"Trepça" udhëhiqet nga UNMIK-u, apo nga Qeveria serbe?
Prishtinë, 31.07.2001.
Nebojsha Çoviq, nënkryetar i Qeverisë serbe, javën e kaluar ishte në veri të Kosovës, ku solli një befasi për UNMIK-un dhe strukturat politike të Kosovës. "Në mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe të Kuvendit të Akcionarëve të 'Trepçës', të mbajtur në Zveçan, Nebojsha Çoviq është zgjedhur kryetar i Këshillit Drejtues të Kombinatit", thuhet midis tjerash në kumtesën e shkurtër të lëshuar nga kjo mbledhje.
Befasia e lajmit qëndron në faktin se administrata ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-u, e ka formuar një resor që merret vetëm më "Trepçën". Pastaj, që nga gushti i vitit të kaluar, kur nga Zveçani me intervenimin e KFOR-it punëtorët (serbë) u nxorën nga shkritorja, UNMIK-u thotë se administron me "Trepçën" dhe janë duke u bërë përgatitjet për aktivizimin e saj.
Lajmi nuk pritej nga askush, pohojnë edhe ekspertë kosovarë të ekonomisë, madje ishte krijuar një bindje se problemi i "Trepçës" është i zgjidhur. "Ne nuk kemi arsye të mendojmë se z. Qoviq në çfarëdo mënyre do të ndikojë në administrimin e kësaj prone nga UNMIK-u", tha Susan Manuel, zëdhënëse e UNMIK-ut. "Ne e kuptojmë se kjo kompani (serbe) është një ndër pretenduesit e pronësisë për kompleksin e 'Trepçës', por ky kompleks në Kosovë është nën administratën dhe menaxhimin e UNMIK-ut", tha ajo.
Mike Todd, zëdhënës i shtyllës IV të UNMIK-ut mendon se emërimi i Çoviqit si udhëheqës të bordit drejtues "pretendon të drejtën e pronësisë mbi `Trepçën". Në këtë kontekst, tha ai, "nuk do të ketë pronësi, pasi që kompleksi i 'Trepçës' ndodhet në Kosovë nën administrimin e UNMIK-ut dhe në përputhje me Rezolutën 1244 dhe të konfirmuar me nenin 6 të rregullores së UNMIK-ut 1999/1".
Z. Todd ka prekur kështu problemin më të dhimbshëm në "Trepçë", atë të pronësisë. Pretendimet për këtë janë të shumta, madje ato datojnë edhe në kohët e paraluftës, kur kompani gere dhe franceze ishin mjaft të angazhuara për ruajtjen e aksioneve të tyre në këtë konglomerat.
Pa marrë parasysh këtë, UNMIK-u disa herë është deklaruar se të drejtat pronësore të paraluftës në "Trepçë" janë një kaptinë e mbyllur. Pretendentët mund të dëshmojnë pronësinë vetëm përmes gjyqit.
Emërimi i nënkryetarit të Qeverisë së Serbisë, z. Nebojsha Çoviq në krye të Këshillit Drejtues të "Trepçës" aludon edhe në sigurimin e aksionarëve në të drejtën e tyre mbi pronësinë e kombinatit. Tek e fundit, besimin atij ia kanë dhënë aksionarët në kuvendin e tyre, të mbajtur në Zveçan.
Për këtë arsye reagimet e shqiptarëve ishin mjaft të ashpra. Ato shkojnë në dy drejtime - nga qeveria serbe dhe nga UNMIK -u. Kryetari i KK të Mitrovicës, Faruk Spahija, emërimin e zëvendës kryeministrit serb për udhëheqës të bordit të "Trepçës" e quajti si "iluzion të serbëve të Kosovës për të zotëruar menaxhimin dhe pronësinë ndaj "Trepçës". Spahija tha se të gjithë ata që mendojnë se jashtë Kosovës mund të kërkohet trashëgimia e "Trepçës", duhet të heqin dorë. "Pa marrë parasysh se në të kaluarën ka patur investitorë dhe njerëz që kanë menaxhuar me `Trepçën', ajo tani duhet të konsiderohet si pasuri e Kosovës," shtoi ai.
Po ashtu, emërimi i z. Çoviq në krye të "Trepçës", është cilësuar si thyerje e Rezolutës 1244. Emërimi, nga Qeveria serbe, i Çoviqit për drejtor të kombinatit 'Trepça' politikanët kosovarë thonë se nuk është bërë për qëllime ekonomike. "'Trepça' është pasuri e Kosovës dhe me këtë pasuri administron administrata e UNMIK-ut," tha Naim Jerliu, nënkryetar i Lidhjes Demokratikë të Kosovës. "Ekziston udhëheqësi ndërkombëtar dhe në asnjë mënyrë nuk ka kurrfarë baze që dikush tjetër të pretendojë menaxhimin me 'Trepçën' dhe pasurinë e Kosovës," tha ai. Për Hajredin Kuçin, nëkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ky emërim është politik edhe nuk është bërë për përparimin ekonomik të 'Trepçës', por për të treguar një forcë politike. Në anën tjetër, z. Muhamet Kelmendi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se një emërim i tillë është provokim dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Në faqet e të përditshmeve në Kosovë ka ditë që botohet një konkurs për "menaxher të 'Trepçës', zona jugore dhe qendrore". Ndër të tjera thuhet se "kandidati do të punojë ngusht me menaxhmentin e shqiptarëve të Kosovës dhe do të jetë përgjegjës për udhëzimet në "Trepçë" në procesin e tranzicionit nga gjendja e saj jooperuese në gjendje prodhimi, aty ku ka mundësi". Madje, sipas konkursit, do të ishtë ideale që kuadri të ketë përvojë nga "Ballkani, Evropa Qendrore dhe Lindore, ose nga ish-Bashkimi Sovjetik".
Konkursi ka krijuar befasi sa edhe emërimi i Çoviqit. Opinioni këtu tashmë po e shtron pyetjen: a thua që të gjitha faktet flasin për një ndarje përfundimatre të "Trepçës"? UNMIK-u hesht rreth kësaj çështjeje, por më heret ekspertët pranë administratës ndërkombëtare kanë vlerësuar se "Trepça" do të aktivizohej më lehtë nëse do të ndahej në ndërmarrje më të vogëla!
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI