Monarkët në Ballkan
Monarkia ne menyren serbe
AIM Beograd, korrik 2001
Dinastia Karagjorgjeviq është dy shekuj e vjetër. Në vitin 1804 tregtari serb i derrave Gjorgje Petroviç, më vonë i njohur si Karagjorgje, nxiti serbët për kryengritje kundër Perandorisë Osmane. Karagjorgje më 1811 u shpall si pushtetmbajtës. Kryengritësit u mundën më 1813, turqit u kthyen në Beograd, kurse Karagjorgje emigroi në Austri. U vra më 1813 gjatë tentimit për t'u kthyer në Serbi për të nxitur një kryengritje. Për herë të dytë karagjorgjeviqët erdhën në fronin serb më 1842. Monark u bë Knjaz Aleksandri I, i cili u rrëzua nga froni më 1858, kurse në fron u kthye Obrenoviqi.
Herën e tretë dinastia Karagjorgjeviq kthehet në pushtet në vitin 1903, pas puçit ushtarak që e bëri "Dora e zezë". Pas vrasjes së Aleksandër Obrenoviçit në fron u kthye Petri, nip i Karagjorgjeviqëve. Mbreti Aleksandri I, nga 1914 kreu shërbimet e Princ Regentit në vend të babait të sëmurë. Atë, më 1913, në Marsej, e vrau një terrorist maqedon, që punonte për ekstremistët kroat, me ndihmën e hungarezëve dhe italianëve.
Djali i mbretit Aleksandri I, trashëgues i fronit të Petrit, kishte vetëm 11 vjet kur iu vra babai, pas çka u bë mbret. Në emrin e tij udhëhoqën vendin knjaz Pavle Karagjorgjeviqi, dr. Radenko Stankoviq dhe dr. Ivan Peroviq. Princi Pavle nënshkroi Paktin për mossulmim me Gjermaninë dhe Italinë. Menjëherë pas kësaj, më 17 mars 1941, Princi Pavle dhe Qeveria e Kralevës, bënë grushtshtet, kurse Mbreti i ri Petri II u shpall i mitur. Ditën kur u bë grushtshteti, 27 mars 1941, mbreti Petar II, që ende nuk kishte 18 vjet, morri pushtetin nga zëvendësit e mbretit. Mbreti Petar II lindi më 6 shtator 1923 në Beograd, dhjetë vjet qëndroi në Londër për shkollim. Një javë më vonë Gjermania, Bullgaria, Hungaria dhe Italia sulmuan Jugosllavinë, kurse ushtria ishte e detyruar të kapitullonte. Mbreti Petar II dhe qeveria jugosllave emigruan në Londër. Gjatë luftës, mbreti Petar u martua me princezën greke Aleksandrën, kurse në vitin 1945 u lindi djali Aleksandri.
Pas shkatërrimit të Ushtrisë Jugosllave u formuan dy lëvizje të kundërta të rezistencës. E para ishte Ushtria e Kralevës për Atdhenë (lëvizja çetnike), në krye me gjeneralin Dragolub (Drazhe) Mihajloviq, kurse tjetra ishte lëvizja revolucionare partizane, që udhëhiqej nga komunisti Josip Broz - Tito.
Krijimi i Republikës
Para përfundimit të luftës, nën presionin e Çerçilit, Mbreti Petar i dha mandatin ish banit kroat Subashiqit të formonte qeverinë e përbashkët me Josip Brozin (qeveria Tito-Subashiç). Më vonë kjo qeveri, përmes qeverisë së koalicionit dhe të zëvendësve të mbretit, më 1944 solli në pushtet komunistët. Këtu u shua fati i Mbretërisë Jugosllave. Një vit më vonë, në nëntor të vitit 1945, monarkia u shpërbë pa referendum, kurse Jugosllavia u bë shtet njëpartiak nën qeverisjen e Partisë Komuniste.
