Fajtorë janë gazetarët

Podgorica Sep 9, 2001

Afera e duhanit, e cila tashmë disa muaj e ka tronditur opinionin publik malazez, e shkaktuar nga një seri shkrimesh të botuar në javoren "Nacional" të Kroacisë, këtyre ditëve arriti epilogun e vetë në gjyq. Pas ankesave private u dënua kryeredaktori i gazetës "Dan", i cili kishte ribotuar tekstet e "Nacional"-it

AIM Podgoricë, 06.09.2001

Pesë muaj me kusht gjatë dy viteve - kështu tingëllon aktakuza ndaj Vladislav Asaninit, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i gazetës "Dan" , të cilin e kishte paditur për mashtrim Stanislav Cane Subotiç.

Kështu gazeta e Podgoricës e para pagoi këstin në aferën e duhanit, edhe pse kjo aferë asaj ia rriti dukshëm tirazhin gjatë muajve të fundit. Rritja e tirazhit të kësaj gazete, mes tjerash, ishte si pasojë e transmetimit mjeshtëror të teksteve të "Nacional-it" kroat. Dhe ishin këto tekste të javores kroate ku demaskohej mafia malazeze e duhanit, që e çuan gazetën "Dan" në bankën e të akuzuarve.

Gjatë këtyre ditëve në adresë të gazetës podgoricase arrijnë edhe padi tjera private të "aktorëve" të aferës së njohur të duhanit. Pas padisë që e ngriti biznesmeni Stanko Subotiç Cane dhe tre njerëzit e parë të basketbollit malazez, Branko Vujoseviç, Veselin Baroviç dhe Danilo Mitroviç, padi për mashtrim kundër gazetës "Dan" ka paralajmëruar edhe kryetari malazez Milo Gjukanoviç.

"Nuk më është e qartë se pse paditë adresohen në adresën tonë, kur "Dan" vetëm ka transmetuar tekstet e botuara në "Nacional-in" kroat - thotë drejtori i gazetës "Dan" Dushko Jovanoviç. "Është një proces i pastër politik " - thotë ai. "Gjithë këto padi janë një aksion i sinkronizuar kundër "Dan"-it, shprehet kryeredaktori i gazetës Vladisllav Asanin, i cili shton se pas aktakuzës së parë gazetarëve malazez u mbetet që të "lexojnë vetëm 'Mikijev zabavnikun', (gazetë argëtuese - shënim përkth.) nëse nuk duan që të gjykohen'.

  • Gazetari në Mal të Zi tani është para një provimi të madh. Shtrohet pyetja duam dhe a mundemi të punojmë dhe shkruajmë lirisht, thotë Asanin.

Në redaksinë e gazetës "Dan", e cila para gjysmë viti ishte nën kontrollin e Partisë Popullore Socialiste të opozitës, thonë se mezi e arritën lirinë gazetareske, kurse tani i padisin nga të gjitha anët.

Por, athua është në pyetje cenimi i lirive gazetareske apo thyerja e ligjit? Personat udhëheqës të gazetës "Dan" konsiderojnë se ligji është në anën e tyre. Dushko Jovanoviç thirret në nenin 31 të Ligjit për informim publik: "Për vërtetësinë e informatës së botuar është përgjegjës personi që e jep informacionin, gjegjësisht autori ". "Pra, unë mund të jem përgjegjës vetëm nëse jam themelues, kryeredaktor ose korrespondent i 'Nacionalit', që ka lansuar këto tekste " - distancohet Jovanoviç.

Megjithatë, sekretari i Sekretariatit Republikan për Informim Bozhidar Jarediç sugjeron se bazën për padinë duhet kërkuar në nenin e 30 të Ligjit për Informim Publik. "Kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës, është përgjegjës për çdo informatë në medium, përveç informacioneve që është i detyruar t'i botojë në pajtim me ligjin. Pra, tekstet e huazuara janë pjesë përbërëse e një gazete prandaj janë përgjegjës kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës".

Jarediç madje përmend edhe pikën 2 të nenit në të cilin thirret Jovanoviçi: "Nëse në medium botohet informatë e pavërtetë, që cenon imazhin dhe interesin e personit për të cilin ka të bëjë informacioni ose i cenohet nderi dhe intgriteti", personi i interesuar ka të drejtë për padi në gjykatën përkatëse për të kërkuar kompenzimin e dëmit të shkaktuar nga autori, kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës, themeluesi ose botuesi i mediumit të shtypur.

Dhe derisa rrëfimi për gjykimin e personave përgjegjës në gazetën "Dan" vazhdon ata thonë se qëllimi i tyre nuk ishte të "ofendonin" dikënd, por vetëm që opinionit të këtushëm t'ia transmetonin atë që shkruhej për Malin e ZI në shtetin fqinj.

"Nuk ka qenë qëllimi ynë që ta njollosim dikënd me këto tekste. Kemi shfrytëzuar rrezen e lirisë së gazetarisë dhe nuk më vjen keq që i kemi marrë tekstet nga "Nacional", thotë Vladislav Asanin.

Por, numri i padive në adresë të gazetës "Dan" flet vetvetiu. "E lëshuar me inteligjencë në eter, gënjeshtra ka veprim më të rrezikshëm se eksplodimi " - thotë avokati i Subotiçit në fjalën e tij kryesore të diskutimit.

Edhe pse kryeredaktori i gazetës "Dan" thotë se kjo gazetë gjithnjë u angazhua që të mos ndryshonte qëllimin e tekstit të Nacionalit, Bojoviç pohon se gazeta podgoricase e kishte transmetuar integralisht vetëm artikullin e parë.

"Një analizë më e thuktë e teksteve tregon se gazeta 'Dan' punoi në krijimin e aferës dhe në këtë mënyrë praktikisht dha instruksione për publikun lexues se në çfarë drejtimi duhet të mendojë për gjithë atë që është thënë në 'Nacional'" - thotë Bojoviç duke konsideruar se gjykata ka vepruar drejt.

Por nuk përfundojnë këtu problemet e gazetës "Dan". Njëri nga ata që e paditën - Danilo Mitroviç, drejtor i KB "Buduçnost" - shkoi një hap mëtej në padinë ndaj gazetës podgoricase, duke thënë se tekstet e botuar në "Nacional-in" kroat kanë dalë nga kuzhina e gazetës "Dan". Mitroviç megjithatë paralajmëron padi edhe ndaj javores kroate.

"Dan" u bazua në informatat e huaja dhe rregullisht transmetoi gjithë tekstet ku flitet për përzierjet e ndryshme të funksionarëve malazezë. Përse vetë nuk e kishin hulumtuar aferën e "Nacionalit", e pyetëm drejtorin e gazetës.

"Të merresh me gazetari hulumtuese në Mal të Zi është punë mjaft e rrezikshme " - thotë Jovanoviçi. "Por mbase do të fillojmë edhe hulumtimin tonë, sepse gjysma e lojës përfundoi, kurse tani pason tjetra", paralajmëron Jovanoviçi.

"Dan" është gjetur në një situatë të vështirë. Është sfiduar shkaku i informacioneve të transmetuara. Pritet të shihet se a do ta paguajë edhe mëtej në gjyq çmimin e këtij "ekskluziviteti". Sepse pas padisë së Subotiçit dhe gjykimit në gjykatën e Podgoricës, pason diskutimi edhe për paditë tjera private.

Por, kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit. Ai tjetri, sa i përket shtetit, ka mbetur disi në mjegull. Asnjëherë deri tani organet gjyqësore në Mal të Zi nuk kanë qenë kaq nervoz. Kryeprokurori shtetëror, gjatë dy viteve të fundit, mbeti shurdhmemec ndaj shumë teksteve në mediumet malazeze që nxitën urrejtje fetare dhe nacionale, ku rol të madh pati edhe "Dan-i" podgoricas. Gjithashtu numër i madh aferash mbetën "jashtë kornizës" ligjore.

Tani, kur në aferë është përmendur edhe kryetari malazez Gjukanoviqi, gjyqi reagoi në mënyrë të shpejtë. Nga dhënia në gjyq deri tek dënimi kaloi një muaj. Prandaj me të drejtë mund të parashtrohet pyetja - sa është e pavarur drejtësia malazeze? Por edhe kjo: athua përveç kreut shtetëror edhe dikush tjetër mund të jetë i mbrojtur.

PETAR KOMNENIÇ