Dera me tri brava

Skopje Jul 31, 2001

AIM Shkup, 28.07.2001

Edhe sikur të ndodhë çudia dhe që sot të shmanget rreziku luftarak në Maqedoni, megjithatë ka diç që mund të konsiderohet si akt i kryer. Kjo ka të bëjë me ardhmërinë e këtij shteti e cila do të jet e shënuar me historinë e dyfishtë – atë shqiptare që do të madhërojë trimërinë dhe heroizmin e pjesëtarëve të UÇK-së, gjegjësisht tjetra - historia e luftës së forcave të sigurisë në Maqedoni, të cilat, sipas veprimeve, kaherë e kan humbur kredibilitetin si mbrojtës e gjithë qytetarëve duke u shndërruar në mburojë e maqedonasve etnik. Një shtet multietnik që synon të ardhmen i ngarkuar me histori të dyfishtë në baza etnike që tani mund të shpallet humbës kolosal, nga shkaku i vetëm se nuk e ka shfrytëzuar mundësinë të ndërtonte një shoqëri qytetare ku individi, e jo grupi, do të jetë vlerë përmbi çdo vlerë.

Përndryshe, nga çasti kur nuk u shfrytëzua rasti (që nga koha e të shtënave të para të marsit në Tanushë), për të filluar negociatat ndëretnike dhe të arrihej tek zgjidhja konkrete, për shumë gjenerata maqedonasish dhe shqiptarësh etnik u vulos fati: të jetojnë nën të njëjtën çati, por si një çift i ndarë bashkëshortor, pa mos mundur të llogarisin në kurfarë komunikimi korrekt. Me çka do t'u mbetet të kënaqen me bashkëjetesë pa iritime të cilat janë të rëndomta pas shkurorëzimeve: duke harruar se ende jetojne ne shtëpi të përbashkët, gjat "natës" secili në të të thërrasë në "vizitë të dashurit" e vetë – maqedonasit etnikë vëllezërit e tyre sllav, shqiptarët bashkëkombasit e tyre nga Kosova dhe Shqipëria.

Aktivitetet e deritanishme ushtarake kaherë kanë kaluar pragun të krismave të lokalizuara dhe lufta ka kaluar në një konflikt të njëmendtë frontal. Me çka Maqedonia shkon gjithnjë e më afër ambisit së vetëshkatërimit të quajtur luftë qytetare. Dhe derisa maqedonasit etnik gjithnjë e më shumë parashtrojnë pyetjen: "Paj a me pushkë kërkohen të drejtat e njeriut?!" kurse shqiptarët përgjigjen: "Sikur të mos dëshironit luftë nuk do të luanit dhjetë vjet me kërkesat tona?", elitat politike, secila në mënyrë të vet, kan filluar të ndërtojnë alibi plotësuese për pafajësinë e vetë lidhur me situatën e frikshme para së cilës u gjend Maqedonia. Në kërkim të alibisë, që mund të konsiderohet edhe si shenjë e mirë (veçmas nëse është e nxitur nga bindja se konflikti është kah përfundimi), më së largu kanë shkuar ata që mbase në vetëdije ndiejnë fajin më të madh për luftën: elitat politike të kriminalizuara të cilat - pasi u bindën se populli së paku tani për tani nuk është aq naiv të pranojë insistimin e tyre të çmendur për të filluar luftë qytetare - destruksionin e tyre filluan ta mbulojnë duke shpërndarë mjegull nëpërmjet mediumeve maqedone për kurthet konspirative ndërkombëtare të Perëndimit kundër popullit maqedon dhe Maqedonisë. Me çka, ngjajshëm me atë filmin e kahmoçëm në regji të Millosheviqit, por tani si kopje e zbehur dhe mjaft qesharak, krerët partiak të VMRO-DPMNE-së, i shpallën luftë të përgjithshme gjithë botës perëndimore. Kështu për shembull kryeministri i vendit Georgievski, njëkohësisht edhe kryetar i VMRO-DPMNE, disa herë sulmoi publikisht Amerikën dhe vendet perëndimore si fajtorë për luftën në Maqedoni. Ithtarët e tijë e kuptuan porosinë dhe dolën në rrugë: më së pari në Manastir duke djegur gjithë gjërat që ishin pronë e "të dashurve të Perëndimit"- shqiptarëve, për t'ua paralajmëruar se ç'mund t'u ndodh në rast se nuk do të kishin “përkrahje” nga jashtë; pastaj demoluan disa ambasada sa t'ua tërhiqnin vërejtjen ca shteteve që jan vënë në “mbrojtje të terroristëve".

