Presidenti George Bush në Kosovë!

Pristina Jul 29, 2001

Prishtinë, 28.07.2001.

"Çfarë keni arrestuar më shumë, mushka apo shqiptarë kryengritës", thuhet të ketë pyetur presidenti amerikan, George Bush njeriun e parë të administratës ndërkombëtare më Kosovë, Hans Haekkerupin, derisa ky i fundit po i shpjegonte atij punën e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për parandalimin e bartjes së dhunës nga Kosova në Maqedoni.

Njeriu i cili në votat që i siguruan postin e presidentit të shtetit më të fuqishëm kishte radhitur edhe ato të ushtarëve të tij në Kosovë, duket se ishte më shumë i preokupuar me fjalimin që do t'u mbante atyre në kampin e forcave amerikane "Bondstill" jo fort larg Ferizajit në Kosovën Lindore. Por, pavarësisht nga fakti se "nuk ua vari fort veshin mikpritësve të tij ndërkombëtarë", presidenti Bush përgëzoi ushtarët e tij për "punën e shkëlqyeshme në pengimin e bartjes së dhunës në Maqedoni". Sfida më e madhe sot është Maqedonia, ku kryengritësit e armatosur kërcënojnë paqen dhe stabilitetin, tha presidenti Bush dhe shpalli hapur akuzën:. "Këtu në Kosovë, disa po tentojnë t'i ndihmojnë kryengritësit. Të jem i qartë: Shtetet e Bashkuara janë kundër të gjithë atyre që përdorin apo mbështesin dhunën kundër demokracisë dhe sundimit të ligjit. Për këtë arsye forcat amerikane në Kosovë po ndalojnë rrjedhjen e armëve në Maqedoni". Ai e vlerësoi lartë këtë sakrificë të ushtarëve të tij, të cilët miratonin me ovacione deklaratat e tij. Presidenti tha se "për këtë arsye kam vendosur sanksionet kundër individëve dhe organizatave që u ndihmojnë kryengritësve", duke ju refereuar urdhërit të tij ekzekutiv të lëshuar në fund të muajit qershor, me të cilin u vihen sanksione një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve nga Maqedonia, por edhe nga Kosova, në mesin e të cilëve edhe disa pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe funksionarëve të partive politike. "Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO fuqimisht përkrahin përpjekjet e vazhdueshme për gjetjen e marrëveshjes politike - asaj që u qaset shqetësimeve legjitime të popullatës shqiptare dhe njëkohësisht mbron sovranitetin e Maqedonisë dhe integritetin territorial, unitetin politik të saj dhe të ardhmen e saj demokratike. Unë u bëj thirrje të gjitha palëve që të respektojnë armëpushimin. Dhe u bëj thirrje liderëve të zgjedhur që të punojnë me të dërguarin e BE-së, Leotar, dhe ambasadorin Pardju për tejkalimin e dallimeve të mbetura për arritjen e një marrëveshjeje që do ta mbajë Maqedoninë në paqe dhe në rrugë drejt Evropës", tha presidenti Bush duke u bërë thirrje sërish mbështetësve të kryengritësve që të heqin dorë nga veprimet e tyre.

Sipas tij, ata që këtu në Kosovë e përkrahin kryengritjen në Maqedoni janë duke i dëmtuar interesat e shqiptarëve etnikë në tërë rajonin dhe se populli i Kosovës duhet të përqendrohet në Kosovë, në zhvillimin e institucioneve civile funksionale, si dhe për zhvillimin e një klime politike që mbështet dhe e mban të qëndrueshme demokracinë, sundimin e ligjit, tolerancën etnike dhe bashkëpunimin me fqinjët. Prandaj, zgjedhjet e nëntorit do të jenë një hap i rëndësishëm në atë drejtim. Ai u bëri thirrje të gjithë njerëzve të Kosovës që të marrin pjesë, ashtu që askujt të mos privohet nga të mirat e demokracisë. Presidenti i SHBA-ve nuk u takua me asnjërin nga liderët vendas në Kosovë, duke bartur mesazhin e mospajtimit me qëndrimet e tyre politike. Duket se ky ishte edhe "qortimi" më i rëndë ndaj "qëndrimeve mosmirënjohëse" të liderëve të "llastuar" kosovarë, të cilët megjithatë vizitën e tij e cilësuan si të jashtëzakonshme. Prandaj, ata pohuan se "përkundër faktit se ai nuk u takua me liderë vendas, fakti se ai erdhi në Kosovë përfaqëson një komunikim me Kosovën dhe kosovarët, ndërsa kjo dëshmon edhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ta çuar deri në fund procesin politik në Kosovë". Dhe zemrat e "ngrira" të kosovarëve duket se i ngrohu premtimi për vazhdimin e pranisë ndërkombëtare, e posaçërisht asaj amerikane. "Ne e kuptojmë se kontributi i Amerikës është thelbësor, si ushtarakisht ashtu edhe politikisht. Ne nuk do t'i tërheqim forcat tona nga Bosnja apo Kosova në mënyrë të ngutshme apo të njëanshme. Ne kemi hyrë bashkë, dhe do të dalim së bashku", tha zoti Bish derisa po nënshkruante një ligj mbi beneficionet e ushtarëve amerikanë në Kosovë. Mirëpo ai tha se qëllimi i tyre është që ta shpejtojnë ditën kur paqja të jetë e qëndrueshme, kur pushtetet lokale të zgjedhura në mënyrë demokratike mund të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë, dhe kur forcat e NATO-s të mund të shkojnë në shtëpi. Prandaj, ai kërkoi shtimin e përpjekjeve ndërkombëtare për ndërtimin e institucioneve civile dhe përparimin e sundimit të ligjit. Kjo, sipas tij, nënkupton edhe bartjen e përgjegjësive për siguri publike nga forcat luftarake në njësitë e specializuara, policinë ndërkombëtare, dhe përfundimisht në pushtetin lokal. "Përkushtimi i NATO-s për paqe në këtë rajon është i qëndrueshëm", tha ai për të shtuar se megjithatë stacionimi i trupave të saj nuk duhet të jetë i pafund.

Nga një binë e improvizuar mbi kamionët e ushtrisë amerikane, presidenti Bush tha se qëllimi i superfuqisë së vetme botërore është "ndërtimi i një bote të lirë dhe tolerante që nga Kosova në Kashmir dhe që nga Lindja e Afërme në Irlandën e Veriut". Ai tha se nuk do të lejohet më që "dallimet të jenë leje për vrasje dhe arsye për dominim". Zoti Bush pohoi se administrata e tij angazhohet për ndërtimin e një Evrope si të tërë, të lirë dhe në paqe, e cila do të përfshijë edhe Ballkanin. "Disa vite më parë ky vizion mund të dukej joreal, por sot pasi u takova me forcat tona këtu në kampin 'Bondstill ', ky vizion është afër", theksoi ai. Duke i hedhur një sy gadishullit, Bush tha se "Kroacia është bërë një faktor me përgjegjësi për stabilitetin rajonal. Populli i Jugosllavisë ka zgjedhur demokracinë mbi diktaturën dhe e ka dërguar diktatorin e dikurshëm në Hagë. Zgjedhjet e fundit në Shqipëri, ndonëse jo të përkryera, megjithatë ishin një hap përpara drejt zhvillimit demokratik të saj. Ka qeveri të moderuara në Bosnje-Hercegovinë që dëshirojnë të punojnë si partnerë seriozë me bashkësinë ndërkombëtare për ta përgatitur vendin e tyre për integrimet evropiane. Për herë të parë në histori, të gjitha qeveritë në rajon janë demokratike, të përkushtuara për bashkëpunim me njëra-tjetrën, dhe të parapërgatitura për t'ju bashkuar Evropës". Por, krahas kësaj pasqyre optimiste, ai tha se ende ka shumë sfida të vështira, duke nënvizuar se institucionet civile janë të dobëta dhe të lëndueshme nga korrupcioni dhe se krimi i organizuar është i shpërndarë gjithandej dhe nganjëherë fshihet prapa programeve të ngushta nacionaliste. Ende ka shume varshmëri nga ndihma e huaj dhe jo mjaft investime të jashtme, theksoi presidenti Bush, duke shtuar se ekstremistët etnikë ende i fryjnë zjarrit të jotolerancës dhe nxisin dhunën, duke shpresuar se do ta përmbysin demokracinë, se do t'i ndërrojnë kufijtë dhe do të përparojnë në qëllimet kriminale.

Porosia e presidenti amerikan duket se kësja radhe ishte më se e qartë. Ndonëse ai ishte presidenti i dytë i SHBA-së që vizitonte Kosovën pas luftës së këtushme, kësaj radhe fjalori i administratës së tij nuk ishte "përkëdhelës". Të parët që e ndien gjuhën "fshikulluese" të presidentit Bush duket se ishin liderët shqiptarë vendas, të cilët kësaj radhe nuk u ndien në rolin e "sugarëve". Vëzhguesit thanë se kjo mbase ishte hera e parë që ata hetuan se "ekzistimi politik dhe çuarja përpara e aspiratave nënkupton edhe respektimin e rregullave ndërkombëtare të sjelljes politike"!

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA