Serbia kërkon formulën e kthimit në Kosovë

Pristina Jul 30, 2001

Prishtinë, 29.07.2001.

Pas ndryshimit të regjimit në Beograd, pushteti i ri nuk ka pasur ndonjë politikë konzistente ndaj çështjes së Kosovës. Fakti se Kosova që nga qershori i vitit 1999 ishte nën administrimin e OKB dhe kontrollin e trupave të KFOR-it (NATO + Rusia), me nje mandat të pacaktuar kohor, nuk ka lejuar hapësirë manovruese për autoritetet e Beogradit, sidomos në fazën kur ato ishin të preokupuara me konsolidimin e pushtetit dhe eliminimin e problemeve të shumta të trashëguara nga regjimi i mëparshëm. Njëri prej problemeve që kishte prioritet ishte zgjidhja e krizës në Luginën e Preshevës, ku grupet e armatosura shqiptare, të pakënaqura me statusin dhe represionin e vazhduar policor dhe ushtarak, gjatë sundimit të Milosheviqit kishin filluar kryengritjen që sfidonte rendin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë. Duke u përcaktuar për zgjidhje politike të problemit, dhe jo vazhdimin e konfliktit, qeveria serbe arriti që në bashkëpunim me NATO-n dhe UNMIK-un, ta zgjidhë krizën e Preshevës.

Pas këtij suksesi, kohëve të fundit, qeveria serbe po tregon shenja se ka vendosur që të ndërmarrë një politikë më aktive dhe më të përcaktuar ndaj çështjes së Kosovës. Pasi që Nebojsha Çoviq, kryenegociatori serb në bisedat për zgjidhjen e krizës së Luginës së Preshevës është caktuar përgjegjës i qeverisë serbe për çështjen e Kosovës, nga Beogradi kohëve të fundit janë lancuar disa nisma të reja dhe më ambicioze.

Janë disa arsye pse qeveria e Gjingjiqit përcaktohet për një ballafaqim më të hapur me Kosovën. Në krye të radhës për lancimin e iniciativave janë agjendat e zhvillimeve në vetë Kosovën, që nuk lejojnë politikë pasive. Njëra prej sfidave për Beogradin janë zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në Kosovë në nëntor të këtij viti. Qeveria serbe nuk ka mundur të mbetet indiferente ose pa platformë të përcaktuar rreth zgjedhjeve, para së gjithash për shkak të çështjes së participimit ose mosparticipimit të minoritetit serb nga Kosova në këto zgjedhje. Skena politike serbe në Kosovë, e cila më parë ishte përkrahëse e politikës së Milosheviqit, dhe pas luftës e përcaktuar për bojkotin e administratës ndërkombëtare, në ndërkohë ka hyrë në fazën e vlimeve të brendshme dhe të krijimit të lidhjeve të varësive të reja me qendrat e vendosjes në Beograd. Forcat politike serbe në Kosovë nuk kanë mundur të krijojnë një program dhe projekt të pavarur dhe të përbashkët, por shpresat e tyre i kanë lidhur me pushtetin e ri, ose mbeturinat e regjimit të vjetër. Bojkoti i zgjedhjeve në Kosovë, që imponohej si një vazhdimësi e politikës së vjetër të mospajtimit me realitetin e ri në Kosovë, nuk u ka premtuar shumë as serbëve të Kosovës e Beogradit. Në ndërkohë, pas konsultimeve intensive me përgjegjësit e UNMIK-ut dhe të OSBE-së në Kosovë, autoritetet serbe janë përcaktuar për një qasje më fleksibile, jo të refuzimit të participimit të serbëve në zgjedhjet kosovare, por të kushtëzimit të tyre me përmbushjen e disa kushteve dhe favoreve, të cilat do të avanconin jo vetëm pozitën dhe ndikimin e serbëve të Kosovës, por edhe ndikimin e qeverisë së Beogradit.