Mbreti Petar asnjëherë nuk u fal. Me Vendimin e Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë nga 8 marsi i vitit 1947 u konfiskua gjithë pronësia, kurse me të njëjtin Vendim Karagjorgjeviqëve "përgjithmonë iu ndalua kthimi" në vend.
Në Los Angjelos më 3 nëntor 1970 vdiq, mbreti Petar II Karagjorgjeviq, mbreti i fundit i Jugosllavisë. Mbreti Petar nënshkroi dhiatën: "Nëse do të jetë nesër Jugosllavia monarki apo republikë me sa dhe çfarë njësishë, këtë do ta vendos populli i lirë me vullnetin e vetë, që është burim dhe ushqyes i pushtetit në shtetin e vetë të lirë dhe përmes Kuvendit Kushtetues të zgjedhur lirisht. Ne e lusim Zotin dhe besojmë se ditën e gjykimit edhe Biri Ynë, trashëgimtari i vetëm Aleksandri, si pasardhës i Karagjorgjeviqëve të lavdishëm, do të tregojë vlera pozitive të pushtetmbajtësit të ardhshëm të Jugosllavisë së lirë dhe demokratike, prandaj si baba dhe Mbret, i lë dhiatën të qeveris vendin me mençuri, të jetë i drejtë, liridashës, shpirtlirë dhe besnik i paluhatshëm ndaj traditave të familjes sonë të Karagjorgjeviqëve, të mbrojë unitetin e Jugosllavisë dhe pavarësinë e atdheut tonë". Monarku tani jeton në Londër (Angli) dhe merret me biznes privat.
Kthimi i monarkut dhe pjesëmarrja në jetën politike
Princi trashëgimtar Aleksandri, për herë të parë erdhi në Jugosllavi më 5 tetor 1991. "Relikti pa ndikim", siç e quajti atëherë BBC-ja Aleksandrin, u shndërrua në një faktor të ri politik gjatë vizitës dy ditëshe të përshkuar me emocione. Formula me të cilën trashëgimtari i fronit mbretëror e pushtoi Beogradin ishte: "Paqë përmes negociatave. Liri përmes demokracisë parlamentare. Zhvillim kombëtar dhe përparim ekonomik". Te populli dhe në opinionin publik kthimi i trashëgimtarit të fronit mbretëror u prit mirë. Shumica vlerësuan se ai paraqiste formulën politike karshi kuazi - formulës shumëpartiake, që në thelb ishte në sistemin politik komunist që ndërthurrej në sistemin e demokracisë parlamentare. Koha dëshmoi se kjo formulë nuk vlen në Jugosllavi, veçmas u qartësua pas takimit të Vidovdanit, protestat disamujore kundër regjimit të Millosheviqit. Atëherë u dëshmuan konstatimet se "vendosja e një monarkie parlamentare dhe ardhja e Aleksandër Karagjorgjeviqit të dytë si pajtues, unifikues dhe shpëtimtar" nuk ishin asgjë tjetër veç një formulë e zbrazur politike e pazbatueshme në politikën serbe. Gjatë ardhjes së parë në atdhe Aleksandri theksoi përgjithmonë do të braktiste vendin nëse "nuk e thirrin gjithë partitë në Serbi", ftesë që ende pret.
Këshilli republikan i parlamentit jugosllav më 26 shkurt 2001 suspendoi Vendimin për marrjen e nënshtetësisë dhe pronës së familjes Karagjorgjeviq. Në sqarimin e Qeverisë së RFJ theksohet se Vendimi ishte i paligjshëm edhe nga aspekti i rendit juridik që ishte në fuqi në vitin 1947 dhe ligjit të atëhershëm për nënshtetësi.
Opozita Demokratike e Serbisë, që tani ka pushtetin në Serbi dhe RFJ, gjatë fushatës së vitit të kaluar zgjedhore premtoi se me ardhjen në pushtet do t'ia kthente pronën dhe nënshtetësinë familjes Karagjorgjeviq. Prona edhe mëtej nuk iu kthye. Nënkryetari i Qeverisë federale Mirolub Labush tha se ligji do të ketë vetëm fuqi juridike, kurse në të ardhmen: "Do t'ia kthejë nënshtetësinë familjes Karagjorgjeviq, kurse do ta lë menjanë çështjen e pronësisë. Prona shtetërore dhe private do të rregullohet me ligj të posaçëm dhe çështjet tjera pronësore".
Gjatë viteve 1991 dhe 1992 u ngritën shumë iniciativa dhe propozime që organet shtetërore zyrtarisht të konstatonin anulimin juridik të Vendimit të përmendur. Një iniciativë iu dërgua Gjyqit Kushtetues të Jugosllavisë së dikurshme, por ky Gjyq e shpalli si të pavlefshme, me arsyetimin se bëhej fjalë për akt individual e jo për akt juridik të përgjithshëm. Kah fundi i vitit 1991 deputetët e Lëvizjes së Ripërtrirjes Serbe ngritën iniciativën në Kuvendin Popullor të Serbisë me kërkesën për miratim të Deklaratës për marrjen jolegale të shtetësisë dhe pronësisë së Karagjorgjeviqëve, ku kërkohej kthimi i nënshtetësisë dhe pronës së marrë. Megjithatë, Kuvendi e refuzoi Deklaratën me arsyetimin se Vendimi i vitit 1947 nuk ishte në kompetencat e saj.
Ekzistimi i partive monarkiste dhe pjesëmarrja e tyre në jetën politike në vend dhe në institucionet legale qeveritare.
Trashëgimtari i fronit mbretëror u paraqit si jashtëpartiak, i qetë, skajshmërisht unifikues dhe si nikoqir i mirë, si një faktor i njëmendtë koheziv. Lëvizja e Ripërtrirjes Serbe (LRS) është partia më e rëndësishme që në programin e vetë parasheh referendumin rreth çështjes Monarki apo Republikë dhe shpesh herë paraqitet nga pozicionet monarkiste. Në programin e LRS-së thuhet se angazhohet për "ripërtrirjen e monarkisë në Serbi ku mbreti do të kishte rol dekorativ e jo pushtetor dhe do të ishte simbol i bashkimit në shtet – ombrelë mbipartiake në demokracinë shumëparlamentare". Pas vazhdës së veprimeve të gabuara në politikën e brendshme kjo parti në zgjedhjet e fundit për Kuvendin republikan pësoi humbje të mdhe duke mos plotësuar kuotën që rezultoi me mosmarrjen e asnjë mandati në Parlament.
Veç LRS, në mesin e partive me ndikim që përkrahin monarkinë është edhe "Nova Srbija" ("Serbia e Re). Kryetari i saj Velimir Iliç, një nga liderët e Opozitës Demokratike të Serbisë, ka filluar me shumë pasion fushatën presidenciale, edhe pse deri tek zgjedhja e kryetarit të Serbisë na ndan edhe një vit. Por ministrin e policisë dhe nënkryetarin e Partisë Demokratike nuk e ka pyetur askush publikisht se pse "Nova Srbija", si parti monarkiste propozon dikënd për kryetar Republike".
Partitë tjera politike qëndrojnë pak a shumë në distancë nga monarkia, por respektojnë një pjesë të trupit zgjedhor që është i përcaktuar për monarki, prandaj edhe haptas koketojnë për monarkinë.
Cili është qëndrimi i partive politike kryesore dhe drejtuesve shtetërore ndaj Monarkisë?
Anketat thonë se vetëm një e katërta e popullatës së Serbisë përkrah idenë për monarki, kurse partitë politike shohin tek princi simbolin e vazhdimësisë shtetërore dhe dëshminë e Serbisë tjetër, asaj jokomuniste dhe opozitën e qetë. Para ardhjes në pushtet liderët e ODS deklaruan se përsa i përket qëndrimit ndaj monarkisë këtë "duhet ta zgjidh Kuvendi Kushtetues që është i vetmi institucion kompetent për çështje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme".
