Amerikanët në Stuhia
AIM, Zagreb, 10.09.2001.
Gazetari i njohur amerikan Roy Gutman botoi para disa javësh, në revistën Njusuik, tekstin që dëshmon se SHBA dhe shërbimet e saj të zbulimit morrën pjesë në mënyrë aktive në aksionin ushtarak "Stuhia 1995", ku Ushtria Kroate morri të ashtuquajturën Republika e Srpska Krainës. Prej atëherë kjo temë mbetet në qendër të vëmendjes së mediumeve. Tema është aq e nxehetë shkaku se Gutman nuk ofron vetëm faktografi të thatë të luftës në ish- Jugosllavi dhe as ka ambicje që të ndriçojë detajet më pak të njohura të historisë së kësaj hapësire.
Ai këtë temë e gërshetoi me aktualitetin rreth Gjyqit të Hagës, duke ia zënë për të madhe, së pari në mënyrë implicite, e pastaj të drejtpërdrejtë, këtij gjyqi se nuk shfrytëzon të gjitha të dhënat dhe burimet e nevojshme për gjykimin e gjeneralit të Ushtrisë Kroate Ante Gotovinës, kundër të cilit, gjatë verës, u ngrit fletarrest. Gutman shpreh dyshim se Tribunali i Hagës po shkon drejt fundosjes në të gjitha politizimet e rrezikshme, kurse ngjashëm është kritik dhe cinik ndaj SHBA, për të cilët thotë se me praninë e vetë të zbulimit në Kroaci doemos duhet t'i kenë shënuar krimet e luftës gjatë dhe pas operacionit Stuhia, nëse jo atëherë duhet vërtetuar se këto krime nuk janë kryer.
Gutman kështu hapi një diskutim disi skolastik, më shumë për të pastruar disa çështje të brendshme, sepse faktet për këto krime ekzistojnë dhe konsiderohen si kulme në sferën e kriminalistikës, pra trupat e civilëve të vrarë serb. Këto të dhëna i kanë mbledhur organizata të ndryshme mbrojtëse dhe humanitare, që shumë shpejt kishin njoftuar edhe autoritetet kroate, kështu që amerikanët kishin mundësinë lehtësisht të shkarkonin barrën e kërkesave të Gutmanit. Por, teksti i tij duket se ka shkuar aq larg sa citohen edhe disa funksionarë shtetëror amerikan, të paemëruar, që pranuan bashkëveprimin e amerikanëve në operacionin "Stuhia" (Oluja), duke mohuar përzirjen e SHBA-ve në krimet e bëra gjatë dhe pas këtij aksioni.
Këtyre ditëve, megjithatë, ndërroi edhe kjo. Teksti i Gutmanit humbi për nga befasia dhe tani amerikanët kthehen në fortesën e tyre të heshtjes dhe asgjësë. Ambasadori amerikan në Kroaci Lawrence Rossin dha një intervistë grupore për gazetarët kroat ku preras pohon se "nuk kishte kurfarë angazhimi amerikan në Stuhia". Lawrence madje refuzon të pranojë se amerikanët ishin njoftuar me përgatitjen e këtij aksioni - në vend të kësaj thotë se ishin "të vetëdijshëm", edhe pse paraardhësi i tij nga vitet e luftës, Peter Galbright, haptas pranoi se për këtë kishte biseduar në Brione me Tugjmanin dhe atë në prag të Stuhisë.
Tani pranon se ai humbi diku. Lawerence i përshkruan marrëdhëniet amerikano-kroate si të "zakonshme", kurse theksin kryesor e vë në angazhimin amerikan në këtë hapësirë. ( "Jo vetëm që nuk jemi angazhuar, por disa herë para vetë operacionit, nëpërmjet diplomacisë sonë kemi bërë presion të vazhdueshëm në të gjitha palët - ndaj autoriteteve kroate, autoriteteve në Beograd si dhe ndaj liderëve të Srpske Krajinës
- që problemet doemos duhet zgjidhur me bisedime e jo me konfrontime"). Asnjë angazhim tjetër, sipas Rossinit, nuk ka ekzistuar, që natyrisht është larg njohurive elementare që ekzistojnë në vetë Kroacinë.
Prandaj, gazetarët ia përkujtuan ambasadorit amerikan disa deklarata të zyrtarëve kroat, sipas të cilave SHBA-të kishin përgatitjet e veta në bazën ushtarake në Shepurin, që shërbente për kontrollin e fluturimeve pa pilot. Rossin, megjithatë, këtu përgjigjet në mënyrë shumë diplomatike - "ne kemi një princip të përgjithshëm që të mos komentojmë çështjet e zbulimit" - dhe këtu biseda përfundon. Pra SHBA, siç mund të pritet, bëjnë embargo në veprimin e shërbimeve të zbulimit në Kroaci, që sipas disave, do të shkojë aq larg sa do të refuzojë ftesën e Gjyqit të Hagës për të dëshmuar në këtë temë.
Rossin nuk e vërtetoi këtë, por vetëm theksoi pa precizuar asgjë se një ftesë e këtillë "do shqyrtohet" dhe "do vendoset se a është adekuate dhe relevante". Qëndrim interesant! Kështu u shpreh edhe gjenerali i ikur Ante Gotovina, i cili konsideronte se fletpadia kundër tij është e pabazuar. Por, instancat ndërkombëtare juridike-policore nuk e morrën parasyshë që ai vetë të vlerësonte se ftesa nga Haga ishte "adekuate dhe relevante", por para disa ditësh lëshuan fletarest ndërkombëtar për të. Rossin në një vend të intervistës së përmendur e shpalli veten si të
paautorizuar të fliste për hollësitë e bashkëpunimit të SHBA-ve dhe Hagës, duke sqaruar se nuk kishte informacione të mjaftueshme dhe për këtë shkak vetëm mund të spekulonte e këtë e konsideroi si të pahijshme.
Por, ishte mjaft i qartë kur duhej që të shprehte qëndrimin e përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara për pjesëmarrjen në operacionin "Stuhia". Ky bashkëveprim nuk ka ekzistuar, pa marrë parasyshë "detyrimet individuale që kanë marrë persona të caktuar". Ja gjërat e reja interesante! Angazhimi amerikan në këtë hapësirë shpallet pothujase çështje private e individëve amerikan, prandaj athua është private edhe deklarata e ambasadorit të dikurshëm amerikan në Kroaci Galbright. Kështu edhe distancimi i papenguar i SHBA-ve nga gjithçka që ka lidhje me "Stuhia", nëse ka nevojë edhe nga personat zyrtar, duket se është disi i nxitur dhe përafërsisht është e qartë dhe përse.
Javëve të fundit në Kroaci, në rradhët e BDK-së dhe partive, shoqatave dhe asociacioneve gravituese rreth saj u ngrit një fushatë e vërtetë për
të dëshmuar se amerikanët ishin bashkëkreator, madje edhe planifikues kryesor të "Stuhisë", ndërkohë që një mendim i këtillë dikur quhej heretik, sepse Stuhia u quajt "fitorja më e madhe ushtarake në historinë kroate",kurse t'i përshkruheshin merita për këtë ndonjë ushtrie të huaj,
kuptohet, kjo nuk vinte parasyshë. Tani entuziazmi romantik ka përfunduar. Sipas mendimit të rrënjosur, BDK është e prirë që sa më shumë të tërhjekë amerikanët në zhvillimet luftarake gjatë pjesës së parë të dhjetëvjeçarit të 90-të që të lehtësojë pozitën e Gotovinës dhe Ademit, deri tani të akuzuarit e vetëm nga Kroacia, të cilëve pas ca kohe shumë lehtë mund t'u bashkangjitet edhe ndonjë emër tjetër.
Menjëherë u paraqitën edhe pohime se amerikanët do të reagonin ndaj tyre me shumë nervozë dhe se nuk përjashtohej edhe ndonjë hakmarrje shkaku i fillimit të kësaj fushate nga ana e BDK-së. Hakmarrje nuk ka deri tani - përveç se Lawrence me hidhërim mohon se SHBA ishin në ndonjë "partneritet" me Kroacinë e viteve 90-ta, edhe pse ky term ishte aq shumë në qarkullim - mbase edhe për shkakun se revizionizmi më i ri amerikan nuk është i fokusuar vetëm në Kroaci dhe në luftën kroato-serbe gjatë pjesës së parë të dhjetëvjeçarit të 90-të.
Pas kryengritjes shqiptare në Maqedoni, është vënë nën llupë edhe angazhimi i përgjithshëm amerikan në hapësirën e ish-Jugosllavisë. E ky angazhim ishte më i kontestueshëm mu aty ku amerikanët u angazhuan në marrëveshjet bilaterale, si në Kroaci, e me siguri edhe në Maqedoni. Me kësi turpi fshihen edhe ato aranzhmane që përfshihen në bashkësinë e gjërë ndërkombëtare dhe përkrahja në skenën publike, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Daytonit. Këtu do të përfshiheshin edhe angazhimet në Jugosllavi dhe Kosovë, që u kishte paraprirë marrëveshja ndërkombëtare në Francë, por me siguri se edhe këtu ka ndonjë marrëveshje të fshehtë, që një ditë, mu siç ndodh tani me aksionin "Stuhia", o të dalë në sipërfaqe.
Marinko ÇULIÇ