Së shpejti ligji kundër korupsionit

Sarajevo Jul 31, 2001

Socializmi në kulmin e vetë u ballafaqua me prishjen e drejtpeshimit social dhe pasurimin e elitës së atëhershme politike, me ç'rast kërkoi zgjidhjen në formimin e "komisionit për shqyrtimin e prejardhjes së pronës". Disa dhjetëvjeçarë më pas, BeH në tranzicion, që është një e drejtë e natyrshme të përfshihet në fondet publike edhe si pronare, në luftë kundër korrupsionit zbaton adutin më të fuqishëm - komisionin parlamentar për luftë kundër korrupsionit.

AIM, Sarajevë, 19.07.2001.

Shtatë anëtarët e Komisionit federal për luftë kundër korrupsionit, të veshur me "havajka" dhe brekë, me kapela kashte në kokë dhe me "japanka" në këmbë, enden poshtë e lartë, nga banka në bankë në ishujt Kajmane. Nën diellin përvëlues të mesditës hulumtojnë se athua ndonjë nënpunës fatkeq boshnjak, për të cilin është përfolur se ka marrë provizion nga ndonjë projekt në punët publike, ç'llogari dhe sa të holla ka mu në atë bankë. Pastaj i tregohet drejtorit të bankës kartoni i pronësisë, i vërtetuar në gjykatën komunale në Busovac ose Tesnja (qytetet më të vogla boshnjake, vër.aut.), me firmën e të dyshuarit që çliron nga përgjegjësia bankierët për vërtetësinë e të dhënave. Nuk duhet dyshuar se përmes këtij argumenti do të merren të dhëna të plota për gjitha listat e klientëve bankar, përfshirë edhe adresarin personal të drejtorit. Nëse para kësaj nuk ka ndërmarrë diçka policia vendore, e cila nuk ka marrë mendimin kompetent medicinal për shëndetin e tij mental!

Pas gjithë strategjive të deritanishme në letër, studimeve dhe analizave në luftë kundër korrupsionit, kjo është një gjendje nadrealiste, por që mund të bëhet realitet, pasi Federata BeH së shpejti do të ketë Ligjin për pengimin e korrupsionit. Pritet që e njëjta gjë të ndodh edhe me Republika Srpska, gjegjësisht shtetin BeH. Kështu edhe zyrtarisht i shpallet luftë çdo lloj korupsioni, kurse zyrtarët që u infiltruan në kësi punësh do të ballafaqoheshin me sanksione - marrjen e parave dhe pronave të fituara në mënyrë të paligjshme.

Rol kryesor do të paraqiste vërtetimi i komisionit parlamentar për luftë kundër korrupsionit, shtatë anëtarët e së cilit do të emëroheshin për periudhën katërvjeçare, pa mundësi rizgjedhjeje. Detyrimi për të paraqitur pronësinë e tyre para komisionit do vlente si për të zgjedhurit e popullit, poashtu edhe për funksionarët e emëruar dhe anëtarët e familjeve të tyre. Që të mund të ndërpritet në zanafillë mundësia për malverzime, partitë politike, shoqatat qytetare ose sindikatat nuk do të mund të llogarisin në të ardhmen në paratë e fondeve publike dhe arkat e firmave shtetërore. Gjatë viteve të kaluara, në këtë mënyrë, nga buxheti rrodhën miliona marka dhe përfunduan drejtpërsëdrejti ose tërthorazi në arkat e partive politike që kontrolloheshin nga udhëheqësia më e ngushtë. Ky hap do rezultojë me ndryshime të dukshme edhe në sektorin e OJQ (organizatave joqeveritare), sepse mbijetesa e tyre e mëtutjeshme do të varet nga aftësia për të gjetur të holla për aktivitetet e tyre. Praktikisht burime materiale për ta ishin donacionet e qytetarëve, firmave private dhe organizatave ndërkombëtare. Tani kur shumica e popullatës është buzë skamjes është vështirë të shpresohet se qytetarët do të jenë burim të hollash për OJQ-të. Ngjashëm është edhe me firmat private, sepse shkaku i vështirësisë së përgjithshme ekonomike firmat e vendit janë buzë falimentimit, kurse pronarëve të firmave relativish të fuqishme nuk u ha palla për OJQ-të. Ndërmjet ahengjeve në kafene në llogari të firmave dhe donacioneve për ndonjë OJQ, kafeneja ka përparësi absolute. Mbeten të huajtë të cilët nga dita në ditë shterrin praninë dhe fondet e tyre në BeH, duke u shpërngulur në lindje, matanë Drinës.

