Varrezat masive në kthetrat e politikës
Prishtinë, 27.07.2001.
"Në Kosovë nuk ka njohuri për varreza masive të pazbuluara, aq më pak varreza me trupa të serbëve të vrarë", kanë pohuar kategorikisht përfaqësuesit e Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Pohimet e tilla pasuan njoftimet e mjeteve serbe të informimit, sipas të cilave në afërsi të Suharekës, në Kosovën jugore, një qytezë kjo jo fort larg Prizrenit, "ekziston një varrezë me trupat e rreth 900 serbëve të vrarë". Mediat beogradase cituan një zyrtare të Misionit për çështje të personave të zhdukur, Monique Fienberg, të ketë konfirmuar këto pohime. Mirëpo, kjo e fundit tha se është keqinterpretuar dhe se pohimet e tilla nuk kanë të bëjnë me deklaratat e saj. Zonja Fienberg tha se mjeteve serbe të informimit u kishte deklaruar se "rreth 900 trupa të paidentifikuar të zhvarrosur në Kosovë janë rivarrosur në afërsi të Suharekës", mirëpo nuk e kishte përmendur fare përkatësinë nacionale të tyre.
Një ditë më pas, një zyrtar i Beogradit, Momçillo Trajkoviq, i cili është kryetar u Komitetit Jugosllav për Kosovën, ka deklaruar se "në varrezat e komunës së Suharekës në afërsi të Prizrenit dhe në një lagje të Prishtinës mund të ketë trupa të serbëve të vrarë". Ai ka akuzuar Misionin e Kombeve të Bashkuara për, siç thuhet, "fshehje të së vërtetës rreth tyre". Madje, sipas zotit Trajkoviq, "për këtë arsye edhe është ndërprerë procesi i identifikimit të viktimave".
Zyrtarët e Misionit, ndërkaq, i hodhën poshtë në tërësi këto pohime. Sipas tyre, patologët e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish Jugosllavinë kanë bërë zhvarrimin e viktimave të luftës në vitin 1999 dhe
- Gjatë kësaj kohe, rreth 4000 trupa janë nxjerrë nga varret, mirëpo 1256 prej tyre nuk ishte e mundur të identifikoheshin, prandaj janë rivarrosur. Një numër i madh i tyre janë vendosur në varreza të veçanta në afërsi të komunës së Suharekës. Misioni i Kombeve të Bashkuara nuk ka pasur mundësi të përcaktojë përkatësinë etnike të tyre, ndërsa shkrimet e tilla në mjetet e informimit vetëm sa kanë shkaktuar dhembje te familjet e të zhdukurve. Misioni i mohoi në tërësi edhe njoftimet për kinse ekzistimin e varrezës masive me trupa të serbëve në lagjen Dragodani në Prishtinë. Një zëdhënëse e këtij misioni, Suzan Manuel, tha se njerëzit nganjëherë ngatërrohen në lidhje me varrezat e Dragodanit, lagje e kryeqytetit ku janë edhe varrezat e qytetit. Ajo shpjegoi se "shumë trupa janë varrosur aty menjëherë pas luftës apo pak para përfundimit të saj, ndërsa ekipet e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës kanë zhvarrosur rreth 170 trupa, pjesa më e madhe të cilëve ishin të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, ndërkaq që disa syresh janë rivarrosur të paidentifikuar. Misioni i Kombeve të Bashkuara pohon se ka ende varreza që duhet të hapen dhe misioni i Kombeve të bashkuara do të fillojë të zhvarrosë ato varreza që nuk janë hapur nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte. Mirëpo, sipas tyre, ato janë varreza individuale, ndërsa në procesin e identifikimit do të ftohen edhe ekspertët nga Beogradi. Ndërkohë, Misioni i Kombeve të Bashkuara është duke negociuar një memorandum të mirëkuptimit me Komisionin Ndërkombëtar për persona të zhdukur, për të filluar testet e AND-së të trupave të paidentifikuar dhe të anëtarëve të familjeve të personave të zhdukur. Një ekip i këtij komisioni ka kërkuar ndihmën e autoriteteve në Kosovë, por edhe në Serbi, që të ndihmojnë në mbledhjen e mostrave të gajkut dhe, sipas planeve të tyre, gjatë këtij viti ata shpresojnë të tubojnë mbi 2 mijë e 500 mostra të tilla.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kanë botuar kohë më parë një libër me emrat dhe të dhënat për 3 mijë e 600 persona që llogariten të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Mbi tre mijë prej tyre besohet se janë të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Megjithatë, zyrtarët serbë dhe mjetet e informimit ngulin këmbë se në Kosovë ka varreza me trupa të serbëve të vrarë dhe për këtë arsye kanë filluar një protestë shumëditëshe në fshatin Graçanicë, enklavë serbe rreth 6 kilometra larg Prishtinës. Mirëpo, e filluar si protestë për gjetjen e serbëve të zhdukur, ajo herë-herë fitoi edhe tone antiamerikane. Ndryshimi i tonit të protestuesve ndodhi vetëm një ditë pas vizitës së presidentit të SHBA-së, George W. Bush trupave amerikane të forcave paqeruajtëse (KFOR) në Kampin Bondsteel jo fort larg komunës së Ferizajt. Në protesta kishte parulla të shkruara në anglisht, ku kërkohej që "Amerika t'i lirojë minatorët e Bardhit të Madh dhe civilët e Rahovecit të rrëmbyer më 1998." (Të dyja këto skena të përleshjeve ndërmjet forcave serbe të sigurimit dhe ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës).
