Bukuria e botës së re
Pas tre vjet pune të ekspertëve slloven lindi Ligji për mediume, që për shkak të përcaktimeve rigjide edhe më parë iu nënshtrua kritikës së opinionit publik.
Lubjana, 8.07.2001
Ishte e mjaftueshme më shumë se një muaj që ligji i ri për mediumet, pas miratimit në Parlament, praktikisht të shfaqte anën e keqe. Edhe në mediume janë gjithnjë e më të shpeshta kritikat në adresë të ligjit të ri. Ligji i përgatitur më shumë se dy vjet nga tre qeveritë sllovene që në start lëngon nga përcaktime tjera të përgjithshme, shumë represive dhe me zgjidhje burokratike. Në vend që materiali të shpërndahet në disa ligje,
gjithçka u fut nën të njëjtën çati.
Problemet dhe hamendjet janë të shumta. Çështja e të drejtave dhe mbrojtja e burimit të informacionit - që për gazetarët janë gjëja më e rëndësishme në këtë ligj - edhe kësaj rradhe thuajse u harrua tërësisht. Edhe përkundër asaj se për këtë problem bisedohet tash dhjetë vjet. Ligji parasheh që "redaktori, gazetari ose autori i tekstit nuk është i detyruar të zbulojë burimin e informacionit, përveç në rastin kur kjo parashihet në ligjin penal". E përderisa ligji penal nuk njeh kurfarë të drejtash për gazetarët (njeh vetëm të fshehtat mjekësore, të avokaturës, të besimit) gazetari në gjyq doemos duhet të thotë gjithçka që e kërkon gjykatësi. Në Evropën perëndimore dhe SHBA kjo e drejtë është përcaktuar në mënyrë mjaft precize. Fjalori oruellian i paragrafit slloven nuk është i rastësishëm - diçka e ngjashme para një gjysmë shekulli u shkruajtën në ligjin e Spanjës frankiste.
E gjithë kjo është rezultat i punës së nëpunësve të Shoqatës së Gazetarëve të Sllovenisë, që në komisione të të ndryshme kaluan mjaft orë me funksionarët shtetëror. Pasi nuk kishte kurfarë proteste zyrtare ose ndonjë kritikë pas miratimit të paragrafit të turpshëm kjo megjithatë flet mjaft për punën e kësaj Shoqate. Rezultati i vetëm i rëndësishëm i shoqatës profesionale të gazetarëve në Slloveni në dhjetëvjeçarin e fundit është garantimi i lehtësimit për 5 përqind për anëtarët e organizatës së gazetarëve gjatë blerjes së automobilave Reno.
Për ligjin që është përgatitur kaq gjatë gjithashtu është e pazakonshme shmangia e rregullimit të problematikës së Internetit. Plotësimi i zbrazëtirave juridike që u shfaqën shkaku i zhvillimeve të reja teknologjike ishte një nga qëllimet e ligjit. Përndryshe ministrat slloven gjithnjë komunikojnë përmes internetit. Përveç kësaj sot në Slloveni ka 400 mijë familje të lidhura me Internet. Ligji për këtë lloj komunikimi nuk nuk parasheh asgjë. Kjo është e keqe për firmat dhe shfrytëzuesit tjerë që doemos duhet që raportet zyrtare edhe mëtej t'i botojnë vetëm përmes gazetave. Fyerja në Internet, që e lexon gjithë bota, në Slloveni nuk është vepër penale.
Ligji me shumë hollësi përcakton shumë gjëra, që pengojnë botuesit e vegjël. Tani gjithë botuesit duhet që shënojnë në impresum numrin e ekzemplarëve të shtypur kurse gjatë regjistrimit kanë më shumë punë administrative. Shumica u befasuan nga përcaktimet e shumta për ndalesa. Ligji sanksionon madje 59 raste. Në krahasim me këto ndalesa gjithë Ligji penal i Sllovenisë njeh 264 vepra penale. Vështirë se mund të gjendet ndonjë ligj me aq shumë vepra të ndaluara. Ligji sanksionon publikimin e fshehtë, reklamimin e alkoolit, ndikimin e palejueshëm në sponzorizimin e mediumeve, shpalljet që "nënçmojnë dinjitetin njerëzor" dhe çfarëdo shpallje në gjuhët josllovene.
Mbrotja e gjuhës sllovene është shumë e ashpër dhe rigjide. Kryeredaktori mund ta botojë shkrimin e vetë vetëm me vërtetim se ka njohuri për gjuhën sllovene. Gjithashtu vlen edhe për të huajt. Gjithë mediumet në Slloveni duhet ta përdorin gjuhën sllovene. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e pakicave të "pranuara" (edhe këtu ligji është diskriminues sepse potencohen vetëm tre pakicat sllovene "të pranuara me kushtetutë") dhe mediumet që i dedikohen ndonjë publiku specifik. Edhe në kësi rastesh doemos në ballinat e këtyre mediumeve duhet që me shenja të "dukshme" grafike, optike ose akustike në gjuhën sllovene të shkruajë se kujt i dedikohet ky publikim në gjuhë josllovene. Diçka është e qartë - pjesëtarët e disa pakicave gjuhësore nuk do ta kenë aq lehtë të merrem me publikime apo me botimin e poezive të tyre në Slloveni. Përgjithësisht e gjithë kjo është në kundërshtim me ligjet evropiane. Procesi i integrimit sheshazi duket se nuk ka efekte të njëjta për vendet e mëdha dhe të vogla. Derisa, për shembull, në Gjermani kryetar i PEN-it është zgjedhur iranian (për shkak të meritave të tij dhe thyerjes së stereotipeve etnike) dhe derisa në kioskat e Anglisë mund të lexosh shkronja të çuditshme, në shtetet e vogla, siç është Sllovenia rënia e kufijve të jashtëm ngre gjithnjë e më shumë bariera shpirtërore.
IGOR MEKINA