Nga ideologjia komuniste deri tek ajo ortodokse
Mësimi fetar nuk është përfshirë në kushtetutë. Orët fetare shumë dobët vizitohen edhe në kishë. Athua feja, veçmas ajo ortodokse, pasi të mësohet në shkollat shtetërore, do të bëhet dukuri masovike? Gjingjiqi mësimin fetar e futi nëpër dyert e vogla, por Koshtunica që më parë Kishën Ortodokse Serbe e futi përmes dyerve të mëdha.
AIM, Beograd, 22.07.2001.
Në shtatorin e vitit të kaluar qytetarët e Serbisë u përcaktuan se kush është për ODS (Opozitën e Demokratike të Serbisë) dhe kush për Sllobodan Millosheviqin. Një vit më vonë vendimi i qeverisë serbe për aplikimin e mësimit fetar do t'i ndajë ata në ortodoksë, katolikë, islamë, besimtarë të bashkësisë hebreje, të Kishës evangjeliste e asaj reformatore sllovake. Kështu qytetarët e Serbisë demokratike në shekullin 21 do të ndahen në grupe konfesionale, të pranuara zyrtarisht që para një shekulli në Mbretërinë Serbo - Kroate -Sllovene. Jobesimtarët (ose ata që nuk janë të përfshirë në fetë e pranuara) kanë mundësi që fëmijët e tyre t'i dërgojnë në orë të etikës. Kjo do të jetë lëndë alternative në vend të lëndës së deritanishme fakultative për demokraci dhe të drejta njerëzore, tha Bogolub Shijakoviqi, ministër federal i fesë në dorëheqje. Edhe pse mësimi fetar do të aplikohet në shkollat e Serbisë, vendi i ministrit federal nuk do të ekzistojë në qeverinë e re. Ai tha se nuk do tëë ketë problem aplikimin e mësimit fetar, sepse shteti do të paguajë 350 mësimdhënës, që do të mësojnë besimtarët e vegjël sipas teksteve shkollore që do të botohen para fillimit të vitit shkollor, që me siguri se do të arrijnë gjatë shtatorit.
Shijakoviqi gjithë ata që kritikuan aplikimin e shpejtë të mësimit fetar nëpër shkolla, në mesin e të cilëve juristë, sociologë, politikologë, historianë, pedagogë, ndihmës ministri serb i arsimit i porositi se "veprojnë nga pozicionet e njohura të kohës së komunizmit ". Ai rikujtoi se e drejta për mësim fetar garantohet me një sërë dokumentesh ndërkombëtare. Gjithsesi, e drejta për mësim fetar garantohet edhe me kushtetutë të Jugosllavisë dhe Serbisë, por Shijakoviqi, qëllimisht ose rastësisht nuk përmendi se kjo askund nuk theksohet se është i ndërlidhur me zbatimin e mësimit fetar në shkollë.
Biljana Kovaceviç-Vuço nga Komiteti jugosllav i juristëve për të drejtat e njeriut (JUKOM) konsideron se as sipas ligjit, as sipas Kushtetutës nuk ka bazë për mësimin fetar nëpër shkolla.
"Shkollat, sipas ligjit për shërbimet publike, vendbanime publike, është kundërkushtetues, prandaj kundërkushtetues është edhe mësimi fetar nëpër vendet publike, ndërkohë që kisha është e ndarë nga shteti. Sipas kushtetutës, bashkësitë fetare mund të formojnë vetëm shkolla fetare. Pa ndryshimin e Kushtetutës nuk mund të aplikohet mësimi fetar as si lëndë fakultative, sepse mësimi i fesë përcaktohet saktësisht se ku mund të mësohet. Me aplikimin e mësimit fetar qytetarët de facto, në kundërshtim me Kushtetutën, do të detyrohen të përcaktohen për përkatësinë e tyre fetare", vlerësoi ajo.
