Dhjetë vjet më pas

Ljubljana Jul 10, 2001

Më 7 korrik kanë kaluar dhjetë vjet nga përfundimi i të ashtuquajturës “luftë dhjetëditore”, siç quheshin konfrontimet ndërmjet njësive të Mbrojtjes Territoriale të Sllovenisë dhe policisë (nga njëra anë) dhe Armatës Popullore Jugosllave nga ana tjetër. Gjithçka filloi në mëngjes, pas shpalljes zyrtare të pavarësisë dhe ngritjes së flamurit slloven në qendrën e Lubjanës. Pas dhjetë ditësh luftime u arrit armëpushimi dhe pastaj marrëveshja e përhershme e arritur më 7 korrik në Brione me ndërmjetësim të Bashkësisë Evropiane. U arrit “deklarata e Brioneve”, e para në serinë e dhjetra tentimeve diplomatike për zgjedhjen e krizës në RSF të Jugosllavisë së atëhershme.

Lubjanë, 07.07.2001.

Në 25 qershor para një dhjetëvjeçari Kuvendi slloven në bazë të referendumit miratoi aktin për pavarësi. "Sot janë të lejuara intrigat, nesër është ditë e re", tha atëherë kryetari i Sllovenisë Millan Kuçan në Lubjanë, derisa çeta e Mbrojtjes Territoriale e përshëndeti duke hequr flamurin jugosllav dhe duke e ngritur flamurin slloven. Të njëjtën natë ngjarjet filluan të zhvillohen sipas skenarit të rastit – herët në mëngjes njësitë e APJ-së u nisën drejt vendkalimeve kufitare. Sllovenia i priti me barikada, që u shmangën nga tanket. Transportuesit e APJ-së nuk kursyen as veturat që i kishin nxjerrur në rrugë civilët për të penguar kalimin nëpër rrugë, kurse në shënjestër të aviacionit ishin transmetuesit e radios dhe televizionit kombëtar. Luftimet sporadike zgjatën dhjetë ditë. Rrjedha e tyre nuk ishte e vështirë për t'u parashikuar.

"Forcat e republikës së Sllovenisë në luftimet me APJ-në sulmuan me intensitet të vogël apo të madh gjithë 35 vendhyrjet kufitare si dhe disa njësi të vogla në 87 karakolle dhe afër dyzet objekte tjera... Pasi që forca e përgjithshme e njësive tona që u nisën drejt vendkalimeve kufitare ishte gjithsejt 2000 njerëz, njësitë e MT (sllovene) dhe policia gjatë kryerjes së detyrave kryesore nuk e kishte të vështirë të krijonte forca më të volitshme që, sipas disa kuotave, ishte në raportin 10 deri 20 njerëz ndaj një njeriu. Derisa automjetet tona filluan të lëviznin nëpër rrugë, ana kundërshtare shfrytëzoi përparësinë e terrenit të vendit, pra terenin karakteristik malor si dhe ndihmën e popullatës vendase, duke iu falemnderuar edhe propagandës agresive për përkrahje", kujton gjeneral-majori i APJ-së në pension Konrad Kolshek në librin e botuar 'Kujtime nga fillimi i konfliktit të armatosur në Jugosllavi më 1991”.

Kolshek, përndryshe slloven, në rolin e komandantit të Zonës së Pestë ushtarake me seli në Zagreb me urdhër të Shtatmadhorisë së APJ-së dhe Qeverisë federale ishte ai që filloi aksionin kundër vendit të vet. Megjithatë, pas dhjetë ditë konfrontimesh ishte e qartë se ushtria federale nuk kishte përkrahje nga federata që po vdiste, e as nga Serbia, prej ku Millosheviqi (sipas dëshmisë së anëtarit të atëhershëm të Serbisë në Kryesinë e shtetit të përbashkët - Bora Joviçit) porositi se duhej luftuar për “kufinjtë e Jugosllavisë së ardhshme”.

Gjithça u krye me asistencë të treshes së BE në Brioni, ku u arit marrëveshja për një moratorium tremujor për të gjitha vendimet. Bashkësia evropiane kërkoi kthimin e tabelave dhe shënimeve federale kufitare, suspendimin e aktit të njëanshëm, kthimin e armëve të marra nga APJ-ja e kështu me rradhë. Vetëm një pjesë e këtyre kërkesave u plotësua. Udhëheqësia e Sllovenisë ishte e para që e kuptoi se Evropa vetëm pengon me fjalë, e megjithatë pranon “gjendjen faktike”; përndryshe kjo është politika e shteteve evropiane që udhëhiqet që nga fillimi i krizës deri tani. (I vetmi përjashtim ishte ndërhyrja kundër RFJ-së). Është interesant, pas librit të Kolshekut, të përqasësh aktorët e ndryshëm që kujtojnë atë që është biseduar në Brione. Versioni i parë ofrohet përmes ditarit të Borisav Joviçit, anëtarit të atëhershëm të Kryesisë së RSFJ-së.