Partia Socialiste e Serbisë – E Majta e Bashkuar Jugosllave dhe Partia Radikale Serbe, para ca kohe parti në pushtet me qëndrim antimonarkist, edhe në këtë përbërje vazhdojnë traditën e pushtetit komunist. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit nuk u mbajt referendum për monarki/republikë ndonëse opozita propozoi të organizohej një referendum i këtillë. Por, opozita nuk kishte fuqi të mjaftueshme politike të realizonte këtë kërkesë. Ky ishte shkaku që opozita ngulmoi në opcionin tjetër- Kuvendin Kushtetues, si mjet që duhej të vendoste për rendin shtetëror. As kjo ide nuk u realizua, edhe pse edhe tani, herëpashere e propozojnë shumë parti që aktualisht janë në pushtet në kuadër të koalicionit me emrin Opozita Demokratike e Serbisë (ODS).
Princi Aleksandër, pranon haptas se dëshiron të ndjek shembullin e fisit të tij të largët, mbretit spanjoll Huan Karlosit: "Unë nuk dëshiroj t'ia imponoj popullit monarkinë". Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit monarku është gjithmonë i pranishëm në skenën politike. Para zgjedhjeve të fundit organizoi dy takime me liderët e partive opozitare, njëri i mbajtur në Athinë (2000), tjetri në Budapestë (fundi i 1999). Aty morrën pjesë liderët e atëhershëm opozitar, që tani janë në pushtet. Për takimin e liderëve opozitar në Athinë më 22 prill 2000, Dragor Hiber, nënkryetar i GSS dhe një nga jesëmarrësit tha se këtu nuk bëhet fjalë për "ndonjë takim rreth monarkisë, por nëpërmjet ndërmjetësimit të princit Aleksandër Karagjorgjeviqit, tentohet shmangia e mosmarrëveshjeve brenda opozitës, që për çastin nuk janë të shumta".
Veç kontakteve të drejtpërdrejta me partitë monarku vepron përmes Këshillit të Kurorës dhe Kuvendit të Kurorës. Një nga anëtarët e Këshillit është Dushan T. Batakoviç, ambasadori i tanishëm i Jugosllavisë në Greqi, kurse në Kuvendin njëzetanëtarësh të Kurosës janë emëruar dhe punëtor të respektuar shkencor dhe akademikë (Ivan Atniq, profesor i arkitekturës, Mirosllav Gashiq, profesor i kimisë, Matia Beçkoviq, poet, Dragolub Kavran, profesor i shkencave juridike, Predrag Palavestra, historian i letërsisë, Pavle Nikoliq, profesor i së drejtës, Milorad Paviq, shkrimtar, Dushan Kovaçeviq, shkrimtar, Svetlana Velmar Jankoviq, shkrimtare ...).
Gjasat që monarku të ndikojë në të ardhmen e vendit janë të pakta. Ai ka ndikim si pjesëmarrës i thjeshtë në sistemin politik republikan, por relativisht pak. Në pyetjen rreth rolit në të ardhmen dhe fatit të monarkisë Aleksandër Karagjorgjeviqi u përgjigj se "kur do të vinte në shtëpi, do të lejonte që gjërat të shkonin në drejtimin e vetë" dhe përsëriti se nuk dëshironte hakmarrje por pajtim dhe integrim të vendit në bashkësinë ndërkombëtare. Do të vazhdoj të promovoj demokracinë dhe të krijoj afërsinë time miqësore me popullin serb. Dëshiroj të shoh Jugosllavinë e tanishme të përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi". I pyetur se si do të reagonte nëse referendumi i ardhshëm do të ishte negativ, Karagjorgjeviqi tha se "është i sigurtë se asnjë në Serbi nuk do të dëshironte të më shihte që të ik edhe njëherë".
DRAGOSLLAV GJURIQ