Ithtarët e mësimit fetar përkujtojnë se gjithçka që nuk është ndaluar në Kushtetutë, njëherit është e lejuar, prandaj pasi shkenca fetare nuk është e ndaluar në shkolla, nënkupton se është e lejuar.
Shijakoviqi dhe ata që e përkrahin vazhdimisht aplikimin e mësimit fetar edhe vetë nuk vizitojnë shumë kishën sepse, në të kundërtën, çdo kishë do të mund të organizonte orë të fesë për fëmijë dhe për të rritur nëse do ta dëshironin këtë. Në një nga tryezat e rrumbullakëta për aplikimin e mësimit fetar në shkolla, ku u ftuan gjithë ata që janë të thirrur për këtë, Divna Stefanoviq nga Forumi i prindërve, njëra nga kundërshtaret e rralla në këtë tryezë, tha se prindërit janë më të rëndësishëm, kurse ata kanë vendosur që mësimi fetar duhet të shpërngulet në shkolla.
Pas vizitës së disa altareve të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Beograd, u vërtetuam se në orët e mësimit fetar të mbajtura në kishë shumë pak prindër i dërgojnë atje fëmijët e tyre. Klerikët e lartë pranojnë se njerëzit edhe mëtej vizitojnë kishën kryesisht gjatë kohës së festave të mëdha fetare, por besojnë se mësimi fetar do ta përmirësojë këtë gjendje. Në interpretimin e lirë, zyrtarizimi i fesë nëpër shkolla mund të bëhet dukuri masive, veçmas masovizimi i fesë ortodokse.
Rrezikun nga kjo dukuri e apostrofoi para ca kohe, gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar nga Komiteti i Helsinkut për të drejtat e njeriut, prof.Zagorka Goluboviq nga Instituti i shkencave shoqërore, e cila vlerësoi se me aplikimin e mësimit fetar nëpër shkolla "pas ideologjisë komuniste, pastaj nacionaliste, tani vendoset ideologjia ortodokse".
Pjesëtarët e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) demantojnë vendosmërisht këto vlerësime, dukepërdorur si argument pajtueshmërinë e bashkësive tjera fetare për aplikimin e mësimit fetar nëpër shkolla. Kjo gatishmëri për aplikimin e mësimit fetar nuk është argument, sepse çdo bashkësi fetare është e natyrshme të tërheq rreth vetes sa më shumë besimtarë.
Ithtarët e aplikimit të mësimit fetar nëpër bankat shkollore thonë se gati gjithë vendet evropiane (në përjashtim të Francës, Hungarisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Shqipërisë) aplikojnë mësimin fetar. Kjo renditje paraqet një "imtësirë" sepse Serbia, historia e re e së cilës shënon nacionalizëm, sistem totalitar, cenim të të drejtave të njeriut, krime lufte, dhe raport shpesh të diskutueshëm me KOS në gjithë këto ngjarje, nuk mundi që pas 5 tetorit deri tani të ngris në këmbë të sigurta demokracinë dhe të merret me një çështje kaq delikate siç është mësimi fetar. Është interesant se edhe ithtarët e mësimit fetar nuk mund të jenë të sigurtë se pas vendimit zyrtar për aplikim të mësimit fetar nëpër shkolla, kjo do të mund të mbijetonte më shumë se disa muaj. Në vendet e bllokut lindor ka kaluar më së paku një vit deri tek kjo, por dihet në këto vende demokracia nuk u ndërpre si në Serbi, e cila disa vjet ka qenë në agoni.
Ndihmës ministri serb i arsimit Vigor Majiç, i cili pas paralajmërimit të kryeministrit serb Zoran Gjingjicit për hyrjen e kishës në shkollë ofroi dorëheqje, përmend se dikur edhe marksizmi hyri në shkollë pas një diskutimi dyvjeçar. Pra, as komunistët nuk e futën brenda natës ideologjinë e tyre në çantat shkollore.
