Krizë qeveritare shkaku i dorëzimit të gjeneralëve
AIM, Zagreb, 09.07.2001.
Aktakuza e Gjykatës së Hagës kundër dy gjeneralëve kroat paraqet krizën më të madhe të pushtetit posttugjmanist. Aktakuzat e firmosura para një muaji arritën në Zagreb, por zyrtarisht ekzistimi i tyre u vërtetua të premten e kaluar, kur kryeprokurorja e Hagës Karla del Ponte vizitoi Kroacinë.
Në aktakuzë, siç merret vesht jozyrtarisht, përfshihen emrat e gjeneralit të pensionuar Ante Gotovina dhe gjeneralit aktiv Rahim Ademi. Përmbajtja e akuzës nuk është e njohur, por Ademi ngarkohet për krime lufte në Medaçki Xhep, ku përmes taktikës së tokës së djegur u shkatërruan disa fshatra serbe dhe u vranë mjaft civilë. Interesi i Gjykatës së Hagës për Gotovinën ndërlidhet me operacionin "Stuhia", ku ishte një nga komanduesit, por nuk dihet se për çka ngarkohet nga Haga. Mes tjerash përdorimi i tepërt i topave gjatë çlirimit të Kninit. Ademi shprehu atishmëri të shkonte në Hagë, kurse tani mësohet se pushteti i Tugjmanit, para tre vjetësh ia ndaloi bisedën me hetuesit e Hagës. Gotovina nuk është i gatshëm t'i përgjigjet Gjyqit të Hagës.
Të shtunën Qeveria kroate, pas një mbledhje plot dramatikë, që zgjati gjithë ditën, solli vendimin që të plotësojë kërkesat e Hagës dhe të veprojë sipas aktakuzave të paraqitura. Ashtu siç u prit, vendimi për dorëzimin e gjeneralëve të akuzuar shkaktoi tronditje në koalicionin qeveritar. Partia Kroate Social Liberale (PKSL) e Drazhen Budishës, përndryshe partneri i parë i koalicionit i Partisë Socialdemorate të Ivica Raçanit, u shpreh kundër. Udhëheqësia e PKSL insiston në atë se në Hagë nuk mund të dorëzohen ata që kanë mbartur përgjegjësi gjatë komandimit. Kjo parti solli vendim që ministrat e saj të votonin kundër dorëzimit dhe kryeministrit menjëherë t'ia dorëzonin në tavolinë dorëheqjet e tyre. A do të thotë kjo se partia e Budishës do ta braktis koalicionit qeveritar - tani për tani kjo është e paqartë.
Duke bërë publik në orët e vona mes të shtunës dhe të dielës vendimin e qeverisë se pranon kërkesat e Gjykatës së Hagës, kryeministri paralajmëroi se nga Kuvendi do të kërkojë që të votojë për besimin ndaj kabinetit të tij. Raçani mund të fitojë përkrahjen e shumicës së përfaqësuesve të Kuvendit edhe pasi liberalët e Budishës i ja kanë kthyer shpinën. Nëse nuk ka sukses - zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.
Në këtë moment është e vështirë të vlerësohet se si do të votojë në Kuvend PKSL.
Duke qenë kundër kërkesës së Gjyqit të Hagës udhëheqësia e kësaj partie tërhoqi një gurë nga koalicioni qeveritar, por gjithashtu lëkundi edhe rradhët e pushtetit. Nga gjashtë ministrat e PKSL, vetëm një respektoi në tërësi vendimin e udhëheqësisë së partisë së tij. Tjerët vepruan laramanishëm - disa nuk u përcaktuan, disa ishin të përmbajtur, disa ishin kundër qëndrimit të partisë dhe votuan për vendimin e qeverisë por për çështje morale dhanë dorëheqje. Për ta përmirësuar qëndrimin e vet dhe për ta penguar çarjen në parti Budisha tani plason deklaratat për përmbajtjen e papranueshme të akuzës së Hagës. Ai pranon se nuk e ka parë, por pohon se aty aksionet çlirimtare kroate trajtohen si aksione të krimeve të luftës, se "Stuhisë" i imputohet dëbimi i planifikuar i 150 mijë serbëve të Kroacisë dhe se Kroacia akuzohet për gjenocid.
Kundër dorëzimit të gjeneralëve u shpreh edhe BDK-ja, për pushtetin e të cilit u soll Ligji për bashkëpunim me gjykatës e Hagës para pesë vitesh. Sipas këtij ligji Kroacia nuk ka mundësi tjera vetëm se të plotësojë kërkesat e Tribunalit. Por, BDK-ja tani kërkon referendum, thotë se akuzat mbështeten në fakte jo të besueshme dhe se sërish barazohet përgjegjësia e agresorit dhe viktimës.
