Mbrojtja e pakicave - edhe nëpërmjet rregullores për kontrollin e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme!
Prishtinë, 20.07.2001.
Një projektrregullore e propozuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) mbi shitblerjet e pronave, ka sjellë me vete edhe akuzën (ndoshta më të rëndën në adresë të shqiptarëve të Kosovës) për "spastrim etnik". Një dokument i hartuar në Prishtinë nga zyrtarët e këtij misioni është dërguar për të marrë "vizën" në zyrat për çështje ligjore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York, për t'u shtruar më pastaj për diskutim në strukturat e përbashkëta administrative në Kosovë. Sipas hartuesve të këtij dokumenti, Misioni i Kombeve të Bashkuara ka vendosur të rregullojë shitblerjet ndëretnike, meqë, siç thuhet, "tashmë disa muaj ekzistojnë dëshmi se grupe të organizuara të shqiptarëve të Kosovës kanë vënë në shënjestër pronat, të cilat nodhen në zona strategjikë për minoritetin serb". Misioni i Kombeve të Bashkuara pohon së ka mjaft dëshmi se janë blerë pronat strategjike në zonat, përkatësisht lagjet etnikisht të përziera, duke nënvizuar se këto janë bërë nëpër udhëhkryqe, nëpër qendrat e lagjeve apo afër kishave, duke paguar shuma të mëdha parash, duke përdorur forcën dhe frikësimin apo edhe me të dyja mënyrat. Kësisoji, kur shiten pronat kyçe nëpër vendbanime me popullatë të përzier, atëherë banorët e tjerë të zonës humbin ndjenjën e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes, prandaj banorët e tjerë, kryesisht ata serbë, i shesin pronat e tyre me shuma të vogla dhe lagjet më nuk janë shumetnike.
Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara pohojnë se është e vërtetë që shumë pjesëtarë të pakicës serbe dhe të komuniteteve të tjera janë larguar nga Kosova pa frikë dhe i kanë shitur pronat e tyre me vullnetin e tyre, e madje edhe të kënaqur. Mirëpo, shumë të tjerë duan të qëndrojnë për aq kohë sa vendbanimet e tyre janë të sigurta. Dhe pikërisht këta, thotë zëdhënësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Susan Manuel, janë brenga e zyrtarëve ndërkombëtarë, meqë, shton ajo, "këta janë shpërngulur nëpërmjet formave të buta të spastrimit etnik". Sipas projektrregullores, administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën së bashku me administratorët komunalë e rajonalë do të identifikojnë zonat ku ende ka popullatë të përzier dhe të cilat po e humbin në mënyrë rapide këtë karakteristikë. Prandaj, një person i cili dëshiron të blejë një pronë në këto zona të identifikuara nga zyrtarët ndërkombëtarë, duhet të paraqesë kërkesën e tij tek administratori komunal. Ky i fundit do të shqyrtojë propozimet e blerjes si dhe 'pozicionet ' e blerësit dhe të shitësit të pronës për të verifikuar se shitblerja nuk është ndikuar nëpërmjet frikësimit dhe se blerësi nuk përfaqëson grupe apo organizata që bëjnë blerje sistematike të pronave të komuniteteve më qëllim të spastrimit etnik. Nëse ai vërteton se nuk ka pegesa tek asnjëra palë, atëherë e miraton shitblerjen e cila duhet të vërtetohet nga gjykatat përkatëse. Aktualisht, projektrregullorja nuk përfshin tërë territorin e Kosovës, por disa vendbanime me popullatë të përzier, siç janë komunat e Obiliqit e Fushë Kosovës, jo fort larg Prishtinës, dhe komuna e Vitisë në Kosovën Lindore. Ndërkaq, një komitet i përbashkët i Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatës për Siguri dhe Bashëkpunim në Evropë (OSBE) dhe komunave do të shqyrtojë rregullisht zonat e ndryshme për të vërtetuar nëse duhet zbatuar një formë të tillë të mbrojtjes së pakicave.