Majiç thotë se nuk ka mjete të përshtatshme pedagogjike dhe profesionale, asfarë diskutimesh të ekspertëve dhe nuk dihet se çfarë do të përmbajnë librat fetar. Klerikët kishtar na bindin se librat fetar do t'i përshtaten moshës së fëmijëve dhe se ato do të përpilohen si Bibël e ilustruar për fëmijë. Se si do të mësojnë fëmijët fenë mbetet çështje e hapur. Psikologjia rreth kësaj çështjeje edhe mëtej mbetet e papërcaktuar definitivisht, përveç se konstatohet se fëmijët, në mesin ku do të aplikohet mësimi fetar, do të jetë si lëndë fakultative, që do të përjetohet si dënim sepse për dallim nga fëmijët tjerë këta do të detyrohen të qëndrojnë në shkolla. Psikologjia përmend edhe aspekte negative të zhvillimit të fëmijëve, veçmas kur përmbajtja e mësimeve fetare nuk i përshtatet moshës së tyre, kur i frikësojnë ose kur vetë mësimdhënësit janë rigjidë dhe të rreptë. Athua mësimi fetar do t'i ndajë fëmijët, veçmas në mjediset shumëkonfesionale, pritet të shihet. Si do të sillen në gjithë këtë situatë prindërit e fëmijëve dhe nxënësit e shkollave të mesme që duhet të zgjedhin në mes fesë dhe etikës, këtë do ta tregojnë statistikat në fillim të vitit shkollor.
Ministria e arsimit lë një mundësi ngushëlluese që përmes Komisionit për mësimin e fesë, ku janë edhe përfaqësuesit e bashkësive fetare, të ndikohet në zhvillimin e mësimit. Të gjithë ata që me të drejtë pas kësaj shtrojnë pyetjen se athua Serbia pas kësaj është shtet sekular, nuk mund të ndryshojnë asgjë - vendimi për hyrjen e kishës nëpër shkolla është direkte. Majiqi thekson se vendimi është sjellur që në muajin prill kur një "grup i ithtarëve në mbledhjen e ministrisë së fesë, ku ishin edhe përfaqësuesit e bashkësive fetare, kumtuan se mësimi fetar nëpër shkolla është çështje e zgjidhur".
Qarqet politike beogradase pohojnë se patriarku serb Pavle ka marrë premtime për mësimin fetar nëpër shkolla që në vitin e kaluar. Patriarku në fillim të janarit të këtij viti në intervistën për javoren beogradase NIN tha se mësimi fetar do të aplikohet në shkollat fillore dhe të mesme. Burime nga Opozita Demokratike e Serbisë pohojnë se Gjingjiqi në një seancë të Qeverisë së Serbisë pranoi haptas se bëhet fjalë për një vendim politik. Qarqet politike vlerësojnë se Gjingjiqi pas ekstradimit të Millosheviqit (28 qershor), që e hidhëroi Kishën Ortodokse Serbe, e kishte doemos të arrinte një kompromis për aplikimin e mësimit fetar. Mitropoliti Amfilohije (Radoviq) deklaroi një ditë pas ekstradimit të kryetarit të dikurshëm jugosllav se ata që e dorëzuan Millosheviqin në Vidovdan do të shënohen në histori me shkronja të zeza. Të njëjtën ditë Koshtunica bisedoi rreth dorëzimit të Millosheviqit me Patriarkun, e më pas u takua me kreun ushtarak.
Gjingjiqi e kumtoi vendimin për mësimin fetar nëpër shkolla më 4 korrik. Atë ditë Patriarku së pari bisedoi me Koshtunicën, pastaj me Gjingjiqin, që nga ky takim menjëherë u paraqit para gazetarëve dhe e kumtoi risinë. Kryeministri më nuk mundi ta mohonte se Kisha Ortodokse Serbe u bë një faktor i pashmangshëm në jetën politike serbe. Gjingjiqi tenton që mësimi fetar të hyjë nëpër dyer të vogla, por nuk duhet harruar se Koshtunica që më parë e futi KOS nëpër dyer të mëdha.
OLIVERA MAMUZIQ