Socialistët kundër Hagës dhe ODS-së
Kryetari i Këshillit Qarkor të Partisë Socialiste Serbe Milan Zhivanoviç thekson se qeveria e koalicionit është përgjegjëse që qytetarët jetojnë gjithnjë e më keq dhe parasheh se në vjeshtë do të vijë deri tek "eksplodimit të pakënaqësisë sociale"
AIM, Beograd, 18.7.2001.
Kur në Beograd filluan mitingjet për mbrojtjen e Sllobodan Milosheviqit, në rrugë dolën edhe socialistët e Kragujevcit. Rreth treqind kragujevas, kryesisht pleq, u nisën drejt kryeqytetit, në mbrojtje të "Slobo lirisë" , duke dëshiruar që haptas "para fytyrës të mercenarëve të NATO-s dhe tradhëtarëve" , të tregonin edhe njëherë se "Serbia nuk dëshiron t'i shesë bijtë e vetë". Kishte aq udhëtarë për në Beograd sa ishin të mjaftueshëm tre autobusë dhe disa automobilë.
Mjaft të lodhur, sa nga pleqëria, sa nga udhëtimi deri në Beograd, grupi nga Kragujevci, që njihej mirë mes vete, për pesë ditë me rradhë, kritikoi zëshëm pushtetin në Serbi, duke u ankuar për pensionet e vogla dhe jetën e vështirë.
Pensionisti Radosllav Mariç konsideron se "çdo serb i ndershëm duhet të jetë kundër dorëzimit të Millosheviqit në Hagë". Ai ankohet se në vend nuk është bërë asgjë për të penguar ekstradimin e Millosheviqit në Gjykatën e Hagës dhe përkujton se shumica nga Serbia kanë marrë pjesë në luftërat në hapësirat e Jugosllavisë së dikurshme, që d.t.th. se të gjithë duhet të gjykohen.
"Djali im ishte ushtar i rregullt, me afat të vazhduar në shërbimin ushtarak për tri muaj, i cili nga '91 ishte në disa fushëbeteja, në Dubrovnik, Srpska Krajina dhe Baranjë. A do të thotë se edhe ai duhet të shkojë në Hagë", komenton i tronditur Mariç dhe shton se është e "palogjikshme që njeriu, i cili ka mbrojtur shtetin e vetë të gjykohet". Në fund përmend se në këtë rast ka gabuar se "Slloboja duhet të përgjigjet në vendin e vetë, para popullit" dhe me shpejtësi fillon të ankohet për pensionet e vogla dhe pamundësinë për të mbijetuar. Në vërejtjen se ky pushtet nuk është fajtor për standardin e ulët dhe se është e pamundshme kaq shpejtë të përmirësohet situata ekonomike, Mariçi pajtohet dhe shton "vetëm për popullin të jetë më lehtë".
Për në mitingun e Beogradit u nis edhe pensionistja Vera Simov me qëllimin të ndërronte qeverinë republikane për shkak se "tradhëtoi serbët dhe Serbinë". Ajo shkoi në kryeqendër për të porositur se "Millosheviqi në Hagë - është tradhëtia dhe turpi më i madh, sepse këtë e kanë bërë individë për para të shumta". Ajo thotë se "dosovcët" e dërguan Sllobon në Hagë për të anuluar marrëveshjen me Perëndimin për bombardimin e vendin tonë". Edhe Vera thotë se është nënë e dy fëmijëve që kanë marrë pjesë në luftërat e dhjetëvjeçarit të fundit "duke mbrojtur vendin dhe popullin e vetë". Ajo shton: "frikësohem se edhe fëmijët tanë që iu përgjigjën thirrjes së atdheut nesër do të shpallen tradhëtarë".
Në mbrojtje të ish-kryetarit, pensionisti më i vendosur, ish-punëtori i "Zastava", Branko Mishiç, thotë se "dorëzimi i Sllobodan Millosheviqit në Hagë paraqet tradhëti ndaj popullit serb". Ai është kategorik në kërkesën për ndërrimin e qeverisë së Opozitës së Bashkuar Demokratike që, sipas vlerësimit të tij, ka tradhëtuar vendin.
"Nëse është dashur të përgjigjet, atëherë këtë duhej ta bënte në vendin tonë, para gjyqeve tona. Nëse ky pushtet nuk ka besim në gjykatën tonë, atëherë nuk ka besim edhe në vetë shtetin", përfundon Mishiçi duke shprehur frikë se Millosheviqi nuk është fundi "i shitjes së qytetarëve tanë në Tribunalin e Hagës".
Në Partinë Socialiste të Serbisë për Kragujevcin vlerësojnë se bashkëpunimi i Jugosllavisë me Tribunalin e Hagës forcoi dhe bashkoi socialistët, duke mundësuar ripërtrirjen kadrovike dhe marrjen e vendit të merituar që i takon si parti më e fuqishme në opozitë. Sipas evidencës së Këshillit rajonal të PSS, në rajonin e Shumadisë kjo parti ka më shumë se 22 mijë anëtarë. Në qytetin që paraqet "bombë sociale" të vërtetë, ku 20 mijë janë të papunë, 25 mijë të papaguar për arsye të ndryshme dhe rreth 16 mijë refugjatë, socialistët konsiderojnë se "rriten tensionet sociale" sepse ODS nuk ka përmbushur premtimet parazgjedhore.
Kryetari i Këshillit Qarkor të PSS Milan Zhivanoviq thotë se koalicioni qeveritar është përgjegjës që qytetarët e kanë gjithnjë e më vështirë dhe parashikon se në vjeshtë do të vijë deri tek "eksplodimi i pakënaqësisë sociale".
"Si opozitë e vërtetë socialistët duhet doemos, përmes institucioneve legale të sistemit dhe përmes protestave të organizuara të tregojnë gabimet e pushtetit dhe të afirmojnë programin e drejtësisë sociale", thotë Zhivanoviq . Ai thekson se populli nuk mund të jetojë nga donacionet, kurse pushteti nuk është i aftë të orgnizojë prodhimin dhe përfundon "ardhmëria i takon partisë socialiste".
OLIVERA S. TOMIQ