Gjeneralët doemos në Hagë

Zagreb Jul 11, 2001

AIM, Zagreb, 07.07.2001

Në tavolinën e kryeministrit kroat Ivica Raçan para një muaji arriti dërgesa e rekomanduar nga Prokuroria e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte: në zarfën e mbyllur Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Karla Del Ponte i dërgoi Raçanit fletpadinë për dy gjeneralët kroat (është fjala për Ante Gotovinën dhe Rahim Ademin), ku kërkohej nga zyrtarët e këtushëm burgosja e menjëhershme e dy gjeneralëve dhe dorëzimi i tyre. Pasi pranoi letrën kryeministri veproi sipas statutit të Gjyqit të Hagës, sepse Karla Del Ponte i dërgoi letër ku shprehu vërejtjet rreth përmbajtjes së aktakuzës dhe shkaqeve përse duhet të jepet autorizim për burgosje. Më 6 korrik, të premten, Karla Del Ponte arriti në Zagreb, dhe mbajti një sesion katërorësh me kryeministrin kroat dhe këshilltarët e tij më të ngushtë.

"Shkaku më i rëndësishëm i vizitës sime është se institucioni im para një muaji dërgoi dy aktakuza të vulosura, që kanë të bëjnë me autorizimet për arrest dhe ju dorëzuan qeverisë", tha Karla Del Ponte pas takimit dhe vazhdoi: "Kryeministri Raçan në formë të shkruar kundërshtoi fletpaditë, por unë erdha për t'ia sqaruar se nga shkaqe drejtësie nuk mund t'i plotësojmë kërkesat e tij. Gjithashtu doemos duhet të them se deri tani kemi pasur bashkëpunim mjaft të mirë me qeverinë kroate. Por, dorëzimi i të akuzuarve në Den Hagë është testi i fundit për çdo qeveri, për çdo shtet. Asnjëherë, për asnjë qeveri nuk ekziston ndonjë kohë e mirë për të bërë ndonjë veprim të vështirë. Unë insistoj në atë që qeveria kroate, jo shkaku i Beogradit, por shkaku i detyrimeve ndërkombëtare të vazhdojë me realizimin e autorizimeve për burgosje".

Para se ta braktiste Oborrin e Banskos Karla Del Ponte tha se Gjykata e Hagës asnjëherë nuk e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e asnjë operacioni ushtarak apo policor të kroatëve, as ka sajuar aktpadi për kriminalizimin e luftës atdhetare. "Ne merremi me përgjegjësitë individuale në nivelet e larta të zinxhirit urdhëdhënës”, tha kryeprokurorja.

Pas fjalës së saj, gazetarëve iu drejtua Ivica Raçan, i cili nuk mundi të tregonte se a dëshironte kabineti i tij të plotësonte kërkesat e Hagës. "Vetëm mund të them se në seancën e jashtëzakonshme Qeveria do ta ketë në rend dite këtë temë dhe do të vendos për këtë çështje", tha Raçani dhe shtoi: "Nuk do të përgjigjem në pyetjen se në çfarë afati pret dorëzimin Karla Del Ponte. Do të shohim se çka mundemi dhe në çfarë afati ta bëjmë".

Qeveria kroate nuk ka kurfarë mundësie t'u ik kërkesave të Hagës për dorëzimin e të akuzuarve emrat e të cilëve janë në aktakuzat e vulosura: sipas Ligjit për bashkëpunim me Gjykatën ndërkombëtare, Qeveria kroate – pasi pranon aktakuzën – është e obligueshme ta informojë të akuzuarin me përmbajtjen dhe autorizimin për arrestim, kurse pas kësaj duhet të ngris procedurë për dorëzim në gjykatën rajonale të autorizuar; pastaj pason vendimi gjyqësor që i dorëzohet të akuzuarit nga Gjykata ndërkombëtare, kurse ankesa mund të dorëzohet vetëm në Gjykatën kushtetuese, që duhet ta shqyrtojë në procedurë të shpejtë; dorëzimi mund të pezullohet përkohësisht vetëm me vendimin e ministrit të drejtësisë shkaku i gjendjes shëndetësore të të akuzuarit ose ndonjë shkaku tjetër justifikues.

"Nuk mund të zbuloj përmbajtjen e letrës së Carla Del Pontes dhe vërejtjet që ia kam dërguar pas leximit të aktakuzës së vulosur. Statuti i Gjykatës së Hagës më obligon që të mos bëj publik përmbajtjen e aktakuzës së vulosur, gjithashtu edhe përmbajtjen e vërejtjeve që i kam dërguar", tha Ivica Raçan, kurse në pyetjen gazetareske se a u frikësohet pakënaqësive publike në vend shkaku i kërkesave të Hagës për dorëzimin e mundshëm, kryeministri u përgjigj se vendimi i Gjyqit të Hagës e obligon secilin. "Ne mund të thyejmë këtë vendim, por mbartim pasoja. Qeveria do të bëjë gjithçka sa i përket bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës duke ndjekur politikën që e kemi definuar si qeveri dhe

shtet kroat”, potencoi Raçani.