Rregulla e deritanishme e OSBE-së, që gjatë ardhje-ikjes nga funksioni, funksionari ishte i detyruar të plotësonte kartonin e pronësisë, do të zyrtarizohet me këtë ligj, gjithashtu edhe vendimi për mospasjen e mundësisë që njëkohësisht të mund të kesh funksion në organet federale dhe ndërmarrjet shtetërore. Si risi është vërtetimi në gjyq i deklaratës së pronësinë, kurse kjo përveç njerëzve të zgjedhur nga populli përfshin edhe familjen e tij, që në të ardhmen, gjatë mandatit të ministrit/ministres mos të ndodh që bashkëshortja/bashkëshorti të tregojë "aftësi të jashtëzakonshme si biznesmen" dhe të humbet posa të largohet nga funksioni. Nënshkrimi në kartonin e pronësisë njëkohësisht paraqet edhe pajtueshmëri që bankierët i çliron nga detyrimi për ruajtjen e fshehtësisë bankiare kur është në pyetje llogaria e atij që e firmos. Edhe pse kjo tingëllon ëmbël, mbetet çështje se si do të funksionojë në praktikë dhe së këndejmi edhe rrëfimi në fillim të tekstit. Në bankat e vendit mbase edhe mundet, por kaherë paratë e dyshimta nuk mbahen në bankat ballkanike, por në vendet më ekzotike, nga Karibet deri në Qipro. Atje ka plot diell, plazhe plot rërë dhe gjithçka tjetër, kurse bankierët nuk pyesin as për emrin e klientit me valixhen plot para, e ku më për prejardhjen e parave.

Që ndonjë nënpunës të gjendet nën prizmin e komisionit është i nevojshëm që pas dyshimit të "bazuar" të qëndrojnë së paku 20 deputetë të Parlamentit në FBeH, kurse rezultatet e hetimeve duhet të publikohen në afat prej 60 ditësh. Në mënyrë automatike, funksionarët kanë obligim që Komisionit t'ia paraqesin çdo ndryshimi në gjendjen e tyre pronësore, blerjen apo shitjen e banesës apo shtëpisë, veturës etj. Kryesisht, ligji parasheh që çdo përmirësim i gjendjes materiale, pa marrë parasyshë në është fjala për para të patundshme ose diçkaje tjetër, me vlerë mbi 50 përqind të të ardhurave mujore, që do të ishin rreth 20 mijë marka, menjëherë të shënohet në kartonin e pronësisë. Nëse funksionari "harron" të kryejë obligimin për ta paraqitur pronën, atëherë komisioni do të kërkojë nga drejtoria kompetente e hyrave ndalimin e përkohshëm të posedimit të kësaj prone, derisa gjithë rasti nuk zgjidhet nga Gjykata Supreme.

Politikanët në pushtet, sipas propozim ligjit të ri për antikorrupsion, do të mbeten edhe pa "sportin" e tyre të dashur: vendosjen e gurthemeleve dhe prerjes së shiritave për lëshimin në përdorim gjatë fushatës parazgjedhore të rrugëve të reja, shkollave, ujësjellësve, sepse këtë e ndalon ligji. Nuk do të mund të bëhet pagesa e jashtëzakonshme e të ardhurave mujore, pensioneve dhe ndihmave sociale në këtë periudhë, që gjithashtu paraqet një tentim për të fituar përkrahjen e zgjedhësve.

Shpallja e pavlefshme e gjithë akteve juridike që vërtetohen se janë si rezultat i korrupsionit do të shpallen të pavlefshme, që është përparësi nga gjendja e deritanishme. Kjo do të thotë se nëse ndërhyn për ndonjë punë në firmë ose bën ndonjë dallavere tjetër finansiare sa paratë të arrijnë në arkat partiake apo në xhepa privatistësh, pranuesi i tyre do të detyrohet t'i kthejë mbrapsht. Nëse do të zbatohet ky vendim, atëherë buxheti retroaktiv i FBeH do të ishte më i pasur për disa qindra milionë marka. Se sa do të ketë sukses pushteti i ri në luftë kundër korrupsionit kjo nuk do të varet aq shumë nga ligjet dhe komisionet se sa nga gatishmëria e gjithë atyre që duhet të marrin të ardhurat e veta në përputhje me ligjin. Interesi i gjithë qytetarëve është që komisioni i ardhshëm parlamentar për luftë kundër korrupsionit të mos e përjetojë fatin e "komisionit për shqyrtimin e prejardhjes së pronës".

DRAZHEN SIMIÇ