Tatime të reja dhe konfuzion në treg!
Prishtinë, 24.07.2001.
Tatimi mbi vlerën e shtuar është një mrekulli, kanë shoprehi të thonë ndërkombëtarët në ballë të Autoritetit Qendror Fiskal, një sektor "qeveritar" që në Kosovë udhëheq politikën fiskale. Ata thonë se aplikohet në vendet me raporte të avancuara ekonomike, prandaj edhe Kosova duhet të ketë aspirata të këtilla.
Por, TVSH-ja i shqetësoi biznesmenët dhe qytetarët. Të parët, pse nuk kanë koncept se si të gjinden në këtë rrethanë, kurse të dytët, pse çmimet do të jenë më të larta. Dhe, realisht, të dy palët gjetën 'zgjdhje', sado që ishte e imponuar. Çmimet e një spektri të gjerë të artikujve u rritën 15 për qind, aq sa është lartësia e TVSH-së, kurse qytetarët ishin të detyruar të pranojnë këtë ngarkesë. "Nuk ka arsye që çmimet të rriten aq sa është shkalla e TVSH-së. Analizat tona dëshmojnë se çmimet mund të lëvizin 0,4 për qind deri në një për qind të këtij tatimi", pohon Zineta Daci, koordinatore në Odën Ekonomike të Kosovës.
Mirëpo, biznesmenët nuk duan shumë ta lodhin kokën, posaçërisht në kohën kur shumëçka është jashtë kontrollit. Ata çmimit ia shtojnë edhe një 15 përqindësh dhe me këtë zgjidhin enigmën e quajtur TVSH. Por, megjithatë, kjo risi fiskale ende vështrohet me një pasiguri.
Ditë më parë, në Shërbimin Doganor të Kosovës pohojnë se nga afro pesë mijë subjekte ekonomike të evidencuara si importues, vetëm 700 janë lajmëruar për të paguar TVSH-në. Ditën e parë të korrikut ata që nuk ishin të regjistruar u ballafaquan me probleme rreth importit të mallrave të tyre. Kjo është një dëshmi se ka konfuzion, por edhe frikë që shkon deri në panik, rreth ndikimit të këtij tatimi në afarizmin e bizneseve.
"Kosova, e cila gjendet në fazën fillestare të krijimit të një sistemi fiskal, nuk ka një platformë të qëndrueshme sociale. Prandaj, çdo mbingarkesë e çmimit me çfarëdo lloj tatimi reflektohet në buxhetin e konsumatorëve, ku pjesa më e madhe e tyre janë të papunë. Secila statistikë evidencon se shkalla e papunësisë në Kosovë ka arritur në 69 për qind, prandaj nuk është i vogël numri i kosovarëve që do ta kenë vështirë të përballojnë tatimet e reja dhe të avancuara. Qasja selektive e TVSH-së do të ishte alternativa më e mirë për këtë gjendje. Ta zëmë, një shkallë e ulët e TVSh-së do të ngarkonte një strukturë të artikujve që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në buxhetin familjar, kurse një shkallë e lartë mund të aplikohet në artikujt e tjerë. Një qasje e këtillë nuk është aspak e re në botë, madje ka raste kur lartësia e TVSH-së, ndryshon mjaft shpesh, përkatësisht nuk është statike", vlerëson z. Sejdi Osmani, ekspert për politikën fiskale pranë Institutit "Riinvest" në Prishtinë.
Me futjen e TVSH-së në opinionin e këtushëm ndërlidhet edhe 'mosmarrëveshja' që shpërtheu midis administratës së UNMIK-ut dhe shefit të Komitetit Jugosllav për Kosovën, Moma Trajkoviqit. Zyrtarët e UNMIK-ut kanë deklaruar se do të nderpriten manipulimet rreth qarkullimit të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Madje, manipulimet e tilla janë të ndërlidhura pikërisht me aplikimin e tatimit mbi vlerën e shtuar në Kosovë, dhe kutet e dyfishta për importimin e mallit.
