Votëbesim për qeverinë, gjeneralët në Hagë

Zagreb Jul 21, 2001

AiM, Zagreb, 16.7.2001.

Marrëdhëniet me Gjykatën e Hagës bënë që Kroacia brenda një viti e gjysëm të përjetonte gjithçka, kurse dhjetë ditët e fundit krijuan aq shumë ngjarje sa gjithçka u zbeh para saj. Fillimisht dhanë dorëheqje nga Qeveria e Raçanit disa ministra të Partisë Social Liberale Kroate (PSLK) të Budishës, që kundërshtuan dorëzimin e dy gjeneralëve kroat në Hagë Ante Gotovinës dhe Rahim Ademit, ndërkohë që kryeministri reagoi në vetmbrojtje duke kërkuar votëbesimin me çka imponoi dorëheqjen e Budishës.

Kjo mjaftonte që të plotësohej kronika e krizës më të thellë të deritanishme në Qeverinë e koalicionit në Kroaci në 500 ditët sa është në pushtet. Ngjashëm si në rastin e Noraçit, ajo u ballafaqua me fshehjen e njërit prej dy gjeneralëve të akuzuar (Gotovinës, ndërkohë që Ademi ishte i gatshëm për ballafaqim), por edhe me ngjarjet në popull, letrën protestuese në mbrojtje të gjeneralëve të akuzuar, nënshkruar nga 11 sportistë të njohur (Shukeri, Bobani, Bokshiqi, Raxha...), në mesin e të cilëve edhe fituesi i Wimbldon-it Goran Ivanisheviçi.

Më me rëndësi në këto ngjarje janë polarizimet e skajshme rreth bashkëpunimit me Hagën, që për së pari herë krijoi ndarje në qeverinë e koalicionit. Ndarjen e nxiti Drazhen Budisha, duke kundërshtuar haptas dërgimin e gjeneralëve kroat në Hagë. Ivica Raçani, më tepër nga zori se sa qejfi u gjend në pozitë të kundërt, kurse me të u solidarizua edhe kryetari i Republikës Stipe Mesiç.

Raçani me vendimin e Qeverisë për të dorëzuar dy gjeneralët fitoi përkrahje në skenën e gjërë botërore, përkundër Partisë Social Liberale Kroate të Budishës, që u godit me kritika të ashpra në Internacionalen liberale, kurse liberalët irlandez ngritën iniciativë për përjashtim. Një analizë më e thellë vërteton se Raçani kishte manovruar, veçmas nëse kemi parasyshë se një muaj kishte fshehur fletarrestin kundër dy gjeneralëve dhe vërejtjet e tij dërguar Hagës. Këtë e bëri të njohur, vetë kryeprokurorja e Hagës Karla Del Ponte gjatë vizitës në Zagreb, duke e detyruar Raçanin të polemizonte me atë që nuk mund të polemizohet (Qeveria është e autorizuar vetëm të dorëzojë fletarrestin deri tek i dyshuari para se të dorëzohet në Gjyqin e Hagës, kurse fletarresti mund të hudhet vetëm në Gjyqin e Hagës).

Me siguri, Raçani ishte i kënaqur me vërejtjet që iu bënë publikisht. Ai kështu u tregoi partnerëve të koalicinit dhe opinionit më të gjërë publik se bëri gjithçka që mundi – dhe më shumë se kaq – se u angazhua për gjeneralët e akuzuar, por, ja forca e madhe pengoi të shënonte sukses në këtë drejtim. Ai vazhdoi në stilin e njëjtë duke bërë taktizime. Thamë se në kompetencat e Qeverisë nuk është që të diskutojë për fletarrestin dhe dorëzimin e të dyshuarve, por Raçani, dorëzimin e dy gjeneralëve, e vuri në rend dite në Qeveri, me qëllimin që t'u krijonte mundësi gjithë partnerëve të koalicionit të vendosnin për këtë gjë kaq të rëndësishme dhe të ndante përgjegjësinë me ta për dorëzimin e Gotovinës dhe Ademit.