"Çka mendoni se e kujt ishte lufta atdhetare? Ishte lufta jonë, luftë kroate, e jo luftë imja private", deklaroi për “Jutarni listin” e Zagrebit gjenerali i pensionuar i Ushtrisë Kroate Ante Gotovina, pasi ishte spekuluar në mediume se emri i tij gjendej në aktakuzën e vulosur që Karla Del Ponte ia kishte dërguar Ivica Raçanit. Gotovina përndryshe ishte ushtar shumëvjeçar i Legjionit Francez të të Huajve, kurse Ushtrisë Kroate iu bashkangjit më 1991: në fillim ishte instruktor për stërvitjen e njësive speciale, shërbeu në Brigadën e parë të gardistëve, kurse gjatë operacionit “Stuhia” ishte udhëheqës i Zonës Operative në Split, dhe udhëhoqi trupat kroate ndaj Kninit. Udhëheqja e forcave të Ushtrisë Kroate në Knin, me siguri se përbën pjesën më të madhe të aktakuzës së Hagës kundër gjeneralit Gotovina, sepse në këtë drejtim ishin bërë mjaft krime ndaj civilëve serb.

Pas "Stuhisë" Gotovina u hodh në Bosnjë e Hercegovinë, ku ishte kryeshef i shtatmadhorisë së bashkuar të Ushtrisë Kroate dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes në aksionet ofenzive "Maestral" dhe "Potezi jugor": në këto aksione të forcave të përbashkëta kroate u krijua një hapësirë e

madhe nga Glamoça dhe Bosanski Grahi, përmes Shipovit dhe Drvarit, deri në Jajcë dhe Mrkonjiç-Grad. Kur u ndërprenë aktivitetet luftarake u bë inspektor kryesor i Ushtrisë Kroate, kurse pas grupimit me 11 gjeneralë të tjerë me të cilët i shkroi letrën puçiste kryetarit të Republikës dhe komandantit suprem të forcave të armatosura - u dërgua në pension.

"Nuk kam frikë. Përse duhet të kem frikë? Cili është ai përbindësh që do të mund të më frikësonte së afërmi? Nëse unë jam fajtor, atëherë fajtor jeni edhe ju! Edhe ju duhet të frikësoheni! Unë jam plotësisht i qetë", i tha Gotovina gazetares së "Jutarnji listit", kurse javorja nga Spliti "Feral Tribune" botoi informacionin se gjenerali nuk do t'i dorëzohet vullnetarisht Gjykatës së Hagës dhe se do të rezistonte me forcë ndaj atyre që do të tentojnë ta arrestojnë.

"Mua askush asgjë nuk më ka thënë zyrtarisht, as nga Qeveria, as nga Ministria e Mbrojtjes. Në çka mund të bazohet Gjykata e Hagës që të ngre aktakuzë ndaj meje për kryerje të krimeve të luftës", tha për "Jutarnji list" gjenerali Rahim Ademi, i cili gjithashtu përmendet si emër në fletarrestin e vulosur nga Haga. Ademi edhe mëtej është epror aktiv në Ushtrinë Kroate, ku erdhi nga Armata Popullore Jugosllave: të mirëinformuarit thonë se Ademi është eprori më i mirë për artileri që ka Ushtria Kroate, kurse vlerësohet se fletarrestimi ndaj tij ka të bëjë me

aksionin e Ushtrisë Kroate në Medaçki Xhep afër Gospiçit. Në këtë operacion, që ndodhi në shtator 1993, trupat kroate kishin vrarë disa dhjetëra civilë serbë, kurse gjeneral Ademi ishte njëri nga eprorët kryesor në shtabin e gjeneralit Mirko Norç, komandantit të atëhershëm të

Zonës Operative të Gospiçit. Në operacionin "Stuhia” dhe operacionet e mëvonshme në Bosnjë ai shërbeu në shtabin e gjeneralit Gotovina.

Pasi Qeveria në seancën e vet të jashtëzakonshme do të vendos se çka duhet bërë me fletarrestet e Hagës (kurse hapësira manovruese kryesisht është ngulfatur), Kroacinë mund ta trondisin një valë mitingjesh e pakënaqësishë publike të djathtistëve ku, padyshim, do të kërkohet ndërprerja e gjithë marrëdhënieve me Hagën. Veç kësaj, Raçanit mund t'i ndodh edhe kriza qeveritare, sepse kryetari i HSLS-së Drazhen Budisha paralajmëroi se partia e tij do të largohet nga Qeveria e koalicionit nëse Kroacia vazhdon t'i dorëzojë gjeneralët në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte. Për çdo rast këtë vend e presin ditë mjaft interesante.

IVICA GJIKIÇ