Ishin këto vetëm ca episode gjatë një tentimi të vazhdueshëm të disa qarqeve qeveritare dhe elitave politike të këtushme për ta shtyrë vendin në një kaos të përgjithshëm luftarak që të mund ta realizonin më vonë konceptin e "ndërrimit të territoreve dhe popullatës me Shqipërinë”, koncept që u lëshua si “tollumbace provuese" nga qarqe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Në të vërtetë dëshmi se qarqet e këtushme politike asnjëherë nuk kanë menduar për paqen, por se si të fitohet lufta është e dhëna se pas çdo armëpushimi, shteti e shtonte potencialin ushtarak duke përforcuar aviacionin me helikopterë dhe avionë ushtarakë, duke zbrazur thuajse gjithë arsenalin e vjetër të armëve dhe municionit në depot e Ukrainës dhe Bullgarisë, duke harxhuar paratë e fituara nga shitja e pronës shtetërore të parapara për ndërtimin e objekteve të infrastrukturës. Në ndërkohë, ministri i brendshëm zbatoi konceptin e tij të "popullit të armatosur": u ndau "kalashnikovë" maqedonasve etnikë të cilët nuk mund t'i mbrojë askush në rast se vjen deri tek lufta qytetare; atje ku janë pakicë – në Maqedoninë Perëndimore. Me çka ua caktoi rolin e dyfishtë – edhe mbrojtës edhe viktimë. Në rast se e pësojnë të numërohen në mesin e viktimave civile; në rast se vendosin të përdorin "kallashnikovët" që pakëz të luftojnë me UÇK (Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare), të kenë mbështetje institucionale të "mbrojtësve të mobilizuar".

Për dallim nga partitë politike me emblemë etnike maqedone, partitë shqiptare e kishin më “lehtë” të gjenin strofkull për të mjegulluar kontributin e tyre të deritanishëm në politikën ditore, që e shndërroi Maqedoninë në një "arë" pjellore për konflikte ndëretnike. Pas akuzave fillestare të ndërsjellta në stilin "tradhëtar" dhe "patriotë" partitë shqiptare bënë të vetmen gjë që u mbeti: u paraqitën në "raport" para përfaqësuesit politik të UÇK-së Ali Ahmetit në Prizren (ku u nënshkrua platforma e përbashkët për kërkesat e shqiptarëve) duke i përputhur qëndrimet e tyre për vazhdimin e bisedimeve me çka arritën që në çastin e fundit t'i shmangeshin rrezikut të detronizimit të plotë nga skena politike që pa dyshim do t'u ndodhte në rrethanat kur për çdo ditë rritet elektorati i tyre që detyrohet të mbrohet nëpër bodrumet e errëta nga granatat ose të ikë në Kosovën. Pra në kohë kur të rinjtë vazhdojnë t'u bashkangjiten rradhëve të UÇK-së.

Në ndërkohë bisedimet politike ndërmjet bllokut politik shqiptar dhe maqedonas shpesh bllokohen dhe çbllokohen, thuajse bëhet fjalë për një motor të vjetër dhe të amortizuar. Kjo edhe nuk paraqet diçka e papritur kur dihet se bisedojnë ata që dhjetë vite nuk u morën veshtë si t'i relaksojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe kur në ekipet e "ekspertëve" janë edhe autorët e kushtetutës së tanishme defektuoze. Pra, dialogojnë shumica e më meritorëve për luftën në Maqedoni. Ndërkohë, gjatë çdo ndërprerje të bisedimeve, riprtrihen luftimet, shtohet numri i zonave të përfshira në flakën e luftës si dhe rritet numri i personave të shpërngulur që tani sillet në afër 110 mijë qytetarë, prej të cilëve rreth 70 mijë shqiptarë që kërkuan shpëtim në Kosovë. Kështu që gjithnjë e më shumë qartësohet se Maqedonia ka mjaft ithtarë të luftës, por nuk ka institucion shtetëror që do të përpiqeshin të mos vijë deri tek ajo. Madje edhe vetë kryetari, i cili duhej të ishte ndërmjetësues në bisedimet, nervozohet me propozimet e shqiptarëve duke harruar se nuk është vetëm kryetar i maqedonasve etnik dhe se, derisa vazhdojnë bisedimet, nuk duhet mbajtur ndonjë anë, për çka humbi kredibilitetin e ndërmjetësit të paanshëm sa u desh të vijnë Leotard dhe Pardew që dialogu të lëviste drejt një zgjidhjeje politike.