"Bisedë me Treshen e Bashkësisë Evropiane: Van den Bruk, Zhak Pos dhe Zhoao Pineira, ministra të jashtëm të Holandës, Luksemburgut dhe Portugalisë, në Brione. Deri te bisedimet erdhi në kohën e ngulmimeve që Sllovenia dhe Kroacia të respektonin premtimet e veta dhe me garancë të BE-së të bënin suspendimin e vendimeve separatiste për tre muaj, që në ndërkohë të kërkohej një marrëveshje për zgjidhje politike. Praktika ka treguar qartë se nga kjo punë nuk ka asgjë, kurse BE-ja në këto bisedime demonstroi më shumë pengesë dhe tërheqje vëmendjeje ndaj Jugosllavisë sesa separatistëve dhe haptas paralajmëroi “ndërrimin” e qëndrimit të vetë në drejtim të shpërbërjes së Jugosllavisë", kujton Joviçi. Pas kësaj përmend fjalët e të dërguarit të BE-së, Van den Bruka: "Jam shumë i kënaqur, sepse dje kam dëgjuar, në deklaratën që e dha zoti Millosheviq, se ai pranon të drejtën e vetëvendosjes, se pranon edhe mundësinë, që mund të realizohet me kohë, për ndarjen e republikave të caktuara në Jugosllavi. Më ka pëlqyer shumë edhe ajo që tha se nuk e konteston principin e të drejtës për vetëvendosje, por kërkon që konkludime të këtilla të bazohen në negociata ose në dialog, me fjalë tjera – e ardhmja e Jugosllavisë doemos duhet të jetë rezultat i dialogut dhe negociatave paqësore. Në lidhje me këtë ne u pajtuam plotësisht me zotin Millosheviq".

Zyrtarisht Bashkësia Evropiane i parashtroi kushte mjaft tërënda edhe udhëheqësisë në Lubjanë. "Mendoj se keni absolutisht të drejtë kur, përherë, potenconi se çdo zgjidhje është e mundshme nëse është si rezultat i një marrëveshjeje në negociata. Gjithnjë e themi se aktet e njëanshme, si këto, nuk do të çojnë në zgjidhje paqësore... Në bisedimet

tona me sllovenët ua bëmë të qartë se ekzistojnë dallime dhe probleme të caktuara që nuk janë zgjidhur... ua bëmë të qartë sllovenëve se nëse dëshirojnë të realizojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje, këtë mund ta bëjnë vetë përmes negociatave”, tërhoqi vëretjen përfaqësuesi i BE-së.

Në fund gjithçka përfundoi ndryshe. Në fillim gjithkund u shpërndanë armë, kurse bisedimet erdhën në fund, si vërtetim i gjendjes faktike në terren. U respektua vetëm ajo që u arrit përmes fuqisë ushtarake. Kryesia e RSFJ-së (Janez Drnovshek, Stipe Mesiç, Bora Joviç dhe të tjerët) nuk kishte rrugëdalje tjetër që me votat e përfaqësuesve të Beogradit dhe Lubjanës të vërtetonin vendimin që APJ-ja të tërhiqej nga Sllovenia. Është fakt se Sllovenia në fund u pavarësua me ndihmën e votave serbe në Kryesinë e RSFJ-së ( dhe Janez Drnovshekut, natyrisht), por edhe me votën “kundër” të kryetarit të tanishëm kroat Mesiçit që këtyre ditëve është harruar.

Kështu në tavolinën e rrumbullakët me rastin e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë në Interkontinentalin zagrebas aktorët e dikurshëm Janez Jansha, Dimitrij Rupel, Igor Bavçar, Stipe Mesiç, Martin Shpegell dhe të tjerë thanë shumë komplimente për njeri-tjetrin – vetëm korrespondenti i “Delo”-s nga Zagrebi e përkujtoi opinionin publik për këtë fakt të palakmueshëm historik. Nuk ka dyshim se largimi i APJ-së shënoi jo vetëm fundin e RSFJ-së dhe fillimin e pavarësimit real të Sllovenisë, por edhe fillimin e luftimeve të përgjakshme, që në hapësirat e shteteve të dikurshme nuk kanëpërfunduar as deri më sot.

Sa i përket pjesës sllovene kriza u thellua sa mes APJ-së dhe përfaqësuesve të forcave sllovene u nënshkruan disa marrëveshje (p.sh. për "mbrojtjen e armëve dhe banesave ushtarake në pronësi të APJ-së” dhe të ngjashme), që më nëfund ishin të vlefshme sa një letër e hudhur në kontejner. Armët mbetën në Slloveni, që sot përdoren nga Ushtria Sllovene, banesat u privatizuan në masë të konsiderueshme, kurse familjet e eprorëve të armatës së humbur as sot e kësaj dite nuk kanë të rregulluar çështjen banesore e as të drejtat sociale... Sllovenia dhjetëvjeçarin e parë të pavarësisë e festoi me fishekzjare në Sheshin e Republikës dhe me fjalimin e kancelarit gjerman Gerhard Shrederit, përfaqësuesit të vetëm të BE-së së njëjtë e cila u angazhua për zgjidhjen e krizës në Jugosllavinë e dikurshme.

Mediumet vërejtën se paralajmërimi për paraqitjen e Shrederit para popullit slloven krijoi dilema dhe asociacione të këqija, sepse gjermanishtja nga foltoret e këtushme në të kaluarën nuk do të thoshte diçka e mirë. Në konstelacionin e raporteve të tanishme miqësore, komentatorë të pavarur panë në paraqitjen e Shrederit një dozë të madhe të servilizmit ndaj Gjermanisë. Ndodhi që në disa gazeta ditore të botoheshin komente me titull të njëjtë - "Danke Dojçland", me aluzion për falemenderimin e nënshtetasve të magnatëve nga Boni dhe Berlini, ashtu siç e praktikoi para disa vitesh Kroacia fqinje.

Ishte siç ishte, në të njëjtën ditë kur u arrit “Marrëveshja e Brioneve”, dhjetë vjet më pas, disa ndërmjetësues të tjerë evropiane, sollën disa “plane tjera kompromisi”, kësaj rradhe në Shkup, vatra e fundit e republikës jugosllave ku u shpërngul lufta, duke shkuar drejt jugut.

IGOR MEKINA