Lista e zezë amerikane!
Prishtinë, 21.07.2001.
Një grup invalidësh të luftës së fundit në Kosovë ishin ulur në magjistralen që lidhë Prishtinën me Kosovën perëndimore në vendin e quajtur Gryka e Llapushnikut, skenë e luftimeve të rrepta ndërmjet forcave serbe të sigurimit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë në verën e vitit 1998. Tri vjet më vonë, ish protagonistët e betejës së dikurshme nuk ishin mbledhur për të përkujtuar luftën e tyre. Kësaj radhe ata po "mbronin" ish komandantët e tyre të suspenduar nga vendet e punës dhe të vënë nën hetime të autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë.
Në fund të qershorit të këtij viti, presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, lëshoi një urdhër ekzekutiv me anë të të cilit ndalonte hyrjen në vendin e tij dhe transaksionet e ndihmën financiare për 23 shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia dhe disa organizata politike, për shkak se, siç thuhej, "ata paraqesin rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon". Në mesin e tyre kishte emra të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (grupe të armatosura të shqiptarëve që luftojnë kundër forcave qeveritare të Maqedonisë), pjesëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës të udhëhequr nga ish drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit (grupe të armatosura shqiptare tashmë të çmilitarizuara), të Këshillit Politik të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
Fillimisht, lista e personave u shpërnda nga Zyra amerikane në Prishtinë, në njoftimin e së cilës thuhej se ndalesa e udhëtimit është vendosur "për ata persona të cilët janë përgjegjës për aksionet që kërcënojnë përpjekjet ndërkombëtare për stabilitet në Ballkanin perëndimor dhe për personat përgjegjës për krimet që janë kryer në kohë lufte në rajon që nga viti 1991" . Presidenti ka vendosur ndalimin mbi donacionet në të holla apo material për personat dhe organizatat që janë në listë.
Njoftimi për vendimin e departamentit amerikan të shtetit, përkatësisht të presidentit Bush, i 'habiti' një pjesë të njerëzve që ndodheshin në listë, ndërsa një pjesë e subjekteve anëtarët e të cilëve ishin përfshirë në këtë "urdhër ezkekutiv", i cili shpejt filloi të quhet listë e zezë, fillimisht rrudhën krahët në shenjë pafajësie, apo u përgjigjën shkurt: "no comment"!
Disa të tjerë ngulën këmbë se "Shtetet e Bashkuara janë gabuar nga dikush tjetër", madje nuk munguan as vlerësimet se "qarqet antishqiptare e kanë lajthitur presidentin Bush!"
Reagimet ishin nga më të ndryshmet. Emrush Xhemajli, kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, tha se ky vendim mund të jetë i përkohshëm. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të respektuara për ne, mirëpo ne punojmë për Kosovën. Ky vendim mund të jetë i përkohshëm dhe së shpejti SHBA-të mund ta ndryshojnë atë", tha Xhemajli.
"Megjithë respektin që kam ndaj SHBA-ve, besoj se qeveria amerikane është ngutur në heqjen e vizave për personalitetet e ndryshme politike dhe ushtarake shqiptare, për ta vizituar një shtet demokratik", tha ndërkaq Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Politik të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Madje, Musliu tha se nuk e di se sa mund të ketë qenë i drejtë një informim në SHBA, kur dihet se subjekti të cilin ai e ka udhëhequr "vazhdimisht është angazhuar për zgjidhje politike të problemit në rajon." Kolegu i Musliut, Tahir Dalipi, tha se është futur ndonjë element i gabuar në listat amerikane. "Si subjekt politik gjithherë kam qenë angazhuar për zgjidhje politike të problemit të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, prandaj edhe jam i befasuar që qeveria amerikane ma paska ndaluar hyrjen në SHBA", tha ai. Ndërkaq, në Partinë Demokratike të Kosovës ishin më të matur në qëndrimet e tyre. Nënkryetari i kësaj partie, njëherësh edhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Private, Hajredin Kuçi, e vlerësoi këtë vendim të Departamentit Amerikan të Shtetit, si vendim kundër personave të caktuar. "Por, megjithatë, edhe disa nga personat paraqesin institucionet, si bartës të tyre. Kjo do të thotë se nuk mund t'u ikin reperkusioneve prej institucionit që e drejtojnë. Kjo mund të jetë një pikë e zbehtë për karrierën e tyre të mëtutjeshme," vlerësoi Kuçi. Shumë shpejt çështja u shndërrua në objekt diskutimesh në të cilat kishte qëndrime injoruese, por edhe të atillë që tërhiqnin vërejtjen në seriozitetin e çështjes. Për një pjesë të analistëve dhe publicistëve kosovarë "presidenti amerikan nuk mund të lajthitej lehtë, aq më pak nga qeveria e tij."