Prapa parullave qëndronin 250 serbë që mbanin fotografitë e të afërmve të tyre të zhdukur. Në një parullë në dorëshkrim në anglisht, shkruante: "Ne kërkojmë të zhdukurit tanë. Pse, ju, punëtorë humanitarë, heshtni?". Në një parullë tjetër thuhej se "nuk do të ketë zgjidhje - pa gjetjen e 1 mijë e 300 serbëve të rrëmbyer". Nuk munguan, natyrisht, as akuzat ndaj kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte, Carla del Pontes, e cila sipas protestuesve serbë, "nuk po ngre akuza kundër shqiptarëve". Protesta është përcjellë nga një grevë urie e 58 personave, 11 nga të cilët kanë ardhur si "përforcim" nga Beogradi.
Një zëdhënës i zyrës amerikane në Prishtinë, Michael McClellan, tha se zyra e tij nuk ka koment për deklarimet e protestuesve serbë, të cilët kërkojnë përgjigje nga amerikanët për të afërmit e zhdukur.
Pohimet e mjeteve serbe te informimit, si dhe të zyrtarëve serbë për ekzistimin e varrezave masive në Kosovë dhe protestat e pjesëtarëve të këtij komunittei në Graçanicë kanë pasuar zbulimet "sensacionale" të varrezave masive me trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, të cilët janë transferuar dhe varrosur nëpër vende të ndryshme në Serbi. Ekshumimi i varrezës së parë në afërsi të Beogradit dëshmoi se atje ishin bartur trupat e familjes Berisha nga Suhareka, të cilët ishin ekzekutuar pak kohë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë. Dy anëtarë të kësaj familjeje shpëtuan për të dëshmuar mizoritë e trupave serbe, ndërsa zhvarrimet nxorën në pah se në mesin e viktimave ishte edhe një foshnje 8 muajsh.
Fakti se burimet serbe ngulin këmbë se është pikërisht rrethina e Suharekës vendi ku mund të ketë "serbë të vrarë të varrosur në varre masive" është përpjekje për të "zbutur" përmasat e krimit, pohojnë aktivistët e organizatave humanitare vendase dhe analistët e rrjedhave politike këtu. Posaçërisht këto pohime janë shtuar pas zbulimit të trupave të pajetë të tre vëllezërve Bytyçi me prejardhje nga Suhareka, shtetas amerikanë, të cilët u zbuluan në një varrezë në Serbi. Hetimet nxorën në pah se të tre vëllezërit, të cilët ishin arrestuar ne rrethana të pasqaruara nga forcat serbe të sigurimit, ishin ekzekutuar nga afërsia. Prandaj, për zërat mbizotërues të opinionit të këtushëm, zhurma rreth "varrezave masive me trupa të serbëve", s'është veçse përpjekje për të "barazuar" krimet e organizuara shtetërore serbe me rastet individuale të dhunës së shqiptarëve kundër pakicave kombëtare.
Për një pjesë të analistëve të këtushëm kjo është njëkohësisht edhe një përpjekje për të "përfituar sërish nga dorëzimi i ish presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte". Në këtë kuadër këtu vlerësohen edhe "thirrjet" e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, drejtuar disa liderëve shqiptarë për ta diskutuar, siç thuhet, "çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit"., thirrje kjo e cila nga përfaqësuesit shqiptarë u vlerësua më shumë si një akuzë sesa ftesë e mirëfilltë për bisedime.
AIM Prishtinë, Besnik BALA