Zgjidhja e fundit e Karaxhiqit për Çmimin "mbretëria qiellore"
Zgjidhja e vetme e Karaxhiqit çon drejt gjendjes për të zgjedhur ose jo të vajtojë në pajtim me kallëpin mitik që e krijoi për vete vite me rradhë. Por, mbetet problem se sa më afër qillit të jetë, po aq lartë do të mbetet edhe Republika Serbe (Republika Srpska). Ndërkaq qielli nuk është ndonjë hapësirë për një jetë normale dhe të rregullt të ndonjë shteti, madje as të entitetit.
AIM, Banjallukë, 23. 07. 2001.
Takimin e afërt ndërmjet pretorianëve të Radovan Karaxhiqit dhe komandove të NATO-s e vërtetuan për AIM-in disa burime të ndryshme policore dhe ushtarake në Republikën Serbe, të pavaruara nga njëri - tjetri. Mbetet çështje tjetër se çka ndodhi në këtë rast. Problemi kryesor që na pengon të mësojmë të vërtetën është ndeshja ditën e premte e dy formacioneve fantome. Së pari, truprojet e Karaxhiqit nuk ekzistojnë askund zyrtarisht, prandaj është e pakuptimtë të interesohesh në spitalin e Foçës apo Nikshiqit dhe të pyesësh se a ka pacientë në librezat e të cilëve qëndron vula "Karaxhiq security". Njëkohësisht, as ushtarët e specializuar të armatës britanike SAS (Special Air Service), për të cilët besohet se janë në vijën e parë në kërkim të kryetarit të dikurshëm të RS, nuk sillen rreth e përqark me legjitimacione zyrtare dhe as marrin me vete nëpër Bosnjë zëdhënësit. Në rast se ka ndodhur ndeshja secili i ka grumbulluar të plagosurit dhe është tërhequr në versionin zyrtar të mosekzistimit.
Kjo situatë zgjoi kërshërinë e gazetarëve, megjithatë u duk se pjesëtarët e SAS-it gjatë vëzhgimit të terrenit shkojnë në grupe prej 12 komandove, në kërkim të Karaxhiqit, të rrezikuar nga sulmet kundërshtare. Ata voziten me taksi dhe pyesin vendasit në kanë parë një njeri si lypës me flokë të shprishura. Nga ana tjetër, SFOR-i dhe Haga demantojnë një gjë të këtillë. Më në fund dikush dëgjoi se si zëdhënësi i forcave paqëruajtëse ose Florens Artman t'u thoshte gazetarëve: sot kemi pasur një aksion të pasuksesshëm nga i cili mbajmë shumë saçma në anën e pasme.
AKSIONI TASHMË KA FILLUAR: Para së gjithash një aksion për kapjen e Karaxhiqit, që nga 1997, nuk dështoi se komandot e NATO-s u nisën dhe u ballafaquan me njerëzit e Karaxhiqit dhe kuptuan se serbët janë të pamposhtur. Nëse pajtohemi, doemos duhet të konstatojmë se këto aksione kanë pjesën e vet ushtarake apo politike. Ose amerikanët kanë vlerësuar se fitorja politike e kapjes së Karaxhiqit nuk mund të arsyetohet me vrasjen eventuale të ushtarëve gjatë aksionit, ose francezët ndërprenë aksionin shkaku i borxheve të mëparshme ndaj Karaxhiqit dhe Mlladiqit, kur në vjeshtën e vitit 1995 në rrethana ende të pasqaruara kthyen dy pilotët e rrëzuar, ose britanikët u shmangën në çastin e fundit kur e kuptuan se aksioni i planifikuar është vetëm një mashtrim i kundërzbuluesve.
Gjërat në ndërkohë ndryshuan shumë: në politikën e fuqive të mëdha aksioni i arrestimit të Karaxhiqit filloi vetëm një ditë pasi Sllobodan Millosheviqi kishte marrë batanijen në Sheveningen. Të shohim se çka ka humbur atë ditë Karaxhiqi. Së pari, u desht të heshtin gjatë Vidovdanit të gjithë ata që menduan se taktika e Perëndimit ndaj Serbisë, dru të fortë dhe një karrotë të vogël jo vetëm nuk është humane por edhe joefikase. Në pyetjen se ç'i mbeti Perëndimit pas kësaj, përgjigja është e qartë: të vazhdohet të trokitet në derën e Mlladen Ivaniçit duke e pyetur për Karaxhiqin. Kështu Karaxhiqi nuk ka më se ku të shkojë. Nuk mund të veprojë sipas taktikës së hershme për t'u mbrojtur që, saherë që zihej ngusht në Bosnjë shkonte në Serbi ose në Mal të Zi,sepse në të ardhmen ka shumë të vërtetë që komandot e SAS-it të shfrytëzojnë njëkohësisht territorin e Serbisë, Mali të Zi dhe Bosnjës. Veç kësaj nuk ka kurfarë shprese për të se Ivaniçi dhe deputetët e RS do të kundërshtojnë kërkesat e të huajve për ta kapur dhe dorëzuar të akuzuarin për krime lufte. Përkundrazi, për Tomas Milerin dhe Volfgang Petriçin sikur aspak nuk është e rëndësishme se a dëshiron parlamenti i RS më 24 korrik ta miratojë apo jo ligjin për bashkëpunim me Hagën.Ata vetëm do të shohin es-de-esat e Karaxhiqit se si votojnë dhe sipas gishtave të tyre të ngritur do të shohin se si kanë rrjedhur punët përgjatë një viti në RS.