Disa parti të vogla djathtiste, shoqata dhe organizatat e veteranëve paralajmërojnë protesta masive, dalje në rrugë, trazira dhe thyerje të kufijve. Vendimi i qeverisë paraqitet si grushtshtet dhe tradhëti. Paralajmëruan se me tentimin për dorëzimin e gjeneralëve do ta bllokojnë Kroacinë. Thanë se dorëzimin do ta kundërshtojnë me mjete demokratike, por nuk u përjashtuan edhe mjetet tjera. Porosisin qeverinë të mos harrojë se ata kanë qenë luftëtarë. Këto pengesa në sezonin e suksesshëm
turistik, prej çka mvaret mbijetesa ekonomike e vendit, nuk është vështirë të ndodhin. Kryeministri paralajmëroi se dhunës do t'i përgjigjej me të gjitha mjetet ligjore dhe se nuk do të toleronte bllokimin e rrugëve.
Kryetari i Republikës Stjepan Mesiç gjatë një paraqitjeje të veçantë tek i drejtohej kombit përkrahu fuqimisht vendimin e Qeverisë që pozitivisht t'i përgjigjej Gjyqit të Hagës. Duke thënë se vendimi i Qeverisë ishte alternativë e vetme, Mesiçi "rritjen e temperaturës dhe krijimin e psikozës për një gjendje gati të jashtëzakonshme" e vlerësoi të pabazë. Sipas tij për akuzat e Hagës duhet të pritet, kurse për opinionin kroat tha se edhe mëtej "nuk e din gjithë të vërtetën për çka është punuar dhe ka ndodhur në kohën e luftës". Gjithë organeve dhe institucioneve të shtetit u bëri thirrje të veprojnë me kujdes e përgjegjësi, kurse qytetarët të mos bien në provokime: "Mos u besoni atyre qëllimi i të cilëve është destabilizimi shtetit dhe ikja nga përgjegjësia e pushtetit", porositi Mesiçi.
E shtuna e stuhishme në Oborrin e Banjskos paralajmëroi edhe stuhi në skenën politike kroate. Qeverisë së Raçanit i arrijnë tani fletëakuzat nga Haga për të cilat është dashur të dijë se janë të pashmangsme, kurse ajo është gjetur e papërgatitur. Pushteti posttugjmanist nga kryeprokurorja e Hagës morri si shpërblim 500 ditë që nuk i shfrytëzoi seriozisht. Nuk e shfrytëzoi as atë muaj kur u firmosën fletëakuzat dhe arritën në Zagreb, kurse kryeministri dërgoi letrën e tij kundërshtuese në Hagë dhe shkoi në pushim. Nuk u shfrytëzuan as ato dhjetëra ditë kur Millosheviqi u dërgua në Scheweningen dhe kur edhe naivit më të madh iu bë e qartë se çka do të pasojë.
Duket se ndaj sfidave të Hagës pushteti aktual është i papërgatitur, sikurse në fillim të mandatit të tij. Gjatë një viti e gjysmë arriti, përmes vështirësive të shumta, të fillonte një proces kundër gjeneralit Norça dhe grupimin të Gospiçit. Rastet tjera të njohura të krimeve gjyqësia kroate ende nuk i ka hapur. Që nga fillimi dihej se atë që nuk e bënte Kroacia do ta fillonte Gjyqi i Hagës. Kryeministri më parë u ankua se pushteti i kaluar kishte shkatërruar dëshmitë, kurse Haga kishte materiale që nuk ekzistojnë më në Kroaci. Kjo është e saktë, por është e pakontestueshme se edhe pushteti i tanishëm në raport me Luftën Atdhetare morri retorikën e paraardhësve të tyre. Nuk deshti të shmanget nga pohimet se Kroacia kishte udhëhequr vetëm luftë të drejtë, mbrojtëse dhe të shenjtë.
As opinioni publik nuk është i gatshëm të ballafaqohet me të vërtetën e plotë. Para së gjithash sepse nuk ekziston vullnet politik. Beogradi dorëzoi kreun ushtarak në Hagë duke përgatitur edhe dosje televizive për krimet serbe të luftës; në Kroaci nuk ka pasur emisione të këtilla. Mediumet më të fuqishme as që kanë tentuar të shkruajnë për krimet e luftës që janë në shpirtin e Gospiçit dhe në hyrje të varrezave të Kninit. Televizioni nacional më shumë u morr me reklamimin e mitingjeve djathtiste kundër Hagës.
Pushteti posttugjmanist, i konsideruar si reformist, lëshoi rastin që të qëronte haptas hesapet me tugjmanizmin. Me aktakuzat e Hagës erdhi jo vetëm çasti i vërtetës por edhe çasti i pagesës së llogarive. Fatkeqësisht, me vdekjen e Franje Tugjmanit u shmang mundësia që në anën kroate, ashtu si në anën serbe, të përgjigjeshin projektuesit politik. Komandanti suprem është i vdekur, prandaj përgjegjësia e komandimit adresohet te gjeneralët e tij, që ishin vetëm zbatues. Në këtë aspekt aktakuza e Hagës e arritur në Zagreb me të vërtetë, në njëfarë mënyre, mund të duket si e padrejtë.
JELENA LOVRIÇ