Si rëndom në raste të tilla, projektrregullorja, ende pa u miratuar, ka nxitur reagime të rrepta të përfaqësuesve shqiptarë. Duke qenë vetë viktima të fushatave të organizuara të spatrimit etnik, ata reagojnë zëshëm në akuzat se bashkëkombësit e tyre mund të vihen në pozita të tilla. Bashkëkryesuesja e Departamentit te Drejtësisë, avokatja e njohur Nekibe Kelmendi, pohon se vlerësimet për spastrim etnik nëpërmjet shitblerjes së pronave janë tërësisht të papranueshme, sepse "shpërnguljet nuk bëhen vetëm për motive politike, por edhe për shkaqe ekonomike, shkaqe familjare, si bashkimi i familjes, për shkaqe shkollimi, etj. Kosova mjaft i ka barrët e veta për ta stabilizuar gjendjen këtu dhe për të ndërtuar një të ardhme demokratike, prandaj do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme nëse i mvishet tash 'spastrimi etnik', pos nëse nuk ka ndonjë prapavijë tjetër", theksoi zonja Kelmendi. Njëkohësisht, shqiptarët pohojnë se ndalimi i shitblerjeve është "shkelje e të drejtës themelore të njeriut për posedim me pronën private" dhe si e tillë ajo është e papranueshme.
Vite më parë qeveria serbe kishte miratuar një ligj me të cilin ndalohej shitblerja e pronave me qëllim të, siç thuhej, "ndalimit të shpërnguljes së serbëve nga Kosova". Prandaj, ekspertët e drejtësisë pohojnë se kjo projektrregullore është e ngjashme me ligjet e mëhershme të qeverisë së Serbisë, e cila në periudhën derisa sundonte Kosovën kishte shpallur ligje me të cilat parashihte që çdo kontratë shitblerjeje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve e malazezëve të shqyrtohej dhe të miratohej apo hidhej poshtë nga ministria e financave. Këto ligje që zunë fill në periudhën e histerisë nacionaliste serbe, pohojnë ata, në vitet '90, kur në pushtet ishte ish diktatori serb, tash i akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviq.
Në UNMIK pohojnë, ndërkaq, se kjo projektrregullore nuk ka të bëjë me ligjet e tilla diskriminuese, të cilat sipas zyrtarëve të këtij misioni janë hedhur poshtë që më 1999 pas vendosjes së administrimit të përkohshëm civil në Kosovë. Qëllimi i UNMIK-ut, pohojnë ata, është "ndalimi i shpërnguljes së serbëve, meqë ata po vazhdojnë të ikin nga Kosova". Pra, synimi i kësaj rregulloreje nuk është ta ndalojë shitblerjen e pronës së paluajtshme midis pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme, por që ky proces të vihet nën kontroll.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, të cilët e lexuan dhe shqyrtuan draftin e punës të dokumentit të UNMIK-ut thanë se ai është i panevojshëm e i padobishëm dhe në shumëçka e kthen prapa Kosovën në periudhën e diktaturës komuniste. Në vend të rregulloreve ata ngulin këmbë që këto çështje të zgjidhen nëpërmjet gjykatave apo edhe instrumenteve të tjera të efektshme juridike.
Mirëpo, zyrtarët ndërkombëtarë duken të vendosur të vazhdojnë me përpjekjet për vendosjen e kësaj rregulloreje me shprese së në këtë mënyrë do të ruajnë "oazat" e multietnicitetit. Por, më shumë se këtij qëllimi, kjo këmbëngulësi e tyre duket se u shërben përpjekjeve për të joshur pjesëtarët e komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit në Kosovë dhe t'i japin fund bojkotimit të strukturave të përbashkëta administrative. Megjithëse zyratrët pohojnë se "është vonë të mbrohen pronat e pashitura, meqë të tilla tashmë ka shumë pak në Kosovë."!
AIM Prishtinë, Besnik BALA