MODELI MITIK: Karaxhiqi – i cili gjatë pesë viteve të fundit nuk qëndroi në male aq sa besohej - me miratimin e ligjit (madje edhe mosmiratimin e tij, ku Qeveria e RS-së do të detyrohet që ta rregullojë drejt çështjen e dorëzimit në bazë të statutit të Tribunalit) nuk do të ketë asnjë pëllëmbë toke ku nuk do të ndjehet ndryshe përveç se si i arratisur. Kështu rruga e tij në horizontalen tokësore do të përfundojë, kurse a do të mbyllet për një javë ditë apo për tre muaj dhe a do ta bëjnë këtë “sasovsët” që vijnë me taksi ose me biçikleta, është shumë pak e rëndësishme.
Veç kësaj nuk duhet përçmuar as sigurimin e Karaxhiqit, që faktikisht nuk ka pasur konflikt të njëmendtë me të huajtë, kurse kur do të vijë te kjo gjë së pari do të kenë gjurmuesit, që pas kësaj do të jenë të sigurtë se e kanë locuar problemin. Me fjalë tjera, në çastin kur dështuan gjitha gjasat politike të Karaxhiqit dhe kur serbët dhe bota arritën koncensus që kryetari i dikurshëm i RS nuk mund që të shëtis nëpër botë, orientimi i gjasave të Karaxhiqit drejt personelit për sigurimin e tij është vetëm një nga lojërat e fundit patriotike të gazetarëve kurreshtar. Sepse sigurimi i tij në këtë çast ka të vetmen zgjidhje para vetes - ta shesë pak apo shumë lëkurën e shefit të tyre, e jo ta mbrojë apo t'ua dorëzojë pjesëtarëve të SAS-it.
Problemi i Karaxhiqit nuk qëndron tek kapja e tij as tek horizontalja e tij gjithnjë e më tokësore, veçmas pas arrestimit dhe dorëzimit grotesk të Millosheviqit në Hagë, ku nga gjithë dimensioni i heroit popullor, që e krijoi me vite për vetveten, mbetën vetëm 9 minuta me të cilët e çuditi gjyqin në Hagë, kurse problemet e Karaxhiqit janë probleme të raportit me "mbretërinë qiellore". Sepse ai - dorën në zemër, më shumë përmes ndihmës së armiqve sesa miqve, për pesë vjet shmangie nga opinioni publik krijoi imazhin e njeriut që u tërhoq nga pushteti dhe u viktimizua për interesin e popullit. Gjatë kësaj kohe ai manipuloi shkëlqyeshëm me toposet mitike rreth heroit popullor që mbetet i padukshëm para zhurmës, i veshur si eremit ortodoks, që shuan etjen në male me vesën e mëngjesit. Ata që kanë pasur rastin ta shihnin gjatë viteve të fundit thonë se ai edhe vetë i beson këtij roli, prandaj shpesh i lutet Zotit dhe maksimalisht i është dhënë religjionit dhe ka bindjen mitike se është një viktimë e pafajshme.
Nëse për momentin serbët nga të dyja anët e Drinës zgjedhin ndërmjet karikaturës së hipertrofuar të një modeli tradicional e mitik dhe mitit modern të mbijetesës nën ombrelën botërore pa të cilën nuk mund të mbijetohet, fundi i rrëfimit për Karaxhiqin mundet që gjithë përzierjes dhjetëvjeçare t'i japë një rëndësi përfundimtare. Ç'do të thotë kjo? Nëse Karaxhiqi, siç mund të dëgjohet nga njerëzit që konsiderohen si miq të tij, përfundon si i vdekur, i vrarë nga truprojet në rast se gjërat janë parrugëdalje (e ata janë) dhe nëse trupi i tij zhduket ky do të ishte problem i madh jo vetëm për këndelljen e serbëve, por të gjithë Bosnjës. Kjo do të ishte e vetmja marri serbe që do të shkonte deri në fund, për dallim nga Millosheviqi, i cili duke aktruar pragmatizëm në fund shfrytëzoi aftësinë mitoligjizuese të kolektivitetit. Karaxhiqi atëherë do të mund të shndërrohej në vatër mitike për të gjitha të hollat që nuk vijnë në Bosnjë, për gjithë varfërinë që i ka kapluar serbët e Bosnjës. Karaxhiqi i vdekur mund të bëhet më i fuqishëm se sa ishte sa qe gjallë.
Në rast se dërgohet në Hagë dhe në rast se gjykohet sërish do të shohim një plak të drobitur, i cili gjatë viteve sa fshehej nuk kishte asgjë nga jeta e shpellave të Stari Novakës, por priste në një dhomë të ngrohtë për të arritur marrëveshje për diçka të keqe. Pamja mitike e Karxhiqit, i cili në këtë drejtim e kaloi edhe Millosheviqin për aq sa Millosheviqi ishte politikan më i fuqishëm se sa ai, do të çojë drejt gjendjes që lëvizja serbe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të kryqëzohet në mitin e vetë të fundit.
Zgjidhja e vetme e Karaxhiqit shpie drejt kësaj. Problemi megjithatë qëndron aty se sa më afër qiellit do të jetë ai, aq afër do të jetë edhe RS.
ZHELKO CVIJANOVIQ