Platforma e posasajuar e serbëve të Kosovës dhe e Beogradit mund të quhet një platformë e obstruksionit të sofistikuar të proceseve që duhet ta avancojnë institucionet e vetadministrimit në Kosovë. Kjo platformë konsiston në kërkesën që të sigurohet kthimi i serbëve të shpërngulur pas qershorit të vitit 1999 në Kosovë, ngritjen sinjifikative të sigurisë dhe të mobilitetit të tyre, regjistrimin e të gjithë banorëve të Kosovës që jetojnë në Kosovë ose si përkohësisht të shpërngulur, si dhe participimin në zgjedhje të partive që janë të regjistruara në Serbi. Në negociatat e zhvilluara me përgjegjësit e UNMK-ut dhe të OSBE-së, partive serbe u është dhënë koncesioni i participimit në zgjedhjet kosovare pa detyrimin që të riregjistrohen në Kosovë. Atyre u mbetet vetëm detyrimi që të parashtrojnë para UNMIK-ut dëshminë se në Kosovë i kanë 500 anëtarë.

Disa parti nga Serbia, me degët e tyre në Kosovë, tashmë kanë shfrytëzuar këtë mundësi të paraqitjes së kushtëzuar për zgjedhjet kosovare. Se cilat janë këto parti, ende mbetet sekret, por supozohet se ato i takojnë krahut të partive që tani janë në pushtet në Serbi dhe në Jugosllavi. Por, vetë formula lejon që në zgjedhjet e Kosovës të participojnë pa asnjë kufizim dhe kushtëzim edhe Partia Socialiste Serbe, Partia Radikale Serbe dhe Partia Serbe e Unitetit (e themeluar nga krimineli famëkeq Zhelko Razhnatoviq Arkan), parti këto që me vite të tëra kanë udhëhequr politikë diskriminuese, raciste dhe gjenocidiale ndaj shqiptarëve në Kosovë, çka edhe e ka provokuar luftën me viktima dhe shkatërrime të mëdha. Pjesëmarrja eventuale e këtyre partive në zgjedhjet e Kosovës do të ishte një provokim i madh dhe i papresedencë, pa marrë parasysh se ato objektivisht do të mund të siguronin vetëm një numër të kufizuar të mandateve të rezervuara për minoritetin serb në Kosovë, i cili në rastin më të mirë përbën vetëm 6-7 % të trupit votues të Kosovës, dhe këtë përqindje nuk mund ta tejkalonte as në Parlementin e ardhshëm të Kosovës.

Në Kosovë mendohet se partive siç janë PSS, PRS dhe PSE është dashur që t'u ndalohet veprimtaria në Kosovë, ashtu siç janë të ndaluara partitë fashiste në vendet perëndimore. Por problemi i UNMIK-ut dhe OSBE-së konsiston në faktin se shumica e serbëve të Kosovës në të kaluarën kanë votuar mu për këto parti, dhe supozohet se ndikimi i tyre ende është shumë i madh. Ndalimi eventual i tyre do të nënkuptonte përjashtimin e një numri të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës nga procesi i zgjedhjeve. Administratorët e huaj tani mund të llogarisin vetëm në vetëpërjashtimin e këtyre partive, ngase ato publikisht janë deklaruar për bojkotin e zgjedhjeve.

Motivi tjetër për prezencën më aktive të Serbisë në Kosovë është nevoja e Beogradit për definimin e një strategjie më afatgjate të interesave të Republikës së Serbisë dhe të kombit serb. Kjo lidhet me krizën aktuale të federatës jugosllave, e cila ka mbetur vetëm federatë në letër për faktin se Republika e Malit të Zi, e cila është anëtare e kësaj federate, nuk i njeh dhe i bojkoton institucionet federale, duke përgatitur referendumin për pavarësi. Nevoja e ridefinimit ose e mbylljes së kapitullit të Jugosllavisë, si shtet i përbashkët i sllavëve të Jugut, doemos shtron edhe çështjen e ridefinimit të statusit të Kosovës, që sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë, ende konsiderohet pjesë e kësaj federate.