Loja me "letra" që hapin dyert për importin e mallrave me prejardhje nga Serbia, përkundër kësaj vërejtjeje, vazhdon edhe më tutje. Çdo tregëtar i interesuar të blejë mall në Serbi, së pari duhet të drejtohet në një zyrë në Llaple Sello, fshat afër Prishtinës i banuar nga serbët, e cila lejon certifikatën që mban vulën cirilike "SK KiM" (Savezni Komitet za Kosovo i Metohiju), një institucion jugosllav i prirë nga Moma Trajkoviq, që ka për detyrë të mbajë kontakte me UNKIK-un. Tregëtarët gjithsesi duhet t'u nënshtrohen kushteve që imponohen nga ligjet serbe, por që nuk parashihen me asnjë rregullore të UNMIK-ut, madje as me marrëveshjet ndërmjet administratës ndërkombëtare në Kosovë dhe autoriteteve jugosllave. Z. Filipoviq Jovica informon se "që të merrni certifikatë duhet të sillni vendimin se firma juaj ka qenë e regjistruar para luftës, pastaj shifrën nga Enti i Statistikës dhe të keni konto aktive në Graçanicë". Sipas deklaratës së z. Filipoviq, asgjë nuk pranohet me vulën e UNMIK-ut. Madje, edhe kontoja hapet sipas procedurës dhe modaliteteve që aplikohen në Serbi. Biznesmenët kosovarë thonë se për sigurimin e dokumenmteve të këtilla kjo zyrë ka angazhuar dilerë që punojnë thuajse në tërë Kosovën. Blerës janë tregëtarët shqiptarë, të cilët për të siguruar mall në Serbi duhet që në buxhetin e këtij shteti të paguajnë tre për qind nga vlera e mallit. Përndryshe, ata nuk kanë mundësi të blejnë kurrfarë artikujsh. Dhe e tërë loja mbështetet në një ligj të Serbisë, përkatësisht në Ligjin për tatimin në qarkullim, me të cilin rregullohet mënyra e dhënies së mallit dhe e pagesës.
Në Autoritertin Qendror Fiskal të Kosovës thonë se kjo mënyrë e qarkullimit të mallrave me Serbinë është e paligjshme dhe bëhet për përfitime individuale të njerëzve që kushtëzojnë biznesin me një dokumemt të këtillë. Po ashtu, hapja e kontos në Graçanicë dëshmon se edhe institucionet bankare serbe veprojnë në mënyrë paralele në Kosovë, ndonëse të palicencuara nga UNMIK-u. Përmes tyre bëhet edhe qarkullimi i pagesave me Serbinë.
Muhamet Buoauja, drejtues nga stafi ndërkombëtar i Autoritetit të Bankave dhe Pagesave në Kosovë më heret ka deklaruar për gazetën "Koha Ditore" se janë duke u bërë biseda me autoritetet nga Beogradi që të mbyllen zyrat e këtilla, ose ato të bëjnë kërkesë për licencim dhe t'u nënshtrohen ligjeve që nxjerr UNMIK-u.
Në të vërtetë, konfuzionin që mbretëron në sferën e pagesës së tatimit në qarkullim të mallrave në Kosovë ndoshta më së miri e ilustron shkresa e pesëmbëdhjetë biznesmenëve nga Podujeva drejtuar të gjitha instuitucioneve, por edhe partive politike në Kosovë. Ata midis tjerash ankohen për detyrimet që kanë për të paguar tatimin në qarkullim në pajtim me kërkesat e Komitetit Federal, duke theksuar se organet e vetme kompetente për këtë janë ato komunale. Ata me këtë rast kërcënojnë me bllokim të rrugëve dhe se "nuk do të lejojnë hyrjen e mallrave nga Serbia përderisa koj çështje të mos zgjidhet".
"Ne në Këshillin Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës e kemi shqyrtuar këtë çështje, të cilën e kemi kundërshtuar fuqimisht. Një formë e këtillë është cilësuar edhe si ndërhyrje e Serbisë në sistemin ekonomik të Kosovës. Biznemenët shqiptarë në asnjë mënyrë të mos marrin deklarata të këtilla", është i prerë z.Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Madje, nënkryetari i OEK-ut është shumë decidiv: "Nuk duhet marrë deklarata të këtilla edhe me kusht që të ndërpritet tërësisht qarkullimi i mallrave me Serbinë". Ai si alternativë përmend tregjet e Shqipërisë, Maqedonisë, Turqisë...
Sadoqë afaristëve shqiptarë iu sugjerohet që ta ndërpresin këtë zinxhir të punës me ekonominë e Serbisë, megjithatë deklaratat e këtilla edhe më tej shiten nëpër Kosovë.
Megjithatë, kjo 'lojë politikante' me tregëtinë, qarkullimin e mallrave, si dhe pagesa e tatimeve të shumëfishta më së shumti i godet konsumatorët dhe qytetarët e rëndomtë.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI