Dallaveret me viza dëbuan ambasadori francez nga Sofja
Barierat e Shengenit - ushqim për nënpunësit e korruptuar
AIM Sofje, 04.09.2001
Kariera diplomatike e ambasadorit të deridjeshëm francez në Bullgari Dominik Shasar u ndërpre pa lavdi. Dy vjet pasi e kishte filluar misionin në Sofje, u kthye në Paris pas skandalit të madh - aferës së vizave. Katër persona janë nën hetime se kishin "ndihmua për emigrim joligjor" të shtetasve bullgarë drejt vendeve tjera dhe kishin qenë "bashkëpjesëmarrës në kodoshllëk". Ata tani janë klientë të gjyqtarit hetues nga Strazburgu Zhan Lik Zhakob.
Për pasardhësin e z. Shasar - Zhan Lu Tin nuk ka rrezik të ngatërrohet në një aferë të ngjashme, sepse nga muaj prill bullgarët udhëtojnë pa viza për në Evropën Perëndimore. Por afera ka provokuar pyetjen se athua ishte e kuptimtë viza e Shengenit për të cilën, para pesë muajsh, njerëzit prisnin në rende kilometrike para ambasadës në Sofje, duke u përballur me vështirësi gjatë proçedurës nënçmuese. Në fund të fundit u pa se heqja e barierave nuk shkaktoi ndonjë valë të udhëtimeve drejt vendeve perëndimore.
Afera me vizat, një triler i llojit të vetë, nisi kah fundi i vitit 1999 kur në Francën Lindore policia arrestoi një grup laviresh bullgare. U dëshmua se për dallim nga simotrat e tyre ato nuk kishin hyrë me viza turistike, por me viza biznesi, të dhëna në ambasadën franceze në Sofje. Sipas dokumenteve të sakrifikuesit të dashurisë kishin shkuar në Francë që të vazhdonin stazhin në firma të ndryshme në Strazbur, Land dhe Kalvados. Firma që asnjëherë nuk i kishin ftuar.
Gjatë marrjes në pyetje laviret bullgare kishin sqaruar se në ç'skemë bënin pjesë, duke tërhequr vëmendjen drejt nënpunësve në konsullatën e ambasadës franceze në Sofje. Hetuesia në Strazburg alarmoi misionin diplomatik, por munguan rezultatet. Pas kësaj hetuesi i Strazburit vendosi të niste një procedurë hetimore. Disa muaj më vonë shefi i ri i konzulatit në Sofje Patrik Vajan, i akredituar kah fundi i shtatorit të vitit 2000, alarmoi Ke d' Orse (MPJ të Francës) pasi kishte vërtetuar "parregullësi" në shërbimin për dhënien e vizave në konzulat. U dëshmua se numri i vizave të dhëna në fund të vitit 2000 arriti në 60 mijë, në raport me 30 mijë sa ishte në vitin e kaluar dhe 85 mijë kërkesa për dhënie vize. MPJ bëri inspektimin e parë në nëntor të vitit 2000. Konkludimi i raportit thotë se janë vërtetuar "parregullësi serioze në shërbimin e vizave". Në dhjetor të 2000 shefi i shërbimit Rudi Demanzh u thirr në Paris dhe u transferua në shërbimin e pasaportave në Nant. Në pranverë të këtij viti afera rreth tërheqjes së Demanshit u shpërnda dhe gazetat bullgare bënë publike gjithë skemën e dhënies së vizave. U bë e ditur se z. Demanzh dha viza me kërkesë të dashnores së tij, përndryshe nënpunëse e firmës turistike "Kiptur", që më vonë u shit sipas tarifave të shtrenjta. Në vendin e ngjarjes, në mars të vitit 2001, u dërgua inspeksioni i dytë që t'i shqyrtonte rrethanat. Në pranverë u ngrit procedurë disciplinore kundër z. Demanzh, kurse ministri i punëve të jashtme Iber Vedrin vendosi të ndërronte ambasadorin Dominik Shasar.
