nuk është. Mendoj se mësojnë racizëm dhe nacionalizëm", thotë Fatima Naza, një rome e bukur, që ka kryer shkollën e mesme.
Për shkollimin e vetë ajo thotë: "Kam qëndruar në bankën e fundit dhe kam përjetuar shumë pakënaqësi. Nxënësit tjerë dënoheshin që të uleshin me ne apo pranë nesh. Nga dhjetë romët që u regjistruam atë vit në shkollën fillore vetëm unë dhe motra ime Jasmina arritëm të kryenim shkollën fillore. Ne jemi kryengritës. Mendoj se edhe mësimdhënësit janë meritor për ndërprerjen e shkollimit e fëmijëve. Njoh dy vajza që deri në fund të vitit nuk kishin nota, edhe pse çdo ditë shkonin në shkollë".
"Në shkollën fillore iknin nga unë dhe flisnin se nuk isha e aftë për asgjë, iknin nga unë se mos jam e sëmurë", flet për përvojën e vetë gjatë shkollimit Jasmina Naza, motra e Fatimes.
Megjithatë, ekzistojnë edhe përvoja tjera. Arsllani, i cili kishte mundur të ndiqte shkollimin e mesëm, thotë: "Për mua ishte super. Nuk kam pasur kurfarë problemesh dhe sërish do të shkoja në shkollë".
Aktivistja e Qendrës së Romëve sqaron se janë të shpeshta rastet e diskriminimit. Sipas mendimit të saj, ata që nuk kanë kësi problemesh, si Arsllani, jeton mes malazezëve, të soccializuar ose të asimiluar.
Gjykuar sipas asaj që na thanë romët kryesisht janë të prirë për të shkolluar fëmijët e tyre, por ballafaqohen me probleme të shumta.
"Nëse unë kam shkuar, atëherë edhe fëmijët e mi duhet të shkojnë në shkollë. Të shkollohen normalisht dhe të ndjehen mirë. Secili dëshiron të shkollojë fëmiun e vetë. Por ndonjëherë nuk ka as kushte", thotë Ajat Itaj.
"Djali im regjistrohet në klasën e parë. Dëshiroj ta shkolloj. Vitin e kaluar shkoi dy-tre muaj në shkollë, por mëësuesja më tha që do të ishte më mirë ta lente, sepse nuk dinte të lexonte dhe shkruante", thotë Seçera Berisha.
Madje problem paraqesin edhe librat amzë të regjistrimit. Fëmijët e Shefkije Krasniçit, refugjate nga Peja, ndjekin mësimet në Universitetin e Punëtorëve në Nikshiq, për shkak se në kohën kur duhej të ndiqnin shkollimin, nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm. Në vendbanimin "Budo Tomoviç", ku jetojnë shumë romë nga Kosova, ka shumë raste të këtilla.
Në hyrje të një vendbanimi një djalosh na priti me fjalët: "A keni ardhur të na regjistroni në shkollë? 'Oci është i pari!". Vijnë pastaj mjaft të tjerë të bindur se i regjistrojmë në shkollë. Atyre u është ndërprerë shkollimi sepse kishin ardhur në Malin e Zi pa dokumente.
Të vendosur në një qoshe të klasës dhe qytetit, romët në numër të madh i shmangen shkollimit. Diskriminim apo fat i shkruar? Sipas reagimeve të autoriteteve - me heshtje - dyshimi është i orientuar në pohimin e parë.
MILENA PEROVIÇ