Të jesh polic apo i papunë?
Prishtinë, 30.07.2001.
Forcave të Shërbimit Policor të Kosovë do t'u shtohen edhe 1 mijë e 500 pjesëtarë të rinj deri në vitin e ardhshëm, ndërsa tashmë ka filluar procesi i përzgjedhjes së kandidatëve që do t'u nështrohen fazave të përgatitjes shkollore dhe strëvitjes. Me ditë të tëra para dyerve të stacioneve të policisë kanë pritur në rreshta të gjatë mijëra njerëz për të marrë aplikacionet për konkurim. Interesimi për të konkuruar ishte i jashtëzakonshëm, thotë zëdhënësi i policisë së Kombeve të Bashkuara, Charlie Johnson, sipas të cilit "të njëzet mijë aplikacionet e para janë shpërndarë gjatë tri ditëve, ndërsa është dashur të shtypen edhe njëzet mijë të tjera. Mirëpo, duket se ndërkohë edhe 5 mijë aplikacione të reja u shpërndanë, për ta çuar në 45 mijë numrin e përgjithshëm të konkuruesve. Zyrtarët e policisë ishin entuziazmuar nga numri i tillë i jashtëzakonshëm i njerëzve që duan të veshin uniformat "blu". Ata, thjesht, thanë se janë të mahnitur për disa arsye. Zëdhënësi i policisë thotë se në radhë të parë "këtu bëhet fjalë për një shoqëri, e cila deri para tri vjetësh kishte frikë nga forcat ekzistuese të policisë, ndërsa ata tash shihen policë të rinj në rrugë dhe kjo ka bërë që uniforma dhe kushtet e punës të jenë tërheqëse për të rinjtë". Për çdo ditë në rrugët e Kosovës shihen policë, të cilët përshëndesin njerëzishëm, zbatojnë rregullat dhe janë të "pakorruptueshëm", pohojnë zyrtarët ndërkombëtarë. Organizatat humanitare, si Këshilli për Mbrotjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nuk kanë shënuar ndonjë rast të shkeljes së të drejtave të qytetarëve nga ana e pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës. Ndoshta ishte ky burimi i entuziazmit të zyrtarëve, të cilët kujtojnë periudhën kur vendi kontrollohej nga uniformat "blu" që ishin shndërruar në simbol të terrorit.
Por, entuziazmi dhe mahnitja e zyrtarëve ndërkombëtarë duket se është vetëm njëra anë e medaljes. Nëse nuk ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, jo rrallë janë shënuar shkelje të të drjetave të policëve të rinj nga qytetarët e rëndomtë. Një zëdhënës i policisë së Kombeve të Bashkuara, Derek Chapell, publikoi shifra shqetësuese të dhunës kundër policisë. Zoti Chapell tha se "Shërbimi Policor i Kosovës është gurthemel për ardhmërinë e Kosovës dhe refuzimi i njerëzve për të pranuar legjitimimin dhe zbatimin e drejtë të ligjit, është dëshmi për papjekurinë e shoqërisë". Dhe kjo deklaratë pasoi një seri sulmesh dhe kërcënimesh që qytetarët e Kosovës u kanë bërë pjesëtarëve të Shërbimit Policor. Vetëm gjatë dy javëve të para të muajit korrik, janë shënuar 17 sulme fizike dhe kërcënime mbi pjesëtarët e policisë nga civilët kosovarë, thuhet në raportin e policisë së Kombeve të Bashkuara. "Ne jemi duke i dhënë Kosovës një shërbim policor demokratik dhe profesional. Shumë nga këta policë janë të rinj, idealistë, përplot me krenari dhe shpresë për të adhmen. Qëndrimi dhe paraqitja e tyre e përditshme do të varen nga respekti që do të marrin nga opinioni. Dhuna dhe jorespekti vetëm do t'i dekurajojë dhe ashpërsojë ata", tërhoqi vërejtjen Derek Chapell.
Shumica e incidenteve, sipas statistikave, rrjedhin nga një ndalim i thjeshtë i veturës për shkelje të vogla të rrgullave në trafik, derisa ka pasur edhe kërcënime nga të dyshuar kriminalë kundër oficerëve që nuk kanë qenë në detyrë për arrestime që kanë bërë gjatë detyrës.
Chapell tha se në Kosovë edhe më heret është parë "dëshira" për të përdorur dhunën ekstreme për të zgjidhur ngatërresa të vogla. "Tani duket se ka një 'gatishmëri të rastit' për të përdorur dhunën kundër këtyre njerëzve, të cilët me kurajo kanë vendosur t'u shërbejnë dhe të mbrojnë qytetarët e tyre si policë të Kosovës," tha ai.
Megjithatë, policia e UNMIK-ut së bashku me Shërbimin Policor të Kosovës duket se nuk do të tolerojnë zhvillimin e "kulturës të mosrespektimit të shfrenuar". Sipas Chapellit, në të 17 rastet e përmendura kërcënuesit dhe sulmuesit e policëve janë arrestuar dhe shumica prej tyre kanë marrë dënimet e duhura, por pa saktësuar se cilat janë ato dënime. Vëzhguesit dhe psikologët i kërkojnë arsyet e rasteve të tilla në "traumat" e tarshëguara nga lufta dhe e kaluara jo fort e largët. Uniformat në vazhdimësi në Kosovë kanë personifikuar "ligjin, forcën dhe shtetin e huaj", prandaj shoqërisë kosovare i duhet kohë për t'u mësuar me uniformat e reja. Megjithatë, ky nuk është i vetmi shpjegim. Policët e rinj të Kosovës janë të 'urtë' dhe të trajnuar sipas "vlerave të demokracive perëndimore, ku ligji është zot edhe për vetë mbrojtësit e tij". Respektimi i procedurave gjatë legjitimimit e kontrollimit krijon te civilët ndjenjën e epërsisë dhe mundësisë për të kundërshtuar me apo pa të drejtë. Policët kosovarë janë më pak të mbrojtur, ndërsa kompetencat e tyre edhe më tej janë shumë të kufizuara. Për një periudhë të gjatë ata kanë patrulluar së bashku me policët ndërkombtarë, por pa mundësi të veprimit të pavarur dhe të paarmatosur.
Megjithëkëtë, zyrtarët ngulin këmbë se policia kosovare është bërë shumë joshëse për shumë qytetarë, të cilët luftojnë për t'u përfshirë në radhët e saj. Për ta dëshmia më e mirë është shifra prej 45 mijë vetash që konkurrojnë për 1 mijë e 500 vende në polici. Të gjithë ata duhet t'i nënshtrohen përgatitjes në Akademinë Policore dhe stërvitjeve disamuajshe para se të veshin uniformat për të luftuar 'krimin'.
Por, ky është edhe një tregues tjetër i realitetit kosovar. Një paraqitje e një numri kaq të lartë të konkurruesve është njëkohësisht përpjekje e dëshpëruar për të siguruar një vend pune. Departamenti i punës në strukturat e përbashkëta administrative vlerëson se shkalla e papunësisë është shumë e madhe. Llajosh Hejti, nga ky departament, pohon se sipas të dhënave të tyre numërohen rreth 200 mijë të papunë, por duket se numri i njerëzve që nuk kanë një vend pune e nuk janë të regjistruar është shumë më i lartë. Në departamentin e punës pohojnë se 60 deri në 80 për qind të popullatës aktive në Kosovë është e papunë, që paraqet shkallë rekorde në Evropë!
Konkursi i Shërbimit Policor të Kosovës është treguesi më i mirë, pohojnë nëpunësit e këtij departamenti, se për një vend pune në Kosovë konkurrojnë hiç më pak se 30 e më shumë persona.
AIM Prishtinë, Besnik BALA