Sipas kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, pavarësinë e Malit të Zi, nëse kjo republikë do të organizonte referendumin ku shumica do të përcaktohej për pavarësi, Serbia nuk do ta pengonte, si dhe as ndarjen e Malit të Zi. Ndërkaq, Gjingjiq shprehet se zhbërja eventuale e federatës së Serbisë me Malin e Zi nuk do të duhej të influenconte aspak në çështjen e statusit të Kosovës, si njësi përbërëse e Serbisë. Serbia, sipas tij, nuk është shtet etnik, por shtet qytetar, dhe ky shtet do të duhej të insistonte në mbetjen e Kosovës në kuadër të tij.

Në Kosovë dhe në qendrat botërore, ndër politikanët dhe ekspertët e të drejtës ndërkombëtare, dominon bindja e kundërt se me shpërbërjen e federatës jugosllave, që sot konsiderohet se është subjekt i të drejtës ndërkombëtare dhe bartëse e sovranitetit të Republikës së Serbisë, Republikës së Malit të Zi dhe të Kosovës me status të protektoratit të OKB-së, nuk do të ishte e vetëkuptueshme mbetja e bashkësisë së Serbisë me Kosovën. Në të vërtetë, për shkak se Serbia nuk ka më kontrollin militar dhe administrativ mbi Kosovën, nuk është i imagjinueshëm kthimi i administratës dhe i forcave serbe në Kosovë pa provokimin e një luftë të re. As qeveria serbe mbase nuk ka iluzion për këtë.

Ajo çka pretendojnë autoritetet serbe sot më mirë sqarohet nga deklarata e zëvendëskryeministrit të qeverisë serbe, Nebojsha Çoviq, në të cilën thuhet se Serbisë i është hapur një deriçkë e vogël për t'u kthyer në Kosovë, oportunitet ky që do të mund të shfrytëzohej vetëm nëse Serbia do të udhëhiqte politikë të mençur, dhe jo duke ndjekur interesat partikulare dhe sidomos ambiciet e liderëve serbë nga Kosova, që nuk kanë sens për raportet e forcave dhe interesat reale shtetërore të Serbisë. Çoviq, që është një politikan pragmatist dhe i cili ka udhëhequr me sukses negociatat për përfundimin e konfliktit në Luginën e Preshëvës, me gjasë angazhohet për një solucion minimalist të kthimit të forcave serbe vetëm në enklavat serbe, para së gjithash në pjesën veriore të Kosovës. Ai është i bindur se ky është një qëllim i arritshëm, që nuk do të çonte drejt një konflikti të ri, derisa Kosova është nën mbikëqyrjen e KFOR-it. Çoviq angazhohet për krijimin e dy entiteteve në Kosovë, të atij shqiptar, që do të përfshinte pjesën dërmuese të Kosovës, dhe atij serb, i cili do të shtrihej në veri të Kosovës, në zonën ku serbët janë shumicë e popullsisë. Forcat serbe do të mund të ktheheshin, supozon Çoviq, në pjesën veriore, duke garantuar kështu autonominë territoriale dhe politike të pjesës serbe. Ky solucion nuk nënkupton ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve, por kantonizimin e Kosovës, si zgjidhje kalimtare.

Në Beograd mendohet se ky është opcioni më realist për Kosovën multietnike, bazuar në faktin se edhe vetë KFOR-i dhe UNMIK-u faktikisht kanë krijuar entitete të ndara etnike, duke i mbrojtur me trupat e veta enklavat serbe. Kthimi i forcave serbe ne enklavat, sipas modelit të Bosnjes, do të çonte në ndarjen e Kosovës. Edhe pse zëdhënësit e politikës së Beogradit pohojnë se Kosova do të mbetej një tërësi territoriale-politike, ajo vështirë se do të funksionalizohej dhe bëhëj një tërësi kooperative. Subjektet politike në Kosovë mendojnë se me një zgjidhje të tillë Serbia do të siguronte kontrollin e plotë të një pjesë të Kosovës, duke lejuar që pjesa tjetër, ajo me shumicë shqiptare, të ndjekë fatin e vet dhe në perspektivë edhe të pavarësohej ose edhe të lidhë raporte më të ngushta me Shqipërinë.

AIM Prishtinë, Shkëlzen MALIQI