Mjegullën së shpejti filloi ta davarisë shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Christopher Dell, i cili nuk përtoi të trokasë në të gjitha dyert e subjekteve për t'u shpjeguar udhëheqësve të tyre se lista nuk ishte thjesht "gogol" për të trembur fëmijët që nuk duan të flenë! Bomba e listës shpërtheu në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Katër gjeneralëve të saj, Rrustem Mustafa - Remi, Daut Haradinaj, Rexhep Selimi e Sami Lushtaku dhe kolonel Ramiz Lladrovci, të përfshirë në listën e presidentit Bush, ju shqiptuan masa disiplinore nga komandanti i tyre, gjenerali Agim Çeku. Sipas vendimit të këtij të fundit, atyre u zbriteshin pagat mujore për 25 për qind për një vit, humbnin të drejtën e avancimit të tyre po ashtu për një vit dhe u ishin dhënë vërejtje me shkrim. Me rastin e publikimit të këtyre masave thuhej se "Duke respektuar vendimin e presidentit amerikan, por në mungesë të provave konkrete, për pesë oficerët e lartë të cilët gjenden në listën e kufizimeve, komandanti i Trupave Mbrojtëse, gjeneral Agim Çeku, ka marrë masa disiplinore". Edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë pohoi se "nuk ka dëshmi të majftueshme, mirëpo është duke shqyrtuar serizoisht çështjen, prandaj edhe ka kërkuar informata plotësuese nga qeveria e Shteteve të Bashkuara".
Një ditë më pas ishte e qartë se shqiptimi i masave disiplinore ishte përpjekje e dëshpëruar e gjeneral Çekut për gjetjen e një kompromisi, me çka do të shpëtonte vartësit e tij pa rënë ndesh me qëndrimet ndërkombëtare. Mirëpo, duket se amerikanët nuk u mjaftuan me kaq. Ata ishin të prerë në qëndrimin e tyre se nuk do të takoheshin e as nuk do të ndihmonin Trupat Mbrojtëse përderisa brenda objekteve të saj ishin personat e apostrofuar në listën e presidentit Bush. Adminsitratori i Kombeve të Bashkuara, Hans Haekkerup dhe komandanti i forcave paqeruajtëse (KFOR), Thorstein Skiaker, pezulluan të pesë oficerët e lartë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe njoftuan fillimin e hetimeve kundër tyre. Dëshpërueshëm, gjeneral Çeku dhe zëvendësi i tij, Sulejamn Selimi, bënë provën e fundit - ofruan dorëheqjet e tyre, mirëpo ato nuk u pranuan as nga zyrtarët ndërkombëtarë e as nga Shtabi i Përgjithshëm i këtyre trupave.
Pezullimi i gjeneralëve, ish pjesëtarë dhe udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (të çmilitarizuar dhe të transformuar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës) gjithsesi ishte "goditje" për strukturat e dala nga lufta e fundit në Kosovë, posaçërisht për faktin se të gjithë ata ishin anëtarë të orëve të para të gueriljes shqiptare, e cila filloi luftën kundër forcave serbe të ish presidentit jugosllav të akuzuar për krime lufte Sllobodan Millosheviq. Mirëpo, reagimet pas pezullimit të tyre ishin "të zbutura" tejmase. Në fund të fundit, sado i dhimbshëm, ky ishte një vendim i diktuar nga amerikanët, miqësia me të cilët për shqiptarët është më e rëndësishme sesa fati i pesë personave, pavarësisht nga pozita dhe roli i tyre. Partitë Politike shqiptare nuk bënë shumë komente, madje as ato anëtarët e të cilave ishin përfshirë në këtë listë. Duket se në një pozitë paksa më të vështirë ishte vënë kryetari i Aleancës për Ardhëmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka të vëllanë në listë.
Të gjithë këta persona janë "anatemuar" për shkak të implikimit të tyre në zhvillimet në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, përkatëisht për mbështetje të grupeve të armatosura shqiptare. Mirëpo, duket se nuk është vetëm kjo. Një pjesë e tyre do të mund të përballeshin me akuza për veprimet e tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Por askush nga zyrtarët më nuk dëshiron të komentojë rrjedhat e mëtejshme të kësaj çështjeje, duke u përgjigjur zakonishit se "kjo është çështje e hetimeve". Oficerët e pezulluar mund të shihen në veshje civile duke pirë kafe në qendër të qytetit, si për të dëshmuar se janë të pafajëshëm dhe nuk kanë arsye të fshihen nga sytë e opinionit.
Emrat e tyre janë gjetur, ndërkaq, në një listë të re (më të zgjeruar) të Bashkimit Evropian, e cila nuk është zyrtarizuar ende për shkak të "procesit të bisedimeve në Maqedoni". Por, edhe si e tillë ajo mban në vete "vulën" e aleatëve, prandaj ithtarët e oficerëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës po sprovojnë metodat e fundit të përpjekjeve për të "ndryshuar" vendimin e autoriteteve ndërkombëtare. Shoqatat e Invalidëve të Luftës dhe të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bllokuar rrugën magjistrale që shpie nga Prishtina për në Kosovën perëndimore, duke kërkuar "kthimin e të çregjistruarve". Por, ata duket se kanë mbetur mbrojtësit e vetëm të tyre dhe njëherësh më të pafuqishmit.
Partitë politike, ndërkaq, po shënojnë çastet e fundit deri kur duhet të emërojnë kandidatët e tyre për zgjedhjet e përgjithsme të 17 nëntorit në Kosovë dhe nuk e dinë nëse njerëzit e tyre të përfshirë në listat e "zeza" do të mund të zinin vendet e deputetëve në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës. Mbase kjo do të jetë pjesa e dytë e dhemshme e çmimit të miqësisë, përkatësisht të përballjes me dënimin e asaj që amerikanët e quajnë "keqpërdorim të saj"!
AIM Prishtinë, Besnik BALA