Regjistrimi, një hap deri te zgjedhjet
Prishtinë, 16.09.2001.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) vendosi të zgjasë afatin e regjistrimit të votuesve për zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë, dy ditë para se ky afat i përcaktuar më parë të përfundonte më 8 shtator. Ajo çka ishte më interesante, një vendim i tillë ishte publikuar nga disa mjete të informimit në gjuhën serbe disa ditë para se të publikohej zyrtarisht nga autoritetet ndërkombëtare, të cilat ndërkaq pohonin se nuk do të ketë shtyrje të afatit të regjistrimit.
Megjithatë dy ditë para përfundimit të afatit të caktuar më parë, zëvendësadministratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Gary Mathews, dhe shefi i Organmizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadori holandez Daan Everts, thanë se i shtohen edhe dy javë të tjera këtij afati. Zoti Mathews tha se autoritetet janë shumë të kënaqura me me shtimin e numrit të të interesuarve për t'u përfshirë në këtë proces, prandaj Misioni i Kombeve të bashkuara ka sjellë këtë vendim. Të dy zyrtarët e lartë u bënë thirrje të gjitha komuniteteve që ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të dalë në vendregjistrime meqë, siç tha ambasadori Everts, shtyrja e afatit nënkupton shpenzime të reja dhe mjaft të mëdha, prandaj ky është rasti i fundit për të gjithë ata që janë hamendur deri tash për t'u regjistruar, "pasiqë nuk do të ketë një shtyrje të re". Duke arsyetuar zgjatjen e afatit për regjistrim, ambasadori Everts tha se është shënuar një shtim, siç u shpreh ai, spektakolar i numrit të serbëve të regjistruar. "Brenda Kosovës deri tash janë regjistruar afro 20 mijë veta, numër që përfaqëson gjysmën e votuesve të mundshëm të këtij komuniteti. Ndersa në Serbi janë regjistruar afro 60 mijë veta", tha zoti Everts, për të shtuar se në Mal të Zi numri i të regjistruarve është më i vogël. Sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, vlerësohet se në listat e votuesve duhet të përfshihen rreth 130 mijë pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët kishin bojkotuar deri tash këtë proces, sikurse edhe vetë procesin e zgjedhjeve. Synimi i zyrtarëve ndërkombëtarë është që procesi i regjistrimit të jetë sa më gjithpërfshirës, në mënyrë që të sigurohet një pjesëmarrje sa më e gjerë edhe në zgjedhjet e përgjithshme. Mirëpo, autoritetet pohojnë se ekzistojnë probleme, posaçërisht në veriun e qytetit të ndarë të Mitrovicës, ku ka rezistencë në përfshirjen e serbëve në këtë process, ndërkaq që në pjesët tjera tashmë problemet janë tejkaluar. Graçanica, një nga enklavat kryesore serbe, është shndërruar në "shembull" të mirëkutpimit të komunitetit serb, i cili po del në qendrat e regjistrimit, posaçërisht pas thirrjeve të bëra nga liderët lokalë dhe zyrtarët e Beogradit. Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Artemije Radosavleviq, u regjistrua duke "pozuar" para aparateve fotografike dhe kamerave që po përcillnin këtë rast "historik" të vendimit të serbëve për të marrë pjesë në procesin e regjistrimit. Ftesë për rëgjistrim bashkëkombësve të tyre u kanë bërë edhe presidenti i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, si dhe dy njerëzit kyç të qeverisë së Serbisë, Zoran Gjingjiq e Nebojsha Çoviq, duke nënvizuar se kjo është madje "një detyrë kombëtare".
Një vit më parë, pjesëtarët e komunitetit serb e bojkotuan procesin e regjistrimit të votuesve për zgjedhjet e atëhershme lokale, duke theksuar se për këtë nuk ekzistojnë kurrfarë kushtesh. Kjo, rrjedhimisht, e kushtëzoi edhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 28 tetorit të vitit të kaluar, mirëpo ata fituan vendet e tyre në bazë të emërimeve politike të bëra nga administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Nërkaq, këtë viti gjërat ndryshuan. Pjesëtarët e këtij komuniteti filluan të dalin në vendregjistrime me "bekimin" e Beogradit, i cili pohoi se ky është një rast i mirë për të vërtetuar edhe "numrin e vërtetë të serbëve të Kosovës". Ky numër, i cili gjithmonë ishte shumë i diskutueshëm gjatë historisë së "bashkëjetesës" serbo-shqiptare, sërish është ngritur në një problem debatesh. Përfaqësuesit e serbëve pohojnë në shumë raste se "mbi 300 mijë serbë janë larguar nga Kosova pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999", ndërsa rreth 100 mijë të tjerë vazhdojnë të jetojnë në enklavat serbe në Kosovë. Ndërkohë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në bazë të shënimeve të Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, pohon se jashtë Kosovës ndodhen rreth 170 mijë serbë të larguar prej këndej në periudhën e pasluftës. Për shqiptarët, ndërkaq, këto janë shifra të papranueshme. Zyrtarë të entit të statistikës pohojnë se asnjëherë në Kosovë numri i serbëve nuk e ka kaluar 200 mijëshin, duke vlerësuar se pohimet serbe janë "një përpjekje për manipulim me organizatat ndërkombëtare", ndërsa për këto të fundit ata pohojnë se "janë në lajthitje, apo të lajthitura nga pohimet serbe dhe dëshira për të motivuar këta të fundit që t'i japin fund bojkotimit të procesit politik"! Këto çështje, sipas tyre, do të mund të sqaroheshin nëpërmjet një procesi të mirëfilltë të regjistrimit të popullsisë, mirëpo për këtë nevojiten përgatitje të mëdha dhe së paku 13 milionë0 dollarë amerikanë.
Sido që të jetë, përfaqësuesit e qeverisë në Beograd kanë provuar të përfitojnë nga procesi i regjistrimit të votuesve. Fillimi i këtij procesi, ku do të përfshihen të gjithë personat e moshës mbi 18 vjeçare, u pasua nga një marrëveshje të arritur midis Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM- International Organization for Migration) dhe Komisariatit për Refugjatë të Serbisë. Mirëpo, dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, zyrtarët serbë kërkuan qasje të plotë në dokumentat e regjistrimit, duke këkruar që t'i kenë kopjet e plota të tyre. Pas bisedimesh të gjata, më në fund u arrit një marrëveshje që përfaqësuesit e Komisariatit të Serbisë për Refugjatë të kenë mundësi të vëzhgojnë procesin e përpunimit të të dhënave në Prishtinë dhe në Vjenë, në selinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Ishte ky, si duket, edhe fillimi i koncesioneve që, sipas vëzhguesve vendorë, vazhdojnë t'u bëhen serbëve në funksion të përfshirjes së tyre në procesin e regjistrimit dhe të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë që do të mbahen më 17 nëntor të këtij viti. Zyrtarët ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje vazhdimisht pjesëtarëve të komunitetit serb që t'i japin fund bojkotimit të deritashëm të zgjedhjeve, duke tërhequr vërejtjen se në parlamentin e ardhshëm të Kosovës ata kanë dhjetë vende të caktuara që më parë, ndërsa pjesëmarrja unike në zgjedhje do të mund t'u sillte edhe 8 apo 9 vende të tjera, duke iu siguruar kësisoji një përfaqësim mjaft të qëndrueshëm.
Mirëpo, dalja në regjistrim sipas liderëve serbë nuk do të thotë edhe dalje në zgjedhje, meqë për këtë, sipas tyre, nevojitet përmbushja e disa kushteve themelore, siç janë siguria, kthimi i të zhvendosurve, liria e lëvizjes etj. Megjithatë, një vendim konkret pritet të sillet në muajin tetor, ndërsa autoritetet po nguten që atyre t'u krijohen sa më shumë mundësi që të marrin pjesë në këtë proces. Ndonëse asnjë parti serbe ende nuk është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë po e shqyrton seriozisht zgjatjen e afatit për certifikim vetëm për entitetet politike serbe.
Nuk janë të paktë ata që konsiderojnë se me mbështetjen e Beogradit zyrtar, megjithatë, edhe komuniteti serb do të përfshihet në procesin politik në Kosovë. Kjo, faktikisht, do të thotë që pas zgjedhjeve të përgjithshme të parapara për muajin nëntor, do të konstituoheshin parlamenti dhe qeveria e parë demokratike e Kosovës ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve nacionale të Kosovës. Njëkohësisht, kështu do të realizohej edhe një prej qëllimeve kryesore të përcaktuara nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë - krijimi i institucioneve multietnike.
AIM Prishtinë, Besnik BALA