Mafia pyjore në RS
AIM Banjallukë, 10.07. 2001.
Dëmet që i shkakton prerja ilegale dhe importi i drunjve për buxhetet e dy entiteteve mund të arrijnë dhjetëra milionë marka brenda vitit, kurse dëmet e pyjeve mund të llogariten me dhjetëvjeçar dhe shekuj. Kështu konstatoi para ca kohe kryetari i Trasperency Internacional për BeH Boris Divjak.
Para luftës BeH kishte rreth 43,44 përqind të territoreve nën pyje. Sipas vlerësimeve zyrtare Republika Serbe posedon rreth 3 miljardë marka pasuri pyjore. Dikur BeH ishte vendi i dytë në Evropë për nga pasuria pyjore, por viteve të fundit për shumëçka ka ndryshuar imazhi i saj. Ekspertët thonë se kjo nuk është as pasuri. Prerja e paplanifikuar e drunjve dhe shkatërrimi i pyjeve rrezikon zhbërjen e pyjeve nga kjo hapësirë.
Mbase kështu mund të sqarohet edhe mania për hapjen e punishteve të sharrave në gjithë BeH. Sipas të dhënave jozyrtare sharra ilegale ka tre herë më shumë se sa të regjistruara. Biznesi i këtillë është me levërdi dhe i thjeshtë - Nuk investohet asgjë, kurse fitohet shumë.
Derisa puna në punëtoritë private të sharrave lulëzon, firmat shtetërore
punojnë me kapacitet të zvogëluar dhe ngadalë fundosen. Ministria e bujqësisë, ujërave dhe pyjeve e RS vendosi që përmes një aksioni të përbashkët me kolegët nga Federata të tentojë të ndërmarrë diçka. Ministria përkatëse filloi me veprime konkrete - nga ndërrimi i një pjese të udhëheqësisë në strukturën e pylltarisë, deri tek shtimi i inspektimeve. Një nga masat e këtilla është që në të ardhmen shitja e vendeve pyjore të bëhet në formë të centralizuar- në nivel të JP 'Srpske shume', e jo individualisht, siç ishte deri tani.
Sipas fjalëve të ministrit Rajko Latinoviç, leje për eksport mund të fitojnë vetëm firmat që janë të specializuara për këtë punë, duke shtuar se të tilla janë të pakta në këto hapësira. Latinoviç thekson se rol të rëndësishëm në gjithë procesin doemos duhet të ketë edhe ministria e industrisë, që detyrimisht duhet të angazhohet në kontrollin e e mënyrës së punës së përpunuesve të drurit, që këtu janë me mijëra. "Është e detyrueshme të vendoset rend në punën e përpunuesve të drurit, që tani ka tre herë më shumë se sa parasheh plani vjetor i prerjes së drunjve dhe për të gjithë nuk ka vend", thotë Latinoviç.
Latinoviç pohon se është problematike se prerja e drunjve në BeH është bërë edhe temë e politikës ditore. Firmat shtetërore janë të politizuara tejmase, kurse firmat private punojnë jashtë kornizës ligjore duke rritur kështu dëmin. Dalja nga ky rreth ende nuk duket. Sipas të dhënave të Transparency Internacional, kontrolli ndaj pyjeve ishte privilegj partiak, veçmas i partive që kishin pushtetin vendor.
"Këta politikanë lokal shpesh janë në lidhje me pronarët e sharrave ilegale, kurse në anën tjetër, të njëjtit janë të emëruar në strukturat shtetërore të pylltarisë", sqaron Divjak dhe shton se, sipas rregullit, në ndarjen kadrovike partia politike realizon nevojat e veta mafioze.
Vlerësimet e Divjakut i vërteton edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate të BeH Ranko Bakiç. Ai thotë se zhvendosja e JP 'Srpske šume' nga Banjalluka në Sokolac flet vetvetiu mjaft: "PSD punon në idenë e vet dhe ëndrrën e parealizuar për bashkangjitje me Serbinë, prandaj insiston që gjithë institucionet e rëndësishme t'i vendos në lindje të RS. Bakiç pyet se si ka mundësi që firma shtetërore të paguajë një kub dru aq sa një firmë private me aq para paguan vend pyjor. Dhe përgjigjet: "Thjesht, privatisti u ik pagesave të detyrimeve ndaj shtetit dhe dikujt i jep reket". Edhe pse nuk dëshiron që të përmend emra, Bakiçi thotë se reketari kryesor në këtë rast është PSD-ja.
Se korupsioni në pylltari është evident dëshmon edhe ministri Latinoviç.
Këto pohime i shpreh me faktin se sipas dokumenteve zyrtare në shumë prona pyjore nuk shënohet fare puna e bërë, kurse nga ana tjetër sasia e
materialit të prerë në territorin e njëjtë është e madhe.
"Keni shembull ndërmarrjen si ' Borja' nga Tesliçja, që për disa vite ka
shënuar humbje sa kam ndjenjën që kjo është bërë qëllimisht, sepse nuk ka mundësi të kishte kaq shumë humbje", kap kokën me dorë ministri Latinoviç. Sipas mendimit të tij pasuria pyjore e BeH mbartet në dy drejtime - përmes Kroacisë drejt Italisë për në vende tjera të Evropës jugore dhe përmes Jugosllavisë e tregut grek. Në pyetjen, se si ka mundësi që sharrat private punojnë mirë, kurse atë shtetërore keq Latinoviç përgjigjet: "Veç korupsionit, me siguri njëri ndër shkaqet është mosparaqitja e punëtorëve. Në një sharrë afër Banjalukës punëtorët punojnë vetëm për mëditje".
Kontrolli i gjithanshëm politik mundësoi që në komunën e Drvarit të ndodhte rasti që policia lokale të çarmatosej nga ana e vjedhësve të drurit, kurse frontin ndaj SFOR-it, që gjithashtu kishte intervenuar, të siguronte fusha e minuar. Në fund drunjtë pa u penguar kishin përfunduar në një sharrë ilegale vendore.
Ndryshimi i pushtetit në të gjitha nivelet shtetërore deri tani nuk ka dhënë kurfarë rezultatesh inkurajuese. Mafia pyjore, pa marrë parasyshë përkatësinë etnike, edhe mëtej është më e fuqishme se sa vullneti i politikanëve për reforma efikase. Prandaj nuk është çudi që BeH është vendi i vetëm në botë ku nuk mund të vlerësohet vlera e pyjeve. Këtë e pamundëson përpilimi i planeve vjetore për prerje dhe vlerësime tjera. Kështu edhe mëtej nuk e dijmë se sa janë të hyrat e drunjve në prodhimtarinë nacionale bruto edhe pse politikanët tanë thonë se druri është pasuria më e madhe e jona.
Në pyetjen se si të mbrohen pyjet, Boris Divjak përgjigjet se një nga mënyrat është sjellja e ligjeve të reja.
"Formimi i policisë pyjore dhe pjesëmarrja aktive e ekipeve inspektuese gjithashtu mund të zgjidh problemin", vlerëson Divjak. Megjithatë, në Transperency Internacional përmendet se është më e rëndësishme që me institucionet pyjore përfundimisht pozicionet udhëheqëse t'i marrin pylltarët e jo politikanët.
SANELA ZHIVKOVIQ