Budisha e hetoi këtë dredhi, prandaj kërkoi nga ministrat e tij të votonin kundër, por përgjithësisht ata nuk e dëgjuan (vetëm një votë ishte kundër, dy ishin pro, kurse dy të përmbajtura). Në vend të kësaj shumica ofruan dorëheqje duke protestuar se detyroheshin që të shprehnin lojalitetin ndaj partisë apo Qeverisë, presion që nuk mundi ta duronte Budisha. Ai doli me justifikimin se me qëndrimet e tij nuk dëshironte të ngarkonte partinë dhe ta sillte partinë para një situate sa të hiqte dorë nga marrëveshja e koalicionit, që në njëfare mase i përgjigjet imazhit të Budishës si njeri i cili u qëndron besnik qëndrimeve të veta edhe kur e sheh se nuk i sjellin ndonjë dobi praktike. Por, pohimet e tij se nuk do të pengonte partinë kishte mjaft patetikë, sepse në krye të PSLK, deri te Kuvendi i jashtëzakonshëm, erdhi Jozo Radosh, shumë i afërt me Budishën. Kjo flet se ish-kryetari i PSLK vazhdon prej aty ku mbeti, duke krijuar mundësi më të mëdha manovruese, por duke udhëhequr një tjetër. Partia nuk tentoi më me ultimatum të kundërshtonte bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, por në mënyrë lojale votoi vendimin e qeverisë, por e ruajti të drejtën që të shprehte mendimin e vetë dhe vazhdimin e koketimit me zgjedhësit që e qendrës së djathtë dhe të djathtës klasike.

Kjo nuk e shmangu rrezikun për ndarje brendapartiake, sepse veç Bushishës dha dorëheqje edhe njëri nga nënkryetarët Joshko Kontiç. Por, PSLK doli disi nga kjo krizë, që të përkujton tronditjet e një të kaluare jo të largët, kësaj rradhe të provokuar nga Ivica Raçan. I pakënaqur se partia e Budishës tash disa muaj është pengesë në koalicionin qeveritar dhe e prirë për shmangie përsa i përket bashkëpunimit me Hagën, ai vendosi ta mbështeste për muri. E detyroi të zgjidhte: votëbesim mes koalicionit ose anim i tërësishëm nga e djathta. Këtë e bëri duke kërkuar votbesim ndaj qeverisë në Sabor (Kuvend).

Disa herë përsëriti se votëbesimi kishte të bënte vetëm rreth bashkëpunimit me Hagën e jo me rezultatet e përgjithshme të politikës qeveritare, duke i lënë PSLK-së shumë pak hapësirë për përkrahje deklarative, ndërkohë që rreth çështjes së bashkëpunimit me Tribunalin vazhdoi me lëvizjet solistike. Gjërat filluan të dielën në seancën maratonike në Sabor, ku ishin njëqind deputetë, që përbëjnë dy të tretat e numrit të përgjithshëm. U pa llava debatuese e ngritur ndaj kryetarit të Saborit Zlatko Tomçiçit që të “mund të luajmë” vetëm deri të martën, sepse të mërkurën pason seanca e re e jashtëzakonshme e Saborit.

Kjo “të luajmë” ishte në llogari të Bashkësisë Demokratike Kroate dhe partive tjera opozitare që ishin kundër veprimeve të fundit të qeverisë, që në çastin e fundit iu bashkangjit edhe Qendra Demokratike e Mate Graniqit, e pakënaqur me fshehjen njëmujore të fletarrestit nga ana e qeverisë, si dhe me ekzistimin vërejtjeve në letrat e Raçanit, në vend se të kërkonte koncensus të të gjitha partive parlamentare rreth kësaj çështje. Duke ditur se qeveria pa PSLK mezi mund të llogarisë në shumicën në Kuvend, në shikim të parë u duk se Graniqi merr pjesën në fatin e Raçanit.

Por kjo është diçka sipërfaqësore. Qeveria e Raçanit për asnjë çast nuk u vu në pikëpyetje, kjo u hetua nga Graniqi, i cili luajti në kartën e pajtimit koncensual të qëndrimeve rreth fletarrestit të Hagës. Sabori (Kuvendi), ngjashëm si Qeveria nuk ka mandat për të diskutuar rreth fletarrestit, por vetëm mund ta ndryshojë, gjegjësisht suspendojë Ligjin Kushtetues për bashkëpunim me Hagën, që do të ishte një konflikt i hapur me botën. Megjithatë, Raçani e solli indirekt në rend dite fletarrestin e fshehtë kundër dy gjeneralëve dhe foli për vërejtjet dërguar Hagës.

Në këtë mënyrë demonstroi se në këtë punë ka nerv të njëjtë kombëtar si edhe kundërshtarët e tij, por realiteti në politikën botërore është i atillë sa nuk mund të veprojë ndryshe. Kjo është e mjaftueshme që kritikuesit më të zëshëm të shndërrohen në pakicë, kurse ata më pak të zëshmit të mbeten në Qeveri. Deri te ndonjë rast tjetër.

MARINKO ÇULIÇ