Në maj udhëtoi drejt Sofjes zëvendës kryeprokurori i Gjykatës së Strazburit Zhan Lik Zhakob sëbashku me majorin e policisë kufitare franceze Mark Montanen dhe sekretaren gjyqësore. Gjatë qëndrimit të tyre njëjavor ata dëgjuan 250 qytetarë në lidhje me skandalin rreth vizave të rrejshme. U vërtetua se në konzulatin francez u dhanë rreth 400 viza në ditë tek 120-130 bullgarë që hyrën zyrtarisht. Çmimi ishte 500 deri 1000 DM. Vizat jepeshin vetëm duke lënë pasaportën dhe fotografitë. U dhanë edhe viza pune me ftesë fiktive të shtetasit francez Bernar Keks që kishte ndërmarrje në Francë dhe Bullgari, i cili thirrte bullgarët për "specializim". Në vend që vizat të jepeshin për dhjetë ditë, sa është afati normal, ato jepeshin brenda 24 orëve.
Për momentin janë katër persona që gjenden nën hetime shkaku i ndihmesës së tyre për emigrim të paligjshëm në Francë dhe bashkpjesëmarrës në kodoshllëk: z. Demanzh, mikja e tij bullgare dhe dy pronarë të firmës për prodhimin e ambalazhit në Sofje. Hetimet vazhdojnë.
Natyrisht se ambasadori Dominik Shasar hodhi poshtë "çdo përzierje të emrin të tij në dhënien e vizave".
Sipas fjalëve të ish-nëpunësit të tij Rudi Demanzhit, shef i misionit diplomatik dhe konsulli, ishin në rrjedhë të asaj që ndodhte, sepse ambasadori banonte afër rrugës së konsullatit dhe përmes dritares së tij për çdo ditë kishte mundësi të shihte "gjithë ato faunë".
"Kur sheh faunë para konzullatit, e kupton mjaft mirë se është një mjedis mafioz", deklaroi më 27 gusht Demansh për televizionin "Frans 2".
Në të vërtetë Demanzhi nuk është diplomat, ai ishte një nënpunës i thjeshtë që firmoste vizat franceze që dilnin nga shërbimi i konzullatit në Sofje. Së këndejmi nuk duhet të gjykohet për shkak të mungesës së taktit diplomatik. Por duhet të ketë së paku një kulturë elementare - që duhet të jetë e domosdoshme për një zyrtar të këtillë. Edhe më fyese tingëllon fjala "faun" që u tha në adresë të njerëzve të cilët, pa dëshirën e tyre, ishin të detyruar të prisnin në rende të gjatë dhe të maltretoheshin vetëm për shkak të procedurës nënçmuese të Shengenit. Nuk është në nderin e Parisit që të zgjedhë kuadro që bëjnë shaka jashtë shtetit. Sepse z. Demanzh nuk është francezi i parë i cili u tërhoq nga Sofja. Paraardhësja e saj Natali Kolombel, e cila në vitin 1999 iu drejtua atyre që prisnin viza me britma, fjalë të ndyta madje edhe kërcënime, gjithashtu u detyrua para kohe të braktiste Sofjen.
Dihet se në 11 misione në botë, të Parisit, ka probleme që janë analoge me vizat franceze të dhëna në Sofje. Ç'del nga e gjithë kjo - del se Shengeni është ushqim për nënpunësit diplomatik të korruptuar. Vetëm se askujt nuk i bie ndërmend t'i kualifikojë si "faunë".
Falë Zotit, bullgarët tani nuk janë të detyruar t'u ikin shërbimeve të nënpunësve sikurse z. Demanzh. Megjithatë, a nuk do të ishte më e mençur që barierat e vizave të hiqeshin edhe për shtetet tjera, qytetarët e të cilëve më me dëshirë paguajnë mito se sa t'u nënshtrohen procedurave nënçmuese. Kështu, njëkohësisht, do t'i iknin mundësisë që nënpunësit, sikurse z. Demanzh, t'i fusnin në kategorinë e "faunave".
Plamen KULINSKI (AIM)