Gjatë disa muajve të kaluar në Maqedoni kanë frekuentuar shumë diplomatë, ekspertë, burrështetas Filloi edhe nj sezon i "turizmit" diplomatik, sikundër herave tjera të ndodhura më parë në Ballkan, por tani nën parullën: Zgjidhja e konfliktit shqiptaro-maqedonas ! Askush në këtë rast nuk mund të kontestojë qëllimin e mirë të të huajve që t'i ndihmohet këtij shteti të vogël multietnik për të gjetur çelsin me të cilin do hapej "dera hyrëse" për zgjidhjen e problemeve, por të gjithë thujase nuk vërejnë diçka të dukshme: se dera është mbyllur me një bravë të trefishtë dhe nuk hapet me një çelës të vetëm. Njëra bravë është e mbyllur me kërkesat e pazgjidhura dhjetëvjeçare të shqiptarëve, pa zgjidhjen e të cilave nuk mund të mendohet një Maqedoni stabile dhe pa konflikte. Çelësin e dytë e ka rryma e udhëhequr nga qarqet politike përreth Lidhjes Socialdemokrate të Branko Crvenkovskit që do të ndërtonin Maqedoninë "qytetare" por me popullin shtetformues – maqedonasit etnik dhe "qytetarë të tjerë". Çelësin për dryrin e tretë e mbajnë në dorë strukturat politike të udhëhequra nga qarqet e VMRO-DPMNE-së, partisë së tanishme dominante në qeveri në krye me Lubço Georgievskin që preferon luftën me bindje se nuk është i mundshëm shteti i përbashkët me shqiptarët dhe duke qen i bindur se ka ardhur koha për larjen e hesapeve me to. Në të vërtetë, çelësi i tretë është ai që fshehet më me mjeshtri dhe mban më fortë të mbyllur derën që mund të sjellë paqë në Maqedoni. Kaherë disa liderë të VMRO-DPMNE-së mendojnë se përkrahja ndërkombëtare që i jepet Maqedonisë duhet shfrytëzuar për të përdorur gjithë potencialin ushtarak për t'u nxitur pastrimi etnik që bashkësia ndërkombëtare të sillet para "aktit të kryer", ashtu siç ka ndodhur shpeshherë në këto hapësira ballkanike. Por, në ndërkohë duket se këtë strategji destruktive të këtyre qarqeve poltike e kanë hetuar të gjithë, përfshirë edhe pjesëtarët e UÇK-së të cilët deri tani u treguan mjaftë të kujdesshëm të mos kalohet pragu që të ndizet gjithë Maqedonia. Sëkëndjemi edhe pohimet se edhe sikur të vijë tek ndonjë zgjidhje politike e konfliktit në Maqedoni, shteti do të jetë larg stabilitetit dhe larg mundësisë që të kthehen raportet ndëretnike në një gjendje të durueshme, nuk janë larg të vërtetës. Nëse jo për diçka tjetër atëherë për shkakun se Maqedonia u bë deponi armësh të ndryshme, veç atyre të kryengritësve shqiptarë u shpërndanë armë stihikisht edhe nga disa struktura qeveritare për gjithë ata që u konsideruan si të rrezikuar, të cilët me letërnjoftimi dëshmuan se janë maqedonas etnik, kurse me libreza partiake se janë pjesëtarë të VMRO-DPMNE-së.

Sado të pabesueshme që duken, megjithatë ka të vërtetë brenda pohimeve se në periudhën e pasluftës nuk do të jetë problem i veçantë çarmatosja e UÇK (këtë obligim e ka marrë NATO), për çka askush nuk është aq naiv të besojë se rezultatet do të jenë të qindpërqindta. Por, do të jetë problem se si do të çarmatosen strukturat paramilitare të armatosura sipas përkatësisë etnike dhe partiake. Prej këtu edhe pohimet se Maqedonisë pas luftës (nëse përfundon) mund t'i ndodh të ketë dy armata dhe dy polici – atë shtetërore dhe atë partiake të VMRO-DPMNE-së, gjë që do të jetë shumë e rrezikshme si për bllokun politik brendamaqedonas gjithashtu edhe për shqiptarët. Në tërësi kjo do ta çonte Maqedoninë drejt një jostabiliteti afatgjatë dhe do të jetë një vend konfliktuoz. Së këndejmi edhe pyetja e parashtruar nga njerëzit me qëllim të mirë: pse faktori ndërkombëtar parasheh vetëm çarmatosjen e UÇK-së kur edhe zogjtë e malit e dijnë se në Maqedoni ka shumë "vojvoda" dhe paramilitarë maqedonas? Kush e di, mbase pas përgjigjes së kësaj pyetje do të gjurmohet kur do të gjendet çelësi për dryrin e trefishtë të derës nëpër të cilën Maqedonia mund të arrijë deri tek paqa ose, më së voni, kur do të zbulohet se Maqedonia është shtet për ekzistimin e së cilit edhe mëtej nuk ekziston koncept i përbashkët i pranuar për të gjithë.

Kim MEHMETI